Ahmet Qeriqi: Koha e Jeniçerëve

Halil Katana: Romani “Koha e Jeniçerëve” gërsheton ngjarjet reale historike të gjysmës së parë të shekullit XVIII

Ky roman është një histori e gjallë e periudhës së fundit të shekullit XVII dhe fillimit të shekullit XVIII. Është një periudhë ndryshimesh të mëdha në jetën politike dhe shpirtërore të kombit shqiptar.

Të gjallë,  këtë histori e ka sjellë në roman, autori Ahmet Qeriqi, duke i gërshetuar ngjarjet reale historike, të bazuara në dokumente e studime shkencore, me trajtimin e tyre letrar, romantik. Trajtimi i kësaj historie nëpërmjet romanit, si gjinia letrare më tërheqëse, e ka bërë më të kuptueshme këtë histori për publikun e gjerë, në të gjitha përmasat e saj.

Romani përqëndrohet kryesisht në zonën e Drenicës, të cilën autori e njeh thellë. Por ngjarjet politike dhe, sidomos, dukuritë shoqërore, që trajtohen në roman kanë fuqi përgjithësuese, sepse të tilla dukuri shfaqeshin në jetën e kombit shqiptar, anembanë trojeve etnike.

Dy janë dukuritë më të përgjithshme të kësaj periudhe historike: konvertimi masiv i shqiptarëve  nga feja e krishterë në fenë myslimane dhe fuqizimi i shqiptarëve jeniçerë në formacionet e Perandorisë Osmane, deri në kryengritjen e madhe të udhëhequr nga Halil Patrona.

Konvertimi i shqiptarëve, ndryshimi i fesë, trajtohet në këtë roman me realizëm, me tërë dramacitetin e dhimbshëm e tragjik. Është një transformim i dhunshëm fizik e shpirtëror nga pushteti i pushtuesit, që autori e ka përshkruar me mjeshtri të lartë artistike.

“Varja e 20 komitëve nga fshatrat e Drenisës, do të shënohej si ngjarje e fillimit të humbjes së madhe e tretjes pa kthim drejt ndërrimit të përjetshëm”.

“Shumica e të krishterëve kishin mbetur të krishterë në zemër e mysliman në emra”.

“Një pjesë e madhe kishin mbetur laramanë. Si të tillë, në raste të caktuara shpalosnin herë njërën, herë fenë tjetër”.

Pasojat historike të këtij konvertimi

Argumenti i parë:

Fakti se po e ndërrojnë fenë me shumicë, -thotë Selim agaj,- këta i radhitë në mesin tonë dhe të mirat e të ligat i ndajnë me ne. … Më në fund këta do të mesin në mes të rrugës: të huaj për Evropën, të huaj për ne. Të humbur nga do ta marrësh”.

Argumenti i dytë:

“Ne na mban kjo perandori… Po të mos ishte kjo digë madhështore mendoje se ç‘do të bënin çyfarët, rusët, sllavët, allamanët, italianët dhe raja e popujve të Ballkanit. Po qe se bie perandoria osmane, ne do të jemi ata, të cilët do të goditemi si mos më keq, sepse tashmë nuk jemi ata që kemi qenë, tashmë jemi këta që jemi dhe kthim prapa nuk ka”.

Fund e krye ky roman përshkruan jetën e popullit në atë periudhë historike, me doket e zakonet dhe vështirësitë e mëdha të mbijetesës.

“Mjerimi, -shkruan autori, – qe futur në të gjitha shtëpitë…Familjarët, të cilët kishin shpëtuar nga murtaja, i frikësoheshin ashpërsisë fatale të dimrit. Edhe ata që qenë përgjysmuar nga murtaja, bëni përpjekje të mbijetonin. Dhembja përzihej me zinë e urisë, me acarin e ashpër, me dyshimin tejet të shprehur se a do të dilnin gjallë në Shën Gjergj. Bagëtia pallte nga uria. Dhitë kishin mbetur maleve, pre për ujqit dhe arinjtë.. Hungërima e trishtueshme e ujqve të uritur përhapte frikë, sidomos te fëmijët. Qentë ishin strukur nga frika e ujqve”.

“Një natë në kasollën afër malit në familjen… ishte futur llava e ujqëve të uritur dhe askush nga fshatarët nuk kishte dëgjuar britmat e fëmijëve, as thirrjet e pashpresë të nënshkretës në atë natë fatale. Ujqit kishin copëtuar katër anëtarët e familjes: nënën me dy bijat dhe djalin e vogël në gji”.

“Pranvera e vitit 1730 kishte gdhirë me vonesë… Njërëzit qenë zgjuar sikur nga jeremia e çmendurisë. Fytyrat e akullta qenë maviosur. Nuk dëgjoheshin zëra gazmorë të fëmijëve…  Duhej bërë përpjekje për ta nisur serish jetën nga e para. Dhe serish me frikë nga murtaja, nga lija e kolera, nga kolli i keq e fruthi; serish frikë nga taksildari e zaptia, serish frikë nga egërsirat e botës njerëzore dhe asaj shtazore”.

“Në çdo 30 vjet godiste thatësira, në çdo 20 vjet sëmundjet e ndryshme, në çdo gjysmëshekulli korrte si me kosë murtaja e kolera”.

Jeta fshatare:

“Sëmundjet shfaruese, skamja, haraçi dhe dhuna sistematike, që ushtronin sidomos zaptitë, tagërmbledësit e çaushët e agait, e vështirësonin tej mase jetën”.

“Toka punohej me parmendë. Kultivoheshi kulturat bujqësore: misri, gruri, thekra, tërshëra, elbi, perimet, pemët.. në vjeshtë përgatiteshin reçeli, pekmezi, pestili, turshitë… të gjitë kujdeseshin për bagëtitë…”

Tepër rrënqethëse përshkruhet “zija e bukës”. Ajo kishte ndodhur në vitin 1699, kur të gjitha prodhimet bujqësore ishin djegur nga mungesa e reshjeve. Ishte tharë edhe bari dhe as bagëtia s’kishin me se të ushqehej. “Njerëzit rronin me rrënjë barishte… , me mishin e breshkëve dhe të egërsirave në pyje… “Frika nga uria kishte stepur çdo buzëqeshje”. “Disa e interpretonin thatësirën, si ndëshkim i zotit, për mëkatin që po bënin njerëzit duke ndërruar fenë. “Fëmijët i tregonin njëri-tjetrit fjalët që dëgjonin nga të rriturit. Ata parashihnin se shumica e njerëzve do të vdisnin, ndërsa fëmijët, pasi të vdisnin, do të bëheshin engjëj dhe do të fluturonin në qiell me flatra, si të kerubinëve.”

Në roman trajtohet historia e jeniçerëve, shqiptarë që i kishte marrë që në fëmijëri Perandoria Osmane dhe që i rriste, i shkollonte dhe edukonte vetëm për luftë.

“Jeniçerët nuk vdesin në shtrat, nuk vdesin as nga sëmundjet. Ata i korr shpata, plumbi, shigjeta, ose dënimi  përjetshëm në zidan”.

“Jeniçerët duan luftë të përhershme, ata për luftë ka lindur, për luftë janë shkolluar… Shumica syresh nuk krijojnë familje, nuk ndjejnë dhimbje për as kë, madje as për gjymtyrët e trupit të tyre… Ata nuk njohin asnjë brengë të kësaj bote…” “Jeniçërët janë si kuajt. Po të mbahen kuajt në tagji të fortë dhe po t’i mbash lidhur ata tërbohen”.

“Padishahu ynë i madh e ka kuptuar se ne, aranautët jemi shtylla më e fortë e Perandorisë. Kur bëhet fjalë për të thyer fronte të vështira, ne na dërgojnë në radhët e para, por kur ndahen favoret dhe meritat, ne na lënë të fundit”.

Mesazhet që sjell ky roman, tingëllojnë aktuale për sot

Konvertimi i shqiptarëve nga njëra parti në tjetrën, i ngjanë asaj periudhe të konvertimit të tyre nga feja e krishterë në atë myslimane. Madje përdorën të njëjtat forma, por të stërholluara.

Edhe sot, me rigjallërimin e fesë te ne, ka intelektualë që bëjnë thirrje për t’u rikthyer nga feja myslimane në atë të krishterë, se për ndryshe nuk na do Evropa.

Autori i romanit “Koha e Jeniçerëve” ka shpalosur në këtë vepër një fantazi të jashtëzakonshme, shumë origjinale dhe tepër intriguese. Këtë mund ta bënte vetëm një shkrimtar, që e njeh thellë historinë e popullit të vet dhe jetën reale në detajet më të imta të saj. Kur lexon tabllotë, që përshkruhen, mahnitesh me ndërthurjet e ngjarjeve, me portretizimin e personazheve, me dialogjet e mençura të tyre dhe me figuracionin e pasur artistik, nëpërmjet një stili të thjeshtë e të bukur, që të tërheq e nuk të lodh gjatë leximit.

Dëshiroj të theksoj, si përgjithësim i veprave letrare e publicistike të Ahmet Qeriqit, frymën e tij të shëndoshë atdhetare kombëtare, që i përshkon si një fill i kuq këto vepra.

 

 

Disa figura të bukura letrare

Krahasime:

Si bretkosa para gjarpërit.

Eshtrat po m’kërcasin si rrotë kerri e palyeme.

Sy të vegjël, si kokrra e rrushit të egër.

Janë rritur me të rënët e kamxhikut… Shiko si e presin kamxhikun si bualli hostenin.

Ishte truphollë dhe kishte një vështrim tinzar si të nëperkës.

 

Tipizim:

Kishte sy të kaltër si qielli, ndërsa vetullat kaleshe ia tiposnin fytyrën me tipare malësori.

Pejzazh:

Terri po i lëshonte vend agut mëngjesor. Vesa po tretej në një avullimë, aromë të dushkut të lagur nga lagështia e mëngjesit.

Ngjarje e përshkruar bukur dhe nga ana psikologjike:

Rrëfimi bënte fjalë sesi motra kishte njohur vëllanë, ditën kur po futeshin në gjerdek, meqë qenë fejuar pa njohur njëri- tjetrin. Ata qenë njohur përmes një shenje që kishte vëllai në trup… Ajo nuk e merrte dot me mend se vëllai i nënës, daja i saj të ishte Selim agaj. Po e kishte kuptuar se edhe ndjenja e saj femërore sikur rrudhej, kur ndodhej pranë agajt, të cilit më shumë i frikësohej, sesa e donte.

Fjalë e urtë:

Dy vetë prishin kuvendin: ai që nuk di dhe flet dhe ai që di kur duhet me gjegjun, por hesht.

Halil Katana

Bolzano- Itali, 22 shkurt 2010

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …