vala – old
driloni com
mbpzhr
muqa 900
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Driton Mujë Zeneli (31.5.1972 – 8.9.1998)
Driton Mujë Zeneli (31.5.1972 - 8.9.1998)

Driton Mujë Zeneli (31.5.1972 – 8.9.1998)

Ditët që dikur ndanin 1 shtatorin e vitit 1998 prej 1 tetorit, pra fillimin e vitit të ri shkollor për shkollarët e vegjël të Kosovës së djegur e të shkrumbuar gjatë marsit të Prekazit e të Gllogjanit, nuk ishin të shumta. Ato mbërthenin vetëm 30 ditë. Pra, vetëm tridhjetë, por jo ditë të plazheve e të pushimeve verore, as ditë të kafiterive nëpër metropole e provinca, e as ditë koncertesh e estradash me këngë e valle prej pishine në pishinë, por ishin ditët e krenarisë së Lezit të Vërrinit të Prizrenit, ditët e Rrafshit të Dukagjinit me Rekë e Malësi, me Dushkajë e Breg të Drinit, ditët e Zatriqit të Anadrinit, ditët e Bogiqes e të Qyqavicës, të Mileshecit e të Jezercit, të Kaçandollit e të Reçakut, të Grykasit e të Budakovës.
Sigurisht se forcat serboçetnike donin që gjatë atyre ditëve të para të shtatorit t’i kapin majet e maleve legjendare anembanë Kosovës prej Qafë-Shqipes të Kaçanikut e deri në Qafë-Mullar të Pashtrikut, dhe së andejmi me artilerinë e tyre të vendosur maje malesh ta rrafshonin Kosovën e të mos dëgjohet më as zile shkolle në fshatrat e Kosovës e as këmbanë meshe në fshatrat e Markalleshëve të Dushkajës së Rrafshit të Dukagjinit.
Pas thyeqafjeve në Lez të Vërrinit e në Zatriq të Anadrinit, serboçetnikët e Repiqit e të Spasojeviqit donin “Sukën e Cërmjanit”, por edhe kjo u ishte bërë e pakapshme, sepse edhe këtu, hetojnë se e patyheshme është Dushkaja. Këtu luftonin bijtë e shqipeve të Anadrinit, si Sadri Lokaj, Ali Kalimashi, Halil Haxhija, Islam Manaj, Shkëlzen Dobra, Fehmi Berisha, Naim Gjukaj, Kadri Latifaj, Canë Çelaj e Refki Salihaj, krismat e të cilëve dridhnin Mileshecin e Rahavecin të cilët nuk ranë kurrën e kurrës, por as nuk binin Prapaçani, Shqiponja e Gllogjani, pika këto ku ishin fortifikuar Driton Zeneli, Muhamet Shala, Shefqet Zukaj, Xhevdet Hoti dhe Hakiu me Haxhi Krasniqin.
Dëshmori i kombit, Dritan Zeneli, u lind më 31 maj të vitit 1972 në Gjakovë. Në këtë qytet rrëzë Çabratit krenar, më 1975, atëherë kur Dritani ishte vetëm trevjeçar, i ati Mujë Zeneli, me bashkëshorten, Rukën, nga fisi i Ahmetajve të Bellës së Deçanit, braktisi Shqiponjën historike (ish-Jabllanicën) dhe u vendos në Gjakovë ku iu rritën fëmijët, Dritoni, Vetoni, Urani, Floriani dhe e bija, Florentina.
Dritoni mësimet fillestare i mori në Gjakovë, ku vazhdoi edhe dy klasët të gjimnazit, por kishte dëshirë që të shkollohet në fushat e artit luftarak, andaj edhe me një trastë plotë me ëndrra regjistrohet në shkollën e mesme të aviacionit në Rajlovc të Sarajevës. Këtu diplomoi për teknik të aviacionit. Rreth dy vjet shërbeu në aeroportin ushtarak të Podgoricës (Mali i Zi). Pasi që pushimet i kalonte në vendlindje dhe në Gjakovë, Dritani pati rastin të marrë pjesë në tubimin madhështor për Pajtimin e Gjaqeve dhe të Ngatërresave që u mbajt në “Verrat e Llukës”, më 1990 dhe këtu hetoi madhështinë e kombit të vet të përvuajtur e të lodhur nga skamja e robëria shekullore serbe. Në këtë tubim uniteti pat marrë pjesë rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës e të viseve të tjera të robëruara shqiptare. Por, po në këtë tubim e pas tubimit u ballafaqua me vrazhdësinë e policisë serbe që kishte rënë në groteskë dhe ashtu e krisur maltretonte pjesëmarrësit e tubimit, në të ardhur e në të shkuar. Një mbrëmje, derisa po bisedonte me të atin, Mujën, i thotë atij: “Nuk kam gabuar që kreva shkollën ushtarake, por do të gaboj nëse tash e tutje vazhdoj ta mbajë këtë uniformë!”. Kështu, një ditë braktis edhe bashkëshorten, Afërditën me të bijtë, Qëndrimin dhe Qëndresën të cilëve shumë pak u kujtohet i ati pasi ishin tre, përkatësisht dyvjeçarë.
Më 28 dhjetor 1990, së bashku me dy oficerë të tjerë shqiptarë, braktis detyrën dhe uniformën e armatës jugosllave dhe merr rrugën e mërgimit. Por në të shkuar, policia e zë në aeroportin e Shkupit. Pas arrestimit dënohet dhe vuan dënimin e rëndë në Burgun e Idrizovës. Këtu burgoset për herë të parë Dritan Zeneli dhe fillojnë ndjekjet dhe persekutimet jo vetëm mbi Dritanin, por edhe mbi tërë rrethin e gjerë familjar të Zenelajve të Shqiponjës që edhe ashtu ishin halë në sy të pushtetit çetnik serb. Pas arrestimit, ushtria e largon nga shërbimi dhe khehet në Gjakovë. Regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” të Gjakovës, në degën e Matematikës, e pas përfundimit punësohet si mësimdhënës i matematikës në fshatrat Doblibarë dhe Dol.
Fillimi i vitit 1998 dhe ngjarjet në Drenicë, nxitën urrejtjen edhe më të madhe ndaj çetnikëve serbë, por edhe dashurinë e madhe ndaj artit të luftës. Në vendlindje, në fillim të prillit të vitit 1998 dhe gjatë majit u bashkohet luftëtarëve të lirisë. Kontaktoi me Shtabin Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit në Shqiponjë. Aty tashmë ishin në krye të shtabit, Agimi, Sadriu e Myrta, të gjithë dëshmorë të lirisë. Menjëherë pas bisedës së parë me djemtë e rrethit të tij familjar, braktis ditarin dhe klasën dhe merr pushkën e malet. Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bashkohet më 5 prill të vitit 1998. Atij iu besua detyra e instruktorit për ushtrimin e pjesëtarëve të rinj që rekrutoheshin në Shqiponjë e Gllogjan gjatë periudhës tremujore, maj, qershor e korrik të atij viti. Këtë detyrë e ushtroi deri në gusht të vitit 1998, ndërsa në ofensivën e gushtit të atij viti, Dritani emërohet komandant në Shtabin e Shqiponjës, ku vepron me nofkën “Fatoni”. Njësitet e komanduara prej tij operonin në shumë fshatra të Dushkajës, Lugut të Baranit e deri në Sukë të Cërmjanit.
Pas ofensivës së gushtit, në fillim të shtatorit të vitit 1998, forcat serboçetnike ndërmorën edhe një tjetër ofensivë të ashpër kundër Shqiponjës. Pas disa ditë luftimesh, të përcjella me një rezistencë e qëndresë heroike të luftëtarëve të lirisë, më 8 shtator të atij viti të zjarrtë për Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në pikën “Shqiponja” të Shqiponjës së Zenelëve, Brahimajve e Hoxhajve, u përjetësua Dritan Zeneli – Fatoni, atëherë kur rezistuan edhe Mustafë Abazi, dëshmor i kombit dhe Sadri Hoxha.
Forcat serbe arrijnë ta marrin trupin e Dritonit dhe për t’ia humbur gjurmët, namin e nishanin, e varrosin në varrezat e qytetit të Pejës, ndërsa pas zbulimit të trupit tij u rivarros në vendlindje, pranë dëshmorëve të fshatit Shqiponjë, ndërsa lapidari i shkëlqen në Gjakovë, në cepin e djathtë të rrugës magjistrale Gjakovë-Deçan, në murin e një kulle me dymbëdhjetë dritare, prej nga vështrojnë dëshmorët. Njërën prej atyre dritareve e zë Dritan Zeneli. (S. C.)