Brickos

Driton Musli Demaku (3.5.1982 – 17.5.1999)

Driton Musli Demaku (3.5.1982 – 17.5.1999)

Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë të rralla rastet kur kanë luftuar krah për krah babë e bir, prandaj, po kështu nuk janë të rralla as rastet kur përkrah njëri – tjetrit kanë rënë në altarin e lirisë babë e bir. Babë e bir, Musli e Driton Demaku kishin rënë të njëjtën ditë, më 17 maj të vitit 1999, ndërsa pak javë më parë kishte rënë dëshmor edhe Bedri Demaku, biri tjetër i Musliut e vëllai i Dritonit.
Familja Demaku nga Abria e Epërme e Drenicës, qysh herët ishte përcaktuar për luftën çlirimtare kundër pushtuesit shekullor serb. Prandaj, burrat e kësaj dere e të mbar Abrisë kishin marrë pjesë edhe në kryengritjen e udhëhequr nga qëndresëtari i kësaj treve, Shaban Polluzha në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në muajt e parë të vitit 1945, atëherë kur ishte bërë e qartë politika aneksioniste e regjimit të ri jugosllav ndaj Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Gjatë kësaj kryengritjeje, në logun e trimërisë kishte rënë edhe gjyshi i dëshmorit Driton Demaku, Zeqir Demaku. Po ashtu, kushtrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fundvitet e shekullit njëzet, iu përgjigjën të gjithë Demakët e aftë për front, në mesin e të cilëve edhe dëshmori Driton Demaku, babai i tij dëshmor, Musliu, vëllai dëshmor Bedriu, djali i xhaxhait, dëshmori Xhevat Demaku, Vesel Demaku (dësmor), komandanti i njësive të para ushtarake “Guri” në fshatin e tij, Jahir Demaku, Fadil Demaku, Zenë Demaku e të tjerë.
Dëshmori Driton Demaku është i lindur në Abri të Epërme të komunës së Drenasit, më 3 maj të vitit 1982. Babai i tij, Musli Demaku, ishte i martuar me Nurien, e gjinisë Gashi nga Perqeva e Klinës, me të cilën rriti gjashtë bijë e bija, dy prej të cilëve ranë dëshmorë të atdheut në luftën e UÇK-së: Dritoni e Bedriu. Dritoni kishte dy vëllezër e tri motra: Bedriun, Liridonin, Lumnien, Remzien dhe Sadeten.
Dritoni e kishte kryer arsimin fillor në shkollën “Shotë Galica” të fshatit Abri dhe ishte duke vijuar arsimin e mesëm në shtëpitë private të shndërruara në mësonjtore, kur në Kosovë filloi lufta çlirimtare.
Aktiviteti çlirimtar i djemve dhe burrave të Abrisë kishte filluar qysh në mesin e viteve ’90 të shekullit njëzet, atherë kur dëshmori Driton Demaku ishte fare i njomë. Duke qenë në lidhje me bashkëluftëtarin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Musë Jasharin nga Prekazi, ata kishin formuar formacionin ushtarak ku bënin pjesë vëllezërit Jahir, Xhevat (dëshmor), Fadil e Nexhat Demaku, Musli Demaku, xhaxhallarët e tyre, Musli Demaku (dëshmor) e Zenë Demaku, bashkëluftëtarët e tyre, Muharrem Xhemaili, Imer Xhemaili, Valdet Xhemaili (dëshmor), Isa Xhemaili e të tjerë. Pjesëtarët e këtij formacioni kryenin detyra të caktuara ushtarake, si bartja dhe furnizimi me armatim, koordinimi i lidhjeve me Komandantin Adem Jashari dhe me familjen Jashari, vëzhgimi i terrenit, kryerja e kasioneve të ndryshme operative e të tjera. Këto aktivitete kishin vazhduar deri në betejën e zhvilluar në Qirez e Likoshan, ku ishin plagosur Musë Jashari e Sabit Lladrovci, por pas Epopesë së Prekazit, aksionet e njësitit u bënë të pandërprera, të koordinuara me aksionet e njësiteve të tjera dhe morën shtrirje më të gjerë. Këto ngjarje dhe organizime, e sidomos angazhimin e babait të tij, Musliut, vëllait më të madh Bedriut e të vëllezërve të tjerë, të xhaxhait, Zenës, të bijve të xhaxhallarëve, Xhevatit, Jahirit, Fadilit, Nexhatit e të tjerë, nuk mund të mos i vërente e të entusiazmohej edhe djaloshi mustaqedjerësirë, Driton Demaku. Prandaj edhe ai kishte shprehur gatishmërinë për t’i kontribuar luftës çlirimtare, pasi edhe fiziku i tij tashmë akordohej mirë me dëshirën dhe ndjenjat e tij të brendshme. Megjithëse kriteret për mobilizim në radhët e UÇK-së nuk lejonin që Dritoni në moshë ende jomadhore të merrte uniformën e të shkonte në pozicione lufte, megjithatë ai kishte gëzuar privilegjin të ishte nën përkujdesin e eprorit dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi-“Sulltanit”, i cili me formimin e shtabit lokal të UÇK-së në Abri, zhvilloi aktivitet në kuadrin e këtij shtabi. Për shkak se Dritoni kishte lëshuar shtat e ishte bërë i zoti për armë, “Sulltani” e mori pranë vetes si shoqërues pothuajse të përhershëm. Madje u pajis edhe me armë personale. Kësisoj, gjatë vitit 1998, e deri në momëntin e rënies më 17 maj 1999, Dritoni nuk iu nda luftëtarëve të lirisë, duke kryer edhe detyra të caktuara ushtarake me të cilat e ngarkonin eprorët.
Pas ristrukturimit të formacioneve të UÇK-së në vjeshtë të vitit 1998, edhe Dritoni i përkiste Brigadës 111 “Adem Jashari”, ku ishin të rreshtuar edhe babai i tij, Musliu, vëllai dëshmor Bedriu, xhaxhai, Zena, bijtë e xhaxhallarëve, Xhevati (dëshmor), Jahiri (komandant i njësisë speciale të UÇK-së), Fadili, Nexhati etj. Kjo brigadë kishte shkruar faqe të lavdishme të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betejë pas beteje kundër armikut serb, i cili ishte tërbuar si bisha e plagosur dhe po numëronte ditët deri në kapitullim. Ai nuk po zgjedhte mjetet e luftës kundër popullsisë civile, fëmijëve, grave e pleqve. Barbarizmi i forcave serbe arriti kulmin sidomos pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja mbi militarët serbë dhe makinerinë e tyre, më 24 mars të vitit 1999. Në këtë kohë, si në shumë treva dhe zona të tjera të luftës, edhe popullsia fshatrave të zonës operative ku operonte Brigada 111 e UÇK-së ishte larguar nga shtëpitë e saj dhe ishte vendosur në gryka malesh, ku kishte edhe mbrojtjen nga luftëtarët e lirisë. Një vendstrehim i tillë i popullatës së fshatrave të pjesës qendrore të Drenicës, ishin bërë edhe fashati Shtrubullovë dhe Gryka e Terdevcit në komunën e Drenasit. Më 17 maj të vitit 1999, forcat e shfrenuara të pushtuesit serb kishin ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë për rrethimin e Grykës së Terdevcit, me qëllim që të asgjësonin njësitet e UÇK-së të pozicionuara përreth saj dhe në malin e Kozmaçit e ta masakronin popullatën civile. Në këto rrethana, kjo popullatë filloi të largohet nga Gryka e Terdevcit që nëpër Kozmaç të depërtonte në drejtim të Maleve të Berishës. Në përcjellje të popullatës ishin vënë pjesëtarët e UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe dëshmori Driton Demaku, së bashku me të atin, Musliun. Në fshatin Berishë kishte kaluar edhe xhaxhai i Dritonit, Zenë Demaku, i cili pas tri ditësh kishte marrë lajmin për rënien e tij. Atë e kishte njoftuar Nezir Krasniqi nga fshati Negroc i Drenasit, i cili ishte stërnip i Demakëve. Edhe vetë Neziri kishte marrë plagë kur popullata e shpërngulur nga Tërdevci në malin e Kosmaçit kishte rënë në fushë të minuar. Në mesin e të rënëve ishin edhe dëshmorët Driton Demaku dhe babai i tij, Musliu.
Nëntë ditë pas rënies, trupi i dëshmorit Driton Demaku u varros te vendi i rënies, nga xhaxhai i tij, Zena, nga Zymer Krasniqi e bashkëluftëtarë të tjerë. Në atë rast, me qëllim të identifikimit të mëvonshëm të trupit të dëshmorit, në varrin e tij ishte vënë një shishe e mbyllur me letrën ku ishte shkruar emri i dëshmorit të rënë. Pas përfundimit të luftës së armatosur, në verë të vitit 1999, trupi i tij u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Abri e Eperme. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …