driloni com
muqa 900
vala – old
mbpzhr
vipa
Fillimi / Historiku / Dilaver Goxhai: Radio-Kosova e lirë mbijetoi falë përkushtimit dhe besimit në fitore

Dilaver Goxhai: Radio-Kosova e lirë mbijetoi falë përkushtimit dhe besimit në fitore

Është kënaqësi dhe gëzim i madh për mua që më jepet rasti të përshëndes sot me rastin e 15 vjetorit të Radio Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosova Press. Në historinë e lavdishme të Luftës Çlirimtare të Kosovës ka shumë ngjarje e data të shënuara, por 4 Janari i vitit 1999, fillimi trasmetimeve nga radio Kosova e Lirë, në ditët më të rënda të asaj lufte çlirimtare, zë një vend të veçantë. Radio Kosova e Lirë pati fatin e vet. Zëri i saj u bë shumë shpejtë një zë i njohur e i dashur për popullin shqiptar në Kosovë, i cili ngjallte frymën e mobilizimit dhe që ngrinte peshë zemrat e këtij populli, pavarësisht nga bindjet e tyre politike.

Ngritja dhe funksionimi i RKL duhet të ketë për historinë po atë rëndësi që pati dhe ka dalja në skenë e UÇK-së. Kjo, për të vetmen arsye se, funksionimi i RKL i tregoi popullit tonë se UÇK-ja ishte forcuar shumë e më shumë, si në sasi edhe në cilësi. Qëllimi i zërit të RKL ishte që të bashkonte në një ushtri të vetme të madhe, sikundër po bëhej UÇK-ja, të gjitha forcat luftarake që kishin dalë në atë kohë, (duke pasur parasysh FARK-un), si dhe të gjitha forcat politike shqiptare të këtushme. Dhe kjo ngaqë UÇK-ja dhe efektivi i RKL kishin  një besim të plotë në fitoren përfundimtare të asaj lufte çlirimtare, duke u mbështetur kryekëput në zhvillimin intelektual e patriotik të popullit tonë, i cili duhej të ishte fryt i domosdoshëm i veprimeve të përbashkëta në front dhe në prapavijë, në çdo qytet, fshat e mëhallë.

Ngjarjet dhe peripecitë e luftës kundër ushtrisë dhe forcave të tjera pushtuese serbe, – madje disfatat më tepër se fitoret, –  nuk mund të mos u tregonin shqiptarëve se sa të padobishme ishin parullat përçarëse të pacifistëve dhe agjentëve të tjerë, në të cilat, për fat të keq, shumica e popullit tonë kishte varur shpresat deri në atë kohë, për t’i bërë ata të aftë për të kuptuar si duhet  kushtet e vërteta për çlirimin e Kosovës. Dhe koha tregoi se RKL-ja pothuajse ia arriti atij qëllimi në shumë shtresa të ndryshme të popullit në Kosovë, pavarësisht kohës së saj të shkurtër.

Dhe një ditë lufta mbaroi. UÇK-ja u transformua dhe djallëzisht u shkri totalisht. Të njëjtin fat i kishin përgatitur ndërkombëtarët edhe RKL. Fillimisht u munduan të mos ia pranonin statusin paraprak autonom, sikundër ua kishin pranuar mediumeve të tjera; i hoqën të drejtën e emetimit në valën 101 MgHz si dhe e kufizuan dëgjueshmërinë e saj vetëm në tërritorin e Prishtinës, dhe pa frekuencë rezervë, duke i ndaluar ritrasmetimet nga vendi  i saj në kohën e luftës!

Në këto kushte para stafit profesionist të RKL u shtrua pyetja: Ç’të bëjmë? Kjo pyetje shtrohej në një moment kur në popullin tonë në Kosovë ishte nxitur përçarja e dukshme midis përkrahësve të UÇK-së dhe kundërshtarëve të saj, të cilët, fatkeqësisht  përbënin shumicën, duke u inkurajuar nga udhëheqësi i tyre shpirtëror, nga Roma: “Unë nuk kthehem në Kosovë pa u çarmatosur edhe ushtari i fundit i UÇK-së”. Mirëpo kjo përçarje nuk mbeti e vetme. Filloi nxitja e përçarjes midis krahinave të ndryshme të Kosovës, në shumicën e rasteve e drejtuar nga drejtues të ish-Zonave Operative, ku secila zonë mundohej të tregohej më kontribuese se tjetra. Luftë brenda lloit. Por, për të zezën e Kosovës, edhe shumica e drejtuesve të lartë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së si dhe të formacioneve të mëdha të saj, pësuan regres në fushën politike.

Dhe, këtu qëndron madhështia e RKL: Ajo nuk u tërhoq nga pengesat që i bënin ndërkombëtarët bashkë me lakejtë shqiptarë si dhe nuk u  mashtrua nga joshjet djallëzore për pushtet dhe pasurim. Dhe kjo rezistencë pati sukses ngaqë ekipi i RKL bënte pjesë në forcat e reja të shoqërisë; ata ishin njerëz të rinj në mendime, revolucionarë. Këta quhen njerëz të rinj, pasi mendojnë dhe luftojnë për lirinë e gjithanshme të popullit. Si të tillë, ky ekip luftarak janë shpikje e kohës sonë, ashtu si dhe vetë UÇK-ja; ata janë gazetarët e parë  të pastër si qelibari të industrisë së sotme mediatike. Dhe ata, sigurisht që nuk do të jenë të fundit që mendojnë të pavarur dhe të pandikuar nga çdo lloj oferte që mund t’i devijoi nga ideali i tyre kombëtar. Mirëpo, vështirësitë për RKL vinin gjithnjë e rriteshin.

Në kushtet e asaj përçarjeje të pasluftës, nuk kish se si të mos binte e gjithë Kosova prè e ndërkombëtarëve. Kjo bëri që, jo vetëm në klanet pacifiste por dhe në ato brenda UÇK-së, të niste gara e ethëshme se kush mund të bëhej më i besueshëm tek ndërkombëtarët, shumica e të cilëve vinin nga vendeve tifoze ndaj Serbisë. Si rrjedhojë, ndërkombëtarët e patën të lehtë për të realizuar misionin e tyre të dyfishtë: shkatërrimtar dhe ndërtimtar; – nga njëra anë të eleminohej UÇK-ja, duke shkatërruar në popull besimin tek ajo dhe, nga ana tjetër, të hidhnin bazën e ndërtimit të një Kosove multietnike, me qëllime të largëta, sikundër i shohim sot. Kjo bëri që shumica e ish drejtuesve të rangjeve të ndryshme të UÇK-së dhe të formacioneve të saj të bëheshin vasalë të bindur deri në ekstrem.

Jo më kot populli thotë: Kur vinë të këqijat, hapu derën! Edhe shtypi i pasluftës në Prishtinë, jo vetëm që filloi një agresivitet të pashoq kundër vlerave të UÇK-së, por edhe me fyerje nga më të ndryshmet kundër shtetit amë, për të zhbërë atë mirënjohje dhe  atë dashuri që lindi midis vëllezërve të të dy anëve të kufirit, duke e kthyer kokëposhtë çdo arritje që populli i Shqipërisë Londineze kish realizuar gjatë një gjysëm shekulli. Çudia ishte se ky shtyp antikombëtar, nuk bënte as edhe një lloj kritike ndaj pushtimit njëshekullor serb!

Në ato kushte, ekipi i Radio Kosova e Lirë, duke qenë një ekip i formuar intelektualisht dhe i kompletuar me ideologjinë kombëtare, vendosi t’i delte për zot popullit, duke gjeneruar kombtarizëm nga kryeqyteti, menjëherë porsa hynë forcat e UÇK-së në Prishtinë, duke përcaktuar shumë shpejt strategjinë e mëtejshme: Të mbetemi një radio e lirë në mbrojtje të interesave kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë!

Për herë të parë në shoqërinë kosovare ndodh që të kemi një medie të tillë, e cila drejtohet nga një staf i dalë nga Lufta për Çlirimin e Kosovës. Si e tillë, RKL është një faktor i ri dhe i fuqishëm i riorganizimit të shoqërisë në Kosovë, duke i befasuar përditë mediet e tjera të shkruara dhe  ato audio-vizive, si në Kosovë edhe jashtë saj. Ato befasohen prej RKL, pasi stafet e tyre nuk e dinë se sa vlerë ka liria dhe se si fitohet ajo. Me Radion Kosova e Lirë, e pasluftës, lindi një kategori e re mediatike, e pajisur me njohuritë e domosdoshme historike, kulturore, politike dhe patriotike e që kuptojnë nga zhvillimet luftarake për pavarësi të popullit të tyre dhe popujve të tjerë.

Duke qenë e tillë, RKL qysh në fillim u pa jo vetëm nga ndërkombëtarët por edhe  nga të gjithë shqiptarët e administratës ndërkombëtare dhe asaj vendase si dhe nga forcat politike shqiptare, si delja e zezë. Si rrjedhojë, sikundër e shpreha më lartë, ndërkombëtarët bënë gjithçka që ta nënshtroni RKL, ndërsa administrata shqiptare edhe më agresivë, donte  ta eleminonte.

E megjithatë, ky ekip rezistoi, nuk u nënshtrua. Vendosmëria e këtij ekipi tërhoqi mbështetjen masive popullore të kryeqytetit, duke u shndërruar në  radio më e dëgjueshme në Prishtinë. Kjo bëri që edhe biznesi t’i kthente sytë nga RKL, sepse përmes saj njoftonte gjithë të interesuarit për lloin e vet të biznesit, por edhe ngaqë shihnin tek kjo Radio një zë të paepur në interes të idealit shekullor të këtij populli, bashkimin me atdheun amë.

Me vënien në funksionim të portalit të saj elektronik, dëgjueshmëria dhe mbështetja e kësaj Radioje nuk u mjaftua vetëm brenda Kosovës. Po të shikojmë portalin e saj online, ajo përditë trasmeton dhe boton analiza, studime dhe intervista intelektualësh nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat si objektiv kanë bashkimin kombëtar, idealin për të cilin dhanë jetën mbi 2.000 dëshmorë nga radhët e UÇK-së.  Kushdo që e dëgjon Radio Kosova e Lirë, e ndjen veten jo vetëm banor të Kosovës, por edhe të Çamërisë e të Labërisë, edhe të Kolonjës e të Përmetit, edhe të Presheves e të Devollit, edhe të Matit e të Skraparit, edhe të Maqedonisë e të Malësisë së Madhe, edhe të Dibrës, Myzeqesë e të Mirëditës, edhe të Ulqinit e Gucisë, edhe të arvanitasve në Greqi dhe të arbëreshërve në Itali, dhe deri  tek shqiptarët në Ukrainë e Turqi, pa folur për faktin që e ndjekin të gjithë emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen. Më gjeni një radio apo një televizor tjetër në Kosovë që të përfshijë kulturën dhe historinë e gjithë trevave shqiptare, sikundër e gjejmë tek Radio Kosova e Lirë.

Janë të shumtë ata thesare të kulturës dhe historisë së popullit tonë të lashtë që e kanë parë dritën përmes këngëve dhe historikut të shkruar e me zë përmes valëve të kësaj Radioje e drejtuar nga i përndjekuri politik, shkrimtari, historiani, përkthyesi dhe pjesëtari i UÇK-së, Ahmet Qeriqi. Kërkimet e tij 15 vjeçare gjatë drejtimit të kësaj Radioje janë një punë e dobishme, një përpjekje e lavdërueshme që të frymëzon për të nxjerrë në dritë diçka me vlerë nga ky thesar i paçmuar i kombit tonë. Shkrimet dhe analizat e ndryshme që lexohen dhe që  botohen edhe në portalin elektronik të kësaj Radioje shërbejnë me argument për të hedhur poshtë heshtjen, mohimet, gënjeshtrat e shpifjet e shumta kundër patriotëve të vërtetë të trevave shqiptare si dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Unë e di se sa vështirësi i është dashur të kaloi  ky ekip, luftë e cila nuk njihet dhe aq shumë, vetëm sepse analistë, politikanë dhe historianë të paguar enkas, janë përpjekur dhe përpiqen ta lënë në errësirë  dhe në harresë aktivitetin dhe përpjekjet e Radio Kosova e Lirë,  vetëm e vetëm se kjo Radio ka dënuar dhe dënon politikën e multietnicitetit të Kosovës; atë të enklavizimit të saj; të mos tjetërsimit të monumenteve kulturore e fetare të këtij populli; diskreditimin e lakejve të të gjitha fushave; nënshtrimin prej robi të politikanëve dhe pushtetarëve ndaj çdo nëpunësi të huaj, kur ata bien ndesh me interesat tona kombëtare e popullore, duke mbajtur kështu kurdoherë lart e të pastër flamurin e ideve të shprehura edhe në Betimin Ushtarak të UÇK-së.  Prandaj, kemi të drejtë të themi me mburrje se RKL është i vetmi institucion që i ka mbetur besnik idealit të UÇK-së.

Duke ju uruar 15 vjetorin e RKL, më lejoni të shpreh edhe dëshirën dhe bindjen time se ju do t’i pasuroni e do t’i çoni edhe më përpara traditat më përparimtare të publicistikës dhe kulturës sonë kombëtare, duke transmetuar dhe shkruar thjeshtë, qartë e bukur, me argumentim, vërtetësi e forcë bindëse.