Gazmend Selman Lokaj (7.9.1974 – 5.6.1998)

Gazmend Selman Lokaj (7.9.1974 – 5.6.1998)

Dëshmori i kombit Gazmend Lokaj, u lind më 7 shtator të vitit 1974, në fshatin Prejlep të Deçanit, në një familje të njohur për bujari e tradita atdhetare. Gazmendi ishte gëzimi i parë i prindërve Selman Lokaj dhe Mane Mahmutaj-Lokaj, të cilët i lindën dhe i rritën pesë fëmijë, tre djem e dy vajza: Gazmendin, Blerimin, Besartin, Hysën dhe Vlorën. Prej këtyre pesë fëmijëve, të cilët i rritën dhe i edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare, dy djemtë e mëdhenj, Gazmendi e Blerimi, ranë dëshmorë në luftë për liri.
Shkollën fillore, Gazmendi e kreu në vendlindje, në shkollën “Sylejman Vokshi”, të mesmen në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ndërsa studimet i vijoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku i kreu me sukses dy vitet e para. Gjatë kësaj kohe mori pjesë aktivisht në protestat dhe demonstratat studentore dhe gjithëpopullore kundër pushtuesit serb.
Me fillimin e luftës frontale çlirimtare, përkatësisht pas Betejës së 24 Marsit 1998 në Gllogjan, Gazmendi bashkë me të vëllain Blerimin, student i Edukatës Fizike, ndërpreu studimet dhe u kthye në vendlindje për t’ju bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U sistemuan në Njësitin e UÇK-së në Prejlep.
Prejlepasit, duke e parë të paalternativë luftën e armatosur çlirimtare, qysh në fillim të muajit prill, iu përgjigjën kushtrimit të luftës për liri, duke u mobilizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 20 prill 1998, 69 luftëtarë të këtij fshati, në mesin e të cilëve edhe vëllezërit dëshmorë Gazmend e Blerim Lokaj, u nisën drejt Tropojës për furnizim me armatim. Në të kthyer për në Kosovë, më 27 prill, në vendin e quajtur “Sergun”, në afërsi të fshatit Voksh, luftëtarët ranë në pritën e kurdisur nga trupat ushtarako-policore serbe, me ç’rast u shkemby zjarr armësh, ndërsa u granatuan fshatrat Voksh dhe Hulaj. Në këto luftime të rrepta e të pabarabarta ranë dëshmorë: Sadri Azem Latifaj (35), Haxhi Mustafë Tolaj (38) e Edmond Hysni Dabiçaj (21). Në Sergun të Vokshit u zunë rob nga forcat serbe Fadil Dabiçaj, Hysen Latifaj, Bedri Kukalaj dhe Armend Mazrekaj, të cilëve gjykata serbe u dha dënime drakonike prej 8 deri 17 vjet burg. Ata përjetuan ferrin nëpër kazamatet serbe që nga Nishi, Dubrava, Burgu Qendror (CZ) i Beogradit, Mitrovica e Sremit e gjetiu, ku u torturuan çnjerëzisht derisa u liruan në mars të vitit 2002. Në këto luftime u plagosën Gazmend Lokaj dhe tre bashkëluftëtarë të tij. Ndonëse Gazmendi ishte plagosur në dorën e djathtë, bashkë me shokë kishte arritur ta çajë rrethimin. Kësaj radhe, si rrallëherë armiku edhe vetë e pat pranuar publikisht se kishte pësuar humbje gjatë luftimeve: katër ushtarë të vrarë dhe shtatë të tjerë të plagosur, dy prej të cilëve rëndë, të cilët nga spitali i Gjakovës i transferuan me helikopter ushtarak për në spitalin ushtarak të Nishit në Serbi. Ushtarët serbë të vrarë e të plagosur i takonin njësitit kufitar në ish-karakollin “Gjeneral Iliq”, në fshatin Hulaj, që ishte një ndër pikat më strategjike të ushtrisë serbe, ku vetëm dy ditë më parë, në mbrëmjen e 25 prillit, ishin vendosur forca ushtarake shtesë, të përbëra nga 30 tanke dhe 40 kamionë me ushtarë.
Pas kësaj, vija e frontit në fshatin Prejlep të Deçanit, ishte njëra ndër pozicionet më të pathyeshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat asnjëherë nuk u thye nga forcat armike, edhe pse sulmet ndaj tyre ishin të përditshme. Gazmend Lokaj, edhe me plagë në trup, luftoi e qëndroi edhe atëherë kur u bllokua rruga magjistrale Deçan-Gjakovë, edhe atëherë kur fshati u bombardua me aeroplanë luftarakë, deri në ditën e lavdisë. Ai ra dëshmor më 5 qershor 1998 në Prejlep, pikërisht në ditën kur pozicionet e UÇK-së në këtë fshat, u rrahën me artileri të rëndë, nga toka dhe nga ajri nga katër avionë luftarakë. Në përballje me këtë sulm Gazmend Lokaj, ra dëshmor përkrah bashkëluftëtarëve dëshmorë Beqir Qufaj e Jeton Dabiçaj.
Pas përfundimit të luftës, në shtator të vitit 1999, trupi i dëshmorit Gazmend Lokaj, bashkë me të vëllait, Blerimit dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë, u rivarros me nderime të larta ushtarake e popullore, në vendlindjen e tij në Prejlep.
Në shenjë nderimi e kujtimi të përjetshëm, në vendin e rënies i është ngritur pllaka përkujtimore. Në prill të vitit 2012, në vendlindjen e tij, u përurua Kompleksi Memorial për Dëshmorët e Prejlepit, në të cilin është përjetësuar dëshmori Gazmend Lokaj.
Dëshmori Gazmend Lokaj nuk ishte i martuar. Ka lënë pas vetes prindërit Selmanin e Manën, vëllain Besfortin dhe dy motrat. Familja Lokaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djemtë dëshmorë, si nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Njësia Speciale “Shqiponjat e Zeza”, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Komuna e Deçanit, etj. Vëllezërve dëshmorë u janë kushtuar dhjetëra këngë nga rapsodët shqiptarë. Heroizmi i dëshmorit është përjetësuar me shkrime përkujtimore në librin “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, në librin “Krimet serbe në Kosovë – Pa Apologji – Me fakte kundër shpifjeve”, në librin “Gjaku i Lirisë”, në revista të ndryshme etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …