Gaspër Ndue Karaqi (31.8.1961 - 28.1.1999)

Gaspër Ndue Karaqi (31.8.1961 – 28.1.1999)

Në Ujz të Hasit, më 31 shtator të vitit 1961, lindi Gaspër Karaqi. Atë ditë gëzimi për familjen e Ndue Karaqit, Kosovës iu shtua edhe një luftëtar i ardhshëm lirie, kurse kombit shqiptar edhe një dëshmor atdheu.

Mësimet fillestare, Gaspri i ri i mori në fshatin Bishtazhin, meqë në Ujz nuk kishte shkollë fillore. Duke qenë se kishte treguar talent dhe zgjuarsi në mësime, regjistrohet në Gjimnazin e Gjakovës, të cilin e kryen me sukses.

I etur për dituri dhe arsimim, në vitin shkollor 1980/1981, regjistrohet në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës. Ka marrë pjesë active në demonstratat e protestat e rinisë dhe të popullatës liridashëse të Kosovës, që u zhvilluan më 11 e 26 mars, si dhe më 1 e 2 prill të vitit 1981.

Gaspri askohe mbante kontakte edhe me Martin Çunin, i cili asokohe vepronte në kuadër të një organizatë të fshehtë militante revolucionare.

Për shkak të gjendjes së rënduar sociale dhe me qëllim që të jetë sa më afër prindërve, Gaspri ndërpret studimet në Prishtinë dhe regjistrohet në shkollën e lartë pedagogjike “Xhevdet Doda” të Prizrenit, në Degën gjuhë dhe letërsi shqipe. Gjendja ekonomike në familje po i vështirësohej. Në kushte të tilla nuk mund t’i kryente dot studimet. Andaj, Gaspri zgjodhi një rrugë tjerër, rrugën e kahmotshme dhe të përjetshme shqiptare të kurbetit.

Në vitin 1983, në saje të një marrëveshjeje që Jugosllavia kishte lidhur me vendet arabe, sidomos për dërgimin atje të punëtorëve shqiptarë, Gaspër Karaqi shkon për të punuar në Egjipt, e më pastaj edhe në Libi.

Në vitin 1986, kthehet në vendlindje, ndërsa më 14 shtator të po atij viti martohet me Borën. Dhjetë ditë pas martesës, Gaspri sërish niset për në kurbet. Kësaj radhe vendoset në Aleksandri të Egjiptit. Dy vjet më vonë sërish kthehet në vendlindje, ndërsa merr me vete edhe bashkëshorten. Në shtator të vitit 1988, Gaspri dhe bashkëshortja e tij Bora fillojnë jetën e tyre bashkëshortore në kurbet. Gaspri punonte, por nuk e ndërprente aktivitetin në mesin e shqiptarëve gurbetçinj.

Ai që në fillim kishte kontaktuar dhe mbante lidhje edhe me personelin e ambasadës së Shqipërisë në Kajro. Atje merrte libra, broshura të ndryshme, të cilat i lexonte, por edhe ua dërgonte shokëve te të cilët kishte besim.

Kishte një natyrë të çiltër. Shoqërohej me shokë e miq, të cilët e donin dhe i donte pa masë. Krahas punës në kurbet, ai lexonte pandërprerë literaturë me përmbajtje kombëtare dhe revolucionare. Edhe pse larg atdheut, ai mbante kontakte përmes letrave me vëllezërit, me babanë dhe me të njohur e të afërm. Asokohe ishte ngritur intelektualisht dhe kishte vendosur që përfundimisht të kthehej në Kosovë, për të dhënë kontributin e vet në arsim, kulturë dhe në proceset politike të kohës.

Në vitin 1990, Gaspri së bashku me bashkëshorten, kthehet në vendlindje. Sapo qe kthyer, inspektorët e regjimit kriminal e arrestrojnë. E mbajnë në burg për shkak të pjesëmarrjes së tij në një demonstratë. Pas 20 ditësh, e lirojnë duke i bërë me dije se ishin në gjurmë të aktivitetit të tij atdhetar.

Në kohën e ripozicionimit politik, pas përmbysjes së sistemit komunist njëpartiak, Gaspër Karaqi, ashtu sikurse edhe shumë intelektualë të tjerë, i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte ndër themeluesit e nëndegës së LDK-së në Bizhtazhin. Në vitin 1991/1992, punoi mësues në shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin. Asokohe ishte në kontakt me një grup ilegal, që bënte thirrje për luftë të armatosur kundër okupatorit serb.

Iu kishte përkushtuar punës së mësuesit, me qëllim që shkolla shqipe të mbijetonte për shkak se armiku arsimin shqiptar e kishte nxjerrë jashtë ligjit. Punonte me zell. Shkruante poezi, tregime të shkurtra dhe skica. Ishte njëri ndër editorët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të revistës Rrezja të shkollës së Bizhtazhinit. Përmes asaj reviste, Gaspër Karaqi shpreh qartë botën e preokupimeve të tij letrare e artistike, por edhe politike e kombëtare. Ishte tejet i ndërgjegjshëm se zgjimi dhe ngritja e vetëdijes kulturore e kombëtare te nxënësit dhe te masat popullore do të çonte në kryengritje të armatosur dhe në çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë. Në këtë drejtim ishte angazhuar me tërë fuqinë e intelektit. Nuk kishte pengesë që do t`i dilte përpara dhe të mos e evitonte. I donte pa masë nxënësit, kolegët e punës, miqtë e farefisin.

“Është detyrë e secilit të veprojë në të mirën e kombit, është obligim moral i çdo atdhetari, ta zgjedhë rrugën më të mirë, është detyrë e çdo shqiptari të luftojë për çështjen kombëtare, ndërsa çështja fetare le të na frymëzojë. Kur rrezikohet kombi doemos se rrezikohet edhe feja, kështu shkruan, ndër të tjera, Gaspër Karaqi në numrin e parë të revistës Rrezja, botuar më 1 shkurt të vitit 1994. I edukuar drejt kombëtarisht, Gaspri ngritet mbi ndasinë e mundshme fetare dhe denoncon ata që mendonin se Evropa i do vetëm shqiptarët e krishterë. Ai bënte thirrje për unifikim qëndrimesh në luftë kundër okupatorit. Publicistika e Gaspër Karaqit shquhet për identifikimin e problemeve aktuale kombëtare dhe shoqërore. Ai ka shkruar i motivuar nga bindja e drejtë patriotike dhe ka prekur problemet themelore të shoqërisë, të familjes dhe të shkollës. Gaspri ka trajtuar edhe tema të tjera serioze, me të cilat është rrekur në krijimtari, në poezi dhe në publicistikë. Shumicën e shkrimeve i ka botuar në revistat Etja dhe Rrezja.

Nga poezitë e tij, që janë botuar në librin “Mirëmëngjesi atdhe”, hetojmë se ai ka shkruar edhe gjatë luftës dhe ka trajtuar me sukses edhe temën më aktuale të kohës, meqë dhe vetë ishte luftëtar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sikur Gjergj Fishta të isha unë

Ah! Do t`i këndoja në lahutë,

Drenicës së Adem Jasharit…

Në këtë përmbledhje poeti, tani dëshmor, Gaspër Karaqi ka trajtuar sidomos problemet me të cilat është ballafaquar rinia militante e vitit 1981. Poezitë e kësaj përmbledhjeje zbulojnë pozicionin e qartë dhe të pastër kombëtar të poetit të dashuruar në rrezet e lirisë.

Fillimi i luftës çlirimtare në Drenicë dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28.11.1997, Gaspër Karaqin e gjen duke ushtruar detyrën e mësuesit në Bishtazhin. Rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Gaspër Karaqin e gjen të përgatitur për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shpirti i tij sa humanist aq edhe militant, sidomos sa i përket idesë së çlirimit kombëtar, bënë që mësuesi, poeti dhe publicisti Gaspër të hapë një kapitull të ri në jetë. Së bashku me Hajrudh Muhadrin, Qazim Muhadrin, Safet Gashin, Fetah Bekollin e të tjerë, formojnë Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Hasit. Falë aktivitetit të tij këmbëngulës dhe përkrahjes që ai gëzonte te rinia atdhetare, Gaspri me shokë arrijnë të zgjerojnë radhët e UÇK-së në tërë rajonin e Hasit, nga Doli e deri në Gurishtë (ish-Gorozhup).

Në janarin me acar të vitit 1999, Gaspri ndihmon luftëtarët e UÇK-së, që nga të gjitha viset e Kosovës depërtonin në Hasin mikpritës e bujar, për të shkuar në Shqipëri dhe për të sjellë armë e municion për frontet e luftës çlirimtare. Gaspri ishte alfa që siguronte shtigjet dhe ecejaket e luftëtarëve çlirimtarë. Më 28 janar, Gaspri ndodhet në krye të detyrës, duke ndihmuar grupet e luftëtarëve për të çarë dëborën dhe shtigjet nga ku ata do të niseshin për armatim. Një grup prej tyre, të cilët kishin humbur rrugën, i orienton për në shtëpinë e Martin Karaqit dhe qysh atë natë bën përpjekje për të depërtuar në Reti, me qëllim për të marrë informacione se si duhej të vepronte që t’i nxirrte nga rrethi dhjetë ushtarë, që kishin mbetur të ngujuar. Të nesërmen, më 28 janar, bën përpjekje për të kaluar asfaltin dhe për të dalë në zonën e kontrolluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por nuk pati sukses, shpalos kujtimet shoku i tij i luftës Nexhat Çoçaj, luftëtar, gazetar dhe reporter i luftës. Po atë mbrëmje, rreth orës 17, u nis për në drejtim të Jabllanicës. Kur arritën në Doblibare, ushtarët e luten atë dhe Gjonin që të mos bënin më tutje. Me insistimin e tyre, Gaspri kthehet. Pasi arrin në hyrje të fshatit, në vendin e quajtur Kodra e Gradishit, në mes të Bishtazhinit dhe Urës së Fshejtë u godit me armë zjarri nga prita, që kishte zënë ndërkohë policia serbe. Bie në fushën e nderit, ndërsa gjaku i tij përskuqi dëborën e bardhë të Hasit, që aq shumë e deshi. Më 1 shkurt të po atij viti, trupi i dëshmorit Gaspër Karaqi varrosetme nderime në varrezat e vendlindjes. Në varrim, përveç familjarëve dhe shokëve të tij të idealit, marrin pjesë shumë liridashës nga Ujzi dhe nga i tërë Hasi.

Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij atdhetare, dëshmorit Gaspër Karaqi i ka dhënë Nderim Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Po ashtu, Mirënjohje i ka dhënë edhe shkolla fillore “Gjergj Fishta” e Gjakovës. Për kontributin e tij në arsim, duke e cilësuar punën e tij si arsimtar shembullor, Mirënjohje i ka dhënë edhe shkolla fillore “At Gjergj Fishta” e fshatit Bishtazhin.

Për jetën dhe veprën e tij kanë shkruar shumë shkrimtarë, poetë dhe gazetarë. Nën përgatitjen dhe redaktimin e Besim Muhadrit është botuar libri Mirëmëngjesi Kosovë, që i kushtohet poetit, publicistit dhe veprimtarit dëshmor, Gaspër Karaqi.

 Poezi e shkruar nga Gaspër Karaqi në vitin 1983

 SOT PËR KOSOVËN

Sot ujitet

Skuqet dheu

Që nesër të rritet

I lirë atdheu

Sot të luftojmë

Me pushkë e penë

Që nesër të ketë

Liri në këtë vend

Sot të ngritemi

Të gjithë rinia

Të çajmë bllokadat

Që vuri Serbia

Të ujitim me gjak

Kosovën time

Rini heroike

Dardania trime

Që nesër i lirë

Populli të jetojë

Ta kemi më mirë

Të dashurën Kosovë

Ta heqim këtë zgjedhë

Të rëndë robërie

Që të ketë pranverë

Me aromë lirie

 Dëshmori i kombit Gaspër Karaqi ka lënë babanë, Ndoun, nënën, Martën, vëllezërit: Zefin e Luzin, motrat: Angjelinën, Tonen dhe Marinë, si dhe bashkëshorten, Borën. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …