Dr. Nusret Pllana: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” (botimi i gjashtë)

Prof. dr. Asllan Hamiti: E kaluara historike në shërbim të së tashmes dhe udhërrëfyese e së ardhmes

Prof. dr. Nusret Pllana “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” (botimi i gjashtë i plotësuar), Arkivi Shtetëror i Kosovës, Sektori i Arkivit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prishtinë, 2015

Duke shikuar fotografitë e duke lexuar tekstin e librit e kishim shumë vështirë të shkruanim pak rreshta për promovimin e librit enciklopedik të krimeve monstruoze serbe ndaj shqiptarëve, hartuar nga luftëtari i lirisë, zëdhënësi i gjenocidit serb, prof. Nusret Pllana.

Libri enciklopedik “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” botimi i gjashtë i plotësuar (versioni në gjuhën angleze) ka gjithsej 770 faqe. Në 92 faqet e para intelektualë të shquar shqiptarë japin vlerësimin e tyre për veprën (të përkthyera në disa gjuhë). Ky libër me fjalë e me mbi 900 fotografi autentike dëshmon bindshëm dhunën, masakrat, terrorin, helmimet, gjenocidin e shfrenimet shtazarake individuale e institucionale të vazhdueshme të pushtuesve serbë e të kishës ortodokse serbe ndaj shqiptarëve për një shekull e gjysmë. 

 Kjo encilopedi faktografike ka vlera të shumëfishta:

  1. a) Dëshmon kanibalizmin shekullor serb ndaj shqiptarëve dhe njofton gjithë botën për këto të këqija të papara që janë ushtruar ndaj shqiptarëve. Me këtë të vërtetë historike të dhimbshme, por krenare të popullit tonë, duhet të njihen jo vetëm shqiptarët, por gjithë njerëzit e rruzullit tokësor.
  2. b) Ky libër hedh poshtë gënjeshtrat serbe dhe propagandën antishqiptare se gjoja shqiptarët nuk janë autoktonë, se Kosova ka qenë, është e duhet të mbetet në kufijtë e Serbisë së sotme.
  3. c) Libri i përkthyer në tetë gjuhë e i përhapur në shumë shtete të botës arsyeton luftën për mbijetesë e për liri të shqiptarëve, arsyeton ndihmën e aleatëve për çlirimin e Kosovës, formimin e shtetit dhe njohjen ndërkombëtare të tij. Nga ana tjetër, ky libër ndikon për të formuar bindjen e botës së qytetëruar se shteti i ri i Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi duhet përkrahur vazhdimisht që të mëkëmben e të gëzojnë lirinë.

Viktimat e shfrenimeve serbe, njerëzit e masakruar, të djegur, të prerë, të përvëluar e të zhdukur nga terrori serb, të shënuar me emra e mbiemra, të dhënë edhe me fotografi e dëshmi të tjera janë bërë të pavdekshëm jo vetëm për familjarët e farefisin, por edhe për gjithë kombin si dhe në përmasa evropiane e botërore. Ky libër paraqet një përmendore kolektive me fjalë e fotografi, e sakrificës, e qëndresës, e vujatjeve dhe e luftës së shumë brezave shqiptare për liri e pavarësi.

Po të mos regjistrohen në letër ose në ndonjë material tjetër të qëndrueshëm, shumë ngjarje të rëndësishme të historisë me kalimin e kohës do të harrohen ose do të humbasin përgjithmonë. Në këtë kuptim, autori i librit prof. Nusret Pllana ka mbledhur e paraqitur në letër një nga krimet më të egra të njrëzimit, shfrenimet e hordhive serbe ndaj popullit shqiptar që nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në mbarim të shekullit XX.

Pas përfundimit të luftës së nxehtë (me armë) nis lufta e ftohtë (me fjalë, lufta diplomatike). I vetëdijshëm për këtë, autori Nusret Pllana, me një punë mbi 20-vjeçare mblodhi fakte e të dhëna të tjera autentike, i sistemoi në një libër enciklopedik, i botoi e i ribotoi në disa gjuhë dhe po i përhap nëpër botë.

Kur mungon e vërteta, gënjeshtrat zënë vend, por kur del në shesh e vërteta, gënjeshtrat harrohen. Pushtuesit serbë, nga njëra anë janë përpjekur të shlyejnë nga faqja e dheut shqiptarët, por nga ana tjetër kanë përhapur informata të rrejshme për shqiptarët se nuk janë autoktonë, se janë të egër, të paqytetëruar e me tipare nga më të këqijat e njerëzimit. Me këtë libër, prof. Nusret Pllana dëshmon të kundërtën.

Shoqëria shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni është duke kaluar nëpër procesin  e integrimeve lokale, makrorajonale e globale. Ripozicionimi në fushën politike, ekonomike e kulturore karakterizohet nga përpjekjet për promovimin e ekonomisë së tregut të lirë, për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për integrimet evropiane dhe në NATO.

Në procesin e globalizimit, çdo popull duhet të shfaqet e të garojë me të tjerët me vlerat që ka. Ne shqiptarët kemi vlera të mirëfillta morale, njerëzore, paqësore e intelektuale për t’u prezantuar para të tjerëve. I kemi dhënë njerëzimit mendje të ndritura, udhëheqës, artistë, luftëtarë të lirisë, humanistë dhe njerëz të tjerë të mëdhenj në përmasa evropiane e botërore.

Në këtë kontekst, e vërteta për terrorin shekullor serb ndaj shqiptarëve duhet dalë në shesh. Prof. Pllana në këtë libër na shfaqet si faktograf i gjenocidit serb mbi shqiptarët, ambasador i luftës sonë për liri dhe zëdhënës i përkrahjes së përgjithshme të shqiptarëve për pavarësi si dhe për përmirësimin e padrejtësive shekullore që i janë bërë kombit tonë.

Atë që  Nëna Terezë e bëri për përhapjen e bamirësisë nëpër botë, atë po e bën prof. Nusret Pllana për përhapjen e të vërtetës për terrorin shekullor serb ndaj shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …