Eqrem bej Vlora (1885 - 1964) atdhetar, diplomat, shkrimtar dhe historian

Eqrem bej Vlora (1885 – 1964) atdhetar, diplomat, shkrimtar dhe historian

Eqrem bej Vlora ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, diplomat, politikan, shkrimtar dhe historian shqiptar. I emëruar Beu i fundit, megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, përçoi tek bashkëkohësit dhe më pas lexuesit një nga mendimtarët  më të hollë

Ai u lind në Vlorë më 1 dhjetor 1885 si bir i Syrja bej Vlorës dhe i Miri hanëm Toptanit. Familja e tij ishte një nga familjet më të pasura të trojeve shqiptare të jugut, familje e cila falë zotësisë së të atit në ekonomi e administrim, pasuria e familjes së tij në 25 vjet u gjashtëfishua. Do të marrë mësime private qysh në fëmini nga një djalosh italian, inxh. Luigji Bekali (Luigi Beccali) nga Mesina, dhe shqiptari Mehmet efendi Lusi, hoxhë i Kaninës që më vonë do zëvendësohej nga prof. Jusuf Riza efendiu. Gjermanisht nxuri nga zoti Fajgenvinter (Feigenwinter) nga Baseli. I pari do të ishte mësuesi i tij i përhershëm, i dyti mësuesi i tij i fesë.

Mes viteve 1891-’96 studimet fillore dhe gjimnazin me profesor privat. 1900-1906, Studimet liceale dhe universitare në Theresianum, Akademia Orientale mbretërore e perandorake në Vjenë, ku u specializua në çështje ballkanike. Plotësoi studimet për doktoraturë në drejtësi në Stamboll në 1904[3]. Gjatë udhëtimeve në Lindje të Mesme do të krijonte njohje me personalitete të larta të kohës, Fild-marshallin britanik Herbert Kitchener, shefin e Shtatmadhorisë Austro-Hungareze Franz Conrad von Hötzendorf, dhe majorin e ri Mustafa Kemal Atatürk që do bëhej president i Turqisë dhe sheikë të shumtë arabë që kishin qeverisë apo do qeverisnin rajone e shtete të Lindjes së Afërme e të Mesme.

Në vitin 1906, ishte Sekretar i gradës së III në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, Stamboll. 1907, Sekretar i gradës së III në Ambasadën e Perandorisë Otomane në Shën Petërburg për tre muaj. 1909, Sekretar i II në zyrën e përkthimeve Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane-Stamboll. Hapën të parin klub “Bashkimi” në Stamboll më 1908 me miqtë e tij. Punonte të botonte gazetën e re “Shqiptari” bashkë me ikanakun nga Struga, Dervish Hima dhe shkodranin Hilë Mosin. Po atë vit merr mandat nga kolonia shqiptare e Stambollit që bashkë me Dervish Himën t’i përfaqësojë në Kongresin e Manastirit por pengohet nga shefi i tij.

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën major në rezervë. Pas disa luftimesh të suksesshme me forcat greke në zonën e Bregut ai u thirr në Vlorë nga xhaxhai i tij, Ismail beu. Tek vëllimi “Kujtime” gjejmë deklaratën në një bisedë me Murad bej Toptanin se zotëronte 9 gjuhë të huaja, të vdekura dhe të gjalla.

Më 1912, u bë zëvendës president i Senatit/Pleqësisë ndonëse 27 vjeçar. Me rënjen e qeverisë së parë dhe vendimin e Komisionit Ndërkombëtar për të prurë një fisnik evropian për t’u kurorëzuar Mbret i Shqipërisë, ai ishte pjesëtar i dërgatës (si përfaqësues i Tiranës e Shijakut) për në Neuwied të takonin Princ Vidin, i cili ishte zgjedhur për të mbretëruar në Shqipëri. I atashohet Princit Vid si sekretar dhe përkthyes. 1914, Zv/Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare. Ai ishte mbështetës i Fuqive Qendrore, arsye për të cilën u mbajt nën arrest në Itali si austrofil për gjysmën e dytë të Luftës së Parë Botërore e deri më 1919, i internuar në Sardenjë përgjatë krejt asaj kohe, ku nxuri edhe spanjishten. 1921, Kandidat për Kryetar i Bashkisë Vlorë. 1923, deputet i Kuvendit Kushtetues, duke përfaqësuar pref. e Vlorës në krahun konservator por shpesh i joshur nga ideja t’i bashkohej krahut që ai quan demokratik, i cili kryesohej nga Noli e Gurakuqi.

Në 1925, u bë senator për një periudhë të shkurtër kohe derisa zevëndësohet nga Isuf Dibra. Më 1925 i dha fund beqarisë, u martua me Hadijen – të bijën e Salih pashë Vrionit. “Ishte një martesë me mendje dhe jo me dashuri”, shkruan në kapitullin e Kujtimeve “Beu i fundit”, por e quan “zgjedhje të qëlluar dhe fatlume”. Me të do të ketë dy vajza, Shehzaden që leu në Vlorë dhe Aishen. Më 1927 emrohet i ngarkuar me punë në Londër, u thirr në Tiranë dhe pas pak kohe të kaluar si i ngarkuar me punë në Athinë më 1929-’30, jep dorëheqjen nga shërbimi diplomatik shqiptar.

Më 1933 del në pah si Sekretar Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Më 1934 zuri vendin e Sekretarit të Përgjithshëm në atë Ministri. Më 1936 u zgjodh për postin e ministrit shqiptar në Berlin por prej një gabimi që e futën në listat zgjedhore të fundit të janarit 1937. 10.02.1937 – 05.04.1939, Deputet i Vlorës. Mik i ngushtë i baroneshës bavareze Marie Amelie Freiin von Godin, me të cilën ai përktheu Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjermanisht i ndihmuar në përkthim nga etërit françeskan të Shkodrës aty nga 1938.

Pushtimi italian dhe veprimtaria gjatë Luftës së Dytë Botërore

Mbas 7 prillit 1939 përfaqëson pref. e Vlorës në Asamblenë Kushtetuese gjer në prillin e 1940 kur Asamblea u suprimua dhe u zëvendësua nga vëllai, Safa. Më pas u bë Kryetar i Zyrës së Punëve Civile, Kryetar i Zyrës Ceremoniale në “Luogotenenca” Tiranë.

Eqrem bej Vlora renditet në atë grup njerëzish që më vonë do etiketoheshin si “kolaboracionistë”. Gjatë qeverive kolaboracioniste ishte bashkë me Dimitri Poppan dhe Gjon Marka Gjonin një nga tre anëtarët shqiptarët të Këshillit të kancelarisë së Urdhërave Besa dhe Skënderbeu nën sovranitetin e mbretit të Italisë. Në prillin e 1940 është pjesë e Institutit të Studimeve Shqiptare.

Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijua Ministria e Tokave të Lirueme, e cila ekzistoi deri në shkurt 1943.  Në 7 maj 1942, Mustafa Kruja e emëroi atë ministër për Kosovën, Dibrën, Plavën e Gucinë që iu bashkuan Shqipërisë “së vjetër”. Në korrespondencën mes administratës së tokave të lirueme dhe ministrit gjehet shkrimi i prefektit të Prishtinës i ankohet se “jahuditë e Serbisë po i pinë gjakun popullit të Kosovës” prandaj “duhet të shkulen sa më shpejt që andej”. Ministri e kupton kumtin dhe urdhëron tërheqjen në “Shqipërinë e brendshme” të hebrenjve të përqendruar atje, rradhitet mes njerëzve që kanë kontribuar për shpëtimin e hebrenjve nga kërkesat e gjermanëve. Cilësohet “ish-diplomat turk dhe nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja.

Në verën e vitit 1944, ai u bë ministër i Jashtëm dhe i Drejtësisë para se të shkonte në mërgim në Itali me ardhjen e komunistëve në pushtet. Qëndroi për 10 vite në Itali derisa u shpërngul në Austri prej ku i shkruante familjes me nofkën Adalgisa Rosi. Vdiq në krah të bijës së baxhanakut, Hanës së Ali Këlcyrës në mbrëmje kur mbeska kishte thirrur urgjencën prej një ligështie në zemër të beut të moçëm. I përshëndetur dhe i përhironjur nga Koliqi tek “Shêjzat”[3], eshtrat iu prehën në varrezat Neustift am Walde të kryeqytetit austriak deri në marsin e 2014 u muar vendimi i Këshillit të Ministrave për t’ia riatdhesuar eshtrat dhe varrosjen e tyre në Kaninë më 30 mars, ku historikisht qenë varrosur Vlorajt në tyrben e tyre.

Eqerem bej Vlora përmendet për monografinë e tij “Aus Berat und vom Tomor: Tagebuchblätter” (“Nga Berat dhe Tomori: Faqe të një Ditari”), Instituti i Studimeve Ballkanike-Sarajevë-Gjermanisht 1909. 1910, E vërteta mbi politikën e Xhonturqve në Shqipëri, Vjenë, Gjermanisht. Përkthen veprën e Johann Georg von Hahn «Shënime përmi shkrimin e vjetër Pellazgjik» më 1910 në Stamboll, që u shkëput nga “Albanesische Studien”/Studimet Shqiptare të botuara që me 1854. Shkruan tek “Shêjzat” e Koliqit artikuj me vlerë historike, juridike e folklorike me trajtesa mbi të drejtën zakonore të Labërisë dhe kalasë së Kaninës.

Forca e Popullit Shqiptar, (Enciklopedia e Akademisë Diplomatike) Paris, frëngjisht; 1956 dhe në veçanti, kujtimet e tij në dy vëllime në gjuhën gjermane që ia kishte caktuar dr. Bernath i Institutit “Südost” të Mynihut botuar pas vdekjes me titullin “Lebenserinnerungen” (“Kujtime”), Mynih 1968, 1973. Punim i cili jep një pasqyrë interesante në botën e një fisniku shqiptar të fillim shekullit të 20-të. Janë përkthyer në gjuhën shqipe “Kujtime 1885-1925”, Tiranë 2002, dhe në turqisht “Osmanli Arnavutluk’undan anilar, 1885-1912” (“Shënime nga Shqipëria otomane, 1885-1912”), Stamboll 2006. Dorëshkrimi i daktilografuar i tij monumental në 1200 faqe në bashkëpunim me Baroneshën von Godin “Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: Skizze eine historische” përkthyer nga Afrim Koçi “Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri: një Skicë Historike” në dy vëllime nga shtëpia botuese “55”, Tiranë 2010.

Titujt e gradat:

1904—Kalorës i Urdhërit Takovo të Serbisë;

1906—Klas III i Urdhërit Otoman të Mexhidies;

1907—Kalorës i Urdhërit të Leopoldit, Belgjikë;

1908—Medalje e fushatës Edzekaz;

1914—Komandar i Urdhrit të Shqiponjës së zezë të Shqipërisë;

1927—Oficer i Kurorës së Italisë;

1934—Oficer i Urdhrit Karagjergjoviç;

1935—Oficer i Yllit të Rumanisë;

1942—Kordon i madh i Urdhëri i Skënderbeut.

Ndere shkencore

1935—Anëtar i Akademisë së Shkencave Gjermanike Humbold;

1935—Medalje Ari e Akademisë së Shkencave Gjermanike Humbold;

1936—Anëtar i Akademisë Diplomatike–Paris;

1941—Anëtar i Institutit të Shkencave –Tiranë;

1954—Anëtar i Institutit të Shkencave–Romë.

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …