leoni

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Familja Morina nga fshati Gjergjaj i komunës së Drenasit, gjatë viteve 1939–1945 ishte vatër e rezistencës kundër përpjekjeve për ripushtimin e Kosovës nga Serbia, kurse gjatë aksionit famëkeq të vitit 1956 i ndërmarrë nga pushtuesi serb në emër të mbledhjes së armëve, ishte ndër familjet më të keqtrajtuara të këtij rajoni. Në këtë familje atdhetare, u lind dhe u rrit Gëzim Morina.
Gëzimi u lind më 16 janar 1976. Ishte fëmija i katërt i prindërve Haxhiut e Zarifetes. Ata lindën dhjetë fëmijë (gjashtë djem dhe katër vajza). Dy prej djemve u inkuadruan në luftën e UÇK-së. Me shpërthimin e luftës çlirimtare kundër pushtuesit, shtëpia e Gëzim Morinës u bë strehë dhe magje për qindra luftëtarë të lirisë.
Gëzimi shkollën fillore e kreu në Arllat, ndërsa të mesmen e vazhdoi në Drenas, por nuk arriti ta përfundojë meqenëse në atë periudhë familjes së tij iu kishte përkeqësuar gjendja ekonomike dhe mezi arrinte të mbijetonte ekonomikisht. Në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90 të shekullit 20, Gëzimi mori pjesë aktive në protestat gjithëpopullore të organizuara kundër pushtuesit serb.
Në vitin 1994 emigroi në Gjermani në qytetin Landshut, ku punoi për ta mbajtur familjen në Kosovë. Me fillimin e luftës në Kosovë, një pjesë të madhe të fitimit, e ndante për luftëtarët e UÇK-së në frontet e luftës. Gëzimi, edhe përkundër faktit se mori pjesë në shumë manifestime në qytetet e Gjermanisë, sidomos në atë të Mynhenit, të organizuara nga veprimtarët shqiptarë në mërgim, dhe derdhi shumë mjete financiare në fondin e luftës ççlirimtare, nuk u mjaftua me kaq.
Kontaktet e para me UÇK-në i kishte vënë në mars të vitit 1999, ndërsa në radhët e saj u bë më 1 prill 1999, në frontin e Koshares, në Batalionin e Parë të këmbësorisë “Bashkim Jasiqi” të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Mori pjesë në shumë vija të frontit për thyerjen e kufirit, së bashku me shokun e tij të luftës, Halil Bajraktari nga Drenasi (dëshmor).
Pas një beteje të ashpër, më 16 prill 1999, në Shkozë të Molliqit bie dëshmori i kombit, Gëzim Morina. Të nesërmen trupi i tij u varros në varrezat e dëshmorëve në qytetin Bajram Curr, ndërkaq pas çlirimit, më 23 gusht 1999 u bë ceremonia e rivarrimit në varrezat e dëshmorëve në Koshare.
Përveç Gëzimit, në luftën e UÇK-së kanë qenë të inkuadruar edhe dy vëllezërit e tij, Rexhepi e Salihu, të cilët në shumë vija të frontit në Zonën Operative të Drenicës dhe të Pashtrikut kanë dhënë kontribut të çmuar në luftën kundër forcave të okupatorit serb.
Gëzimi nuk ishte i martuar. Kishte fizik të bukur e shtat hedhur. Ishte adhurues i sporteve luftarake, kurse në Gjermani ishte marrë edhe me sportin e karatesë.
Për jetën dhe veprën e Gëzim Morinës është shkruar edhe në monografinë “Të pavdekshmit e Dukagjinit“, kushtuar dëshmorëve të rënë në ZO të Dukagjinit të autorit, Hasan Hasani, kurse janë shkruar poezi dhe i janë kushtuar këngë.
Për kontributin dhe heroizmin e treguar në luftën për çlirimin e Kosovës, familja e dëshmorit Gëzim Morina është dekoruar nga Ministria Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme e Kosovës, nga Kuvendi Komunal në Drenas dhe nga Shoqata e familjeve të dëshmorëve. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …