Frank Shkreli: Mesazhi i Kardinalit të ri shqiptar dhe historianët revanshistë

Frank Shkreli: Mesazhi i Kardinalit të ri shqiptar dhe historianët revanshistë

 Papa Françesku njoftoi emrat e 13 kardinalëve të atij që quhet Koncistor i ri dhe emëroi 4 kardinalë të tjerë, por të cilët për arsye moshe nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjen e Papës. Ndër këta është edhe kardinali ri shqiptar dom Ernest Simon Troshani nga Kryedioqeza e Shkodër-Pultit.

Papa Françesku i shpalli  botës emrat e kardinalëve të rinj, përfshirë priftin shqiptar, dom Ernest Simoni Troshani, i cili për vite me radhë ka vuajtur dhe është torturuar nën diktaturën komuniste. Viktimizimi i dom Ernestit, nën diktaturën komuniste, nisi natën e Krishtlindjes të vitit 1963, kur vetëm pse ishte prift, u arrestua dhe u burgos nga komunistët, pastaj u fut në një qeli izolimi, u torturua dhe qe dënuar me vdekje. Pas shumë vuajtjesh dhe torturash, dënimi i tij me vdekje kthehet në 25-vjet pune të detyrueshme në kampet komuniste, ku vazhdojnë vuajtjet dhe torturat kundër tij. Por dom Ernesti, qëndroi si martir i vërtetë, duke gjetur fuqinë e qëndresës në besimin në Zotin, thuhet në një koment të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe.

Më në fund, më 5 shtator 1990 arriti dita e lirisë për dom Ernestin i cili rifilloi misionin e tij meshtar të cilin, siç ka rrëfyer ai vet në disa raste, përfshirë deklaratat e tija për programin shqip të Radio Vatikanit, se me gjithë torturat dhe vuajtjet që pësonte në burgjet e Enver Hoxhës, me gjithë rrethanat çnjerzore të jetës — si i përjashtuar nga shoqëria dhe i përndjekur nga regjimi komunist — ai nuk e kishte ndërprerë asnjëherë misionin e tij, “por vetëm e kishte jetuar dhe përjetuar në një kontekst krejt të veçantë”, ka pohuar dom Troshani.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014, Papa Françesku dëgjoi dëshmi nga histori të tmerrshme gjatë dekadave të krimeve komuniste ndaj klerikëve dhe një pjese të madhe të popullsisë.   Gjatë asaj vizite, udhëheqësi i Kishës Katolike pat mbetur tepër i prekur personalisht nga rrëfimet e shumë të mbijetuuarve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, por në veçanti ai duket se qe prekur rëndë nga dëshmia e dom Ernest Troshanit i cili kaloi 28-vjet në burg dhe kampe përqendrimi. Dom Troshani, ashtu  në moshë të shkuar, i vuajtur dhe i torturar, i paraqiti Papës jo vetëm vuajtjet dhe torturat që pësoi ai personalisht por i mbarë populli shqiptar.  Papa Françesku, i prekur thellë në shpirt nga vuajtjet e tija, e përqafoi dom Troshanin në Katedralen e Shën Palit në Tiranë gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 21 shtator, 2014. E pasi dëgjoi historinë e persekutimit të tij, të Kishës katolike dhe të mbarë popullit shqiptar, Papa Françesku u përlotë para mbarë botës për vuajtjet që kishte pësuar ky popull nga regjimi komunist.

Sipas Radio Vatikanit shqip, me këto emërime Papa dëshiron të vejë në dukje se Kisha Katolike është e të gjithë popujve dhe se si institucion shprehet në gjuhë dhe kultura të ndryshme të botës dhe se është Kisha ajo që përhap tek popujt dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë për të gjithë.  Në këtë frymë,  veprimi i parë i dom Ernest Troshanit, pas lirimit nga kampet enveriste të punës dhe të përqendrimit në vitin 1990, ishte deklarata e tij se i kishte falur të gjithë ata që e kishin akuzuar fals si dhe personat që e kishin dënuar dhe e kishin torturuar për 28 vjetë — 18 vjet në minierat e burgut të Spaçit dhe 10-vjetë duke punuar nepër kanalet e ujërave të zeza.

Dom Ernest Troshani, kardinali i ri Shqiptar, porosinë që pat dhënë pas lirimit të tij 26 vjet, duke i falur të gjithë ata që e kishin burgosur dhe torturuar, e përsëriti edhe para disa ditësh me rastin e emërimit të tij si kardinal. Në një intervistë për radio Vatikanin shqip, i pyetur se cili është mesazhi i tij për popullin shqiptar në këtë rast, dom Troshani theksoi fillimisht falënderimet ndaj Papa Françeskut për emërimin e tij si kardinal, duke thënë se emërimi, “Është një nder që Papa i bën kombit shqiptar – është një nder që më bëhet mua personalisht megjithëse i pa denjë, por është edhe një nder për opinionin dhe historinë e gjatë të popullit shqiptar. Ne si popull shqiptar e kemi pasë zakon besën, burrërinë dhe besnikërinë….ku mbi të gjitha pasqyrohet fjala dashuri, me dashtë njëri tjetrin si vetveten…të lutemi për njëri tjetrin, të mbrojmë njëri tjetrin e të ndihmojmë njeri tjetrin”.

Ndërsa pyetjes ndaj bashkëjetesës fetare midis shqiptarëve, kardinali i ri shqiptar pohoi se, “Një gjë është që ia rritë zërin popullit shqiptar, të gjithëve. Toleranca, dashuria vëllazërore e fetare që nuk ka as një frymëzim tjetër veç të duam njëri tjetrin, katolikë, myslimanë e ortodoksë, një trup i vetëm të bashkuar për lumturinë e Zotit, dashurinë ndaj familjeve dhe rinisë tonë…. Dhe për të pasqyruar gjithmonë buzëqeshjen, gëzimin… pra me kenë të gjithë atdhetarë të lumtur në këtë botë.  “Mësimi i Krishti” theksoi dom Troshani për radio Vatiknain, “Është që të duani armiqtë tuaj…falni ata që u kanë bërë keq, lutnju për ata që u kanë bërë të këqija”.  Ndërsa për përfaqsuesit e ish-regjimit komunist që e konsideronin si armik dhe të cilët e tortoruan për pothuaj tre dekada, kardinali i ri shqiptar ofroi si përpara gjithnjë falje për ata që shkaktuan torturat dhe vuajtjet kundër tij, duke u shprehur: “Zoti i ruajt e i bekoftë të gjithë, se ne jemi për dashni të gjithanshme  në mbarë botën, kështuqë të jemi të gjithë të bashkuar vetëm në dashni, paqë , vëllaznim e harmoni me lutje dhe bekim nga i Madhi Zot.”  Ndërsa në mesazhin e tij drejtuar familjeve dhe rinisë shqiptare ai bëri thirrje, “Përhapni dashurinë vëllazërore” dhe uroi që “I Madhi Zot e bekoft mbarë popullin shqiptar, në dashuri me Zotin, në harmoni, në paqë dhe lumturi me njëri tjetrin.”

Krahasoni këtë reagim të një kleriku shqiptar të persekutuar nga regjimi komunist për pothuaj 30-vjet dhe i cili jo vetëm që i ka falur satrapët komunistë për të gjitha vuajtjet dhe torturat ndaj tij, por madje tashti edhe lutet për ta. Krahasoni reagimin e kardinalit të ri me reagimet e vazhdueshme të apologjetëve komunistë të djeshëm dhe të sotëm shqiptarë ndaj klerit katolik shqiptar, pothuaj të zhdukur nga regjimi I Enver Hoxhës.  Reagime si ndër ato të fundit se gjoja këta nuk u gjendën bashkë me forcat “përparimtare” komuniste gjatë Luftës së dytë Botërore, ose për “bashkëpunim” me fashistët. Është interesant sulmi i fundit kundër At Gjergj Fishtës dhe klerit katolik në përgjithësi.  Në sytë e këtyre, nuk mjafton zhdukja e tyre fizike, nuk mjafton fakti se shumicës së klerikëve nuk u dihet as varri, përfshirë At Gjergj Fishtën, i cili është subjekti i sulmeve të fundit.  Këta nuk janë dënuar mjaft!

Njerëzit serioz duhet të pyesin, more janë këta njerëz që nuk kanë të ndalur së kritikuari klerin katolik shqiptar të eliminuar nga regjimi komunist edhe sot e kësaj dite, ndërgjegja e kombit shqiptar? A janë këta të cilët me të vërtetë flasin në emër të kombit.  A janë këta me të vërtetë ata që edhe sot shkruajnë historinë dhe reflektojnë historinë e pas luftës?  Vaj medet!

Në vend që të kërkojnë falje – për krimet, për vuajtjet dhe torturat ndaj klerit katolik, përfshirë kardinalin e ri Ernest Troshanin – në emër të një regjimi gjakatar të cilin këta pseudo-historianë e kanë mbështetur sa ishte në fuqi dhe vazhdojnë ta përkrahin edhe sot – fatkeqësisht, në vend që të predikojnë falje e harmoni, ata vazhdojnë të përhapin një frymë revanshiste ndaj disa prej figurave më të spikatura të historisë dhe të kulturës shqiptare, përfshirë At Gjergj Fishtën. Çka t iu themi sllavëve, grekëve e turqve kur vet shqiptarët bëjnë punën e tyre, në dëm të kombit dhe historisë shqiptare?

Sfida serioze para të cilës gjendet sot kombi shqiptar është nëse shqiptarët do të vendosin të dëgjojnë porosinë dhe mesazhin e  kardinalit të ri shqiptar Ernest Troshani, për një rrugë faljeje  madje edhe për armikun dhe kundërshtarin, për një rrugë mëshire,  dashurie e mirëkuptimi, për një jetë të përbashkët me respekt dhe harmoni me njëri tjetrin — a po shqiptarët do të vazhdojnë të zgjedhin rrugën e atyre që gjithnjë — madje edhe në mbarim të çerek shekullit të 21-të — përpiqen të përhapin frymën revanshiste të shekullit të kaluar, sidomos kundër klerit katolik, duke përplasur shqiptarin kundër shqiptarit.  Kjo është rruga që këta apologjetë komunistë kanë zgjedhur, por “Udha e vetme që ka populli shqiptar është udha e dashurisë dhe vëllazërimit”, është shprehur dom Ernest Troshani.

Unë besoj se ardhmja e kombit shqiptar duhet të gjejë rrugën e mesazhit të kardinalit të ri Ernest Troshanit — rrugën e faljes e të vëllazërimit midis shqiptarëve dhe jo rrugën e frymës revanshiste që kanë zgjedhur komunistët e ri dhe të vjetër si dhe pseudo-historianët revanshistë. Jam i bindur gjithashtu se mbështetësit dhe apologjetët e një regjimi që ka vrarë pa dallim një pjesë të elitës së pafajshme dhe më të mirë kombit të vet, ashtu si edhe regjimi të cilit ata i kanë shërbyer, si dhe “kontributi” i tyre që ata pretendojnë se i kanë dhënë e po i japin historisë shqiptare – më në fund do të mbarojnë, siç është shprehur dikur ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, “në koshin e plehrave të historisë”.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …