Brickos

Fetnete Ramosaj

Fetnete Ramosaj: Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë për obligim ta mbrojnë integritetin e vendit dhe interesat e popullit

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi duhet të kthehet në pikën zero.

Një shtatori po afron. Në vend që të ishte një ditë e një fillimi të mbarë shkollor, kjo ditë sivjet shton drojën dhe pasigurinë për atë që mund të ndodhë, pikërisht në ditën kur Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, aq më tepër kur ka zëra që bëjnë thirrje edhe për dhunë, akte terroriste dhe destabilizim të vendit. Ky variant i demarkimit të vijës kufitare ndërmjet dy shteteve, si i tillë tashmë gjerësisht edhe publikisht edhe shkencërisht cilësohet jo i drejtë, jo real, i panatyrshëm, i gabueshëm dhe i papranueshëm. Për këtë janë në një zë banorët e rajoneve të prekura nga ky proces i dëmshëm (Pejë, Deçan Podgur/Istog), deputetë të partive të opozitës, por edhe disa deputetë të pozitës, pastaj intelektualë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët që nga bërja publike e marrëveshjes dypalëshe, janë marrë me trajtimin e gjithanshëm të kësaj çështjeje, e cila bashkë me çështjen e të ashtuquajturit asociacion i komunave serbe, tash e një vit e kanë polarizuar skajshmërisht skenën politike në Kosovë, duke e futur vendin në krizë. Të dyja këto procese nuk kanë qenë fare transparente dhe i janë mbajtur fshehur opinionit publik dhe popullit të Kosovës, deri kur u bënë publike pas nënshkrimeve zyrtare të këtyre dy marrëveshjeve të dëmshme, më 25 gusht 2015, në Vjenë.

Është papërgjegjësi dhe humbje e madhe e kohës, që vendi ynë me kaq shumë probleme, që e kanë vështirësuar skajshmërisht jetën e qytetarëve, madje në shumë raste duke ua humbur erdhe shpresën për një jetë normale në vendin tonë (kujto vetëm eksodin e periudhës dhjetor 2014 – mars 2015, kur rreth 200 mijë qytetarë tanët e braktisën Kosovën, ua mësyn dyerve të Europës, pa ditur as ku shkojnë) të kalojë një vit të tërë dhe të mos mund të gjejë një gjuhë të përbashkët për një çështje si kjo e demarkacionit me Malin e Zi.

Do të ishte e udhës që këtë variant të këtij projektligji, i cili tash e një vit është shndërruar në kryetemë të të gjitha zhvillimeve në vend, si të tillë Qeveria të mos e dërgonte fare për ratifikim në Kuvendin e Kosovës dhe do të ishte në interes të përgjithshëm që të gjendej një konsensus i përbashkët nacional për rinegociimin e kësaj marrëveshjeje.

Meqë në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Republikës së Kosovës, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, u takon deputetëve të këtij kuvendi që ta thonë fjalën e tyre, është e udhës që ata të mbrojnë interesat e popullit që e përfaqësojnë, pra të mos e votojnë këtë variant të demarkacionit, pa marrë parasysh presionet me të cilat po ballafaqohen. Tek e fundit, secili prej deputetëve e ka rastin të dëshmojë se i mbronë interesat e shtetit dhe të popullit të vet, duke vënë në jetë një praktikë të re, ndryshe nga deputetët e viteve 1945 apo 1989. (Shumica prej përfaqësuesve shqiptarë, edhe pse në korrik të vitit 1945, në kushte shtetrrethimi nënshkruan që Kosova t’i aneksohej Serbisë, megjithatë u ekzekutuan nga OZN-a serbe brenda tri-katër vitesh. Edhe në rastin tjetër, në mars të vitit 1989, deputetët  e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkundër vullnetit të popullit të shprehur anembanë Kosovës për më se një vit radhazi, me shumicë votash votuan abrogimin e amendamenteve të Kushtetutës së vitit 1974, duke trumbetuar se Kosova nuk humbet asgjë! Por, pasojat e veprimeve të këtyre deputetëve, ranë mbi popullin. Brenda pak ditësh rrugët dhe sheshet e Kosovës u lanë me gjakun e dhjetëra bijve e bijave më të mira dëshmorë të kombit. Është ironike, se të gjithë këtyre, por edhe të tjerëve, shteti për të cilin u flijuan, ende nuk ua njeh zyrtarisht statusin e dëshmorit!).

Për dallim nga rastet që i përmendëm, sot deputetët tanë përfaqësojnë jo një popull të robëruar, por një popull të pavarur, në një shtet të pavarur e demokratik, për të cilin u sakrifikuan dhe u flijuan mijëra e mijëra njerëz ndër  breza. Secili prej jush, deputetë të nderuar, e ka mundësinë që të dëshmojë se besimin e dhënë nuk e përdorni vetëm privilegje e përfitime, por se veproni në përputhje me përgjegjësitë dhe besimin e dhënë nga qytetarët që i përfaqësoni pa marrë parasysh vështirësitë dhe presionet me të cilat përballeni. Duhet dëshmuar se mund të mos pajtoheni me njëri-tjetrin, mund të jeni kundërshtarë politikë, por jo armiq, dhe se interesat nacionale qëndrojnë mbi interesat grupore e partiake.

Nuk është fundi i botës nëse iu bëjnë presion me humbjen e pozitave. Është shumë më mirë që të mbesni pa pozita se sa të keni barrë në ndërgjegjen tuaj zhvillimet që mund të pasojnë në rast të veprimeve eventuale të padrejta. Në këtë rast nuk duhet përjashtuar faktin se do t’u krijohen shanse dhe terren i përshtatshëm për infiltrim dhe influencim edhe elementëve të jashtëm që synojnë destabilizimin e vendit tonë, për të përmbushur qëllimet dhe kërkesat e tyre të vazhdueshme kundër shtetit të Kosovës.

Të gjithë e dimë se gabimet janë njerëzore. Secili prej nesh mund të gabojë. Edhe më njerëzor është pranimi i tyre dhe mësimi që të mos i përsërisim. Nuk është fundi i botës nëse ka gabuar edhe Komisioni Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi, por e keqja është se nuk po e pranon gabimin, lëshimet e bëra apo mashtrimet eventuale që mund të kenë ndodhur në këtë rast me përdorimin e metodave joadekuate dhe po këmbëngulë në mbrojtje të tyre.

Me sa është mësuar publikisht, asnjë prej anëtarëve të Komisionit Shtetëror nuk është ekspert as nuk ka pasur ndonjë eksperiencë të demarkacionit ndërkombëtar. Madje, asnjëri prej tyre nuk është as nga rajoni i përfshirë në procesin e demarkacionit, që të ketë pasur njohuri bazike për bjeshkët përkatëse.

Punën jotransparente lidhur me përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, që siç u tha, ky Komision e bëri gjatë tri viteve (2012-2015) në takime të shumta, kanë mundur ta bëjnë pa problem për dy tre-muaj. Nuk ka pasë ndonjë filozofi të madhe, pasi që vija kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është shumë e qartë, është dashur vetëm të rivijëzoheshin kufijtë e përhershëm zyrtarë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, që janë kufij natyrorë e shtetërorë që kalojnë nëpër Qafë të Çakorrit e Kullë të Zhlebit, kufij realë e të pandryshuar që nga viti 1945 e këndej, gjë që dëshmohet me fakte të gjithanshme shkencore si dhe praktikisht në terren. Nuk ka pasë nevojë të përcaktohet vijë e re kufitare, siç ka ndodhur me variantin zyrtar të fiksimit të vijës kufitare me Malin e Zi, që Komisioni Shtetëror po vazhdon të na e servojë si vijë të vjetër kufitare, gjë që është e paqëndrueshme. Kjo që ka ndodhur në këtë rast, mund të jetë dobësi  edhe për faktin se Kosova më herët asnjëherë nuk ka vendosur për kufijtë e saj, pasi që ishte në okupim, dhe kjo është hera e parë kur përfaqësuesit e saj marrin pjesë dhe e kanë të drejtën e vendosjes dhe të përgjegjësisë si palë e barabartë në raport me përfaqësuesit e shteteve fqinje, në këtë rast me palën malazeze, por siç duket këta përfaqësues, jo vetëm në këtë rast, por edhe në rastet e bisedimeve e marrëveshjeve të tjera, duket se nuk po janë të vetëdijshëm për pozitën dhe përgjegjësitë që po i marrin dhe po e zgjedhin rolin e statistëve, e jo të pjesëmarrësve aktivë në vendimmarrje, duke u pajtuar me çfarëdo propozimi apo zgjidhje që ofron apo imponon pala tjetër apo palët e treta, duke u mjaftuar me marrjen e honorarëve dhe darkave e drekave! Rastet e njohjes së institucionit të dorëheqjes dhe të llogaridhënies pothuajse nuk njihen në mesin e politikëbërjes në Kosovë. Është koha që të gjejnë zbatim!

Tashmë kur është përmbyllur një vit i kundërshtimit me mjete demokratike të këtij procesi të gabueshëm, i prirë nga partitë opozitare AAK dhe NISMA, të cilat treguan maturi dhe pjekuri politike, edhe pse kishte tendenca nga segmente të caktuara politike për ta nxjerrë gjendjen jashtë kontrollit, përveç popullit, intelektualëve, ekspertëve dhe shoqërisë civile edhe degët e partive të pozitës (PDK e LDK) nga rajoni i Pejës e më gjerë i janë bashkuar haptazi kundërshtimit të këtij varianti të demarkacionit, duke dalë kundër përcaktimit zyrtar të qendrave të tyre partiake. Prandaj, çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi pa vonesë duhet të kthehet në pikën zero pasi që gabimet janë të paevitueshme dhe të papranueshme.

Meqenëse deri më tani Mali i Zi nuk ka shfaqur zyrtarisht apetite ekspansioniste, siç ka ndodhur që nga viti 1877 e këndej, kur u bë shtet dhe u zgjerua në vazhdimësi me toka shqiptare, si shtete fqinje që jemi me aspirata të përbashkëta euro-atlantike për anëtarësim në NATO dhe BE, duhet ulur së bashku për ta rishikuar procesin e demarkacionit.

Të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë tash e 17 vjet, duke na u referuar neve si shqiptarë të ndarë në gjashtë shtete, gjithnjë na e kanë mbajtur para sysh, madje edhe me slogane e reklama televizive, në konferenca për shtyp dhe pothuajse në të gjitha adresimet publike se nuk do të lejojnë ndryshimin e kufijve! Ky parim duhet të vlejë edhe në këtë rast. Republika e Kosovës praktikisht nuk duhet të lejojë ndryshimin e kufijve në dëm të territorit të vet, dhe atë duke humbur mbi 8 mijë hektarë tokë, të cilët gjithnjë kanë qenë pjesë e pandarë e Kosovës dhe në asnjë rast pas Luftës së Dytë Botërore nuk kanë qenë pjesë e Malit të Zi, me çka dëmtohet rëndë Kosova, si në aspektin territorial, ekonomik, të pasurive natyrore, gjeostrategjike dhe të komunikimit. Të huajën s’e duam, tonën s’e japim! Këtë mund ta bëjnë dhe janë obligativë ta bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës me votën e tyre, duke mbrojtur vullnetin e popullit dhe integritetin territorial të vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …