Gursel Hetem Sylejmani (1.11.1961 - 28.9.1998)

Gursel Hetem Sylejmani (1.11.1961 – 28.9.1998)

Duke parë sjelljet, qëndrimin dhe fjalët e Gurselit, shpeshherë mendoja dhe i thosha vetes: ky djalë nuk mund të jetë i tjetërkujt, përveçse i lirisë, me këto fjalë, nëna e tij, Sofia, përmbledh tërë atë që mund të thuhet për shpirtin liridashës e kombëtarisht të formuar të dëshmorit Gursel Sylejmani. Ajo vazhdon të shpalosë detaje të kujtimeve të saj të dikurshme, të nxitura nga reagimet e të birit, me rastin e shpërthimit të luftës çlirimtare, më 1998. “E dija se e kisha rritur për lirinë, sepse, tashmë Gurselin, të tërin e preokuponte çështja e luftës dhe e fitores së saj. Sa e sa herë shfryente ai, kur mendonte se mijëra djem të rinj, në istikame, për shtrojë kishin dheun e djegur dhe gurët për jastëkë. Sa e sa herë u ngrit nga sofra, pa e përfunduar kafshatën e fundit të bukës, për shkak të përjetimit të vuajtjeve të popullatës, në zonat e luftës. Dhe, prapë thosha më vete: ky djalë do të jetë vetëm i Kosovës dhe i lirisë”.
Dëshmori Gursel Sylejmani ka lindur më 1 nëntor të vitit 1961, në Sadovinë të Vitisë. Vitet e para të shkollës fillore i kryen në fshatin e lindjes, kurse të tjerat në Gushicë. Shkollën e mesme e kryen në Viti. Gjatë shkollimit fillor dhe atij të mesëm, ky nxënës i zellshëm e i edukuar mirë kishte shfaqur prirjen e një artisti të talentuar në lëmin e vijave e të ngjyrave. Duke pasur predispozita të tilla, pas mbarimit të shkollës së mesme, edhe pse në kushte jo të lakmueshme materiale, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Shkupit regjistroi degën e artit figurativ.
Në prag të viteve 80 të shekullit të kaluar, lëvizja e rezistencës kombëtare në Kosovë mori një hov të ri. Si shumë të rinj të asaj kohe, vorbulla e kësaj lëvizjeje e tërheq edhe Gurselin. Ai ishte joshur nga lëvizja ilegale e asaj kohe, duke pasur simbol frymëzimi, kushëririn nga nëna, veprimtarin Emrush Xhemaili, i cili në fund të vitit 1979 arrestohet dhe dënohet për veprimtari të organizuar kombëtare. Në grupin e studentëve, nën ndikimin e të cilit ishte edhe Gurseli, përveç Emrushit, bënin pjesë Enver Topalli, Xhabir Morina, Ymer Grainca e të rinj të tjerë.
Demonstratat e pranverës së vitit 1981, Gurselin e gjejnë të gatshëm e plot vrull për të sfiduar shtypjen e kolonizatorit jugosllav titist. Ai tashmë po vepronte ilegalisht, përkrah shumë të rinjve të tjerë të trevës së komunës së Ferizajt, në kuadrin e organizatës ilegale, e cila udhëhiqej nga veprimtari Bajrush Xhemaili. Për shkak të aktivitetit të pandalshëm të kësaj organizate, në fund të vitit 1982 u arrestuan shumë nga pjesëtarët e saj, ndër të cilët Bajrush Xhemaili, Nazife Xhemaili, Shaban Isufi, Muamer Shabani, Sali Mala, Qefsere Mala, Ramiz Arifi e disa të rinj të tjerë. Kësaj fushate nuk i shpëtoi as Gurseli, i cili u arrestua më 14 dhjetor të vitit 1982. Ai në atë kohë, në shenjë respekti ndaj dëshmorit Kadri Zeka, i rënë në janar të vitit 1982, mbante emrin e veprimit të fshehtë, Kadriu. Pas shumë muaj hetimesh, “Kadriu” u dënua me 8 vjet burg, prej të cilave, më vonë iu zbritën 3. Dënimin e vuajti në burgun e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës së Sremit në Vojvodinë, të Vranjës, Leskovcit e Nishit. Në burgun famëkeq të Leskovcit, në Serbi, një kohë të caktuar qëndroi së bashku me tezakun dhe shokun e veprimtarisë, Bajrush Xhemaili. Në të gjitha këto burgje dhe në të gjitha situatat, dëshmori Gursel Sylejmani jep shembullin e qëndresës e të frymëzimit për të përballuar çdo sakrificë në shërbim të lirisë së popullit të tij.
Kur Gurseli u lirua nga burgu, në nëntor të vitit 1997, pushtuesi serb, në Kosovë po zbatonte një formë të egër të shtypjes. Ishte koha kur në Serbi ishte vendosur kreu ultrashovinist, në krye me kriminelin Milosheviq, i cili po pretendonte të shtrinte dominimin serb në tërë ish-Jugosllavinë. Kosova po përjetonte ditë të rënda, por me hov të pandalshëm po forcohej edhe lëvizja e rezistencës kombëtare. Brenda një kohe të shkurtër, në rrjedhat e kësaj lëvizjeje u inkuadrua edhe Gurseli. Mirëpo, pa kaluar më shumë se disa muaj, në shtator të vitit 1988, ai u gjend në shënjestër të shërbimit sekret serb. Në këtë kohë, për veprimtari të organizuar kombëtare ishin arrestuar shumë bashkëveprimtarë të Gurselit, siç ishin Xhabir Morina, Njazi Beqa, Minire Ramadani e të tjerë. Kësaj here, në radhën e të arrestuarve ishte edhe i vëllai, Bajrami. I akuzuar për moskallëzim vepre, Gurseli u mbajt në arrest deri në fund të muajit janar të vitit 1989.
Rrethanat të cilat mbretëronin në Kosovë, në fillim të vitit 1989 ishin edhe më shpërthyese. Serbët po përgatitnin rrënimin e plotë edhe të asaj shkalle minimale të autonomisë formale të Kosovës, me ç’rast shqiptarët po viheshin para sprovash të rënda. Ditën kur Serbia zbatoi formën klasike të kolonializmit në Kosovë, më 28 mars të vitit 1989, në mesin e qindra shqiptarëve të arrestuar në mbarë Kosovën, ishte edhe dëshmori Gursel Sylejmani. Ai për tre muaj rresht u mbajt në izolim represiv, në burgun e Vranjës e atë të Shabacit, në Serbi, duke përjetuar një kalvar mundimesh e torturash.
Pas daljes nga izolimi në burgjet serbe, Gurseli mori pjesë në vlimet kombëtare të zhvilluara në vjeshtë të vitit 1989 e në pranverë të vitit 1990, në qytetin e Ferizajt, në Prishtinë e në qendra të tjera të Kosovës. Duke qenë përherë në sy të pushtuesit e të shërbimit të tij sekret, për shkak të veprimtarisë së vazhdueshme atdhetare, dëshmori Gursel Sylejmani u arrestua edhe në maj të vitit 1992, me ç’rast u mbajt në arrest për 24 orë. Në këtë kohë, për këto forma të represionit të pushtuesit serb ndaj tij, ai e kishte njoftuar nëpërmjet një shkrese edhe Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Ferizaj, duke e konsideruar këtë lloj informacioni, si një formë kontributi për të ndriçuar karakterin barbar të politikës që pushtuesi serb po zbatonte në Kosovë.
Në vitet 90 të shekullit të kaluar, për të siguruar ekonominë e familjes, në qytetin e Ferizajt hapi një atelie pikturash, ku punoi edhe mbishkrime dyqanesh e reklamash. Krahas ekzistencës ekonomike, kjo veprimtari, Gurselit ia plotësoi edhe nevojën dhe kureshtjen e lindur shpirtërore, për të shuar etjen artistike, duke pikturuar motive të shumta nga jeta, liria, e atdheu. Në këtë atelie, së bashku me Gurselin, po punonte edhe vëllai i tij, Bajrami, i cili, ndonëse gjeolog me profesion, kishte një pasion të fuqishëm për fotografinë artistike, prandaj edhe e përsosi atë.
Për njeriun me shpirt artisti, dëshmorin Gursel Sylejmani, formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe organizimi prej saj i luftës çlirimtare, ishte një moment me rëndësi historike për Kosovën dhe për kombin shqiptar. Ky moment do të bënte kthesën e pritur me shekuj nga shqiptarët, prandaj edhe kërkonte angazhimin e secilit. Duke qenë i ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij momenti, një ditë pranvere të vitit 1998, pasi vendos të futet në luftë, duke bërë nga dy vajzat e tij, Pranvera e Kaltrina, Gurseli i ishte drejtuar së ëmës, me fjalët: “Qe nënë, këto janë djemtë e mi”,- dhe shton: “Unë do të shkoj ku shkojnë trimat”.
Që atë ditë, ai së bashku me të vëllanë, Bajramin, i përkushtohet formimit të njësiteve të UÇK-së në trevën e komunës së Ferizajt dhe të nënzonës operative të Neredimes. Ishte 12 maji i vitit 1998, kur Gurseli kishte dalë në ilegalitet, pasi ato ditë, pjesëtarët e shërbimit sekret serb e kishin kërkuar në atelienë e tij në Ferizaj. Gjatë kohës së parapërgatitjes së terrenit për formimin e njësiteve të reja të UÇK-së dhe për shtrirjen e veprimit ushtarak në fshatrat rrëzë maleve të Jezercit, dy vëllezërit, Gursel e Bajram Sylejmani qëndrojnë në fshatin Greme, baza e të cilëve ishte në shtëpinë e veprimtarit Osman Gabrrica. Në këtë mision ishin angazhuar edhe shokët e tyre të idealit, Rexhep Bislimi, Ahmet Hoxha, Enver Topalli, Imri Ilazi, Ylber Topalli,Qamil Xhemaili e bashkëveprimtarë të tjerë. Fillimisht, orientimi i Gurselit me shokë ishte aktivizimi i vijës së operimit, e cila do të lidhte vendbanimet Gaçkë, Pleshinë, Jezerc, Mullapolc, Papaz e Budakovë.
Në vlugun e këtij angazhimi, në muajin qershor të vitit 1998, policia serbe ndërmori një fushatë arrestimesh kundër disa prej bashkëveprimtarëve të Gurselit e të Bajramit, të cilët ishin mobilizuar për t’i formuar njësitet e UÇK-së në këtë trevë. Ndër të arrestuarit ishin Rexhep Bislimi, Enver Topalli, Ahmet Hoxha, Ulber Topalli e veprimtarë të tjerë. Rrethanat e krijuara shtruan nevojën që Gurseli e Bajrami të mobilizohen drejtpërdrejt në vijën e frontit, në pikën ushtarake në fshatin Papaz. Nga Gremja në Papaz, ata shkuan më 14 korrik të vitit 1998. Tani, përkrah kishin shumë shokë të armës, si Nazmi Ukëzmajli, Sejdi Sejdiu, Imri Ilazi, Qamil Xhemaili, Kemajl Hetemi, Bashkim Vishi, Lulëzim Guta, Arsim Zeqiri, Nazim Terziu e bashkëluftëtarë të tjerë. Vetëm dy ditë pas arritjes në malet e Jezercit, kundër pozicioneve të UÇK-së në pikat e sapoformuara ushtarake, më 16 korrik, forcat serbe ndërmorën një sulm të ashpër ushtarak. Në këto luftime, në fushën e nderit ra dëshmori Nazmi Ukëzmajli, ndërsa u plagos komandanti i njësiteve të UÇK-së të nënzonës së Neredimes, Imri Ilazi. Tashmë në fshatin Jezerc ishin pozicionuar dy skuadra të UÇK-së, në një distancë rreth 500 metra larg njëra-tjetrës. Skuadra e parë komandohej nga Bajram Sylejmani, kurse në të dytën bënte pjesë edhe Gurseli.
Ofensiva e forcave serbe kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në nënzonën operative të Neredimes vazhdoi me intensitet të lartë edhe gjatë muajit gusht të vitit 1998. Çlirimtarët shqiptarë rezistuan dhe u kundërpërgjigjën me të gjitha mjetet në dispozicion, duke ruajtur pozicionet e veta. Ata, në fillim të muajit shtator u riorganizuan në formacione të reja ushtarake, duke formuar batalionin e parë, dhe fillimisht kompaninë me tri toga. Po ashtu, u formuan edhe njësitet speciale dhe ato vëzhguese të nënzonës. Dëshmori Gursel Sylejmani, në këtë kohë ishte emëruar përgjegjës i shërbimit informativ të këtyre formacioneve.
Më 25 shtator të vitit 1998, forcat serbe ndërmorën sulm në shkallë të gjerë kundër pozicioneve të UÇK-së në Jezerc. Armiku solli përforcime nga të gjitha drejtimet, duke e vënë nënzonën në rrethim të plotë. Granatimet me armatim të rëndë nuk pushuan tri ditë rresht. Vëllezërit Gursel e Bajram Sylejmani kishin pozicionet e tyre në një distancë të caktuar. Më 28 shtator, furia e sulmit, së pari ishte orientuar në drejtim të pozicioneve të Togës së Parë, të komanduar nga Bajrami dhe pastaj drejt të Dytës e të Tretës, ku bënte pjesë edhe Gurseli. Në luftim e sipër, nga zjarri i armikut, ai plagoset rëndë në kraharor. Megjithatë, ky çlirimtar nuk jepet dhe nga shokët e luftës kërkon ta vazhdojnë betejën për mbrojtjen e pozicioneve. Bashkëluftëtarët e tërheqin nga vija e zjarrit dhe e nisin për në spitalin ushtarak. Mirëpo, gjatë rrugës, këtë luftëtar të paepur të lirisë e lë fuqia, por ai ngrihet në panteonin e figurave të pavdekshme të kombit. Tashmë, pak çaste para tij, në këtë panteon ishte radhitur edhe i vëllai, Bajrami, si dhe bashkëluftëtarët e kauzës së shenjtë-lirisë, Sejdi Sejdiu, Kemajl Hetemi, Bashkim Vishi, Lulëzim Guta, Nazim Terziu, Arsim Zeqiri e Salih Baliu. Emri i këtyre dëshmorëve u bë lavdi dhe epope, të cilën do ta ruajë përjetësisht Jezerci kryelartë.
Dëshmori Gursel Sylejmani u varros te vendi i quajtur Baraka e Pylltarëve në Budakovë. Pak ditë më vonë, më 2 tetor të vitit 1998, trupi i tij u rivarros në fshatin Jezerc. Më 12 shtator të vitit 1999, ai u soll në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj.
Ai që sa e sa herë i kishte vënë ngjyrat e lirisë në pikturë, dëshmori Gursel Sylejmani, tash e kishte vënë ngjyrën e gjakut të tij në altarin e atdheut. Nëna e dëshmorëve Gursel e Bajram Sylejmani, duke ngritur ndjenjën e sakrificës e të krenarisë kombëtare të nënës shqiptare, mbi dhembjen e shpirtit e të zemrës, për humbjen e dy bijve të vetëm shprehet: “Hallall i qoftë Kosovës gjaku i bijve të mi, të cilët luftuan ballë për ballë me armikun!”. Kësaj nëne shqiptare, përveç dhembjes krenare, bijtë e saj i lanë edhe diçka të shenjtë nga vetja e tyre, siç është i shenjtë epiteti nënë e dëshmorëve. Dëshmori Gursel Sylejmani kishte vetëm një vëlla, Bajramin, nga i cili nuk e ndau as lufta, as rënia dhe as përjetësia. Ai kishte edhe pesë motra: Arifen, Fetinë, Mevluden, Bahrinë dhe Saninë. Ka lënë shoqen e jetës, Alien, me tre fëmijët: Pranverën, Kaltrinën dhe Diellin, që së bashku me kujtimin për babanë e tyre dëshmor, i ruajnë me kujdes dhe i shikojnë me thellësi ndjenje, të varura në mur, shumë piktura të tij. Pranvera, madje edhe ka trashëguar talentin e të atit dëshmor, për të pikturuar.
Me emrin e vëllezërve dëshmorë, Gurselit e Bajramit, është emërtuar shtëpia e kulturës në Viti; një rrugë në Ferizaj dhe kazerma e TMK-së në Viti. Në hyrje të fshatit të tyre të lindjes, Sadovinë, përmendorja e këtyre dëshmorëve rrezaton heroizëm për brezat. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …