Filloi ndërtimi i 50 serrave në komunën e Malishevës

Në omunën e Malishevës, ka filluar realizimi i projektit për ndërtimin e serrave për pesëdhjetë bujq lokal. Realizimi i këtij projekti, bëhet në kuadër të investimeve të komunës, në bujqësi, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të prodhimeve në perimekulturë. Në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të serrave, mori pjesë edhe drejtori për bujqësi, Murat Hoxa, i cili uroi kultivuesit e perimeve. “Ndërtimi i këtyre serrave, bëhet në kuadër të përpjekjeve të Komunës së Malishevës, për përkrahjen e bujqësisë në përgjithësi, me qëllim të zhvillimit dhe të rritjes së kapaciteteve prodhuese, në veçanti të perimeve të cilat rriten në serra”, tha drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Blegtori dhe Zhvillim Rural, Murat Hoxha. “Bujqësia është dega më e fuqishme e zhvillimit ekonomik tek ne, prandaj edhe ne si qeverisje lokale, jemi duke i dhënë rëndësi të veçantë kësaj dege të ekonomisë, pasi kemi kushte ideale për zhvillim të bujqësisë në të gjitha fushat e saj. Rritja e kapaciteteve prodhuese, do të mundësoj edhe mbulimin e tregut të konsumit të perimeve, me perime vendore, që është qëllim kryesor i yni”, tha drejtori Hoxha, i cili edhe uroi njërin nga përfituesit e serrës, Shaip Morinën, nga Astrazupi. Nga ana tjetër, bujku Shaip Morina, e ka falënderuar Komunën e Malishevës, për këtë përkrahje me rëndësi për të si bujk dhe për familjen në përgjithësi. Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, ka sqaruar, se komuna ka subvencionuar pesëdhjetë bujq, në ndërtimin e serrave. “Ky projekt, do të kushtoj afër 45 mijë euro, ku pjesa më e madhe financohet nga Komuna e Malishevës, ndërsa edhe përfituesit e serrave, do të paguajnë një shumë prej rreth tridhjetë për qind. Serrat janë me një hapësirë prej një ari”, tha Hoxha.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …