Brickos

Faik Konica (1875 - 1942)

Faik Konica (1875 – 1942)

Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, fshat shqiptar tani në Greqi, dhe vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Uashington.  Rrjedh nga një familje e vjetër feudale, dera e Zenelbejve të Konicës, kurse e ëma vinte nga dera e bejlerëve të Delvinës. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër në Kolegjin Saverian, Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën e Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota i kreu në Francë.

Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste një frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Ku u konvertua në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verën e vitit 1895, kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon  të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-‘97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar.

Pas vitit 1895, ai nuk e mohoi kurrë faktin se ishte konvertuar në i krishterë, edhe pse emrin Domenik nuk e përdori në shkrimet e tij. Si 21 vjeçar nxori numrin e parë të revistës “Albania”, ndër revistat më të mira shqiptare, që u botua deri më 1909 në Bruksel e Londër, me ndihmën e Austro-Hungarisë, e cila nxiste lëvizjen kombëtare shqiptare për të penguar shtrirjen e sllavëve në Ballkan. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindës shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të kombit tonë. Pas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat bej Toptanit, të pagëzohej edhe ai e të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se nuk mund ta bënte një hap të tillë, pasi vëllezërit Frashëri, te të cilët ai ishte dhëndër, do ta dëbonin nga shtëpia. Murati pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ky nuk nguli më këmbë për këtë problem. Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund ta lejonte një kapërcim aq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza ose shekuj që jetonin si myslimanë. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare.

Pasi botoi broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel të (Belgjikës), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë 1897-1909 programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Faiku ishte hidhëruar prej  anëtarëve të Kongresit të Manastirit, sepse sipas tij me vonesë të madhe ia kishin dërguar një telegram për të marr pjesë në këtë kongres vendimtar për alfabetin e gjuhës shqipe. Ndërsa delegatët e Kongresit thonë se ia kanë dërguar dy telegrame për pjesëmarrje, pasi që Faiku në të parën nuk ju kishte përgjigjur. Në anën tjetër Faiku këmbëngulë se të parin telegram nuk e kishte pranuar, dhe mu për këtë shkak pason hidhërimi dhe revolta e tij ndaj tyre. Faiku në jetën e tij familjare ishte i pa fat apo ndoshta edhe vetë ashtu e kishte zgjedhur. Ca thonë se kishte qenë i martuar me një farë Sophie Annette Hygo me të cilin i kishte lindur një djalë me emrin Henrik. Edhe Apolineri të cilin e cekëm më lartë thotë se Faiku kishte qen i martuar, por të dhëna tjera për familjen e tij nuk ofron.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli[2], duke qenë udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në Sent Luis (1897) nxori të përkohshmen “Trumbeta e Krujës”, ndërkaq në Boston, së bashku me Nolin, themeloi Federatën Panshqiptare “Vatra”, që mbronte pavarësinë e shtetin shqiptar, të sapoformuar. U zgjodh sekretar dhe kryeredaktor i “Diellit”, që u bë organ i saj. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Nuk e duronte dot Ismail Qemalin, kryetarin e përkohshëm të shtetit. Mbase edhe për inatin e tij, më 1913 e lë Vlorën dhe i bashkohet në Durrës forcave të Esat Toptanit, që ndonëse e urrente e ndihmoi të formonte qeverinë e ndarë shqiptare. Mbretin Zog herë e lavdëronte, herë e shante. Polemizoi edhe me Fan Nolin, ku me raste e quajti edhe bolshevik dhe mbërriti deri aty derisa sa i kërkoi departamentit amerikan që të mos lejohej më hyrja e atij komunisti në ShBA, por nuk e humbi respektin për aftësitë e këtij të fundit. Edhe Noli në një poezi të tij spikat dyfytyrësinë e Faik Konicës lidhur me Zogun. Ai shkruante

 Dhe Feridi faqe ndërron

Dje e shante sot lavdëron,

Fryn bulçitë e trumbeton

Qe katrani zbardhëllon

Konica ka qenë i njohur për temperamentin e tij egocentrik, kontrovers dhe mjaft polemizues. Ka injoruar shumë prej personaliteteve më të njohura të kohës së tij. Përveç urrejtjes që kishte për Nolin, duke e akuzuar se ishte bolshevik dhe duke i kërkuar Shteteve të bashkuara ta dëbonin nga Amerika, ai urrente edhe Naim Frashrin  dhe përgjithësisht intelektualët shqiptarë të besimit islam. Për Naimin ka shkruar se është poet i totave dhe i tatave, se nuk ishte poet fare. Zogun e quante monark e diktator, pastaj pasi Zogu i ofroi postin e ambasadorit të Amerikë, ai jo vetëm që u pajtua me të por edhe u bë apologjet i tij.

Faiku vdiq në Uashington krejtësisht i vetmuar, nga bashkatdhetarët. Pranë tij në çastet e vdekjes i ka qëndruar pranë një nga mikeshat  tij, e quajtur G. A. Graham.

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …