driloni com
vipa
vala – old
Fillimi / Dëshmorët / Fatmir Smajl Nimanaj (1.4.1973 – 16.4.1999)
Fatmir Smajl Nimanaj (1.4.1973 – 16.4.1999)

Fatmir Smajl Nimanaj (1.4.1973 – 16.4.1999)

Në plejadën e luftëtarëve më të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, pa dyshim, bën pjesë edhe dëshmori Fatmir Nimanaj. Ishte njëri ndër liribërësit, që me përkushtim të jashtëzakonshëm ishte përcaktuar për çështjen kombëtare. Gjenin e qëndresës dhe dashurinë për atdhe e trashëgoi nga familja, e cila kishte traditë në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm. Në vitet ‘30-të të shekullit XX, Sadik Nimanaj, kishte likuiduar kriminelin e shumëfishtë të organizatës terroriste serbe “Crna Ruka”, i njohur si Gjura i Rastavicës. Burrat e kësaj familjeje ishin dalluar për trimëri edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si pjesëmarrës në luftërat e zhvilluara për mbrojtjen e Plavës e Gucisë dhe viseve tjera etnike shqiptare nga sulmet shoviniste serbo-malazeze. Edhe gjatë vitit 1981, familja e Fatmirit ishte njëra ndër bazat e ilegales që vepronte në Deçan e rrethinë. Aty u vendos aparati fotokopjues për shtypjen e afisheve që bënin thirrje për demonstrata kundër shtypjes jugosllave.
Gjatë betejës së 24 marsit 1998, babai i Fatmirit, Smajli, arrestohet nga forcat serbe në shtëpinë e tij dhe bashkë me njëmbëdhjetë bashkëfshatarë të tjerë mbahet peng për dy ditë radhazi.
Fatmir Nimanaj, u lind më 1 prill 1973, në Gllogjan. Prindërit Smajl e Nushë Nimanaj, lindën e rritën tetë fëmijë, tre djem e pesë vajza. Shkollën fillore e përfundoi në Rrezar (ish-Irzniq). Shkollën e mesme e kreu në rrezar e Deçan, me sukses të shkëlqyeshëm. Ishte anëtar i SHKA “Jusuf Gërvalla” të Deçanit, që prej themelimit të saj, në vitin 1991, ku këndoi bashkë me të vëllanë, Xhavitin dhe djalin e axhës Luanin. Kishte prirje për folklor dhe ishte pjesëmarrës edhe në disa festivale të muzikës folklorike burimore dhe disa herë u shpërblye me çmime festivalesh.
Që nga 3 marsi i vitit 1998, Fatmiri bashkë me vëllanë e tij, Xhavitin, bien në kontakt me Daut Haradinajn, nga i cili i pranojnë armët dhe kyçen në radhët e UÇK-së. Fatmiri mori pjesë edhe në betejën e 24 marsit 1998, në Gllogjan. Edhe më 31 mars kur në Gllogjan dalin haptazi luftëtarët e lirisë, të armatosur dhe të uniformuar, Fatmiri do të jetë në radhët e para.
Pas betejës së 24 marsit, forcat serbe ndërmarrin sulmet kundër fshatrave përreth Gllogjanit. Fillimisht sulmohen fshatrat Baballoç e Gramaçel. Më 21 prill 1998, fillojnë luftimet në Baballoç, te Kerrshi i Sukës, ku Fatmiri dallohet në luftime bashkë me luftëtarët e ardhur nga mbarë Kosova dhe bashkëluftëtarët e tij nga Gllogjani. Në këto luftime u dalluan Shkëlzen Haradinaj, Maliq Ndrecaj, Lulzim Morina, Ilir Faniqi, Naser Morina, Ajet Potera, Sokol Sejfijaj, Bashkim Ukaj, Ramiz Botusha, Zenun Mataj e dhjetëra luftëtarë të tjerë.
Në frontin e luftës në Baballoç, Fatmiri qëndroi deri në shpërthimin e luftës frontale në Carrabreg. Mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara më 25 e 26 maj 1998, në Rastavicë, kur ra heroikisht dëshmori Arben Qerimaj nga Gllogjani dhe u plagosën rëndë dy bashkëvendasit e tij, Shefqet Mustafaj (dëshmor) e Agron Mustafaj.
Fatmir Nimanaj mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në frontin e Prejlepit, më 5 e 6 qershor të vitit 1998, por edhe në luftimet e zhvilluara në frontin e Shaptejt.
Në vijën e frontit në Carrabreg, që ishte njëra ndër vijat më të rrahura nga lufta, Fatmiri qëndroi një kohë të gjatë bashkë me grupin e luftëtarëve nga Gjakova dhe me bashkëluftëtarët e pandarë të fshatit të tij, si Luan Nimanaj (dëshmor), Xhevat Sejfijaj (dëshmor), Sokol Sejfijaj (dëshmor i rënë në këtë vijë të frontit, më 9 gusht 1998), Gëzim Sejfijaj, Haki Sylaj etj. Luftimet në frontin e Carrabregut i drejtoi me sukses komandanti i kësaj vije të frontit, Maliq Ndrecaj. Në ofensivën e gushtit, në luftimet e zhvilluara në Gllogjan, ra dëshmor djali i axhës së Fatmirit, Naim Metë Nimanaj.
Fatmiri në Carrabreg qëndroi prej 13 qershorit deri më 15 gusht 1998, kur luftëtarët e lirisë urdhërohen të tërhiqen nga kjo vijë e frontit. Menjëherë pas kësaj tërheqjeje, Fatmiri me shumë bashkëluftëtarë të tjerë u kthye në Gllogjan dhe riaktivizuan Shtabin e ZOD-it. Mirëpo as kjo gjendje nuk zgjati shumë për shkak të ofansivës së Shtatorit 1998, pas së cilës në muajin tetor u bashkohet radhëve të riorganizuara të luftëtarëve të lirisë, ku në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së tregon një aktivitet të jashtëzakonshëm në luftë për liri. Caktohet komandant i njësisë “Komando” për veprime në prapavijë të armikut. Duhet veçuar aksionin e ndërmarrë në fund të muajit dhjetor 1998, në magjistralen Deçan-Pejë, në aksin rrugor afër Fabrikës së Pompave me Piston, ku u vranë nëntë policë serbë, në shenjë hakmarrjeje për rënien e komandant Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe bashkëluftëtarëve të tij. Këtë aksion Fatmiri e kreu bashkë me Agim Selmanajn (dëshmor), Adem Islamajn, i cili plagoset rëndë dhe Astrit Mehmetajn.
Mori pjesë dhe u dallua në luftimet e zhvilluara në Gllogjan, më 17 dhjetor 1998, kur luftëtarët e lirisë, nën drejtimin e komandantit Shkëlzen Haradinaj, pas luftimeve të zhvilluara për disa orë radhazi arrijnë të çajnë rrethimin e trefishtë dhe të ripozicionohen në Ratishë të Epërme.
Në betejën e zhvilluar në vijën e ftontit Ratishë e Epërme – Dashinor, prej datës 9 deri më 18 janar 1999, Fatmiri luftoi e qëndroi në ballë të frontit përkrah komandantit të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Daut Haradinaj, Agim Selmanaj e Bujar Haradinaj, duke luftuar në pikën kah Dodajt, ku u plagosën Bujari e Agimi. Fatmiri u dallua edhe në Betejën e zhvilluar në Pozhar në periudhën 27 mars – 2 prill 1999.
Fatmiri bënte pjesë në njësitin pararojë, të drejtuar nga komandanti Shkëlzen Haradinaj, për transferimin e 42 luftëtarëve të plagosur nga Zhebeli deri në Vrellë të Burimit (ish-Istog). Këtë aksion e kryen me sukses të plotë.
Fatmiri me bashkëluftëtarët tjerë, më 15 prill 1999, kthehe nga rrugëtimi i gjatë njëjavor dhe vendoset në mes fshatrave Buqan e Maznikë, për të vazhduar zgjerimin e pozicioneve. Të nesërmen, pas rënies së Hasim Halilajt në përleshje me forcat policore serbe në malet mes Zhebelit e Maznikut, Fatmir Nimanaj e Shkëlzen haradinaj bien në Altarin e Atdheut, në njërën ndër betejat më të përgjakshme kundër pushtuesve serbë. Atyre në përjetësi, të nesërmen, iu bashkua edhe Luan Nimanaj, djali i axhës së Fatmirit, që kishte marrë plagë të rënda në betejën e 16 prillit, të cilit i pushoi së rrahuri zemra te Tëbanat e Gllogjanit në Bjeshkë të Strellcit, derisa e kishin nisur në drejtim të Shqipërisë.
Malet e Maznikut i ruajtën në thellësi trupat e këtyre trimave, deri në ditët e lirisë.
Trupi i dëshmorit Fatmir Nimanaj në ditë lirie, më 24 gusht 1999, është rivarrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, së bashku me 35 dëshmorë të tjerë të kombit.
Familja Nimanaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin e saj dëshmor. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Lutfi Shaban Vitia (15.11.1976 – 20.4.1999)

Lutfi Shaban Vitia (15.11.1976 – 20.4.1999)

“Bal, i ke pesë djem, dy duhet t’i japësh për luftën! Një jam unë!”. Këto ...