muqa 900
vipa
vala
Fillimi / Dëshmorët / Faik Imer Goxhuli (10.3.1976 – 15.5.1999)
Faik Imer Goxhuli (10.3.1976 – 15.5.1999)

Faik Imer Goxhuli (10.3.1976 – 15.5.1999)

Familja Goxhuli nga Makërmali i Drenicës është e njohur për mençuri dhe trimëri. Nga kjo familje ishte plaku i fiseve, satiriku i mirënjohur popullor, por edhe krijuesi i shumë këngëve të trimërisë, Dërvish Goxhuli. Luftës çlirimtare të Shaban Polluzhës, burrat e këtij fshati i dhanë shumë luftëtarë. Nga presioni dhe maltretimi fizikqë ushtruan milicët e Titos dhe të Rankoviqit, Halit Goxhulin e mbytën mizorisht në tortura gjatë kohës së Aksionit të armëve në mesin e viteve 50 të shekullit të kaluar. Luftës së UÇK-së kjo lagje i ka dhënë 4 dëshmorë, dy martirë dhe dhjetëra luftëtarë të lirisë.

Faik Goxhuli lindi më 10 mars të vitit 1976. Ishte i biri i Imer Goxhulit nga fshati Makërmal. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në fshatin Rezallë, ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në Skënderaj. Ishte vetëm 20 vjeçar kur në Drenicën e mirënjohur të traditës së luftës kundër okupatorit, jehonin krismat e armëve çlirimtare të komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe të bashkëluftëtarëve të tij.
Beteja heroike më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz dhe rënia e komandantit legjendar Adem Jashari, rininë vetësakrifikuese liridashëse të Drenicës e gjen të përgatitur për të vazhduar luftën kundër okuptaorit jugosllav. Në pranverë të vitit 1998, pothuajse në të gjitha fshatrat e Drenicës qendrore krijohen pikat mbrojtëse të zjarrit. Një aktivitet i organizuar luftarak në krijimin e pikave në Makërmal, Rezallë, Marinë e fshatra të tjera të Drenicës e kishte ushtruar luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, Ilaz Dërguti nga fshati Rezallë, bashkëluftëtarë i legjendarit Adem Jashari. Ai, qysh në maj të vitit 1998 themelon pikën ‘’Te Shkalla’’, te lagjja Goxhuli. Asokohe në radhët e UÇK-së inkuadrohen: Faik Goxhuli, djali i vëllait të tij, Zymeri, po ashtu dëshmor, Gani Goxhuli, Sahit Goxhuli, Muhamet Goluxhi, Bali Goluxhi, Mustafë Goluxhi, Sokol Goluxhi, Fadil Goluxhi, Zenel Goluxhi, Safet Goluxhi, Nasuf Goluxhi (dëshmor), Isuf Goluxhi (dëshmor), Januz Goluxhi e të tjerë. Në të njëjtën kohë, pikës strategjike ‘’Te Shkalla’’ i bashkohen edhe luftëtarët e tjerë nga lagjja Asllani e këtij fshati: Demir Asllani, Besim Asllani, Sheqir Asllani, Milaim Asllani, Mustafë Asllani, Enver Asllani, Islam Asllani (dëshmor), Haki Ahmeti, Musli Ahmeti, Beqir Ahmeti e të tjerë.
Dëshirën e zjarrtë për t’u kyçur në radhët e UÇK-së e kishte në shpirt çdo i ri i Drenicës, mirëpo meqë nuk kishte armatim të mjaftueshëm liribërësit e ardhshëm të Kosovës fillojnë të dynden drejt Shqipërisë, në grupe të vogla e të mëdha. Faik Goxhuli shkon për armatim në radhën e dytë, në qershor të vitit 1998, pasi ishin kthyer bashkëluftëtarët që kishin shkuar atje qysh në muajin maj.
Asokohe, së bashku me shumë vullnetarë nga lagjja e tij, sistemohet edhe në Lagjen Loxhaj të Tropojës, ku qëndron një muaj, ku kryen edhe stërvitjet ushtarake.
Në fillim të korrikut të atij viti, Faiku, së bashku me shumë luftëtarë të lirisë, kthehet në vendlindjen e tij me armatim dhe uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa vonuar, sistemohet pikën strategjike të lagjës, të quajtur, ‘’Te Shkalla’’. Kjo pikë, ashtu sikurse edhe pikat e tjera të zjarrit në Makërmal, Rezallë, Likoc etj, i përkisnin Brigadës 113 ‘’Mujë Krasniqi’’.
Faik Goxhuli, së bashku me xhaxhain e tij, Zymerin, ishte gjithnjë atje ku luftohej dhe ku e kërkonte komanda e Brigadës. Merr pjesë në luftime, në vijën e frontit Marinë, Rezallë, Makërmal, si dhe në vijën tjetër të zgjeruar të zjarrit, e cila zgjerohej në drejtim nga Palluzha, Shtutica, Verboci etj.
Përveç këtyre dy vijave të frontit, Faiku merr pjesë edhe në vijën e frontit të pjesës jugore të Drenicës, Baicë, Tërdec, Abri etj.
Më 26 mars 1999, dy ditë pas fillimit të bombardimit të aeroplanëve të NATO-s kundër pozicioneve të armatës serbe, babai i Faikut, Imeri, plagoset rëndë nga predha e armës së armikut. Asokohe në lagjën Goxhuli, nga arma e forcave serbe vriten Hami Goxhuli, 65 – vjeçar dhe Rrahime Goxhuli 63 – vjeçare. Babai i Faikut, Imeri së bashku me disa anëtarë të familjes së gjerë, depërton në Tushillë dhe prej andej forcat serbe i dëbojnë për në Shqipëri. Imeri qëndron për shërim një muaj në një spital të Tiranës, por copat e granatës së armës së armikut i mbetën përgjithmonë në trup.
Në prill të vitit 1999, dëshmori Faik Goxhuli, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, sistemohet në fshatin Qëndresë, ish – Terstenik. Me të ndodheshin edhe Gani Goxhuli, Sahit Goxhuli, Arsim Karaxha nga Çikatova e vjetër dhe luftëtarë të tjerë të lirisë. Më 15 maj të po atij viti, Faiku me 13 bashkëluftëtarë, ndodhej në lagjen Bazaj të Qëndresës, kur fillojnë luftimet në mes të forcave çlirimtare të UÇK-së dhe forcave okupatore serbe. Pas luftimeve të pabarabarta, sa i përket armatimit dhe numrit të forcave, luftëtarët e lirisë marrin goditje të fuqishme. Faiku ndodhej duke luftuar në lagjen Mulaj, kur merr plagë të rënda nga predha e armës armike. Në altarin e atdheut, në lagjen Bazaj të Qëndresës, po atë ditë, më 15 maj 1999, bie trimërisht në altarin e atdheut, Shefqet Bazaj. Bashkëluftëtarët, Faikun e plagosur e nisin në drejtim të fshatit Abri e Epërme. Tri orë më vonë, ai thith për herë të fundit ajrin e bërë tym e blozë të Drenicës së tij të dashur, të Drenicës heroike, e cila po digjej dhe po rilindte nga hiri i vet, si zog feniksi.
Bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit Faik Goxhuli e varrosin në fshatin Abri, ndërsa pas luftës dhe fitores kundër forcave serbe, e rivarrosin në vendlindje, në Makërmal.
Pas luftës, në shenjë nderimi dhe përkujtimi për jetën dhe veprën e më të dashurve të tyre, në hyrje të lagjes, fshatarët e Makërmalit, kanë vendosur pllakën përkujtimore për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë të lagjeve Goxhuli e Asllani të fshatit Makërmal.
Në pllakën përkujtimore janë skalitur emrat e dëshmorëve: Faik Goxhuli, Zymer Goxhuli, Isuf Goxhuli, Nasuf Goxhuli, Islam Asllani dhe Ilir Asllani, si dhe emrat e martirëve: Hamit Goxhuli, Rrahime Goxhuli, Xheladin Asllani, Bajram Ahmeti, Tafil Ahmeti dhe Agron Ahmeti.
Familjes së dëshmorit Faik Goxhuli i ka dhënë mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Drenicës e UÇK-së, Komanda e Brigadës 113 ‘’Mujë Krasniqi’’ e Zonës Operatove të Drenicës, Kuvendi komunal i Skënderajt etj.