vipa
driloni com
mbpzhr
muqa 900
vala – old
Fillimi / Dëshmorët / Enver Hasan Halilaj (24.11.1962 – 11.8.1998)
Enver Hasan Halilaj (24.11.1962 - 11.8.1998)

Enver Hasan Halilaj (24.11.1962 – 11.8.1998)

Lindi në Gllogjan të komunës së Deçanit më 24.11.1962 në një familje të varfër fshatare. Prindërit Hasan e Rukë Halilaj lindën shtatë fëmijë. Tre djem e tri vajza.

Shkollën fillore e kreu në Rrezar, të mesmen në Deçan, ndërsa Shkollën e Lartë Policore – drejtimin, polic komunikacioni, e kreu në Vushtrri.

Pesë vite punoi në Prishtinë, tri vite në Pejë, ndërsa që nga viti 1990 regjimi serb e largoi nga puna, si mijëra të tjerënë të gjitha nivelet e strukturat pushtetore dhe institucionale të Kosovës, me qëllim të pastrimit etnik në punësim e në institucione, si dhe të presionit për shpërngulje e zbrazje të Kosovës nga popullata shqiptare. Si i tillë Enveri detyrohet të punojë taksist në Deçan për bukën e gojës. Megjithëkëtë, kundërvënia e tij përballë pushtuesit shihet kaherë.

Më 1990 u rrethua nga një numër i madh policësh, rreth 60 sish, me pretekst të posedimit të armëve, duke menduar se kanë të bëjnë me një familje të armatosur deri në dhëmbë, madje me armatim modern, si dhe duke menduar se kanë të bëjnë me një personalitet të sprovuar e të ‘shkolluar nga pikëpamja e detyrës policore, prej nga ishte larguar.

Me plot vullnet Enveri u rekrut ua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që nga fillimi i luftës në Dukagjin, menjëherë pas shpalljes së luftës së armatosur në Llaushë dhe pas betejës madhështore në Prekaz.

Ndërkaq, në mbrëmje të 7 korrikut 1998, kur po bëheshin gati ta ngrisin flamurin kombëtar në vendlindje, Gllogjani granatohet me artileri. Aty Enveri plagoset në dorë. Por s’u lig. Iu bashkua shokëve dhe vazhdoi luftën me përkushtim të plotë, mu në vijën e parë të frontit me tërë vullnetin e qenien e tij fizike e shpirtërore.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zyrtarisht u inkuadrua më 20 prill 1998, duke dhënë pastaj kontributin luftarak në të gjitha punët e nevojshme, pa pushuar, që nga ushtrimi i rekrutëve të rinj, deri te lufta heroike e tij, e njësiteve dhe formacioneve të tjera më të mëdha në Zonën Operative të Dukagjinit (ZOD).

Ishte i sistemuar në shtabin e Gllogjanit me detyrën komandant i togut. Për shkak të përgatitjes së mirë profesionale të fituar në Shkollën policore në Vushtrri e në detyrë të mëpastajme, iu ngarkua detyra e trajnimit të rekrutëve të rinj, të cilët përditë e rrisnin numrin e vullnetarëve. Pos aftësimit të ushtarëve të rinj, mori pjesë në ofensivat e zhvilluara në Gllogjan, Baballoq, Prejlep, Shaptej etj. Në operacione luftarake u tregua trim, luftëtar i matur, i sprovuar dhe mjaft i suksesshëm, për çka dhe u bë shembull për ushtarët e tjerë. Por vullneti i madh për të korrur suksese në frontin e luftës, shpesh sjell edhe rënie në altarin e lirisë, siç i ndodhi atë ditë edhe Enver Halilajt, bashkë me kushërinin Orhan Halilajn, pastaj bashkëluftëtarit të tyre Naim Nimanaj e Arton Hasanaj, të cilët e madhëruan veten, familjen, Gllogjanin, Kosovën e mbarë kombin e historinë e tij.

Ditën e kobshme, por edhe krenare për të dhe Kosovën, Enveri u godit nga një predhë minahedhësi në afërsi të shkollës fillore. “H. Prishtina” të Gllogjanit, aty ku kishte marrë mësimet e para fillore. Ishte një luftë e ashpër që zgjati gjithë ditën, ku pati edhe dhjetëra të plagosur.

Ra heroikisht bashkë me trimin e shquar e të ri, djalin e xhaxhait, Orhan Halilajn për t’u përjetësuar në altarin e lirisë, duke lënë pas krenarinë në familje, vendlindje e në Kosovë. Trupi i tij pushon në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.

Enveri i la shtatë fëmijë: tre djem e katër vajza, të cilët po rriten me kujtime e krenari për babanë e tyre të përjetësuar në altarin e lirisë. Një fëmijë i lindi pas rënies së tij.

Trupi i dëshmorit Enver Halilaj pushon në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, në Gllogjanin legjendar, bashkë me dhjetra të tjerë të trevave të Dukagjinit, duke bërë krenare Kosovën kreshnike për rënien heroike të bijve të vet që e çliruan atdheun, duke dhënë jetën për lirinë e shenjtë që po e gëzojmë.

Familja e Enver Halilajt është nderuar me dekorata e mirënjohje nga Shoqatat e dala nga lufta e institucione shtetërore për birin e tyre të shtrenjtë që ia fali jetën Kosovës së lirë. (Z. Gj.)