muqa 900
driloni com
rkl vala loja shperblyese
vipa
Fillimi / Intervista / Flet “Mjeshtrja e Madhe” Myfarete Laze: Si fitova çmim të parë në Festivalin “Lule Borë” në Shkodër
Flet “Mjeshtrja e Madhe” Myfarete Laze: Si fitova çmim të parë në Festivalin “Lule Borë” në Shkodër

Flet “Mjeshtrja e Madhe” Myfarete Laze: Si fitova çmim të parë në Festivalin “Lule Borë” në Shkodër

(Intervistë e Albert Z. Zholit me këngëtaren e njohur, Myfarete Laze)

Myfarate Laze me zërin e saj, me mirësinë e saj me këmbënguljen e saj, ka marrë shumë trofe në Festivale apo organizime spektaklesh, por trofeu i fundit ku fitoi çmim të parë në Festivalin e Këngës Popullore Shkodrane në qytetin e lindjes mbetet i veçantë. Myfaretja u paraqit me këngën e kompozitorit Edmond Zhulali dhe me tekst të Agim Doçit që kanë marrë pjesë dhe në festivalin Europian dhe shumë çmime në Festivalet shqiptare. Pra ishin “Tre Mjeshtra të Mëdhenj” në këtë Festival.  Me këtë bashkëpunim kishin të tre besim në fitore. Titulli këngës ishte “Me ty u rrit kënga shkodrane”.

 

-Çfarë aktiviteti u zhvillua kohët e fundit në Shkodër?

Në Shkodër u zhvillua për herë të  dytë Festivali i Këngës Qytetare Shkodrane I titulluar “Lule Bore”. Tashmë po kthehet në traditë pasi ky Festival ka qenë traditë qysh kur unë kam qenë në shkollë të mesme pra matura e vitit 1978 që jam unë këto Festivale kanë filluar qysh në vitin 1974-75. Ky Festival vazhdoi disa vite pati një ndërprerje, por ishte këmbëngulja e Pjetër Gacit dhe Zef Çobës që ky Festival të merrte formën e duhur. Më vonë u ndërpre sërish  dhe tani ka dy vite që ka rifilluar bindshëm dhe këtë herë në nëntor zhvilluam Festivalin e Dytë “Lule Borë” i cili u zhvillua në teatrin “Migjeni”. Formacioni orkestral ishte live, çka përbën një risi në këto 27-vjet.  Orkestra ishte live, këngëtarët ishin live dhe të gjithë instrumentistët kishin ardhur me partitura.  Ishte një kënaqësi kur I shihje instrumentistët si dikur me partitura. Gjithçka direkt pa superpozim siç bëhet në disa festival të tjerë por edhe në shumë aktivitete të tjera muzikore.

 

-Si ishte punuar paraprakisht për këtë Festival? Sa këngëtarë dhe sa këngë u paraqitën në këtë Festival?

Ishin shumë këngëtarë  dhe këngë ku në radhë të parë dua të përgëzoj z. Makiljan Kapedani  dhe stafin e tij që organizuan diçka shumë të bukur. Ishte një staf i Bashkisë dhe Kulturës në Shkodër që bashkëpunuan shkëlqyer. Puna kryesore ishte përzgjedhja që bënë organizatorët në fazën e parë. Ishte një përzgjedhje profesionale dhe korrekte pasi që këtu fillon serioziteti dhe vlera e një Festivali. Duke pasur parasysh këtë përzgjedhje dhe këtë seriozitet, mund të them me bindje se 10 këngë ishin aq të bukura sa ishte vështirë se kë të zgjidhje për vend të parë. Pra mund edhe të dilte një këngë tjetër për vend të parë dhe unë nuk do kundërshtoja, aq të bukura ishin. Pra këngë tepër profesionale që juria e kishte vështirë kë të zgjidhte. Nga ana tjetër ajo që më ka bërë përshtypje në këto dy Festivale vjet dhe sivjet është se u paraqit denjësisht kënga qytetare shkodrane e traditës, kënga shkodrane e stilizuar,  dhe kënga  shkodrane e vitit 2017. Pra një ndërthurje kohore e këngës në mënyrë perfekte. Të gjitha këto mbështetur në traditën e këngës së bukur popullore. Nqs do vazhdojë kjo traditë, nqs do ecet me këtë seriozitet dhe këndvështrim është një dhuratë e bukur që i bëhet qytetit të Shkodrës në traditën e saj shekullore për këngën popullore, një dhuratë e bukur që i bëhet historisë së kësaj kënge. Mos harro se Shkodra është i vetmi qytet që ka 150 këngë për lulet. E kupton 150 këngë.  Ne këto këngë i kemi traditë nga kompozitorët tanë, nga kompozitorët që kanë ditur të marrin nektarin e kësaj kënge që i kanë kënduar luleve, vajzave të bukura, dashurisë së vajzave të bukura. Duhet të themi se lulja presupozonte vajzën, bukurinë dhe hiret e saj, veçoritë e ngjyrave,  pastërtinë e një qyteti, ngjyrat reale të luleve-vajza, etj. Them me bindje se jo në Shqipëri por as në Ballkan apo më tej nuk ka një qytet kaq shumë këngë për lulet. Ashtu siç trashëguam shumë gjëra të bukura me kalatë madhështore, ashtu siç trashëguam shumë gjëra të bukura me pikturat me Kol Indromenon, ashtu siç trashëguam Marubin, besoj dhe se ky Festival do të hyjë në historinë e kulturës së qytetit por edhe më tej.

 

-Mos vallë fillimet tuaja i keni në këto Festivale?

Po, po. Fillimet e mia përkojnë me këtë Festival kaq të veçantë. Duke përjashtuar Festivalet e Fëmijëve në Shkodër, unë për herë të parë kam marrë pjesë në Festivalin e Këngës Qytetare Shkodrane në vitin 1973. Këndova një këngë të Zyhdi Barbullushit dhe fitova çmim e tretë  Në vitin 1974 kam kënduar një këngë të Adil Ujkashi dhe kam marrë sërish çmim te tretë. Adil Ujkashi ka qenë një instrumentist i shkëlqyer ndër më të mirët që ka pasur radio Shkodra. Madje kjo radio ka pasur orkestrinën e saj popullore dhe i bënte këngët direkt, live në radio. Më vonë kam kënduar një këngë të Pjetër Gacit  që kam marrë çmim të dytë. Më vonë një këngë të Xhavit Ujkani që kam marrë sërish të tretë. Pastaj një këngë të Zef Çobës që kam marrë çmim të parë. Ishte vitit 1978. Kënga titullohej “Besa-besë kala e fortë”. Pas kësaj fitoreje mora pjesë në Festivalin ë këngës së lehtë në Radio Televizion, Festivali më prestigjioz i të gjitha kohërave.

-Po me fëmijët kur ke filluar të angazhohesh?

Kam filluar të angazhohem qysh në klasë të tretë si soliste. Me fëmijët kam vazhduar deri sa kam qenë në klasën e tetë  ku kam marrë çmim të parë me këngën “Në vend të letrës”, Festivali Mbarëkombëtar I Fëmijëve, pastaj vazhdova me Festivalin e Këngës Qytetare Shkodrane dhe vazhdova me Festivalin në RTSH.

 

-Në Festivalet e RTSH sa çmime i keni çuar Shkodrës?

I kam çuar plot 14 çmime ku përfshihen dhe Festivalet e Pranverës dhe Intepretuesat. Kanë qenë çmime dinjitoze ku kam punuar me kompozitorët më të mirë shqiptarë në Tiranë dhe Shkodër. Atë sistem nuk kishte miqësi çdo gjë ishte tejet e kontrolluar. Nqs nuk kishe zë nuk dilje në skenë. Seleksionimi ishte shumë, shumë korrekt.

-Me cilët kompozitorë,poetë dhe këngëtarë ke bashkëpunuar?

Kam bashkëpunuar me poetët, këngëtarët dhe kompozitorët më të mirë. Nga poetët kam bashkëpunuar Betim Muçon me Zhuljana Jorganxhi, Gjok Beci, Agim Doçi, Xhevahir Spahiu. Ndërsa me kompozitorët me Pjetër  Gaci, Agim Prodani, Kujtim Laro, Limoz Dizdari, Tish Daia, Flamur Shehu, Spartak Tili.

 

-Ke pasur miqësi me Aleksandër Lalon?

Ai mbetet njeri i rrallë por unë nuk kam qenë në fokusin e krijimeve të tij për specifikën e zërit tim, por ai mbetet një njeri i rrallë dhe krijues po aq i rrallë. Kam pasur një shoqëri të mirë dhe do na mungojë shumë. Lalo ka bashkëpunuar më shumë me këngëtarët që ishin në Tiranë si Luan Zhegu. Liliana Kondakçi. Ai ishte tjetër gjë, specie e rrallë.

-Sa këngë u kënduan në Festivalin e fundit të Këngës Qytetare Shkodrane?

U kënduan plot 22 këngë njëra më e bukur se tjetra. Këngë të punuara me shumë dashuri. Ajo që ishte ishte e veçantë në këtë Festival ishte teksti poetic që i këndohet Shkodrës, bukurive  të saj, bukurisë shpirtërore të njerëzve dhe krijuesve të saj, që shpesh herë indetifikohet me një lule të bukur, me një foto të bukur, me një poezi të bukur, me një tingull të bukur. Mbi të gjitha në këtë Festival del në pah bujaria dhe madhështia e Shkodrës, hapësira që u ka lënë ajo të gjithë kompozitorëve për të marrë pjesë në këtë Festival kaq të veçantë. Për çdo kompozitorë dera e bujarisë kaq qenë e hapur dhe me plot mirësi. Ky Festival është disa pjesësh me traditë  e stilizuar dhe në kohë. Në këtë Festival janë katër breza këngëtarësh që marrin pjesë. Pra një gjë e rrallë dhe shumë shprehëse. Trashëgimi brezash.

 

-Ju me cilët këngë u paraqitët që morët çmim të parë?

Unë u paraqita me këngën e kompozitorit Edmond Zhulali dhe me tekst të Agim Doçit që kanë marrë pjesë dhe në festivalin Europian dhe shumë çmime në Festivalet shqiptare. Pra ishim “Tre Mjeshtra të Mëdhenj” në këtë Festival.  Me këtë bashkëpunim kisha besim në fitore. Ajo këngë më ka ngjit qysh në momentin e parë sa u njoha me të. Pra do konkurroja në qytetin tim ku kënga është pjesë e çdo familjeje. Titulli këngës ishte “Me ty u rrit kënga shkodrane”.

-Si ju priti Shkodra?

Eh si të pret Shkodra. Si askush. Shkodra është e rrallë kur bëhet fjalë për këngën. Për tre net sall ishte e mbushur plot. Një publik që di se kur duartroket. Nuk është e lehtë të marrësh duartrokitjet në Shkodër. Aty spektatori të mat mirë, të peshon mirë. Mund të ketë respekt kur hyn por kur del nqs nuk vlen ai është indiferent. Shumë herë del pa duartrokitje. Ajo që më emocionoi ishte fillimi. Sa u përmend emri im salla u çua në këmbë dhe duartrokiti disa minuta si me komandë. U ndjeva mirë. Qyteti im nuk më kishte harruar. U ndjeva e mrekulluar. Çaste magjike. Pritja ishte madhështore, tani duhej të nxirrja në pah cilësitë e mia. Pata duartrokitje kur këndoja dhe aq më shumë kur përfundova. Madje duartrokitjet më shoqëruan edhe kur dilja nga salla. Ishte moment magjik.

 

-Sa bashkëpunime ke me Edmond Zhulalin?

Me Mjeshtrin Zhulali kam pas një bashkëpunim të jashtëzakonshëm kur doja të largohesha nga Shkodra në vitin 2005. U ula me Mondin dhe Gjok Becin dhe u thashë dua një bashkëpunim ndryshe. U thashë dua një këngë  ndryshe se kam për të bërë një recital, pra dua një këngë për Shkodrën në shenjë respekti dhe nderimi. Jo se do ndahem përgjithmonë por do ndahem për intervale kohe pasi do vendosem në Tiranë. Atëherë të tre ne punuam për një kohë të gjatë derisa krijuam një këngë perlë, një këngë që dhe sot kujtohet dhe këndohet me ëndje. Kënga u titullua “Jaret Shkodrane” . Ishte një dhuratë e mrekullueshme që unë i kam dhënë qytetit tim. Ishte si një lamtumirë e brendshme. Shkodra më kishte dhuruar shpirtin dhe unë asaj ja dhurova shpirtin tim.

 

-Si do ta cilësoje Festivalin e dytë të Këngës Popullore Shkodrane?

Një Festival unik, i veçantë plot finesë. Vërtet ai nuk zhvillohet në Tiranë, por Shkodra ka qenë djep I kulturës, djep i këngës në shekuj. Shkodra ka qenë qendër kombëtare e këngës. Nga Shkodra kanë dalë me qindra këngëtarë të mrekullueshëm, dhejtëra kompozitorë me emër, qindra instrumentistë me emër, dhe plot artistë të tjerë. Në këtë Festival ishin dhe katër këngëtarë që kishin marrë çmime në Festivalin e Këngës Popullore në Elbasan. Këta katër janë ballafaquar me të gjithë brezat me të gjithë këngëtarët më të mirë shqiptarë të këngës popullore mbarë shqiptare. Në Festivalin e Shkodrës morën pjesë kompozitorë që kanë mbajtur të gjallë festivalin e RTSH.   Shkodra  prodhon dhe nxjerr çdo ditë talente. Djepi talenteve në Shkodër nuk rrinë kur bosh. Sa çohet njëri nga djepi lind tjetri, kjo është Shkodra. Kjo u pa dhe në këtë Festival. Pra katër breza dhe tekste të shkëlqyera. U ruajt tradita e këngës shkodrane dhe melosi i kësaj kënge.  Pra ishte Festivali i trashëgimisë së brezave, i ruajtjes së traditës dhe i poezisë së bukur që gjallon kulturën shkodrane.

-Kë do falënderojë në mënyrë të veçantë?

Përveç Zhulalit të madh, Doçit të veçantë doja një falënderim të bëja për drejtuesin e orkestrës,  Jetmir Barbullushi, drejtuesin artistik Markiljan Kapedani. Nuk është i rastësishëm suksesi i këtij Festivali me emra të tillë.  Një punë e madhe ishte bërë nga përfaqësuesit e teatrit Migjeni për kushtet që na krijuan për një festival dinjitoz. Një falënderim të veçantë për instrumentistët shumë të mirë që orkestruan live me shumë elegancë që e ngritën në këmbë festivalin. Një falënderim të veçantë për sektorin e muzikës në bashkinë e Shkodrës që e konsideruan si të tyren dhe punuan me shumë përkushtim dhe mirësi që Festivali të dilte sa më mirë. Një falënderim special dhe për Mond Zhulalin dhe Agim Doçin që punuan me shumë profesionalizëm. Por dua të bëj dhe një homazh për Agim Prodanin që më ka dhuruar tre çmime me punën e tij krijimet e tij, (të parë, të dytë, të tretë). Pra ishin këta njerëz që bënë të iki nga qyteti im me çmim të parë duke falënderuar si rrallëherë publikun e paçmueshëm shkodran.

Kontrolloni gjithashtu

Aleksandër Lalo: Polifonia është unike, specifike dhe e papërsëritshme në botë

Aleksandër Lalo: Polifonia është unike, specifike dhe e papërsëritshme në botë ( in memoriam)

Me rastin e ndarjes nga jeta të kompozitorit, Aleksandër Lalo po rikthejmë në faqe intervistën ...