Dritëro Agolli

Dritëro Agolli, Dielli i letërsisë shqipe që nuk do të shuhet kurrë

Vdekja e Dritëro Agollit në moshën 85-vjeçare, nuk ishte aksidentale, as e papritur edhe pse ai deri në muajt e fundit të jetës ndihej mirë, por i ndërgjegjshëm për moshën dhe vitet  e jetës, që kishte kaluar. Të shkruash për Agollin dhe veprën e tij është fare lehtë, sepse ai ishte shkrimtari i të gjithëve, ishte devolliti që shpërndante baltën e tokës-mëmë gjithandej ku rrugëtonte në Shqipërinë e halleve e derteve të mëdha, idealisti që me kohë e kishte kuptuar se robëria shekullore kishte lënë një mal me  pasoja, që duhej të riparoheshin në të gjitha segmentet e jetës.

Gjithçka duhet të nisej nga zeroja për të bërë tutje, me mund e djersë të pandërprerë për ta ngritur vendin e robëruar e të copëtuar si mos më keq nga kafshimet kafshërore të fqinjëve grabitqarë  dhe atyre që u qëndronin prapa.

Dritëroi ishte nisur në rrugën e madhe të jetës për t’u pajisur me dritë e dituri dhe këtë e kishte arritur falë talentit, vullnetit, angazhimit të pandërprerë dhe besimit të patundur për ndërtimin e një jete më të mirë, e cila prej viteve të para të pas Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe çlirimit të vendit,   i kishte hapur shtigjet e jetës, në arsimimin e masave analfabete, në stopimin e trashëgimisë të importuar dhunshëm nga robëria shumëshekullore, në luftë kundër reaksionit dhe forcave retrograde, në luftë të pandërprerë, të mundimshme e të vështirë për mbijetesë nëpër gjymtyrët e Atdheut, që forcat e territ i kishin goditur barbarisht, në luftë të pabarabartë për pushtim, dominim, shfrytëzim…

Agolli kishte zënë hapin me agun e jetës në liri dhe kishte bërë tutje duke u bërë pjesë vitale e zgjimit dhe vetëdijes  së popullit, i cili e kishte paguar shtrenjtë lirinë dhe nuk do ta duronte më shfrytëzimin, keqtrajtimin dhe imponimin e mujsharëve të botës, qofshin ata që vinin e kërcënonin nga Lindja apo Perëndimi, nga Jugu apo Veriu. Ishte hera e parë, që prej kohës së Skënderbeut, kur Shqipëria po i thoshte jo  kategorike sundimit e nënshtrimit. Ishte koha e bijave dhe bijve, që të mobilizuar si asnjëherë më parë, po e ribënin Shqipërinë, vetë, për veten e tyre, sipas shijes dhe bindjeve të tyre, pavarësisht se kujt i pëlqente apo nuk i pëlqente. Dritëroi me brezin e tij  lëshonin drite në bërjen me dritë të Shqipërisë, të dalë nga terri shekullor, bizantin turk, sllav, grek…

Krijimtaria e Dritëroit në poezi e prozë ka karakteristika origjinale, meqë krijuesi kishte zënë hapin me kohën, kishte kuptuar drejt  epokën, në të cilën ishte arsimuar dhe edukuar, andaj në veprat e tij ishte bërë zëdhënës i progresit kombëtar e njerëzor. Shkrimtar me bindje bashkëkohore, pa paragjykime që dëmtojnë krijimtarinë, poet me talent dhe frymëzim tokësor, realist, komunikues me të gjithë, i afërt si me fshatarin, devolliun babaxhan, ashtu edhe tiranasin apo shkodranin, që mbaheshin më të qytetëruar. Ai vinte nga gjeni popullor i një populli të lashtë me tradita mirësie por nganjëherë edhe vrazhdësie e paudhësie.

Agolli nuk kishte kohë të priste muzat për frymëzime, sepse epoka e kërkonte krijuesin e vetë, ndërsa poeti e shkrimtari e dinte më mirë se askush misionin e vet kombëtar, pse jo edhe ideologjik e filozofik, sepse ai nuk e kishte shpikur botën socialiste e komuniste. Të tillë e kishte gjetur me të mirat e kufizimet, me ato që tani quhen të liga e prapësi, nga matrapazët e zekthat e marrëzisë. Realisht ajo ishte  tërë një botë progresi, qytetërimi e ndërtimi dhe nuk ishte instaluar vetëm në Shqipëri, por afër në dy të tretat e vendeve të botës.

Agolli ka shumë veçanti si krijues, me të cilat nuk do të merrem kësaj radhe. Ai mbi të gjitha ai preku sensin e masës, filozofinë e njeriut të thjeshtë, humorin e tij shërues, jetën me halle e derte, por me mision të caktuar për të mirën e përgjithshme, e cila kërkonte sakrifica dhe ato nuk i munguan Agollit as brezit të tij, kujt  më shumë e kujt më pak.

Duke qenë njeri dhe krijues me dinjitet dhe identitet të formuar intelektual, duke qenë i vetëdijshëm për misionin dhe peshën e veprave të tij, në edukimin dhe emancipimin e brezave, duke qenë pjesë përbërëse e rizgjimit kombëtar, kulturor, social të kohës, nuk mund të mos përfillte vlerat krijuese të epokës, të socializmit, komunizmit, vlera realiste që i  referoheshin dhe i referohen njeriut, pavarësisht si çirren sot, sidomos disa ata që dikur  kishin dërdëllitur deri në qiell në mbrojtje të atyre vlerave dhe tani, jo vetëm që kanë hequr dorë nga to, por janë kthyer në të kundërtën e qenies së tyre, të krijimtarisë së tyre të dikurshme, meqë nuk e kishin kuptuar mesazhin e së kaluarës dhe as e kuptojnë dot mesazhin e të sotmes.

Drita rrezatuese që lëshojnë të gjitha veprat e Dritëro Agollit, nuk zbehen do nga pleshtat e dashuruar në xixëllonjat, nuk zbehen nga shkarravitjet e zhejve, zhyllëve e fezinjeve, nuk dëmtohen nga çirrja e çoroditja e makutëve pa dinjitet e identitet, përkundrazi, sa më shumë që shkapuririn ata, vepra e Agollit ngrihet lartë e më lartë, sepse vepra e tij i ka shkruar me mendje të shëndoshë, me dije e përkushtim, me dinjitet e qëllim të lartë, arsimues dhe emancipues.

Së bashku me Ismail Kadarenë, i cili ka një vizion dhe paraqitje sa realiste aq edhe simbolike e mitike në krijimtarinë e tij, me Rexhep Qosen i cili përmbush një anë autentike të mendimit filozofik shqiptar dhe krijimtarisë së arrirë në shumë fusha dhe Adem Demaçit, krijues dhe bard i atdhetarisë së kulluar, Agolli bën pjesë në këtë katërsh sipëror të një brezi, i cili po jeton në të 80-at, tani pa Agollin, me Demaçin shëndet rënduar, por  me Qosen e Kadarenë ende në “logun e betejave”. Agolli ishte dhe do të mbetet  agu dritës së përjetësisë….

Ahmet Qeriqi

Shkurt 2017

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …