Hesat Sami Axhami (22.5.1967 – 19.5.1999)

Hesat Sami Axhami (22.5.1967 – 19.5.1999)

Hesat Axhami u lind më 22 maj të vitit 1967 në fshatin Llanishtë të komunës së Kaçanikut. Në vitin 1910, patrioti Idriz Seferi kishte qëndruar në shtëpinë e Hazir Axhamit, paraardhësit të Axhamëve të Llanishtës. Ndër 23 fshatarëve të këtij rrethi familjar, të rënë me rastin e ripushtimit serb të Kosovës në luftën e parë ballkanike, udhëhequr nga gjenerali Jankoviq, më 1912 ishte edhe Isuf Axhami, gjyshi i dëshmorit Hesat Axhami, së bashku me të birin, Murtezin dhe dy mysafirët prej Gadimes së Lipjanit.
Si edhe shqiptarët e fshatrave të tjera të kësaj treve, edhe Axhamët kishin përjetuar dhunën serbe edhe në vitet 30 të shekullit të kaluar, me qëllim të detyrimit të tyre për t’u shpërngulur nga Kosova për në Turqi. Fshatit Llanishtë tmerri i serbëve nuk i është ndalur deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hesati kishte vazhduar traditën e qëndresës së të parëve të tij duke iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
Shkollën fillore Hesati e filloi në fshatin Bob, kurse e përfundoi në shkollën “Emin Duraku” në Kaçanik. Shkollën e mesme në drejtimin ekonomik e përfundoi në gjimnazin “Skënderbeu”, po ashtu në Kaçanik. Pastaj u regjistrua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Për shkak të situatës së rëndë që mbretëronte asokohe në Kosovë, Hesati si absolvent u detyrua t’i ndërpresë studimet dhe të marrë rrugën e mërgimit ku jetoi dhe punoi disa vite me radhë. Gjatë qëndrimit në mërgim Hesati dallohet për ndihma humanitare që bëri ndaj shumë familjeve të varfra ne vendlindje. Qysh herët u angazhua në lëvizjen politike kombëtare shqiptare që vepronte në Perëndim. Fillimi i luftës për çlirimin e Kosovës Hesatin e gjeti në vendlindje në familjen e tij. Si vëllai i shtatë motrave, ai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.
Lufta zgjerohet çdo ditë e më shumë në Kosovë e po ashtu edhe në Kaçanik, Hesati vihet menjëherë në krye të detyrës i vendosur dhe i patrembur për të ndihmuar popullatën e po ashtu edhe luftën çlirimtare. Mobilizimit të burrave të kësaj treve i bashkohet edhe Hesati, në kuadrin e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Mori pjesë në shumë beteja të lavdishme kundër hordhive çetnike serbe, derisa ra heroikisht në krye të detyrës më 19 maj të vitit 1999 në ofansivën e ashpër të ndërmarrë nga forcat serbe në fshatin Llanishtë. Në këto beteja luftarake Hesat Axhami dhe Burhan Zeneli treguan trimëri, guxim dhe qëndresë duke sfiduar forcat serbe që kishin për synim të depërtonin në këtë fshat.
Rruga luftarake e Esatit ishte e gjatë dhe me plotë sakrifica por e lavdishme e krenare. Gjithherë ishte në vijën e parë të frontit dhe shembull për bashkëluftëtarët e vet. Bashkëluftëtarë të tij ishin Burhan Zeneli, Zekirija Axhami, Muzafer Qaka e shumë të tjerë.
Ka lënë pas gruan dhe vajzën e tij, Jehonën, e cila ndihet krenare për babain dëshmor. Po ashtu, ka lënë prindërit, Samiun dhe nënën, Ramizen, si dhe vëllëzërit Afetin, Isufin, Avniun, Rexhepin, Elmazin dhe Lutfiun dhe motrën Adifeten.
Pas përfundimit të luftës, në vendin e rënies në Llanishtë, Hesatit dhe Burhan Zenelit u është ngritur përmendorja. Rivarrimi i dëshmorit Hesat Axhami u bë në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik. Në shenjë respekti për veprën heroike të tij familja Axhami ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut e institucione të tjera. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …