Fisnik Alajdin Ibrahimi (9.5.1978 - 19.4.1999)

Fisnik Alajdin Ibrahimi (9.5.1978 – 19.4.1999)

Në hyrje të qytetit të Sharrit (ish-Dragash), në anën e majtë të rrugës, nën hijen e pishave të larta, rrezatojnë ardhmëri varrezat e dëshmorëve të kësaj treve. Në njërën prej pllakave përkujtimore të këtyre varrezave, është i skalitur epitafi: “Të gjitha fjalët e pambaruara u futën në një libër që quhet histori e Kosovës”. Kjo është historia e vuajtjes, e qëndresës, e dhembjes, e krenarisë, e lavdisë dhe e idealeve të lirisë, e shkruar me gjakun e birit fisnik të Kosovës, dëshmorit Fisnik Ibrahimi.

Fisniku ishte fëmija i parë i prindërve, Alajdin e Kumrie Ibrahimi, nga fshati Shajne i komunës së Sharrit. Për shkak të kushteve të kufizuara ekonomike që ofronte pozita gjeografike, por edhe trajtimi diskriminues ekonomik e politik i shqiptarëve në trevën e komunës së Sharrit, në kohën e Jugosllavisë titiste, shumë të rinj shqiptarë u detyruan të marrin rrugën e shpërnguljes për në viset e ndryshme të Jugosllavisë, për t’i siguruar familjes mjete jetese. Këtë rrugë e morën, në vitin 1977, edhe Alajdini e Kumria. Ata u vendosën në Beograd, ku ndodheshin edhe disa të afërm e bashkëvendas të tjerë të tyre. Alajdini gjeti punë në një fabrikë tekstili , ndërsa Kumria, në banesën me qira përgatiste ushqimin dhe bënte punë amvisërie. Më 9 maj të vitit 1978, atyre u lind fryti i parë i dashurisë, të cilin, në një mjedis të huaj, ku as flitej, as kuptohej fjala shqipe, e pagëzojnë me emrin e bukur, Fisnik. Fisniku u bë gëzimi, hareja, vullneti e shpresa, që e bënin më të lehtë dhe i jepnin kuptim jetës së këtij çifti edhe në kurbet.

Kohë pas kohe, që nga mosha e vogël, Fisnikun e sillnin prindërit në fshatin e tyre, Shajne. Ky fshat ishte epiqeqendra e atdheut të Fisnikut, e cila do ta tërheqë gjatë tërë jetës, sepse aty kishin rrënjët të parët e tij, nga babai dhe nga nëna. Në Shajne kishte familjen e gjerë të babait, por edhe të nënës. Aty kishte shumë moshatarë, me të cilët lozte e zbavitej sa herë kthehej nga Beogradi.

Në moshën 7 -vjeçare, Fisniku regjistrohet në shkollën fillore, më të afërt që kishte, “Dragica Pavica”. Aty fillon të mësojë shkronjat e para, por jo të alfabetit të gjuhës amtare. Tërë shkollën fillore e mbaron në gjuhën serbe. Në këtë shkollë ai ishte i vetmi fëmijë shqiptar, por edhe më i dalluari në mësime.

Megjithëse në atdhe të huaj, me shokët e shkollës kishte krijuar raporte të mira shoqërore e njerëzore. Këto raporte, megjithatë, nuk mund të mos ftoheshin për shkak të dhunës së egër që Sebia ushtronte mbi popullin shqiptar në Kosovë, gjatë viteve 90.

Pas mbarimit të shkollës fillore, Fisniku u regjistrua në shkollën e mesme elektroteknike, “Bozhidar Axhija” të Beogradit. Edhe gjatë shkollimit të mesëm, dallohej me suksesin në mësim, por edhe me sjellje të mira. Profesioni i zgjedhur në shkollimin e mesëm, nxit te Fisniku dëshirën për t’u marrë me ndreçjen e radioaparateve të ndryshme, të autoveturave e të tjera. Një prirje të veçantë kishte edhe për pikturë, prandaj shpesh, gjatë kohës së lirë, bënte skica vizatimesh me pamje natyre, me portrete e të tjera.

Me gjithë dëshirën e madhe për të regjistruar studimet në ndonjë fakultet, pas shkollës së mesme, Fisniku ndërpret shkollimin. Tashmë asnjë rrethanë nuk ishte e favorshme për të vazhduar këto studime. Për të nuk kishte as kushte të mjaftueshme ekonomike, por as kushte sigurie. Prandaj, detyrohet të kërkojë punë, në mënyrë që ta ndihmojë ekonomikisht familjen, meqenëse paga e t’ët nuk mjaftonte.

Ndërkohë gjen punë në një furrë private. Aty punon me zell, madje arrin edhe të aftësohet në profesionin e bukëpjekësit. Gjatë kësaj kohe (fillimi i vitit 1998), Fisniku, pothuajse bën jetë gjysmëlegale, meqenëse organet ushtarake serbe i dërgojnë ftesën për rekrutim në armatë. Ai kishte vendosur t’i ikte deri në fund shërbimit ushtarak, meqenëse tashmë armata serbe, edhe hapur po luftonte kundër shqiptarëve në Kosovë. Për ta dërguar në armatë, policia serbe e bastis disa herë banesën e Fisnikut, por nuk e gjen. Madje në një rast, në verë të vitit 1998, ai i shpëton kësaj policie në mënyrë spektakulare, duke u fshehur në vitrinën e dhomës, në çastin kur dhomën, madje edhe njërën pjesë të vitrinës, e kontrollojnë policët serbë.

Jeta e tillë në ankth, e detyron Fisnikun të largohet nga Beogradi, duke u ndarë nga prindërit dhe nga motra, Fatmirja, e të kthehet në Kosovën e përflakur e të tymosur. Nga Beogradi në Shajne udhëton së bashku me vëllezërit Zahadin e Abidin Kamberi, po nga fshati Shajne, të cilët ishin miq shtëpie të familjes së Fisnikut. Me të arritur në fshat, Fisniku, i çliruar nga ankthi i ndjekjes policore serbe, i lajmërohet së ëmës, Miradisë, në telefon. I thotë: “Nënë, shpëtova!”. Edhe e ëma, në këtë rast ndihet e çliruar, sepse biri i saj u kishte shpëtuar kthetrave të militarizmit serb. Nga ankthi çlirohet tërë familja e Fisnikut, prindërit dhe motra e tij, sepse ai ishte drita e syve të tyre. Ata ishin të lumtur që biri i tyre i vetëm kishte arritur të shkojë në Kosovë, ku në mesin e rrethit të gjerë familjar do të jetë më i sigurt. Mjaft i kishte zhuritur zemrat e tyre, humbja aksidentale e birit tjetër, Besnikut, prandaj tërë kujdesin e kishin për Fisnikun. Besniku, 4 vjet më i ri se Fisniku, në verë të vitit 1996 ishte fundosur në lumin e Danubit , në vendin e quajtur Ada Ciganlija, në Beograd. Kjo ngjarje e hidhur e kishte goditur për së tepërmi edhe Fisnikun. Edhe pas arritjes në Shajne, Fisniku detyrohet të ketë shumë kujdes që të mos bjerë në sy të policisë e të shërbimit serb të sigurimit, i cili po i mbante nën vëzhgim të rreptë fshatrat shqiptare. Që të mos i ndodhë ndonjë e papritur, ai i shmanget ekspozimit në vendet ku mund të shihej nga policia e shërbimi i sigurimit. Ndërkohë, kontakton me shumë të rinj të fshatit e të trevës së tij, me të cilët bisedon lidhur me luftimet që UÇK-ja po zhvillonte kundër pushtuesit serb, pak më tutje kësaj treve. Lufta që UÇK-ja po bënte kundër forcave serbe në fshatrat e Vërrinit të Prizrenit, jo larg Sharrit e Shaj nes, i kishte entuziazmuar këta të rinj, në mesin e të cilëve edhe Fisnikun. Ai po e përcillte me vëmendje zhvillimin e situatës dhe ishte i vetëdijshëm për seriozitetin e saj.

Gjatë kohës së qëndrimit në fshatin Shaj ne, Fisniku mban lidhje të vazhdueshme telefonike me prindërit dhe motrën të mbetur në Beograd. Brenga për ta sa vinte e shtohej. Sidomos brengosej se mos do t’i ndodhte ndonjë gjë e keqe së motrës, Fatës, siç e quante ai Fatmiren, e cila tashmë ishte e rritur. Këtë brengë e shfaq edhe në bisedën e fundit telefonike me nënën, në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s, në mars të vitit 1999, duke i thënë asaj: “Kujdes Fatën!”. Nga e ëma kërkon që të mos thërrasë më në telefon, për shkak të përgjimit policor dhe këshillon që në qoftë se i përzënë nga Beogradi, të shkojnë në Bosnjë. Atje ishin vendosur më parë edhe të afërmit dhe bashkëfshatarët e tij, që kishin qenë me punë në Beograd e që kishin ikur nga atje për shkak të frikës nga ndjenjat antishqiptare të serbëve.

Pas 24 marsit të vitit 1999, forcat e egërsuara e të tmerruara serbe e kishin vënë pothuajse në gjendje shtetrrethimi edhe trevën e komunës së Sharrit. Në fshatrat shqiptare të kësaj treve kontrolloheshin hyrje-daljet dhe fushata e sulmit për zbrazjen e tyre nga popullsia shqiptare ishte vetëm çështje kohe. Kjo fushatë u ndërmor më 30 prill të vitit 1999. Këtë ditë, banorët e fshatit Shajne u detyruan t’i lënë shtëpitë e tyre e të marrin rrugën e shpërnguljes në drejtim të Kukësit. Fisniku ndodhej në familjen e dajave, po në Shajne. Në momentet e përgatitjes për shpërngulje, ai i thotë vajzës së dajës, Hafifes, të mos ngarkonte veshmbathje për të, sepse kishte vendosur të mobilizohej në radhët e UÇK-së. Këtë gatishmëri e kishte shprehur edhe më parë, kur babagjyshi nga nëna, Merxhan Ahmeti, mbi 70-vjeçar, pjesëtar i lëvizjes kombëtare Nacional Dmokratike në vitet e pasluftës së Dytë Botërore, deklaron se do të kyçej në UÇK. Fisniku, me ndjenjë admirimi për vullnetin dhe energjinë e gjyshit, i kishte thënë atij duke qeshur se nuk do të kishte kuptim mobilizimi i tij, derisa kishte mjaft të rinj, të gatshëm për të marrë armët.

Popullata e shpërngulur ishte vënë në kolonë. Fisniku ngiste traktorin, ku i kishte bërë një vend edhe gjyshes së tij në moshë të shtyrë. Atë ditë, më 30 mars, kolona e të shpërngulurve arrin në pikën kufitare të Morinit, ku ndodheshin forca të shumta ushtarake e policore serbe. Në mesin e ushtarëve serbë, Fisniku dallon një ish-shok të shkollës nga Beogradi, Goranin, i cili kthen kokën anash, sapo e sheh Fisnikun në radhën e popullsisë së shpërngulur. Ky moment e kishte prekur thellë Fisnikun. Duke menduar me çiltërsinë e ndjenjave njerëzore, ai ndoshta kishte pritur që një ish-shok i shkollës, edhe në ato momente ta përshëndeste, ose së paku të jepte shenja keqardhjeje për rrethanat në të cilat po shiheshin. Mospërfillja nga ushtari i njohur serb, me të cilin dikur kishin mësuar bashkë, kishin folur, kishin qeshur e kishin luajtur, e bën atë të mendojë për thelbin e luftës. Ajo nuk njeh shokun e shkollës, as fqinjin, as mikun. Njeh vetëm qëllimin e vet. Me këto meditime, Fisniku e kishte vazhduar rrugën përtej kufirit, për në Kukës. Ngjarjen lidhur me ushtarin serb ia kishte treguar gjatë rrugës, gjyshit, Merxhanit. Pas luftës, prindërit e Fisnikut, në Beograd kishin kuptuar se edhe Gorani po figuronte në radhët e personave të zhdukur, për të cilin familja e tij nuk dinte asnjë gjurmë. Edhe atë e kishte marrë lufta, por lufta pushtuese.

Më 2 prill të vitit 1999, Fisniku lë familjen e dajave në Kukës dhe së bashku me dy bashkëfshatarët, Fetah Sylejmani e Mazllom Beshiri, rrarrin një kamion dhe vazhdojnë rrugën për në Kalimash ku ndodhej qendra stërvitore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë qendër, tre të rinjtë nga Shajna u bashkohen në stërvitje qindra djemve të Kosovës që po bëheshin gati të ndërmarrin sulme vendimtare për të thyer kufirin famëkeq, i cili, shqiptarëve ua ndante në shumë copa, jo vetëm trupin, por edhe zemrën dhe shpirtin.

Gjashtë ditë pas vendosjes në Kalimash, Fisnikun e viziton gjyshi i tij, Merxhan Ahmeti. Ky plak me zemër të fortë e kishte pritur me lot gëzimi e ngazëllimi, takimin me të nipin, i cili sapo kishte arritur me automatik në dorë, nga pika e stërvitjes ushtarake. “Jemi betuar se nuk do të kthehemi në shtëpi, pa e çliruar Kosovën”- i kishte thënë Fisniku gjyshit në këtë takim,- dhe kishte shtrënguar automatikun. Në Kalimash, gjyshi i Fisnikut takon dhe qëndron edhe me disa ushtarë të tjerë, shokë të të nipit, si Fetah Sylejmani, Fatos Limani e të tjerë, me të cilët edhe bën disa fotografi, që sot ruajnë të gjallë kujtimin e asaj dite.

Më 9 prill të vitit 1999, Fisniku radhitet në mesin e 124 luftëtarëve të lirisë, pjesëtarë të Brigadës 138 të UÇK-së, të cilët nisen për në vijën e frontit në Koshare, ku do të zhvillohen beteja vendimtare për thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri. Në këto beteja, te Rrasa e Zogut, shkruan epope qëndrese edhe luftëtari Fisnik Ibrahimi, me shokë. Luftimet vazhdojnë të pandërprera. Trimat e UÇK-së sulmojnë si dragonj, por edhe forcat e pushtuesit serb, deri në thyerje, kundërpërgjigjen me dëshpërim. Humbjet ishin të dyanshme, por fitorja u takoi luftëtarëve të lirisë. Në këto luftime, më 19 prill 1999, në fushën e nderit bie edhe Fisnik Ibrahimi. Për të njëjtin ideal dhe në të njëjtin front, bien edhe Fatos Limani nga Prishtina, Leonard Palucaj nga Klina, Afrim Stajku nga Arbana e Prizrenit, Shukri Qorraj nga Syrigana (ish – Padalishtë), e bashkëluftëtarë të tjerë.

Njëri prej bashkëluftëtarëve, me të cilin, Fisniku kishte shkuar për herë të fundit në vijën e frontit, te Rrasa e Zogut, më 19 prill, është edhe Elez Haxhillari nga Prizreni. Në mëngjesin e kësaj dite, Elezi i kishte dhënë Fisnikut një pako cigare dhe ishin vendosur nëpër pozicione. Në mbrëmjen e asaj dite, atij i kishte rënë në sy mungesa e Fisnikut. Ndjenjën se ai do të ishte te vendi i pozicioneve, e kishte pasë edhe të nesërmen, në çastin e kapjes nga militarët serbë, kur në tërheqje e sipër nga pika e luftimeve kishte gabuar drejtimin e lëvizjes dhe kishte rënë në pritën e tyre. Vetëm pasi bie në duart e forcave serbe, ai sheh se nuk kishte qenë fjala për Fisnikun. Elezi i zënë rob, pastaj u dënua me 20 vjet burg nga gjyqi ushtarak serb i Nishit.

Trupin e dëshmorit Fisnik Ibrahimi, sikurse edhe trupat e dëshmorëve të tjerë të rënë më 19 prill, bashkëluftëtarët e varrosin në varrezat e qytetit Bajram Curr. Në gusht të vitit 1999, bëhet rivarrimi i këtyre trupave në Koshare, ku trupi i Fisnikut konsiderohet si i paidentifikuar. Tri vjet më vonë, në gusht të vitit 2002, trupat e zhvarrosur në Koshare, në mesin e të cilëve edhe ai i Fisnikut, dërgohen në morgun e Rahovecit për identifikim me mostrën e ADN-së. Identifikimi i trupit të Flsnikut u publikua më 3 shkurt ‘të vitit 2003.

Më 3 shkurt të vitit 2003, trupi i dëshmorit Fisnik Ibrahimi, me përcjellje madhështore të familjarëve, shokëve, bashkëluftëtarëve, pjesëtarëve të Trupave të Mbrojtjes të Kosovës e të qytetarëve, u pre përfundimisht në Varrezat e Dëshmorëve në Sharr. Atë ditë mori fund edhe odiseada e dhembshme, e rëndë dhe pa shpresë, e gjatë gati 4 vjet, e familjes në kërkim të Fisnikut të vetëm të saj. Atë ditë, prindërit e Fisnikut, Alajdini e Kumria dhe motra e tij, Fatmirja, dhembjen e thellë për birin dhe vëllain, e zëvendësuan me krenarinë e pakufishme që ua dha aureola e tij e lavdisë.

Pas shkuarjes së Fisnikut në radhët e UÇK-së dhe deri në përfundim të luftës, familja e tij në Beograd nuk kishte asnjë informacion lidhur me të. Gjatë tërë kësaj kohe, ajo qëndronte në frikë e në pritje. Menjëherë pas përfundimit të luftës, rreth mesit të qershorit të vitit 1999, daja i Fisnikut, Maliqi, e njofton të motrën, Kumrinë, në Beograd për mungesën e Fisnikut. Me të marrë këtë lajm, ajo niset për në Kosovë, për të shkuar pastaj çdo ditë në Kukës e në shtabet e UÇK-së të zonës Operative të Dukagjinit, me shpresë se do të merrte ndonjë informacion lidhur me birin e saj. Ndërkohë ishte angazhuar edhe pronari i furrës private në Beograd, ku kishte punuar Fisniku që nëpërmjet ndonjë avokati serb, të hulumtojë nëse Fisniku ndodhej në ndonjë burg të Serbisë, i zënë rob lufte. Sipas një fjale të përhapur në vjeshtë të vitit 1999, Fisniku ndodhej në burgun e Nishit. Pastaj sipas një fjale tjetër, ai, i plagosur në njërën këmbë, ndodhej në shërim në një spital të Milanos së Italisë. Megjithatë, i saktë doli vetëm ankthi i paraqitur në ëndrrën e së motrës, Fatmires, gati një vit më vonë. Një natë, asaj i shfaqet në ëndërr një numër telefoni i Fisnikut, ku ajo do të mund ta thirrte. Për befasi, por në realitet ai ishte numri identifikues, i gjetur pastaj në trupin e Fisnikut, me rastin e zhvarrimit. Në këtë ëndërr, motra e kishte parë Fisnikun, të plagosur e të veshur me flamur të arnuar me arna në formë shqiponjash. Këto ishin parashenjat më të sigurta transcendentale të faktit se Fisniku tashmë kishte hyrë në përjetësi.

Me rastin e zhvarrimit nga varrezat e qytetit Bajram Curr, në xhepat e uniformës së Fisnikut ishin gjetur disa gjëra identifikuese: fotografi, çelësat e shtëpisë, para (marka gjermane), pusulla me numra telefonash, kartëvizita të ndryshme, leja e shoferit, pasaporta, tespihët, krehri, fashoja e të tjera. Ora në dorën e tij ishte ndalur në 12 e 15. Këto relikte kujtimi për dëshmorin Fisnik lbrahiml; sot i ruan me mall familja e tij, prindërit dhe motra. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …