vala – old
driloni com
muqa 900
mbpzhr
vipa
Fillimi / Intervista / Hermes Nikaj: Intervistë me lektorin e lëndëve të marrëdhënieve ndërkombëtare të komunikimit, dr. Xhafer Rakipllari
Hermes Nikaj: Intervistë me lektorin e lëndëve të marrëdhënieve ndërkombëtare të komunikimit, dr. Xhafer Rakipllari

Hermes Nikaj: Intervistë me lektorin e lëndëve të marrëdhënieve ndërkombëtare të komunikimit, dr. Xhafer Rakipllari

Kjo intervistë është e veçantë në dy aspekte: së pari, nuk kërkon shumë punë editoriale dhe si e tillë është tejet e këndshme për t’u lexuar (e ç’mund të presësh tjetër nga një lëçitës e shkrues i shkëlqyer). Së dyti, sepse Xhaferi me përvojën e tij si studiues dhe praktikant i komunikimit strategjik dhe marrëdhënieve me publikun është një pozicion unik për të rrëfyer mbi temën për të cilën e kemi intervistuar: ndërtimin e imazhit të një vendi …

 

1-Z. Xhafer, ju e filluat karrierën si gazetar. Mandej lëvizët te komunikimi strategjik dhe branding. Çfarë e zgjoi interesin tuaj për këtë të dytën?

Qasja ime që prej kohës së studimeve ka qenë ndërdisiplinore. Kur ke vetëm një çekiç, gjithçka të duket si gozhdë. Le të themi që më pëlqen të kem një set më të madh të veglave në “dhomë”. Sa i përket trajektores së karrierës sime, komunikimi ishte një zgjatim i natyrshëm i interesave dhe mënyrës sime së të menduarit. Kështu që nisa studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Një verë, diku nga 21 Dhjetori, m’u ofrua mundësia për të përkthyer letërsi klasike. E rroka menjëherë shansin dhe përgjatë studimeve përktheva plot 5 tituj. Po gjatë kësaj kohe u zgjua tek unë interesi i mësimdhënies. Dhe procesi më i mirë i të nxënit vjen paralelisht me atë të të dhënit të dijes. Kështu gjatë verës unë nuk pushoja, por punoja si lektor i lëndëve sociale për disa qendra kursesh që përgatisnin maturantët për provimet universitare (asokohe kishte provime pranimi). Kjo dëshirë për të studiuar komunikimin, shtuar procesin e leximit që s’e kam ndarë kurrë, përkthimin dhe mësimdhënien besoj formuan atë që ju thashë më sipër: karakterin tim ndërdisiplinor. Për të shkuar në thelb të pyetjes suaj, pas rrugëtimit të mësipërm, e pashë të arsyeshme të thellohesha në studimet e Masterit (në Uppsalë, Suedi) dhe Doktoraturës (Paris), që po ashtu të dyja rrahin bash nga komunikimi strategjik dhe branding. Fakti që branding-u integron gjithë disiplinat e qasjet që kam përshkruar më sipër, më ka bërë ta studioj me kaq dëshirë.

2-Për lexuesin që nuk është familjar, a mund të na shpjegoni çfarë është branding-u?

Termi “branding” është hedhur në letër për herë të parë nga Simon Anholt-i dhe i referohet aplikimit të strategjive të marketingut nga vende të caktuara për të përmirësuar imazhin e tyre. Më tej ai është zhvilluar dhe sot flitet për branding të vendeve, qyteteve, destinacioneve. Në thelb, qëllimi është krijimi dhe promovimi i një reputacioni sa më unik që do t’i shërbente interesave të vendit. Kjo merr një rëndësi jetike teksa shtet garojnë ethshëm në tregti, investime të huaja, turizëm etj. Është një nga fushat më kontraverse të diplomacisë publike, por interesi për të ka ardhur gjithnjë në rritje. Strategjitë për përçimin e ngjizjen e këtij imazhi të vendeve përbëjnë një armë plus të politikave të jashtme.

3-A luan rol komunikimi në branding?

Padyshim. Është zemra e tij. Marka është ajo ç’ka u komunikohet audiencave dhe qasja ndaj tyre. 4-Çfarë e karakterizon një specialist të branding-ut? Të njëjtat gjëra që karakterizojnë një këshilltar në çdo lëmë tjetër: të bërit të mundur që punëdhënësi të ndërmarrë veprime domethënëse që japin rezultate të prekshme dhe të shpejta. Proverba thotë “fito të drejtën për të pasur të drejtë” dhe duhet mund për të fituar të drejtën për të pasur të drejtë. Paskëtaj, secili mund të japë një dorë, një kontribut në fushat respektive. Ndonjëherë është e vështirë të punosh në vendin tonë, dhe unë nuk jam eksperti i duhur i komunikimit (me keqardhje e them) për disa klientë/kompani. Megjithatë, me thinjat e parë mesa duket kanë ardhur edhe sukseset e para.

5-Meqë ra fjala, cili është ndryshimi mes reklamimit dhe markës së një vendi?

 Në Shqipëri mendoj se ka pak konfuzion. Më lejoni t’jua shpjegoj kështu: Diferenca mes informacionit dhe dijes është diferenca mes numrit të telefonit të Profesorit dhe vetë Profesorit. E njëjta gjë mes reklamimit dhe branding-ut. Por është e thjeshtë të gëzohesh kur ke numrin e profesorit, dhe është e lehtë të gëzohesh për reklamimin. Por është më mirë të kesh profesorin vetë, dhe është më e rëndësishme të kesh një markë të fortë, dhe e para nuk drejton domosdoshmërit tek e dyta. Të bësh branding të mirë do të thotë të shpëtosh nga buxhete reklamimi, ose së paku të bësh që ai buxhet që do të shkojë për reklamë të jetë dhjetëfish më i fuqishëm. Shqipëria ka bërë më shumë të parën.

6-Si mund të nxitet zhvillimi i qëndrueshëm i brand-it të Shqipërisë?

Siç edhe e kam shkruar më herët, më së pari përmes kërkimit shkencor. Të dhënat janë shumë të rëndësishme për identifikimin e shtyllave kryesore për krijimin e brand-it të një vendi (kultura, trashëgimia, harmonia fetare, risitë e të ngjashme si këto). Së dyti, permes një plani komunikimi strategjik. Nevoja për t’ua komunikuar strategjikisht Shqipërinë audiencave të huaja do të vijë gjithnjë në rritje. Së treti, përmes mesazheve të zhdërvjellta dhe të zgjuara. Ambiguiteti kushton dhe harrohet shpejt. Së katërti, përmes risive dhe krijueshmërisë. Këto të dyja gjenden edhe aty ku nuk ka para, ose ka pak të tilla. Mjafton të gjesh mënyrat tërheqëse të angazhimit të audiencave. Së fundmi, zotimi politik për të vepruar së toku është një nga gurthemelet për të patur sukses në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Nëse promovimi i vendit bie viktimë e lojës të brendshme politike, brand-i do të jetë si një kështjellë rëre përballë një vërshimi baticor. E kanë pësuar më parë vende si Hungaria dhe Estonia dhe rezultatet kanë qenë katastrofale.

7-Këshilla juaj për ata që duan të thellohen në studimin e kësaj disipline?

 Përkrah idenë që kërkimi shkencor, por edhe domeni praktik duhet ta pozicionojnë markën e një vendi dhe praktikat e diplomacisë publike në një kontekst më të gjerë historik, kulturor dhe politik. Me qasjen ndërdisiplinore jam i bindur që do përftonim një kuptim më të mirë të këtyre praktikave dhe rrjedhojave të tyre sociale. Branding-u nuk është për asgjë në veçanti, por siç e kam shprehur edhe më lart për shumë gjëra njëherazi. Ati i branding-ut Simon Anholt e ka quajtur atë si një lojë shahu në 3D. Duhet të kesh aftësinë për të zgjidhur shumë ekuacione njëherazi. Mbi të gjitha, branding-u nuk është mbretëri e marketingut siç shumë mendojnë. Është identitet, ç’ka është filozofike, dhe sjellje (që në këta rast ndërlidh komunikimin me ekonominë). Njerëzit që duan të thellohen në këtë lëmë duhet të lexojnë filozofi dhe ekonomi. Për shembull Von Mises, Hayek, Schumpeter e të tjerë… Duhet të mësojnë gjithaq mirë artin e rrëfimtarisë. Një nga librat më të mirë që kam lexuar, On writing nga Stephen King, nuk është aspak mbi branding-un, por mbi rrëfimtarinë.

 

8-Ju prej vitesh jeni edhe lektor i lëndëve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe komunikimit…

 Prej pesë vitesh jam lektor i lëndëve të fushave të sipër përmendura. Dëshiroj të veçoj lëndën “Media dhe Politika”, e cila jepej për herë të parë në Shqipëri, dhe më është dashur shumë kohë e mund për të përgatitur programin e gjithçka tjetër. E shoh mësimdhënien si një mision të rëndësishëm për të shëruar plagët sociale të Shqipërisë sonë. Rrekem çdo ditë që të tregoj profesionalizëm, përkushtim, kërkesë llogarie ndaj vetes dhe të tjerëve. Aula universitare më imponon të jem komunikues, të krijoj marrëdhënie institucionale e humane me studentët në shërbim të misionit për të cilin punoj. Nuk e konsideroj pedagogun thjesht si burim e transmetues dijesh, por si moderator, udhëheqës e menaxhues të procesit mësimor e kërkimor për t’i orientuar, ndihmuar e drejtuar studentët në vetëformimin e tyre.

 

9-Vazhdoni me shqipërimet?

 Fatmirësisht po. Njëherë shqipërues, gjithmonë shqipërues (buzëqesh). Kam shqipëruar “Krim e Ndëshkim” të Dostojevskit, “Ç’e mban gjallë njeriun” të Tolstoit, “Uri” të Knut Hamsunit, “David Koperfildi” të Dikensit dhe “Republikën” e Platonit. Intervista juaj vjen në kohën kur sapo kam përfunduar së shqipëruari nga origjinali “Bij dhe shpirtra të përvuajtur” të autorit premtues turk Alper Xhanëgyz. Është një roman unik ku rrëfimtari është një 5-vjeçar, i cili lexon Dostojevskin e Niçen dhe që të bën për të qarë me gazin, batutat e buzëqeshjet e tij. Nuk po zbuloj më shumë, veç bëjini sytë katër nga stendat e librave të shtëpisë botuese “Living”.