Fatime Sadik Jashari (26.4.1970 – 7.3.1998)

Fatime Sadik Jashari (26.4.1970 – 7.3.1998)

Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ishte njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen. Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e municionit të armëve të makinerisë së krimit serb.
Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë. Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të Legjendarit Adem Jashari, 12 pjesëtarë të familjes së Sadik, Hamit e Qerim Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit dhe dhjetëra anëtarë të kësaj lagjeje të Prekazit. Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura, deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.
Fatimja, e bija e Sadik Jasharit u lind më 26 prill të vitit 1970. Shkollën fillore e kreu në Prekaz. Ashtu sikur edhe shumë bashkëmoshatare të tjera, ajo nuk e vazhdoi shkollimin, në radhë të parë për shkak të gjendjes së vështirë materiale të familjes. Ka qenë e përkushtuar për prindërit, vëllezërit dhe motrat.
Ishte se bashku me familjarët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në kohën kur forcat serbe me një arsenal të tërë armatimi ushtarak e policor sulmuan egërsisht e barbarisht Jasharët e Prekazit, me qëllim për të vrarë e zhdukur të gjithë lagjen, për shkak të rezistencës së armatosur.
Gjatë ditëve të rrethimit, Fatimja ashtu sikur edhe të gjithë Jasharët qëndroi trimërisht.
Në betejën heroike të Jasharëve të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ka rënë Sadik Jashari me bashkëshorten e tij, Afijen, bijtë Hamdiun dhe Ramizin, bijat Elfijen dhe Fatimen. Nga kjo vëllazëri gjatë atyre ditëve të rezistencës heroike kanë rënë edhe Hamit Qerim Jashari, Qerim Hysen Jashari, Shahin Qerim Jashari, Ukshin Qerim Jashari, Salë Jashari, bashkëshortja luftëtare e Hamit Jasharit dhe Hajrije Jashari. Gjatë betejës ka rënë edhe: Isak Halili, nipi i familjes dhe miqtë e kësaj familje që u gjendën nën rrethim, Fatime Bazaj dhe Smajl Bazaj. Familja e Sadik Jasharit e cila aktualisht jeton dhe punon në Austri ka përsëritur emrat e Sadikut, Afijes, Elfijes dhe Fatimes.
Ajo ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së QPK, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje, janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …