Flet piktorja, Majlinda Aliaj: Një femër e ka të vështirë të jetojë vetëm me pikturë

Flet piktorja, Majlinda Aliaj: Një femër e ka të vështirë të jetojë vetëm me pikturë

Dëshira për të pikturuar ka qenë brenda meje qysh në fëmijërinë e hershme, kohë në të cilën vizatoja nëpër faqet dhe kopertinat e librave shkollor. Duke u rritur vizatoja me laps modele të ndryshme për ti qëndisur, sepse qysh atëhere doja që qëndismat e mia të ishin të vecanta. Unë jam piktore autodidakt dhe sigurinë e kam kërkuar brenda vetes.  Në moshën e fëmijërisë thjesht kisha dëshirë të vizatoja dhe nuk kisha kontakt me botën e pikturës.

Intervistë e Albert Z Zholit me piktoren, Majlina Aliaj

– Kur e keni vizituar ekspozitën e parë të pikturës dhe ku? Cilat janë mbresat që ju la?

– Janë të shumta, por më mbresëlënësja ka qenë kur kam vizituar qytetin e Barletës në Itali. Në atë qytet vizitova një kështjellë në të cilën ishin ekspozuar piktura të epokave të ndryshme. U mahnita, shtanga, shpirti im u përhumb në tablotë e ekspozuara. Ndjesi të tillë nuk e kisha provuar ndonjëherë.

 Gjinitë e pikturave janë të ndryshme, natyrë e qetë, portret, kompozim, peizazh, kontemporan, ku e gjen veten më mirë Majlinda?

– Megjithëse të gjitha gjinitë e artit i kam lëvruar, më shumë dashuri dhe përkushtim, më e preferuara ka qenë natyra e qetë.

Si vazhdoi formimi juaj si piktore?

– Formimi im në pikturë luhatet nga drita në errësirë, nga e bardha në të zezë, nga e dukshmja në të padukshmen, nga fizikja në shpirtëroren,nga gjithçka që shikoj e perceptoj.

Kur e keni hapur ekspozitën e parë tuajën dhe si jeni ndjerë? Si reagoi kritika?

– Mini studion time  e vizitonte shpesh mikja ime e nderuar, Z. Vjollca Lubonja. Ajo mundësoi hapjen e ekspozitës time të parë, në ambientet e Shtëpisë Botuese “ELVE” , në mjedisin e librarisë. Në këtë ekspozitë të parë u promovova nga artisti i mirenjohur Z. Buron Kaceli, i cili këmbënguli që punimet e mia duhej të ekspozoheshin në ” Muzeun Historik Kombëtar” . Në dt. 07/11/2016. vijoi ekspozita e dytë personale.Ekspozita u vlerësua dhe aty më erdhi ftesa nga artisti i mirënjohur dhe organizatori i ekspozitës ” Pranver Art” Z. Lazar Taci.

Kohët e fundit keni hyrë bindshëm tek piktura kontemporane, abstraksioniste, cila është e veçanta e kësaj pikture? A është më e vështirë se gjinitë e tjera dhe pse?

– Sigurisht që është më e vështirë, se në të ka tendenca shpirtërore. Askush nuk privohet nga e drejta për ta kuptuar abstraksionin, por ai vet kalon ndjeshmërinë e shqisave tona, duke tentuar drejt Sublimes, kjo e barazlargon nga perceptimi shqisor.

Cilin do të quaje sukses në rrugën tuaj të bukur por dhe po kaq të vështirë? Arti këkron përqendrim dhe imagjinatë, jo kushdo bën art?

– Sukses do të quaja përzgjedhjen që mu bë mes piktorëve Internacional, nga kuratori italian Giorgio Grasso, i cili do flasë për punën time në Bienalen e parë në televizionin Italian, në kanalin LA -9.

Një femër piktore a ka më shumë vështirësi se një mashkull?

– Sigurisht që është më e vështirë, sepse kanë obligime më tepër sesa meshkujt.

A është maskiliste shoqëria shqiptare?

– Shoqëria Shqiptare është shoqëri maskiliste, kjo sjell problematika të panumërta për femrën. Shoqëria Shqiptare ka një maskilizëm te trashëguar.

Po politika shqiptare a ka filluar ta respektojë femrën?

 

Me gjithë tendencën qe politika ka, për të rregulluar raportin mes femrave dhe meshkujve, përsëri mbetet shume për të bërë.

Teknika që përdor në pikturë?

– Përgjatë krijimeve te mia eksperimentale, kam realizuar një numër te konsiderueshëm tablosh. Mbas shume kërkimeve në pikturë me është dashur te punoj me te gjitha teknikat. Secila prej tyre te fal një ndjeshmëri te caktuar, por me e preferuara për mua është teknika e vajit, akrilikut, te cilat duke i miksuar me zmaltin me dhurojnë efektet që unë dëshiroj.

 

– Aktualisht ne sa ekspozita keni marr pjese?

– Kam marrë pjese në tre ekspozita kolektive dhe dy personale. Tetor 2007-Ekspozitë në grup ne Hotel Rogner; Shtator 2015- Ekspozite në grup, në Ulqin, me piktorët e peizazhit; Mars 2016- Ekspozite personale organizuar Shtëpia Botuese “Elve”; Nentor 2016- Ekspozite personale ne Muzeun Historik Kombëtar; Shtator 2017 Ekspozite në grup, në Muzeun Historik Kombëtar

Mund të jetohet sot vetëm me pikturë?

Si shumë e vështirë. Akoma në Shqipëri blerja e një pikture reale nuk është kthyer në kulturë. Duhet kohë të bëhet kjo. Pastaj ne jemi një popull i vogël por që kemi shumë piktorë. Pikturat sot edhe nuk kuptohen nga të gjithë. Kopjimet rrallë kush mund ti kuptojë nga realet. Piktura reale ka shumë botë shpirtërore, ka shumë ndjesi, ka shumë imagjinatë, ka shumë ngjyra që përcjellin mesazhe njerëzore.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …