Gjergj Kastrioti - Skenderbeu

Heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në disa këngë popullore historike

Figura e madhërishme e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, përveç se është bërë e njohur kudo në botë përmes dokumenteve shkrimore të kohës, teksteve të historisë në gjuhën shqipe dhe në shumë gjuhë të botës, ai është personazh edhe në qindra  tregime, romane e monografi të autorëve të huaj  e shqiptarë, të cilët për plot pesë shekuj  kanë shkruar  e vazhdojnë të shkruajnë për të. Jeta e vepra e tij heroike është përcjellë brez pas brezi, gjatë tërë shekujve  edhe nga këngëtari popullor shqiptar.

Këngët historike për Skënderbeun, të cilat janë hulumtuar dhe janë shënuar kohë pas kohe në trojet shqiptare,  janë një thesar i çmuar i folkloristikës.  Ata, sado që na paraqiten fragmentare dhe pa ndonjë rrëfim të plotë kompozicional sikur në këngët legjendare, apo këngët për Luftën e Kosovës, ruajnë në vete fragmente të kohës e historisë, fragmente të memories kolektive shqiptare.

Duke shkruar për “Figurën e Skënderbeut në këngët popullore” studiuesi më i zellshëm i folklorit shqiptar, Ramadan Sokoli thotë: “Populli ynë përkujton me këngë çdo ngjarje të rëndësishme për jetën e vendit. Kështu ai ka përkujtuar dhe përpjekjet e Heroit Kombëtar që e udhëhoqi në luftërat për liri kundër dyndjes së osmanëve, siç dëshmojnë të dhënat historike. Ndër këto kemi së pari veprën e Marin Barletit, jetëshkruesit bashkëkohor të Skënderbeut. Në librin IX lexojmë: «Dhe mendjelartësia e burrit e Skënderbeut fitoi admirimin e përhershëm nga të gjithë.

Botimin e parë të një kënge popullore arbëreshe për Skënderbeun e kemi (të përkthyer në italisht) nga Vinçenc Dorsa në gjysmën e parë të shek. XX,  por si qëmtues i parë i këngëve arbëreshe për Skënderbeun njihet poeti Jeronim de Rada, i cili në përmbledhjen e tij të famshme «Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del Napolitano» (Rapsodi të një poeme shqiptare të qëmtuar në koloninë e Napolit), botuar në Firence më 1886, përfshiu nja tetë këngë për jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut. Duke i parë këto këngë si pjesë të një poeme kombëtare të shpërndarë, De Rada u rrëmbye nga ky mendim dhe e titulloi përmbledhjen  vet «Rapsodi të një poeme shqiptare» etj., mendim dhe titull që u kritikua nga disa autorë28. Më vonë, në parathënien e ribotimit të kësaj vepre, De Rada nuk e përmend fjalën «poemë».

Këngët arbëreshe për Skënderbeun, që u botuan më vonë nga J. De Gracia (1889), A. Stratiko (1896), M. Markiam (1908), A. Skura (1912), Smilari etj., me disa përjashtime ose variante janë pak a shumë njësoj si ato që kishte botuar, Jeronim  De Rada.

Kurse këngët popullore të shënuara në Shqipëri filluan të botohen në pragun e shekullit tonë. Së pari, kemi një «Vajtim shqiptar që këndohet në Krujë», botuar në përkthimin frëngjisht («Complainte albanaise chantée a Croia») nga A. Degrandi, pa ndonjë shkoqitje rreth burimit. Së këndejmi ky «vajtim» u ripërkthye në shqip dhe u botua në disa revista. Titulli «Complainte» që i vuri Degrandi nuk i përshtatej kësaj kënge sepse nuk ka përmbajtjen, as tonin e vajtimeve. Dhjetë vjet më vonë u botua përmbledhja me «Këngët popullore gegërishte» (Sarajevë, 1911), ku përfshihet kënga me titull «Skënderbegu nuk ka vdekë» (f. 98), mjerisht pa asnjë shënim rreth burimit të kësaj kënge, përveç vendburimit të saj (Krujë). Edhe kjo këngë u ribotua më vonë disa herë nëpër vëllime të ndryshme.

Një tjetër këngë popullore për Skënderbeun, u botua në revistën «Edukata e re» (Tiranë 1931, nr. 10, f. 302) me këtë shënim: «Kjo këngë popullore e kohës së Skënderbeut këndohet nëpër disa vise të Kosovës. Asht për t’u admirue se si ka mujtun mos m’u harrue…» Edhe në këtë rast nuk u dha vendburimi i këngës, madje as emri i mbledhësit. Më 1938 u botua në revistën «Shkolla shqiptare» (nr. 15-16) një kënge popullore për Gjorgj Golemin, e cila, pavarësisht se nuk i kushtohet Skënderbeut, hyn në qerthullin e tij. Kënga në fjalë u qëmtua në rrethin e Elbasanit dhe u ribotua më vonë disa herë nëpër vëllime të ndryshme.30 Në vitet 1948 u qëmtua një këngë popullore për Rrethimin e Parë të Krujës (1450), kënduar nga një rapsod plak i atij rrethi. Vjersha e kësaj kënge u botua për herë të parë nga prof. Dhimitër Shuteriqi në revistën «Literatura jonë» (1949, nr. 5, f. 17-22) me ndonjë shkoqitje rreth melodisë së saj; më vonë u ribotua te «Kënga e popullit», por me mjaft ndryshime. Një variant i kësaj kënge u këndua në Festivalin kombëtar të vitit 1953 nga një rapsod krutan. Melodia e kësaj kënge u notizua për të parën herë dhe u botua në revistën «Arsimi popullor» (Tiranë 1962, nr. 6, f. 26-37). Gjithashtu, në vitin 1953 një ekspeditë folkloristike e ish-Institutit të shkencave qëmtoi në Streblevë të Gollobordës vjershat e dy këngëve të kënduara nga gratë e asaj krahine. Më 1957, gjatë një ekspedite folkloristike, u incizua me shirit manjetofoni një tjetër këngë për Skënderbeun (ndodhet në fonotekën e Institutit të Folklorit me shifër 146/10) siç na e këndoi një rapsod nga fshati Kaçinar i Mirditës. Dy vjet më vonë, d.m.th. më 1959, u paraqit në Festivalin kombëtar një grup malësorësh nga Shelcani (rrethi i Elbasanit) me copën e kësaj kënge:

  1. Hajmedet o Skënderbej
  1. Do t’ia themi një këngë vet, hajmedet, o Skënderbej!

Kang’ e trimit, oh, të jetë, hajmedet, o Skënderbej!

Ti, o trim, ku ke qenë? hajmedet, o Skënderbej!

— Këtu në Dibër para punë, hajmedet, o Skënderbej!(Oshtima org: Ramadan Sokoli, Figura e Skënderbeut në këngët popullore).

Studiuesi tjetër i njohur i këngëve historike për Gjergj Kastrotin-Skënderbeun, Gjovalin Shkurtaj shkruan se jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit pati jehonë të madhe në kohën e vet, jehonë që kurrsesi nuk mund të përligjet me mjetet e komunikimit masiv të kohës, ende të ngathëta e të tilla që çanin kryesisht nëpërmjet letrës së shkruar dhe kumteve të lajmëtarëve gjithsesi të kufizuar në numër. Zulmat e bëmat e tij përhapeshin më fort duke kaluar gojë më gojë, natyrisht edhe duke u stërmadhuar, hiperbolizuar e legjendarizuar aq sa, deri edhe historianë seriozë bashkëkohës të kryetrimit, hera-herës janë rrëmbyer më fort prej legjendares e gojëdhanës, duke mos iu përmbajtur dot arsyes së ftohtë që lypset në shkrimet mirëfilli historike. Dëshmitë e shumta që na kanë mbërritur nga historianë, publicistë dhe udhëpërshkrues evropianë, na bëjnë të ditur se trimëritë e Skënderbeut dhe të luftëtarëve që u printe ai përcilleshin me këngë e valle që në të gjallë….Qysh së lashti, popujt e kanë pasur traditë që t’u këndojnë princave e tribunëve të tyre, porse kjo ka qenë ndoshta më e theksuar ndër popujt e vegjël e me armiq të mëdhenj si shqiptarët, prandaj gjatë gjithë kohëve kanë fiksuar në këngët historike çdo akt trimërie e atdhetarie, sepse siç thuhet në anët e Drenicës (Kosovë) “kënga del prej grykës së pushkës”. Gjergj Kastrioti, si shumë prej njerëzve të mëdhenj të dalluar në luftërat çlirimtare, u këndua, u lëvdua dhe u legjendarizua edhe për së gjalli. Kjo ishte në hullinë normale të jetës e të marrëdhënieve të prijësave me popullin. Vegjëlia kurdoherë u ka dhënë si shpërblim tribunëve të vet këngë, vlerësime e hiperbolizime të bëmave trimërore e të pamjes fizike të tyre.

Gjovalin Shkurtaj: Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut në letërsi dhe në folkor

Kënga e thurur nga këngëtari i mirënjohur, Simon Tuçi, për Gjergj Kastriotin, e kënduar qysh në vitet 50 të shekullit të kaluar,  është kënga më e plotë e shënuar për trimin e Arbërisë, e cila është përcjellë nga brezi në brez. Kjo këngë ka një kompozicion të thjeshtë por përmes 30 vargjeve të saj, këngëtari popullor ka pasqyruar disa nga elementet kryesore të jetës dhe veprës së Kryerimit të Arbërisë. Kënga dikur e transmetuar shpesh nga Radio-Tirana, tashmë nuk mund të dëgjohet në mediume elektronike të Shqipërisë. Kjo këngë ka qenë dhe është prore e pranishme në valët e Radios-Kosova e lirë.

  1. N’ Kala të Krujes po kërcet topi,

N’ Kala të Krujes po kërcet topi,

C’ po lufton Gjergj Kastrioti.

Filloi luftën qysh i ri.

Duen me qumun atje, në Turqi,

E muer baba n’ shpinë të atit,

Disa fjalë po ia thotë djalit:

– Kudo bir  ku ke me shkue,

– Ti, Shipninë mos me harrue.

Que  na kanë  atje në Turqi,

Ndrru ja kane emnin e tij,

Skënderbeg, ja kishin ngjitë

Në lufta të mëdhaja e ka kanë que.

Po kudo ai ka fitue,

Gjeneral e kanë caktue,

Gjeneral,  atje në Turqi,

Shpata e tij po ban kërdi.

E kur Gjergji asht burrnue

Fjalët e babës  ju kanë kujtue,

Se Shqipninë mos me harrue.

Qenka nisun për Shqipni,

Me 300 djelomosha  te ri,

Ndërroi Bajrakun hyll e hanë

Të tanë Krujen e ka zanë

Nji për be, turk, nuk e ka lanë,

Qoi  bajrakun kuq e zi,

Po i valon nëpër Shqipni,

Kercet topi gjëmoi deti,

Ngjeshi shpatën, Skanderbegu.

Një këngë tjetër e njohur për “Epokën e Gjergj Kastriotit” është edhe kënga e Gjorg Golemit, bashkëluftëtarit të Skënderbeut. Kjo këngë është shënuar në Bërzeshtë të Elbasanit, po ashtu është kënduar edhe në fshatrat Shpat e Polis. Nga përmbajtja kuptojmë se këngëtari popullor këtë këngë ia ka kushtuar vjehrrit të Skënderbeur, Gjorg, apo gjon Arianit Komnen Topisë, i cili kishte vdekur në vitin 1470, 12 pasi kishte vdekur Skënderbeu.

  1. Gjorg Golemi

Ky sulltani qan me lot;

-Kam dhe një Skënder n’Sopot,

-Në mal – Plak, në një breg,

-Gjorg Golemi thot jam mbret.

-Në mal plak e në Sopot

Gjorg Golemi kyezot

Njizet vjet me ta lëftoi

Asqerin ma turpëroi

-Kostivaras, mor evlatë

-Shko n’Sopot e flij nji natë.

-Unë fleta dhjetë vjet

-Po Gjorg Golemi trim me fletë.

Gjorg Golemi trim me flet

N’Galigat shkon dy net

N’Galigat, përr Shën Mëri.

-Do të shkoj me gjith ushtri

Zot, Maria* ka’ nji fjalë

Mu te mani paska dalë;

-Ti o princ, mos hyp ne kalë

-Do vij Turku te na marrë!

-Ndal, o at, ku po shkon

-Do vij Turku na pushton

-N’moll te kuqe ai na çon.

-Pash nje andër këtë natë

-Sopoti na mori flaktë

-Ti o at, dëgjom kët herë

-Se vjen Turku e na therrë!

-Gjel Çelikun foshnjë të ri

-Na e çove n’Itali

-Un do shkoj për Shën Mëri,

Zotit Krishtit në gjunj do i rri.

Zuni bor e bie shi

Gjorg Golemi sos n’Shë Mëri

N’Galigat, për Shën Mëri

Gjorg Golemi me gjith ushtri

Zotit Krisht ne gjunj i rri

Në mëngjes sa zbardhi mali

Më kërkoi cicë djali.

Mark Miloshi ne Liqe

Luan shpatën porsi dre,

Luan shpatën si dragoi,

Edhe turqit i copëtoi.

Shtiva syt ne Shkallë Kurorë

Po vjen asqeri si flogje borë,

-Ti, o Bos, o kambë hollë,

-Lshove Turkun n’Shkall Kurorë!

-Ti, o Bos, o sy përpjetë

-Tyja fara mos të mbetë

-Shove Sopotin për jetë!

-Sopotare moj të ngrata!

-Rrokni thika, rrokni shpata!

-A do ikim të shpëtojmë

-A do rrimë të lëftojmë?

-Na do rrimë të lëftojmë

-Gjorg Golemin s’e turpërojmë!

-O pasha , o kordhë gjatë

-Nuk lufton burri me gratë!

-O pasha qenke pa shpirtë

-S’lefton burri me femijtë!

-Zot, Mari, mjaft fole, mos

-Se femijët në vreshta ’i venos.

Kaluen shekuj mbi Ballkan,

Nga shtatë zemra shqiptarët i kanë,

Me shtat zemra i ka lind nena,

Brijt e trupit o jatagana.

Me nje lahutë  i kendon lirisë.

Mbi lahutë o koka e dhisë

E ne bisht Gjergji, n’përkrenare

Ia ka dhënë o lahutës shqiptare.

Me ia ba lahutës telin,

vajzat tona e pren bistekin.

Kur tradhtitë o na i ben bllokada,

Shkrimë unazat e i bëm shpata.

Shtat krajli o i kish Bota,

Shtat krajli o na m’synë me topa,

O shtat zemra ne gjak te shiptarit

Shtat herë vritet, o tetë herë ngjallet!

Shpatë e Gjergjit o jetoi si zana

I theu n’Krujë o tre sulltana.

  1. Rrethimi i Krujës

Ky murani i par ne Krujë

N’fush t’Kosoves fjal ka çu

Sulltan Murati m’u ka afrue

Skenderbegu sa mur xhevapin

Me niherë e ngjeshi shpaten

Ushtris vet ç’i ka kallxue

Si rrufeja ka mrri n’Krujë

Bashke me Uranin u  bashkue

Skenderbegu me ushtri t’ vet

Ka dale malit kep me kep,

Kep me kep e prru me prure,

Te gjithe Krasten ç’e ka rrethue,

Me Sulltan Muratin u  takue,

Na jan vra, na jan derme.

Sulltan Murati paska paje,

Gjith ushtria qenka vraje,

Qenka vra, u ka marue

Ka dhan urdhnin me dredhuve,

Per Stamboll o per me shkue,

S’asht e mundun me hy n’Kruj’

O mor po, po mor jo o hej!

(Mendohet se  kjo këngë iu ka  kushtuar Rrethimi të Parë të Krujës në vitim 1450 nga Sulltan Muradi i Dytë.  Kënga i referohet  bëmave e trimërive të Vrana Kontit, Kontit Uran.

  1. Trim, o Skenderbe

Do t’ia them një këngë vet,

hajde, more djal’ trim,

more Skenderbe!

Nëpër  male, ti more, pse rend

ti, ore trim, ku ke qenë?

– Mal me mal e vend me vend

mblodha trimat në Kuvend

lidhem besën mbi bajrak:

“Besën ton’ te forte do ta mbajme!”

  1. Lufta e Albulenës

Albulena prita – prita,

ndal, sulltan, se t’erdhi dita;

Skënderbeu për majë kalit,

si rrufeja po zbret prej malit.

Skënderbeu i bani benë:

– Po të zura në Albulenë,

Asnji gjall’ nuk do t’shpëtojë,

Fushën gjaku do ta mbulojë!

Mbar’ ushtrin’ ç’e mori hika,

Evrenozin ç’e zu frika.

– Me vrap, pash’, se t’zu rreziku,

– mjer kush mbeti, lum kush iku!

Albulena gropa – gropa,

Mbet ushtria mish për korba.

Për vend ton’, mor, për lirinë,

Albulen’ e bajm’ Arbrinë!

(Albulenë e kem partinë, në origjinal)

Kjo këngë është shënura në Zhejë-Krujë dhe i kushtohet sulmit të  ushtrisë së Skëndebeut kundër forcave turke në Albulenë, një vend në afërsi të mamurasit, në vitin 1457

Folkloristi i mirënjohur, Ramadan Sokoli, ka shënuar edhe një këngë për Skënderbeun, në  Gjinar, Shpat i Elbasanit:

  1. Ra një vesë e, moj, vesoi dhenë,

Ra një vesë e, moj, vesoi dhenë,

ti moj zoge, moj, ku ke qenë?

Mu në Krujë, moj, un’ kam qenë,

e kam parë, moj, Skënderbenë.

O Skënder, Skënderbej trimi,

Shpata jote turqit grini.

Ra një shi e, moj, nxiu dhe,

Thonë se ka vdekë ai Skënderbe

— Hiç, o moj, mos e thuej at’fjalë,

Skënderbeu, moj, asht i gjallë,

shpat në shpat,  e mal në mal

Papullin prin, kundra robnisë

për të mirën e  Shqipërisë.

Njëra  ndër këngët  më të frymëzuara për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e zgjedhur prej arsenalit të krijimeve popullore për heroin tonë lavdimadh, është fiksuar në filmin artistik “Skënderbeu”, kënduar nga basi i madhërishëm, Lukë Kaçaj.

 

  1. Trim mbi trima ai Gjegj Kastrioti

 

Trim mbi trima ai Gjegj Kastrioti

Forcë të madhe që m’i dhënka Zoti,

S’e djeg flaka, as s’e djeg baroti,

Sa shumë turq menjëherë ai i përlan,

Dhe me një të rame malin dysh e çan!”

 kënga mbyllet me vargjet:

“Kënga jote brez pas brezi u këndoftë!”, si një mesazh përjetësie e mos-harrimi

Gjovalin Shkurtaj, Follow @gjshkurtaj: Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut në letërsi dhe në folkor

Literatura:

Këngët popullore gegërishte» (Sarajevë, 1911)

Visaret e kombit, Shkodës 1937.

Arsimi popullor, Tiranë 1962, nr. 6, f. 26-37).

Ramadan Sokoli, Figura e Skënderbeut në këngët popullore.

(Oshtima org)

Simon Tuçi, Këngë për Skënderbeun. Fonoteka folklorike e Radio Tiranës.

Gjovalin Shkurtaj: Gjergj Kastriotit-Skëndërbeu në letërsi dhe në folkor. Follow@gjshkurtaj.

  1. 11. 2015

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …