leoni

Fehmi Mehmeti: Ndërmjet qyteti dhe fshatit

Fehmi Mehmeti: Ndërmjet qyteti dhe fshatit

Sfondi historik

Njerëzimi, bazuar në faktet historike dhe arkeologjike, në periudhën e neolitit për herë të parë kalon nga jeta nomade në atë komunitare (ende nuk mund të flasim për shoqëri, por vetëm për grumbuj njerëzish që jetonin në një vendbanim). Ky zhvillim i parapriu themelimit të qyteteve të para në histori. Themelimi i qytetit, natyrisht, është një proces mijëra vjeçar i ndryshimeve dhe zhvillimeve të ndryshme shoqërore, teknologjike, politike etj., cikël ky i cili vazhdon edhe në ditët e sotme. Në lidhje me themelimin e qyteteve të para ka teori të ndryshme, secila nga këto teori thekson një veçanti/cilësi në saje të së cilës është bërë i mundur themelimi i qytetit. Por, ajo që mund të themi me siguri është se, të gjithë këta faktorë kanë pasur rëndësinë e vetë në themelimin e qyteteve; faktorët që ndikuan në themelimin e qytetit në mënyrë kronologjike janë kështu: krijimi i rrjeteve ujitëse, zhvillim ky i cili bëri të mundshëm shtimin e produktivitetit, me qëllim të ruajtjes së këtyre produkteve u ndërtuan mure rreth e rreth ‘vendbanimit’,  kjo shpiu në të bërit e këtij ‘vendbanimi’ vend tregu dhe fokusim të fuqisë në të, më pas kjo hapi rrugën e ortakërisë në mes të ‘ndërtuesve’ dhe klerit, një bashkim i tillë mundësoi zhvillimin e tregtisë dhe zgjerim të vendit, e që si rezultat dha qytetin. Gordon Childe këtë proces evolutiv të kalimit nga jeta nomade në atë komunitare/fshat, zhvillim ky që hodhi bazat e formimit të qytetit, e sheh si rezultat të solidaritetit organik të shoqërisë. Në pika të shkurtra ky ishte sfondi historik i themelimit të qytetit, por ajo që dua të nënvizoj është se çfarë rendësie ka për njerëzimin themelimi i qyteteve.

Raporti ndërmjet qytetit dhe zhvillimit të shkencave dhe artit

Përveç rolit që ka qyteti në zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror, roli specifik i qytetit konsiston pikërisht në relacionin e tij më zhvillimin e shkencave. Prandaj do të filloj nga rëndësia që ka pasur qyteti në zhvillimin e shkencave. Por për të qenë mozaiku më i qartë, së pari do theksoj tri shpjegime mbi atë se si janë shfaqur shkencat. Shpjegimi i parë është ai i Herodotit, i cili thotë se: në Egjiptin e lashtë tokat bujqësore që ishin afër brigjeve të lumit Nil, si pasojë e vërshimeve një pjesë e tyre mbeteshin nën ujë dhe kështu madhësia e disa arave zvogëlohej ndërsa e disa të tjerave rritej; por, përkundër kësaj mbreti vazhdonte të merrte tatimin e njëjtë si me parë. Kjo hapi probleme të ndryshme në atë pjesë, dhe nga nevoja e mbretit për të mbledhur tatimet në mënyrë të drejtë për të gjithë, ishte zbuluar shkenca e Gjeometrisë. Fjala gjeometri përbëhet nga dy pjesë, “geo” që d.m.th. vend dhe “metria” që d.m.th. matje, vetë emri i kësaj fushe është ndikuar nga nevoja që e ka lindur atë. Shpjegimi i dytë është ai i Aristotelit, i cili thotë se: pikë-fillimi i shkencave është skepsa, njerëzit nga habia e ndodhive të disa gjërave, fillojnë të mendojnë rreth tyre dhe të pyesin për to. Për ta bërë këtë gjë, duhet rehatia e për ta pasur rehatinë është e domosdoshme koha e lirë. Kështu në Egjipt shtresa e klerit kishte kohe të lirë, kjo u mundësoi atyre të meditonin, pra koha e lirë u bë shkak në zbulimin e matematikës. Arsyeja që përmenda dy shpjegimet më lart është e shpjegimit të tretë. Shpjegimi i tretë i Ibn Haldunit është një sintezë e këtyre dy mendimeve që ndërlidhet me themelimin e qytetit. Sipas Ibn Haldunit, zbulimi i shkencave nuk është i ndërlidhur drejtpërdrejt as më kohën e lirë dhe as me nevojën, por këto dy fenomene, pra koha e lirë dhe nevoja, janë pasojë e fazave të strukturave shoqërore. Për të qenë më i qartë, ai, zbulimin e shkencave e ndërlidh me ndarjen e punës, sipas tij po të mos ishte ndarja e punës nuk do të kishte kohë të lirë. Ndarja e punës u bë shkak i papunësisë në shoqëri, e cila po të mos ndodhte nuk do të kishte zhvillim të artit dhe shkencës. Në qytet është faza e realizimit të nevojave dytësore, kategori kjo në të cilën bëjnë pjesë shkencat dhe arti. Nevojat parësore, apo nevojat natyrore, janë ato para fazës së themelimit të qytetit, si ushqimi, mbrojtja nga rreziqet e jashtme, veshmbathja, etj. Pra, zhvillimi i artit dhe shkencës është i lidhur ngushtë me zhvillimin e qytetit, prandaj themelimi i qytetit (në kuptimin e polisit – qytet-shtetit) jo rastësisht konsiderohet si e arritura më e lartë e organizimit dhe rendit shoqëror të njerëzimit. Nga mendimtarët e Greqisë së lashtë, qyteti/polisi emërtohej si ‘polis-civitas perfectus’ si shoqëri perfekte, kjo nuk ishte në kuptimin e perfeksionit, qe është pa të meta, por në kuptimin që është i vetëmjaftueshëm, pa pasur nevojë për diçka nga jashtë. Në këtë kontekst, sipas Aristotelit fshati i mundëson njeriut të jetojë, ndërsa qyteti/polisi të jetojë mirë.

Në paragrafët më lart u mundova të bëj një shpjegim rreth qytetit si nga aspekti i sfondit historik gjithashtu edhe nga ai konceptual, për tu kuptuar më mirë roli dhe rëndësia e tij. Por, kjo ishte vetëm një nga pikat që dua të theksoj këtu. Në pyetjen `se çka është qyteti?`, përveç përgjigjes duke marr për bazë karakteristikat fizike dhe arkitekturore të tij, po aq me rëndësi është edhe pjesa historike dhe shpirtërore që mbart me vete qyteti. Historia e një qyteti është vetë qyteti. Pa dyshim që kultura është ajo që e ruan dhe për më shumë është determinuese e zhvillimit të qytetit. Djep i çdo civilizimi është qyteti, jo rastësisht vetë emri ‘civilizim/qytetërim’ rrjedh nga fjala polis/civitas/qytet. Për më tepër qyteti është vetë emërtimi tjetër i jetës shoqërore. Ai ofron mundësinë e të jetuarit në shoqëri, dhe të zhvillimit të vetës (unit) pa u tjetërsuar në tjetrin. Arkitektura e çdo qyteti mbart me vete frymën e kohës, historikun, shpirtin tejkohor dhe është reflektuese e zhvillimit dhe mendësisë së asaj shoqërie. Raporti i njeriut me arkitekturën është reciprok, sepse po aq sa njeriu ndikon në konstruktin e qytetit po aq, ndoshta dhe më shumë, ky konstrukt më pas ndikon tek njeriu. Siç thoshte W.Churchill: “Tani ne jemi duke i konstruktuar/dhënë formë objekteve tona, më pas ato do të na formësojnë neve”. Pra, ne jemi ata që konstruktojmë qytetet tona, e më pas ato do na formësojnë neve. Qyteti është pasqyrë e nivelit kulturor dhe civilizues të shoqërisë që jeton aty. Thënë troç, qyteti është pasqyrë e çdo civilizimi.

Prishtina ndërmjet qytetit dhe fshatit

Shikuar nga kjo perspektivë, debati i fundit rreth ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, më bëri që ta shoh këtë ngjarje nga një kënd tjetër, duke ia shtruar një pyetje vetes se, a thua vallë vërtet Prishtina është qytet? Nga ajo çfarë kam mundur të lexoj rreth këtij debati, me disa përjashtime të vogla, pjesa dërrmuese e reagimeve ishin të ngritura mbi ngarkesa ideologjike dhe komplekse inferioriteti. Shumë sosh, do i merrja si të mirëqena sikur në shoqërinë tonë deri më tani të ishte shtruar pyetja më kryesore: a është vërtet Prishtina qytet?! Qytetin qytet nuk e bën ndërtimi i godinave të larta, hapja e qendrave tregtare, restorantet luksoze, pubet, etj., të gjitha këto janë produkte të qytetit, por jo vetë esenca e qytetit. Reduktimi i qytetit vetëm në këto fenomene na ka kushtuar shtrenjtë si shoqëri, andaj deri më tani nuk shohim duke u diskutuar temat substanciale se si Prishtina (me Prishtinën këtu nënkuptoj çdo qytet të Kosovës) si qytet nuk është prijatare në ofrimin e mundësive për emancipim kulturor, zhvillim të arsimit, krijimtari artistike, teknologji etj., edhe po të jetë forma/arkitektura ashtu siç duhej të ishte ç’rëndësi do të kishte? E gjithë kjo katrahurë në qytetet tona, nuk është rastësi, është reflektim i mendësisë dhe nivelit të shoqërisë sonë. Por, këtu problemi nuk fillon vetëm nga paslufta e këtej, thelbi është në fillet modernizmit. Vetë procesi i modernizimit në Jugosllavi ishte një projekt ku shqiptarët ishin spektatorë dhe jo pjesë e ‘inxhineringut’, ishte largim prej traditës/autoktones dhe një tendencë për shkëputje nga ajo, rrjedhimisht edhe për tëjhuajësim kulturor. Modernizmi nuk është që solli ndonjë përparim, atë gjë qe solli ishte veçimi nga të ‘tjerët’; por, fatkeqësisht nuk e solli edhe vetëdijen politike. Në kontekstin tonë nuk mund të flasim për katër revolucionet që e kanë përcaktuar kalimin në epokën e modernitetit: revolucioni shkencor, politik, kulturor dhe tekniko-industrial, sepse këto tek ne u bënë kalimthi, thënë më mirë nuk u bënë fare. Prandaj, si sot ashtu edhe më herët, kapëm modernitetin jo në thelbin e tij. Ndaluam vetëm në industri, teknologji e ndërtim të godinave të larta e hiç estetike (edhe në këto fusha thuajse asgjë nuk bëmë ashtu siç duhet), por fatkeqësisht vetëm kaq, nuk bëmë diç më shumë. Ishte një kopje, dhe atë një kopje e keqe e modernizmit. Kjo vazhdon edhe në ditët e sotme, kemi një arkitekturë që nuk pasqyron asgjë nga vlerat lokale/tradicionale, por kemi vetëm ngulfatje të qytetit e shkatërrim të hapësirës gjelbëruese dhe ekosistemit. Dhe shembulli më i mirë që shfaq të zhveshur realitetin ku jemi katandisur është, Partia e Gjelbër e Kosovës, e cila asnjëherë nuk u mor seriozisht as sa Partia e Fortë, nuk besoj që ka nevojë për të shtuar diçka më shumë këtu. Prishtina (qytetet e Kosovës në përgjithësi) sidomos këto vitet e fundit, nuk arriti të jetë më shumë se një kasaba (qytezë), diçka ndërmjet qytetit dhe fshatit. Infrastruktura dhe numri i banorëve bëri që të jetë më shumë se fshat, por niveli i vetëdijes mbi hapësirën publike dhe emancipimit kolektiv nuk ishte i mjaftueshëm ta çojë në stadin e qytetit. Në dy dekadat e fundit u shkatërrua edhe ajo që i mbijetoi modernizmit të egër jugosllav. Shkatërrimi i monumenteve dhe pjesëve historike të qytetit (fasadimi i hamamit në Prishtinë, prishja e kalldrëmit në Prizren, iniciativa për privatizim të Kalasë në Vushtrri, etj.) shpërfaqi dhe një herë vetëdijen kulturore dhe nivelin e katandisjes sonë. Prandaj, debati mbi planin urbanistik dhe estetikën e xhamisë, është shterp përderisa ne si shoqëri nuk i qasemi problemit në thelbin e tij. E tërë kjo po dërgon në instrumentalizim dhe politizim të këtij debati mbi arkitekturën e xhamisë, e cila po e pamundëson një debat të mirëfilltë e thelbësor që duhej të bëhej mbi këto tema. E nëse duam të jemi konstruktivë në këto çështje, mendoj se duhet filluar nga themeli, t’ia shtrojmë vetes pyetjen se si t’i bëjmë qytetet tona qytete. Pa zbritur me këmbë në tokë e ta shohim realitetin, vetëm do të vazhdojmë ta gënjejmë veten, me gjasë edhe për dekada e shekuj me radhë! Prandaj, siç u theksua në pjesën hyrëse, pa e përvetësuar qytetin si koncept në tërësinë e vet (duke përfshirë relacionin e tij me zhvillimin shkencor e kulturor, përmirësimin e cilësisë së jetës, etj.) vlugu jonë pas godinave do të na lë prapë ndërmjet qytetit dhe fshatit!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …