Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, të persekutuar e të gatshëm për të mos shkuar në shërbimin e dhunshëm ushtarak të ish-Armatës Jugosllave, në ditët kur kjo plejadë hetoi se në Kosovë po formohej instrumenti i forcës i cili do t’i japë fund dhunës e terrorit, filloi përgaditjet për të depërtuar në Kosovë e t’u bashkohej radhëve të formacioneve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz, Gllogjan, Kaçanoll, Jezerc, Budakovë, Drenaj e Zatriq. Kjo plejadë i bashkoi armët me luftëtarët e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe luftoi për një Kosovë të lirë, sovrane, për një Shqipëri të bashkuar e për një ushtri e cila do ta shkundte barrën e rëndë të robërisë dhe marren shekullore. Si të këtillë, këta djelmosha, braktisin mërgimin dhe Perëndimin, i kthehen Kosovës dhe u sistemuan nëpër formacionet e armatosura e të gatshme për të marrë pjesë në aksione guerile e në betejat frontale që gjatë pranverës së vitit 1998 u hapën pothuajse në të gjitha anët e Kosovës. Në radhët e këtilla, madje në krye të radhëve u gjet edhe luftëtari i lirisë Feriz Susuri, i përjetësuar më 11 mars 1999 në “Eshalonin e Hysen e Hysen Rexhepit”, në Betejën e Jeshkovës.
Dëshmori i kombit Feriz Susuri i Abdurrahmanit dhe i nënës Sadije, bijë e Berishëve të Buçës, i vëllai i Naserit, Xhelalit, Luanit, Afërditës dhe Fiknetit, babë i bijës së vetme, Marigonës, është i lindur në Zhur të Prizrenit më 18 maj të vitit 1969. Shkollën fillore Ferizi e mbaroi në Zhur, ndërsa të mesmen teknike, Dega e Përpunimit të Lëkurës, në Teknikumin “Gani Qafdërbasha” të Prizrenit. Familja Susuri nuk i kishte kushtet që Ferizin ta dërgonte në ndonjë fakultet të Universitetit të Prishtinës, prandaj ai ushtroi veprimtari zejtare, ndërsa si adhurues i folklorit ishte valltar i mrekullueshëm dhe vallzonte në Shoqërinë Kulturo-Artistike “Emin Duraku” të vendlindjes dhe mori pjesë edhe në festivale ndërkombëtare.
Dërgimi me dhunë në ish-Armatën Jugosllave i solli peripeci të reja zhurjanit të ri; detyrimisht shërben në Banjallukë të Bosnjës e Hercegovinës, në gjininë ushtarake të artilerisë, por me shpërthimin e luftës kroato-serbe, dezerton. Afër Zagrebit dezerton në vijat e frontit dhe 3-4 vite bredh nëpër Kroaci e Hungari. Ndjekjeve u shpëtoi me ndihmën e Ahmet Lushajt, Rexhë Lushajt, Tahir e Tafë Miftarit e të hasjanëve të shumtë që ishin në Kroaci. Me të hetuar se familja Susuri ditë për ditë shënonte rënie, Ferizi detyrohet ta braktisë Kroacinë e më vonë edhe Hungarinë dhe vendoset në Austri. Por, atje arrestohet dhe burgoset. Gjatë vuajtjes të dënimit mban kontakte të përhershme me Samidin Xhezairin e njohur si “Komandant Hoxha” dhe pas lirimit, gjatë ditëve të para të Pranverës vendosi të kthehet në vendlindje e të kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Inkuadrohet në formacionet e porsambira në Lagjen “Tuzsus” të Prizrenit e në Lagjen “Bajram Curri” të këtij qyteti, prandaj edhe që prej krismave të para në Prizrenin legjendar, Ferizi është së bashku me shokët në Betejën te Kryqi i Hoçës, në Betejën e Lezit dhe në atë të Jeshkovës. Në këto beteja është së bashku me Enverin, Shkumbinin dhe Arlind Hoxhajn, por në tetor të vitit 1998 Feriz Susuri kalon në fshatin Reti të Anadrinit dhe sipas instruksioneve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Shtabit të Brigadës 125 të Prizrenit, fillon riorganizimi i Ushtrisë në Zonën Operative të Pashtrikut. Në fshatin Reti arrin edhe komandanti i Njësitit Special për Intervenime të Shpejta, Hysen Rexhepi, i Celinës, sot dëshmor i kombit. Kështu, Brigada 125 nën komandën e Nehat Bashës zë të riorganizohet për t’u shtrirë në çerdhen e vet të dikurshme: Lez e Jeshkovë. Ferizi këmbëngulte që edhe një herë të organizohet Brigada 125 e Prizrenit e të shtrihet sërish kah Vërrini për t’u vendosur në lugjet dhe prozhmet e Jeshkovës për t’u zhvilluar kah Luma, Hasi dhe Opoja. Por, dimri i vrazhdë i Retisë, për Brigadën 125 e për tërë njësitin e komandant Hysen Rexhepit, kaloi me stërvitje të shpejtuara deri më 8-9 mars 1999.
Më 9 mars të vitit 1999 ky njësit braktis Anadrinin dhe Retinë; avancon në shtrirje kah: Qëndresa, Pirana, Tupeci, Atmagja, Nasheci e Kobaja nën komandën e Hysen Rexhepit. Njësiti i tërë dhe Feriz Susuri, njohës i mirë i Jeshkovës, pretendon të depërtojë në Jeshkovë, ta marrë Jeshkovën, ta vendosë aty Shtabin e Brigadës 125 të Prizrenit dhe kështu të jetësohet koncepti i komandant Remzi Ademajt, sot dëshmor i kombit. Dhe kështu, në luftime për realizimin e këtij koncepti zhvillohet Beteja e Jeshkovës më 11 mars 1999. Atë ditë, Jeshkovën e djegur shumë herë gjatë historisë, sërish e mbuluan dhe e rrethuan hordhitë e egra barbare: ushtarë, paramilitarë, policë e civilë të armatsur. Mbi pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u hodhën kanonada të gjata granatimesh e breshëri plumbash të çdo kalibri. Në këtë fshat zhvillohet njëra prej betejave më të përgjakshme. Këmbësoria serbe i ngjante një bande ordinerësh të çmendur dhe e specializuar për ta ndëshkuar popullatën e pafajshme. Kjo betejë zhvillohet në afërsi dhe pothuajse “fyt për fyti”, por shokët e Feriz Susurit, nën komandën e Hysen Rexhepit e të Samidin Xhezairit bëjnë rezistencë të pashoqe duke u përballuar të gjitha sulmeve në lugjet e fshatit. Në Jeshkovë pretendojnë për të hyrë forcat e mëdha banditeske serboçetnike, ndërsa luftëtarët e lirisë rezistojnë deri në plumbin e fundit dhe gjatë luftimeve të përgjakshme, në altarin e lirisë përjetësohen: Alajdin Xhezairi, Bashkim Suka, Besnik Kastrati, Hajdar Shala, Hamit Thaçi, Tahir Gashi, Skënder Latifi, Ymridin Çengaj, komandant Hysen Rexhepi dhe Feriz Susuri, e në Lapidarin e Jeshkovës sot lëshojnë rreze drite emrat e dëshmorëve të kësaj beteje, por atë ditë e sot, nga kjo betejë, nuk dihet gjë për Ymer, Nuredin, Hilmi e Shemsidin Shalën, Shehadin e Musli Gashin, Rexhep Budurin, Faik Begajn e Musli Avdajn, por edhe për shumë banorë të Jeshkovës legjendare, çerdhes së Remzi Ademajt-komandant Petrit Kodrës.
Përcjellja e fundit për dëshmorët e Vërrinit u bë më 17 mars 1999 në fshatin Pagarushë. Kështu, atë të mërkurë, në një lëndinë të mbuluar me dëborën e trashë të pragut të pranverës, prej Prizreni arrinin turmat e mëdha për të marrë pjesë në ceremoninë madhështore në fshatin Pagarushë dhe të gjithë u ndanë prej bijve të kombit para mesnatës. Por të gjithë dëshmorët së bashku, këtu pushuan deri më 15 tetor 1999, kur u sollën dhe u rivarrosën në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Landavicë. Kurse në “Ditën e Madhe” të dëshmorit Feriz Susuri, me gjyshen Sadije vjen edhe Marigona, bijë e Ferizit dhe reciton vargjet më të bukura për trimërinë e Ferizit e të “Dëshmorëve të Jeshkovës”. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …