Brickos

Ferat Shala

Ferat Shala: 10 vjet të shtetit të Kosovës! Pritjet, të arriturat, sfidat dhe prioritetet

Shteti i Kosovës, ka lindur dhe është zhvilluar me shumë mund, djersë e sakrifica nga shumë gjenerata. Andaj, duhet që më shumë ta duam dhe të punojmë për ruajtjen dhe rritjen e tij.

Si erdhëm deri te pavarësia?

Pavarësia e Kosovës e ka gjenezën në sakrificën e popullit të Kosovës, brezave liridashës dhe në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Nuk mungoj as mbështetja nga SHBA-të, shtetet e fuqishme të Bashkimit Evropian dhe e miqve tjerë ndërkombëtare. Kjo sakrificë dhe gatishmëri jona  u materializuar përmes ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që solli lirinë. U finalizua si rezultat i rrethanave të favorshme politike dhe shoqërore në regjionin e Ballkanit dhe më gjerë, që kulmuan me shpalljen e pavarësisë.

 

Cilat ishin pritjet nga pavarësia dhe sa u realizuan ato?

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, pritjet e përgjithshme ishin të mëdha dhe për shumë çështje ato ishin përtej mundësive, rrethanave dhe kapaciteteve tona.

Pritëm që të kishim numër të madh të njohjeve nga shtetet e botës, anëtarësim të shpejtë në organizata ndërkombëtare, përmbushje të shpejtë të kërkesave dhe standardeve në procesin e  integrimeve evropiane. Kishim pritje edhe për zhvillim më të hovshëm ekonomik, konsolidim më të mirë politik dhe progres të menjëhershëm në të gjithë sektorët zhvillimor.

Harruam që pasojat e robërisë, sundimit dhe eksploatimit të pamëshirshëm nën regjimin serbo-jugosllav,  kishin lënë gjurmë të thella në të gjitha hallkat e shtetësisë së Kosovës, që  nga arsimi, ekonomia, shëndetësia e deri tek mungesa e përvojës në diplomacinë ndërkombëtare.

Cilat ishin të arriturat kryesore?

Megjithëkëtë, përkundër shumë ngecjeve e problemeve, u shënua progres dhe u arritën rezultate konkrete në shumë fusha zhvillimore.

Kosova arriti të ruaj marrëdhëniet e mira diplomatike me shtetet mike në krye me SHBA-në. U miratua Kushtetuta e vendit, u forcua baza ligjore dhe institucionale dhe u ngrit shërbimi diplomatik i Kosovës në shumë vende të botës.  U krijuan themelet e para të Ushtrisë së Kosovës, përmes transformimit të TMK-së në FSK dhe u arritën rezultate të mira në ngritjen dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës.

U përmirësua infrastruktura e sidomos ajo rrugore që e lidhi Kosovën me korridoret e rajonit dhe botës, u krijuan kushte të favorshme për biznes dhe zhvillim ekonomik dhe u rritën investimet e huaja në shumë sektorë.

Çka ka mundur të bëhej më mirë?

Kishte hapësirë, mundësi dhe kushte për të arritur rezultate dhe progres edhe në shumë fusha tjera. Me një konsolidim më të mirë institucional dhe shoqëror mundë të bëhej më shumë në procesin e integrimeve evropiane dhe në zhvillim ekonomik. Mundë të kishim qasje edhe më të mirë në përvetësimin dhe orientimin e drejtë të investimeve të jashtme.

Kishim mundësinë të shfrytëzonim më mirë kontributin dhe gatishmërinë e diasporës dhe të rinisë sonë në zhvillim dhe në përfaqësim të vendit. Ka pasur më shumë hapësirë për të lehtësuar dhe përkrahur punën e bizneseve vendore, dhe për të përfshirë  klasën tonë akademike në hartimin e planeve dhe strategjive zhvillimore në shumë fusha e sektorë.

Mundë të bënin më shumë edhe në promovimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të  resurseve tona natyrore dhe potencialeve tjera zhvillimore në shërbim të ngritjes së mirëqenies shoqërore dhe ekonomike.

Cilat duhet të jenë prioritetet e ardhshme të shtetit të Kosovës?

Kosova duhet të ketë prioritete të qarta zhvillimore për të ardhmen, dhe për këtë nevojitet që ato të orientohen në segmente vitale të shtetit. Mbi të gjitha duhet të bëhet fuqizimi i shtetit ligjor e demokratik i mbështetur në një drejtësi të pavarur, siguri e qëndrueshme dhe një sovranitet të domosdoshëm në gjithë territorin e vendit.

Krijimi i Ushtrisë së Kosovë është prioritet esencial për të ardhmen. Integrimi në BE, në NATO,  dhe në organizata e mekanizma ndërkombëtarë duhet të jetë në krye të agjendës së prioriteteve të shtetit të Kosovës.

Mbi të gjitha këto procese nevojiten të mbështeten në një qeverisje efikase, dhe në një koncept të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik të bazuar në resurset dhe potencialet tona natyrore dhe njerëzore.

 

Cilat janë sfidat e shtetit në dekadën e ardhshme?

Edhe në dekadën e ardhshme Kosova do të përballet me shumë sfida e probleme.

Përfundimi i dialogut me Beogradin dhe ndërtimi i raporteve të qëndrueshme fqinjësore do të jenë një nga këto sfida. Funksionalizimi i plotë i sistemit të drejtësisë dhe përmbyllja e misionit të Gjykatës Speciale do të jetë një nga proceset sfiduese që do ta shoqërojë Kosovën edhe gjatë dekadës së ardhshme.

Nuk do të jenë të lehta as sfidat zhvillimore dhe demokratike që do të kërkojnë adresim të drejtë të çështjeve politike dhe nevojave ekonomike e shoqërore, përmes një strategjie zhvillimore që do të jetë në funksion të interesave nacionale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kosova pas 10 viteve?!

Pritjet ideale për shtetin e Kosovës do të ishin që pas një dekade, të përfundojë procesi i  anëtarësimit  në BE, në OKB dhe në shumicën e organizatave ndërkombëtare.

Një shtet më një ushtri të zhvilluar sipas standardeve të NATO-s, dhe një vend i sigurt për të jetuar. Një shtet me diplomaci pro-aktive,  demokraci liberale, me qëndrueshmëri ekonomike,  me shkallë të ulët të papunësisë dhe  me  arsim e shëndetësi cilësore.

Porosia

Natyrisht që për të arritur atje ku duam, duhet që secili nga Ne të kryejë me përgjegjësi detyrat intelektuale, institucionale e qytetare ndaj vendit.

Shteti i Kosovës, ka lindur dhe është zhvilluar me shumë mund, djersë e sakrifica nga shumë gjenerata. Andaj, duhet që më shumë ta duam dhe të punojmë për ruajtjen dhe rritjen e tij.

Duhet më shumë angazhim dhe përkushtim që ta bëjmë Kosovën shtet të denjë për qytetarët e saj dhe të jetësojmë ëndrrën dhe amanetin e të parëve tanë.

Urime ditëlindja e 10-të Kosovë! Gëzuar 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë!

Kontrolloni gjithashtu

Karderinis Isidoros

ISIDOROS KARDERINIS: RICS+: Një zgjerim mbresëlënës

Në agimin e vitit 2024, nga 1 janari, pesë vende të tjera u bënë anëtarë …