Dr.Hasan B.Luçi: Përçarja e shqiptarëve, një varr i hapur

Dr.Hasan B.Luçi: Përçarja e shqiptarëve, një varr i hapur

A ka patur  ndonjëherë paqe mes shqiptarëve ?

       Së pari, ne shqiptarët nuk jemi ende njëzëri për gjuhën tonë, që na dallon nga e gjithë bota, si gjuhë e vetme dhe gjuha e parë e botës e “nefillimëve”. Siҫ dëshmojnë shkrimet dhe gërmimet arkeologjike. Ҫudi e madhe që nuk ndodh gjetkë që të mos kërkohet, përkrahet dhe lavdërohet njësimi i gjuhës letrare apo gjuha zyrtare, siҫ e kanë popujt e tjerë. Është edhe turp që kërkohet ende të njihen dialektet si gjuhë zyrtare dmth tre dialekte : gegë e toskë dhe së fundi  kosovare. Vaj medet, se zgjuarësia e skajshme jona prodhon edhe bomba kundër vetvetes ! Sidoqoftë më gëzon diçka fakti se jo pak kosovarë intelektualë e flasin më mirë gjuhën zyrtare se sa akademikë e poltikanë  në shqipëri. Sigurisht ku pikon do rrjedh. Ndofta do vemë mend një ditë ! Por duhet luftuar t’ia arrijmë qëllimit kombëtar, gjuhës së njësuar më të ëmbël se mjalti.

        Paradoksi tjetër sot i frikshëm është edhe sulmi që i bëhet gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, që gëlojnë në media, tregëti, relama, politikë, kulturë dhe bile në  radhë akademikësh, profesorësh e mësues të gjuhës shqipe, që e quajnë si pa të keq si pasurim të shqipes sot këtë krim gjuhësor ! Shumë shtete kanë nxjerrë ligje për ruajtjen pastër të gjuhës, si psh Franca kundër frangles etj. Po tek ne pse kjo hata nuk shqetson asnjeri, vec fare pak atdhetarëve. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se po humbëm gjuhën kemi humbur gjakun shqiptar e kjo s’është shaka. Ku janë institucionet përkatëse a do zgjohen sa s’është vonë ? Duhet dhënë alarmi pa vonesë dhe të penalizohen fajtorët !

      Së dyti, nuk jemi  njëzëri as për flamurin kombëtar, kuq e zi me shqiponjën dykrenare, e vendosur qysh nga epoka e Skënderbeut dhe i ringritur nga Ismail Qemali. Disa “demokratë” në Shqipërinë e jashtme kanë varur një flamur rreckë të ngjashëm me flamuj serbomëdhenj, me të cilët po veprojnë edhe këto ditë për ta përcarë edhe më tej popullin. Dhe kur ? Kur rilindi  Kosova prej UҪK-së, pa ҫ`ka se ndërkombëtarët i dhanë një flamur, që shpresojmë të jetë i përkohshëm, se shqiptarët nuk do të mbeten më nën trysnitë e atyre që na coptuan tragjikisht që nga Kongresi i Berlinit, kur na quanin “shprehje gjeografike” dhe islamikë. Duhet luftuar t’i bëjmë hi propaganda e atyre që provokojnë e sulmojnë flamurin kuq e zi, nderin e lavdinë tonë.

     Së treti, nën pushtuesit shekullorë, një pjesë  e shqiptarëve u bënë mercenarë të tyre ose të fuqive të tjera për fat të keq e të zi të nënave, se lanë jetën për të huajt, kurse pjesa tjetër atdhetare mbeti  kryengritëse për liri e pavarësi dhe shkroi histori lavdie e krenari me përkushtim deri në vdekje si dëshmorë, siguroi  mbijetesën e kombi tonë, megjithse në një pëllëmbë tokë e terren tepër malor, mburoja kryesore. Ende këto male do kenë ngjarje për mbijetesë se bota po bëhet ҫorapë dhe Ballkani i hallakatë, nën presionet e të mëdhenjve afër e larg. Duhet vigjilencë e lartë dhe strategji mbrojtëse pa mëdyshje; NATO-ja nuk do të jetë mburojë e përjetshme, dhe këtë e tha tashmë edhe presidenti i ShBA Tramp ! I duhet dalë përpara rreziqeve të së ardhmes !

      Së katërti, edhe në kombin shqiptar të pushtuar dhe në atë kohë me pushtet të vetin, bejlerët e bajraktarët sundonin mbi popullsinë e varfër të vendit, duke bashkëpunuar e bashkëvepruar edhe me të huajtë, gjoja edhe miq apo vëllezër të tyre, sic quajmë dikë edhe sot. Përplasja ishte e pashmangshme dhe sic dihet ndodhën ngjarje si edhe me bejlerët e rinj të viteve ’90 (kujto 1997) dhe ditët tona 2017 kur bëhen thirrje për “revolucion demokratik” që kuptohet qartë si kundërrevolucion fashist i ri për të mos bërë drejtësi dhe shtet ligjor. A gjykon populli apo jo ? Si duron këta horra në drejtim ?! Varfëria nxit luftën për të drejtat e liritë e njeriut, jo të tulatesh si pulat në shi !.

       Së pesti, gjatë LANҪ-it dhe pas ҫlirimit u bë më i qartë qëndrimi i bashkëpuntorëve të fashistëve italianë e gjermanë dhe i të pasurve ndaj popullit të thjeshtë që bëri luftën kundër të huajve dhe traditave të vjetra të dëmshme për kombin tonë. Paqja e brishtë u bë falë diktaturës së shumicës (fshatarë e punëtorë, pra, demokraci popullore) mbi pakicën fajtore të deklasuar e të dënuar me ligje të shtetit ligjor socialist. Por, lufta e klasave, megjithse u tepërua, u thellua pasi nuk u arrit asnjë pajtim dhe shtresat e mundura nuk i shkëputën fijet e lidhjet me të huajt për ta përmbysur pushtetin popullor, që sa lindi dhe në vazhdim. Pra, lufta u acarua brenda dhe Lufta e Ftohtë me jashtë, pasi vijuan dy palët të papajtueshme mes tyre. As arritjet madhështore, që zhdukën mesjetën e errët në Shqipërinë e Re, nuk i kënaqën shtresat e përmbysura, njerzëit antikomunistë (që për inat të sime vjehrre, sërish fjeta me mullixhiun, thotë fjala popullore), pa për të huajt, që edhe i nxititën me ҫdo mënyrë për qëndresë. Pra drejtësia popullore u qëndroi mbi krye kurdo, me të drejtë. Këtë e dinë por nuk u pëlqen ta pranojnë dhe sot mburren se nuk u dorëzuan, duke dëmtuar veten e kombin tonë dhe ja ku janë tashmë fashistët e rinj, pinjollë apo mosmirënjohësit që hëngër tërë të mirat e socializmit dhe tani janë bërë koburet e shkatërrimit të vendit, në bashkëpunim më rrjetet e huaja të spiunazhit të armiqëve shekullorë të betuar të shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por po u thurret lavdi, u ngrihen monumente e botohen libra pa mbarim për tërë tradhëtarët e spiunët e deklaruar hapur edhe nga të huajt dhe veprat e tyre. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Franca nuk e fal fashistin Peten. A ka plehra më të fëlliqura dhe më të rrezikshme se këta politikanë dhe llumi që i shoqëron për pesë grosh të qelbur ? A do t’u tregohet vendi këtyre horrave nga populli me të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe përparuar ? Deri kur do paguhen të përndjekurit fajtorë dhe kriminilët ordinerë, që janë qinfishuar me dokumenta fallco, kurse populli që rindërtoi e përparoi vendin është varfëruar më keq ? Ҫ‘është kjo politikë dhune ndaj popullit që solli lirinë e pavarësinë, qënien e Shqipërisë me LANҪ-in dhe punën e palodhur për ndërtim e përparim pas ҫlirimit ?

    Së gjashti, tranzicioni i quajtur demokrat acaroi më tej shqiptarët pasi shumica humbi pushtetin me një prag lufte civile, që gjoja u sheshua nga ushtritë e huaja sërish me dy kuptime dhe u vendos pakica kapitaliste në bashkëpunim e bashkëveprim me të huajt armiq apo shfrytëzues e mafiozë të  pasurive të shqiptarëve, që shkatërruan arritjet madhështore socialiste të popullit tonë. Nga 1990 është epoka më e keqe në historinë shqiptare edhe se nën pushtime dhe nuk po merr fund sepse s’ka sy për qabe që të bëhet një ditë shteti ligjor, të paktën siҫ e kanë edhe demokracitë e tjera, pa le më të fisëm. Asnjera forcë politike që merr pushtetin, me kala dibrance, dhe gjoja me votë popullore nuk jep asnjë garanci, përkundrazi vaj medet. Sot jemi një vend sa grushti me tri qeveri (PD,PS,LSI me bishta plot), fatkeqësisht kështu edhe në Kosovë të përҫarë në qeveri, me parti si edhe në Maqedoni, Mal të Zi e luginën e Preshevës, asnjë bashkim partisht, por secila bën hyqëm më vete se pashai do pasha dhe pikë, si duhet bashkimi popullor e kombëtar, do vetëm pushtet si lugati e djalli vetëm për vete ! Asnjë veprim për të fituar të drejtat e tyre ҫamët dhe arvanitasit në Greqi, flasin gjuhën e nënës në shtëpi, por s’ka veprime në publik as brenda vendit as jashtë si dhe në disa troje shqiptare nën Serbi e Bosnjë-Herzegovinë etj. Është koha të veprojnë për jetën e vet në liri !

     Së shtati, në asnjë epokë shqiptarët nuk e kanë ndalur mërgimin qoftë ekonomik qoftë arratisjen politike qoftë ikjen nga terrori e genocidet e armiqve shekullorë. Kështu për arsye të ndryshme i kthyen shpinën atdheut, një pjesë duke u bërë mercenarë të armiqve e kundërshtarëve të shqiptarëve. Jo vetëm kaq por marrin shtetësi të huaja dhe një pjesë duan edhe të nxjerrin gjakun shqiptar nga trupi për turpin e tyre. Kjo tragjedi filloi e u nxit e para edhe në tranzicion dhe që nga viti 1990 kjo hemoragji kombëtare s’ka për të marrë fund sa nuk shihet ndonjë dritë kthese në atdhetari. Qeverit tona s’kanë asnjë merak se ҫ’bëhen shqiptarët në mërgim e diasporë, ҫ’bëhet me fëmijët e tyre. Kur shqiptarët do t’i shërojnë plagët e mërgimit që tranzicioni i lavdëron dhe i nxit të ikin nga sytë këmbët ! Sipas statistikës së fundit, Shqipëria ka rreth 2.8 milionë banorë, por në fakt kjo nuk është me saktësi, se ende s’është bërë rregjistrimi derë më derë dhe sa dalin në pikat kufitare zyrtare e private !

         Së teti, një paradoks tjetër është përҫarja e re e shqiptarëve sidomos atyre të sektit mysliman, pasi si nga Shqipëria dhe nga Kosova e troje të tjera shqiptare, po ikin luftëtarë tek ISISI, ku kërkojnë të fitojnë dhe po len kokën për një ҫështje të humbur  ende pa u filluar. Kjo është edhe papërgjegjësia e qeverive shqiptare që kanë krijuar kaos e anarki kudo, veҫ nxitjes së armiqëve të shqiptarëve që joshin rininë e varfër me serume helmuese. Për fat të keq edhe mërgata politike shqiptare pas ҫlirimit u përdor si mish për top në disa konflikte rajonale në botë që nga 1945. Jo pa ndikim është edhe dërgimi zyrtar i shqiptarëve nga qeveritë në zonat me konflikte për hesape të botës kapitaliste sunduese nëpër botë. Shqiptarët s’kanë as interesa as mundësi për superfuqi. Ne mburremi për tolerancën fetare me të drejtë, por nuk jemi mirë me luftën kundër ndikimeve fetare që nuk janë ende pa dëme në radhët e popullsisë, pasi kisha  ortodokse greke dhe serbe nuk rrinë duar kryq si dhe “vëllezërit myslimanë” në Azi e gjetkë. Shtimi i kishave ortodokse e myslimane në Shqipëri është një paradoks i frikshëm me kosto të rëndë për t’ardhmen e rinisë tonë. Edhe arsimi fetar në shkolla do ketë rreziqet e veta jo të paktë. Një fjalë e urtë labe thotë : “ Dashuria e dëndur, e pirdhur e fënur “, qoftë në politikë,  fe,  miqësi e shoqëri.

         Së nënti, krimi i organizuar pa fre, brenda e jashtë vendit, ka prekur një masë jo të vogël  të popullsisë dhe jo vetëm politikën, drejtësinë, policinë etj., që udhëheqin trafiqet e shumta së bashku me mafien vendëse që po bëhet edhe drejtuese si motrat e tyre ndërkombëtare. Varfëria përqafoi nxitjet kriminale për mbjelljen e shitjen e drogave, trafikun e vjedhjes e shitjen e armëve, trafiqet njerëzore (prostitucionin e shitblerjen e fëmijëve), vjedhjet masive të bankave, shtëpive, qëndrave arkeologjike, kishave, muzeumeve, trafiku i lëndëve drusore të gatëshme e qymyrdruri, trafiku i gabëtive, trafiku i lëndëve ushqimore dhe frutave për futje në Shqipëri si “buono per Albania”. Mos kontrolli shtetëror gati për gjithҫka : ҫmimet, ushqimet, tregut etj., deri mangësi në Kontrollin e  Shtetit për administratën shtetërore e privatët, shoqërië e huaja etj., e kanë lënë ende në kaos vendin ligjor vendin, që siҫ  mësohet edhe nga media ende nuk po sigurohen kufijtë e vendit. Shteti nuk kontrollon asgjë ndaj mediave të shkruara e pamore të cilat bëjnë propagandën më të keqe ndaj brezit të ri, me emisionet tejet negative për moshën e pjekurinë e tyre, pasi tek ne ka raste që veprojnë edhe më keq se në vendet  kapitaliste  të botës. Organet zyrtare duhet të jenë më agresive kundër ҫdo lloj krimi. Një luftë më e organizuar duhet të bëhet kundër prostitucionit edhe brenda vendit. Me që jemi në kapitalizëm, megjithse kaotik këtu, nuk do ishte keq të legalizohen dritat e kuqe për të kontrolluar gjendjen shëndetësore dhe pensionin e femrave, ndryshe, siҫ tregojnë faktet, ky fenomen ka përhapje të gjërë në hotele, shtëpi private, lokale nate e tallavash, plazhe, rrugë, qëndra tregtare, kafene etj. Ky fenomen duhet luftuar se jo vetëm po ҫ`thurret tradita morale shqiptare por duhet mbrojtur rinia, fëmijët etj., të cilët mediat e pa fre imorale po i sulmojnë keqas edhe në shkollë me droga, pornografi etj. Familja, shkolla e shteti duhet të bëhen njëzëri për luftë pa kompromis ndaj degjenerimit të rinisë, të ardhmes së vendit.

         Së dhjeti , lufta për kontrollin e drejtësisë (vetingu) në të gjitha hallkat e vendit është luftë për jetë a vdekje. Kriminelët zyrtarë e ordinerë janë në fushata për ta penguar me ҫdo kusht prej vitesh tashmë, prandaj nisma e Rilindjes duhet të arrihet me ҫdo kusht edhe me ndihmesën e madhe të faktorit ndërkombëtar sidomos ShBA, që sërish pas luftës për ҫlirim e Kosovës, po tregon interes të madh se ka edhe interesat e veta në Shqipëri e Ballkan a globaliste. Populli ynë duhet të ndihmojë në denoncimin e të gjithë keqbërësve në ҫdo vrimë të vendit, ndryshe harram e paҫim, se do na mbyt krimi. Dikur ishte e drejta zakonore, kanunet dhe pleqësit që jepnin drejtësi dhe vërtet kishte shumë më tepër siguri se sa sot, pasi shtetin ligjor ka rënë. Kujtoni vetëm kohën e Shqipërisë socialiste për rendin e qetësinë shëmbullore, ku femra lëviste në fusha, male e pyje pa iu prekur një qime floku etj.etj., kurse sot femra, edhe fëmijë nuk është e sigurtë as në familje pa le në rrugë. Jam 80 vjeҫ dhe kurrrë s’kam pas dëgjuar të tilla tmerre si gjatë këtij tranzicioni, që i fundit i Moikanëve, ia kaloi edhe djallit më këtë shpërfytyrim të një pjese të shoqërisë, llumit të pështyrë, që nuk e ka zënë ndonjë herë tjetër truallin arbëror, përkundrazi jemi marrë shëmbull nëpër botë për nder e fisnikëri.

    Shkurt, këto janë disa tema që duan studim e shpjegime më të thella për ata që kanë ende mend e arsye t’i kuptojnë, se për ata që kanë marrë rrugën e dreqit as bëhet fjalë, vetëm varri e ndreq kurrizon, thotë një fjalë e urtë ҫame. Lufta për pushtet shumicë pakicë (opozitë) e mban peng Shqipërinë dhe Kosovën, krejt kombin tonë për t’u bashkuar, se jemi ndarë në 5 shtete dhe të kufizuar vetëm e vetëm me vëllezërit tanë shqiptarë. A ka vend tjetër të tillë ? Jo asgjëkundi. Dhe paradoksi tjetër se kështu do ende OKB, BE e ujku, cakalli, lepuri e djalli. Aleancat e palëve parti shtet me të huajtë fqinjë ose jo, nuk i kënaqin palët e jo më popullin, se të huajtë veprojnë në marrëdhëniet me to me metoda klasike e moderne demokrate në politikë, ekonomi, ushtri, kulturë, mërgim (diasporë) etj., etj.

    Fryma e përҫarjes është tashmë, siҫ thonin pleqtë dhe siҫ duket sheshit, mallkim i kombit shqiptarë. Jemi të mirë për botën dhe hasëm për vetveten ! S’bëhemi as dy vetë së bashku as në familje, pa le më tej ! Më lehtë bëhemi mik metë huajin, cilidoqoftë vetëm e vetëm me shpresën për ta vënë në qoshte, me shpresën se gjoja na fërkojë kokën e do hap qesen të na darovit për qejf të marrëzisë tone ! Ku më lehtë se tek shqiptarët gjen lakej të papaguar, servilë e spiunë të mallëkuar për dy pare spec. Hrushovi qe armiku ynë por një gjë e tha qartë : jeni shitur për dy aspra ! Dhe vërtetë pati të tillë në kupolën socialiste, kurse sot këta spiunë janë lukuni kudo, aq sa në parlament ia bëjnë mu, siҫ thotë populli. Dhe qeverisjet nuk shqetësohen se kanë hapur dyer e dritare për spiunazhin e huaj e mafiet botërore pasi vetë janë futur në katakombat e korrupsionit, krimit të organizuar dhe llumit njerëzor, pa asnjë drojtje se nuk ka kush t’i gjykoj e dënoj, megjithse dihen tashme me bëmat që kanë bërë se kush janë dhe pse duhen gjykuar e dënuar pa mëdyshje. Asnjëra palë nuk lëshon pe, nuk punon as i shkon nëmendje për pajtim kombëtar dhe justifikimet mbeten po ato : lufta për pushtet e vjedhje për t’u bërë miliarderë brenda ditë natës ! Politikanët harrojnë dhe e shohin pushtetin si të përjetshëm, si privilegj për surratin e tyre të bukur, duke dhunuar një popull e komb të tërë faqe botës, i cili mbetet gjithnjë i trishtuar, me dhimbje të mëdha e plagë të pa shëruara, pa rrugë dalje, i fyer e i shtypur. Seicili vet gjykon si pasha, pa pajtim.

       Mendoj se shqiptarët duhet t’i thërrasin mendjes sa s’është vonë, të organizohen dhe t’i bëjnë ballë të keqes së bashku, si një trup i vetëm  në të gjithë trojet tona arbërore etnike, natyrore dhe historike. Ҫdo vonesë është në dëmin tonë të pa riparueshëm. Rinia shqiptare duhet të veprojë dhe të mos qëndrojë as mish as peshk se po dëmton pa kthim jetën e vetë, mbijetësën në sfidat e të ardhmes që nuk do të jenë të lehta, por më të rrezikshme për popujt e kësaj bote dhe sidomos më të rrezikshme për ne shqiptarët, që jemi një grusht popull i rrethuar ende nga akademi e ushtri shovene, që nuk reshtin së kërcënuar herë pas here apo s’kemi sy e vesh për t’i dëgjuar e pare !?

Tiranë, 22.2.2017

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …