leoni

Dinastia 150-vjeçare e vezirëve të mëdhenj nga dera e Qyprilinjve III

Dinastia 150-vjeçare e vezirëve të mëdhenj nga dera e Qyprilinjve III

Hysein Pasha Qupriu (1697 – 1702)

Pak vite mbas vrasjes Mustafait, një numër dështimesh shoqëruan fatet e Perandorisë në fushën politike dhe atë ushtarake. Në frontet e luftërave, në vitin 1697 Turqia pësoi një humbje të bujshme në Senta. Fuqitë e saj qenë shteruar maksimalisht. (Biography of Turkish history – Maps and Paintings….Ankara – 2004)

Pikërisht në këto kohë të vështira një tjetër Qyprili thirret për të përballuar hallet e rënda të Perandorisë. Ishte Hysein Qypriliu, ishte djali i xhaxhait të Mustafa Qypriliut.

Me të marrë fronin e Vezirit të madh iu përvesh punëve të ushtrisë së perandorisë. Bëri shkurtime drastike në radhët e korpuseve të jeniçerëve dhe u përpoq të risë cilësisht radhët e saj. Për nevojat e rimëkëmbjes së ekonomisë, ndërmori një numër masash dhe uli në mënyrë të ndjeshme taksat. Nxiti dhe stimuloi përmes masave favorizuese fshatarët për kultivimin intensive të tokës. Gjatë pesë vjetëve të drejtimit të tij, monedha vendase u forcua në mënyrë të ndjeshme. Me kurajë filloi një reformë radikale për reformimin e tërë administratës dhe oborrit. Por, kjo nxiti një reaksion të fuqishëm që pruri për pasojë përmbysjen e tij.

Është konsideruar më shumë njeri i mendjes sesa i forcës. Ishte mbështetës dhe reformator i arteve dhe letërsisë në Perandori. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e vështira të perandorisë u imponua të nënshkruajë Traktatin e Karlovitzit, që është konsideruar “paqja poshtëruese”. (The Enciclopedy of Ëarld History. F 356-7)

Burimi:Gazeta Shqip.

NUMAN QYPRILIU (1710-1711)

Ishte djali i Vezirit të Madh, Mustafa Qypriliut, qëndroi vetëm dy vjet në fronin e Vezirit të Madh (Sadr – Azemit) vdiq në vitin 1719. Megjithëse, qeverisja e tij zgjati pak, vetëm katërmbëdhjetë muaj, ai vlerësohet vetëm për masat radikale që mori në administratë. Ai njohu tërë labirinthet e kësaj burokracie që do të kërcënonin edhe më tej perandorinë. Vlerësohet si burë tepër i mençur dhe tolerant. U largua me dëshirën e tij nga pushteti dhe iu kthye jetës së tij private.

ABDULLAH QYPRILIU (1723-1735)

Abdullah Qypriliu ishte djali tjetër i Vezirit të Madh, Mustafa Qypriliut. Kreu një sërë funksionesh në hierarkinë osmane gjer Kajmekan i Vezirit të Madh, më 1703. Në kohën e marrjes së funksionit si Vezir i Madh, perandoria veç plagëve të tjera kërcënohej nga lindje seriozisht prej persëve, që në mënyrë periodike kishin rritur fuqinë dhe kishin korrur një numër fitoresh mbi ushtritë osmane. Në rrethanat e krijuara, menjëherë pas marrjes së detyrës, më 1725, Abdullai ndërmori një fushatë ushtarake dhe në betejat me ta arriti një fitore të bujshme duke shtënë në duart e tij edhe qytetin e Tabrizit. Vlerësohet për masat e mara në fushën e ekonomisë dhe të ushtrisë. Në një betejë të dytë të ndërmarrë kundër persëve të rebeluar, më 1735, në Bagave ushtritë e tij u mundën. I dha fund vetes me një akt heroik duke imituar të atin në Selankamen. Qëndroi dymbëdhjetë vjet në funksionin e Vezirit të Madh dhe konsiderohet kështu një nga vezirët më jetëgjatë në fron. ( The Balkans – A history of Turky, Grece and Bulgaria….”, f. 78)

Edhe pasi kjo dinasti e madhe, largohet nga kulmet e politikës – nga veziratët, një numër tjetër pinjollësh të familjes Qypriliu vazhduan të punojnë dhe vlerësohen në radhët e administratës osmane. E gjithë kjo mori personalitetesh mbetet ende e pakërkuar dhe pastudiuar, por përpara se ta mbyllim kronikën me evidencën e Qyprilinjve në periudhën e Perandorisë Osmane, do ndalonim të përmendnim një prej pasardhësve të saj në kohët moderne, në vitet e Republikës Turke. Një ndër ta është:

MEHMET FUAT QYPRILIU (1950-1956)

Lindi më 5 dhjetor 1890 dhe vdiq më 28 janar 1966. Njihet si pasardhës i derës së Qyprilinjve, fakt të cilin Mehmeti e pohonte vetë. Mbaroi studimet e larta në Kembrixh dhe që në moshë të re iu përkushtua shkencës së historisë dhe shpejt u përfshi në politikë. Ishte ndër krerët udhëheqës të Partisë Demokratike Turke dhe kur ajo fitoi zgjedhjet shërbeu në kabinetin e Kryeministrit Adem Menderez. U caktua ministër i Jashtëm i Republikës Turke, funksion të cilin e mbajti nga viti 1950 gjer në vitin 1956. Qëndroi për pak kohë edhe në funksionin e zëvendëskryeministrit.

Si historian ka botuar një sërë veprash shkencore me karakter historik si: “Origjina e Perandorisë Otomane”, “Sulxhukët e Anatolisë”, “Islami në Anatoli pas invazionit turk”, etj.

Njihet në radhën e figurave dhe personaliteteve të politikës dhe kulturës turke për kontributin e tij në fushën e studimeve për historinë otomane, folklorin dhe gjuhën turke.

Burimi:Gazeta Shqip.

Përpara se ta mbyllim këtë qëmtim të shkurtër rreth derës së famshme të Qyprilinjve dhe kontributeve që ata dhanë në rrjedhat historike të Perandorisë Osmane dhe për Turqinë moderne gjykojmë se është e nevojshme të përmendnim se në radhët e hierarkisë së lartë osmane, në funksionin e Vezirit të Madh, pra të Sadrazemit – veç Qyprilinjve shërbyen edhe shqiptarë të tjerë, rreth të cilëve ka fare pak apo më mirë të themi aspak njohje, kërkime dhe hulumtime shkencore. Megjithatë, le të bëjmë një gjest, qoftë edhe vetëm prezantimin e emrave të tyre duke shpresuar se paskëtaj me siguri do të ketë prurje të tjera që do të ndriçojnë veprimtarinë dhe kontributin e këtyre shqiptarëve në historinë e perandorisë osmane. Disa nga ata janë:

Arnaut Haxhi Halil Pasha – Lindur në Elbasan më 1655 dhe vdekur më 1733 – Sadrazem-Kryeministër.

Halil Patrona, lindur në Horpisht të Manastirit më 1690. Kryengritësi më madh gjatë rërë historisë së Perandorisë. Iu pre koka në në Stamboll, më 28 shtator 1730.

Ajaz Ahmet Pasha lindur në Vlorë dhe vdekur në Stamboll 1539, Sadrazem-Kryeministër.

Turhunçu Ahmet Pasha, Lindur në Mat-Shqipëri, vdiq në Stamboll më 21 mars 1653, Sadrazem-Kryeministër.

Pargali Ibrahim Pasha, Lindur në Pargë, vdekur në Stamboll 15 mars 1536, Sadrazem-Kryeministër.

Kemankesh Kara Mustafa Pasha, lindur në Shqipëri 1592 dhe vdekur në Turqi 1644, Sadrazem-Kryeministër, etj.

Burimi:Gazeta Shqip.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …