Enver Bajram Topalli (9.2.959 – 19.5.1999)

Enver Bajram Topalli (9.2.1959 – 19.5.1999)

Në radhën e atdhetarëve, angazhimin e të cilëve për çështjen kombëtare, nuk arriti ta ndërpres asgjë, përveç vdekjes, bën pjesë edhe dëshmori Enver Topalli.
Enver Topalli ka lindur në fshatin Greme të komunës së Ferizajit. Ishte më i madhi ndër vëllezërit: Naim, Jahjasë dhe Avniut, kurse kishte edhe katër motra: Shyhreten, Behrinë, Elfeten dhe Sevdinë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse shkollimin e mesëm në Ferizaj. Pas mbarimit të shkollës së mesme, vijoi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Energjinë e vet rinore, Enveri e bashkoi me atë të mijëra të rinjve të tjerë edhe në demonstratat e pranverës së vitit 1981. Ai mori pjesë aktive në këto demonstrata, prandaj, për shkak të këtij aktiviteti, shërbimi jugosllav i sigurimit e arrestoi dhe e mbajti të izoluar për dy muaj rresht. Kësaj radhe, atij iu mor edhe e drejta për t’i vazhduar studimet në fakultet.
Prandaj, më 14 janar të vitit 1984, kjo polici, pasi i bie në gjurmë, arreston Enverin dhe dhjetëra shokë të tij të organizatës, në krye të së cilës ishte veprimtari i njohur, Kadri Osmani. Në radhën e të arrestuarve ishin edhe Ibush Vishi, Agim Vishi, Behxhet Imishti, Sherif Konjufca, Ramë Buja e të tjerë. Në këtë fushatë arrestimesh u dalluan edhe pjesëtarët e shërbimit të sigurimit jugosllav nga ana e Ferizajit , Halil Govori dhe Fadil Berisha. Në verën e vitit 1984, Enveri u dënua në Gjyqin e Qarkut të Prishtinës, me 14 vjet burg, prej të cilave i vuan 7. Si mijëra të burgosur politikë shqiptarë të asaj kohe, edhe Enveri, brenda 7 vjetësh përjetoi një odise të vërtetë, duke u transferuar nga burgu në burg, që nga ai i Prishtinës, Mitrovicës e Prizrenit në Kosovë, e deri tek ai i Shabacit, Pozharevcit e Nishit në Serbi. Po të njëjtën odise, duke shkuar nga burgu në burg për ta vizituar të birin, e përjetuan me vite edhe prindërit e Enverit, Bajrami e Hava.
Në vitet ’90, aktivitetin e tij e zhvilloi në kuadrin e Nënkëshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Ferizaj.
Një moment domethënës për jetën e dëshmorit Enver Topalli ishte fillimi i luftës së armatosur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kundër pushtuesit serb. Ai, së bashku me bashkëveprimtarët, në gjysmën e parë të vitit 1998 ndërmerr disa hapa për organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe bën parapërgatitjen për shtrirjen e luftës së armatosur edhe në trevën e Ferizajt. Mirëpo, pushtuesi i bie në gjurmë këtij organizimi dhe në muajin qershor të atij viti ndërmerr një fushatë të përmasave të gjera kundër veprimtarëve tashmë të identifikuar të kësaj treve. Në këtë fushatë, më 25 qershor të vitit 1998 u arrestua edhe Enver Topalli. Në të njëjtën kohë arrestohet edhe djali i axhës së Enverit, Ylberi, si dhe dëshmori Ahmet Hoxha, nga Ferizaj. Ndërkohë, pak ditë më parë, nga shërbimi sekret serb arrestohen edhe dëshmorët Cen Dugolli e Rexhep Bislimi nga Ferizaj, ndërsa më pas edhe bashkëveprimtarët e tyre Sylejman Bytyçi, Skënder Ferizi, Besim Zymberi e të tjerë. Operacionet e kësaj fushate u drejtuan nga pjesëtari i shërbimit sekret, Nebojsha Gjorgjeviq, i cili kishte qenë një përcjellës i vazhdueshëm i Enverit. Hetimet e para kundër Enver Topallit, policia serbe i kryen në lokalet e ndërtesës së sigurimit shtetëror në Ferizaj. Në ditët vijuese, këto hetime vazhduan të zhvillohen nën tortura të tmerrshme, në burgun hetues të Gjilanit. Në këtë proces hetimor u shquan edhe bashkëpunëtorët e shërbimit të sigurimit serb, Naser Zhavella dhe Fatmir Dërmaku.
Disa ditë më vonë, Enveri dërgohet para gjyqtares hetuese në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, Danica Marinkoviq, e njohur si kriminele me damkë. Procesi gjyqësor kundër tij dhe 25 bashkëveprimtarëve të përfshirë në të njëjtën aktakuzë, i filluar më 23 dhjetor të vitit 1998, përfundoi më 5 shkurt të vitit 1999, në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë. Enveri u dënua me 15 vjet burg, me akuzën se ka përgatitur veprimtari ‘’terroriste’’. Kryetar i trupit gjykues në këtë proces ishte serbi nga Lypjani, Dragolub Zdravkoviq, ndërsa aktpadinë e përfaqësoi prokurori Dragomir Zhiviq nga fshati Babush i komunës së Lypjanit. Pas shpëtimit të dënimit, deri më 30 prill të vitit 1999, Enveri mbahet në burgun hetues të Gjilanit. Anëtarët e familjes së tij, për herë të fundit, në këtë burg e vizituan më 16 mars.
Me 30 prill të vitit 1999, dëshmori Enver Topalli dhe shokët e tij të dënuar transferohen në burgun e Dubravës, i cili tashmë ishte kthyer në një kamp të madh përqëndrimi për shqiptarët. Meqenëse ky burg shfrytëzohej edhe si bazë ushtarake për militarët serbë dhe si qendër ushtarake komanduese e tyre, në gjysmën e dytë të muajit maj, NATO-ja e kishte identifikuar si objektiv të domosdoshëm për bombardim. Seria e parë e bombardimit të këtij burgu filloi më 19 maj. Për fat të keq, gjatë këtij bombardimi, i cili nga militarët serbë u shfrytëzua për të justifikuar plojën e tyre të tmerrshme mbi të burgosurit shqiptarë në këtë burg, ndër të parët bien dëshmorët: Enver Topalli, Abdullah Tahiri, nga fshati Malishevë e Gjilanit, dhe Gjokë Ndrecaj nga fshati Bitesh i Gjakovës. Ata varrosen nga organet e burgut, në varrezat e qytetit të Burimit (ish-Istogut), me ç’rast trupave të varrosur u ishin ngatërruar emrat. Zbulimi i vendit të varrimit dhe identifikimi i trupit të dëshmorit Enver Topalli, pas përfundimit të luftës, u bë nga vëllai i tij, Naimi. Më 1 gusht të vitit 1999, trupi i dëshmorit u rivarros në fshatin e lindjes, në Greme, kurse më 3 prill të vitit 2000 u rivarros sërish në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj.

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …