Ilegali i hapjes së dyerve të lirisë

Ilegali i hapjes së dyerve të lirisë

( Vështrim për librin: Ilegal viteve shtatëdhjetë, i autorit, Gani Sylaj)

Veprimtari i palodhshëm i Lëvizjes Kombëtare, që nga vitet 70 të shekullit të kaluar e deri sot, Gani Sylaj  ka nxjerrë në dritë librin me rrëfime e tregime dokumentare, titulluar: “Ilegal, viteve të shtatëdhjetë” të cilin do të përpiqem ta analizoj në disa segmente të rëndësishme, letrare, publicistike e artistike, meqë Ganiu e ka ndërmend ta vazhdojë projektin e tij edhe në zbardhjen e disa segmenteve të veprimtarisë sonë kolektive atdhetare, të së kaluarës e deri në kohën tonë.

Ilegali i viteve shtatëdhjetë, ishte prodhim i rrethanave politike, kombëtare e ideologjike të kohës

Ata që e kanë lexuar me vëmendje librin:  “Ilegal, viteve të shtatëdhjetë”,  në radhë të parë kanë vërejtur një masë të jashtëzakonshme të shprehjes së sinqeritetit të autorit në diskursin e rrëfimit dokumentar dhe në përshkrime të përditshmërisë,  por shumë të motivuar në tërësinë e një pas njëshme të rrëfimeve, që e përbëjnë këtë vepër realiste, të kuptueshme për lexuesit e çdo moshe, po ashtu edhe shumë të besueshme, sepse autori me sinqeritetin e tij nuk ka fshehur asgjë, nuk ka lënë anash veprime të caktuara, që në një kohë janë trajtuar si dobësi të rastit, nuk ka lënë anash as ndonjë veprim të ngutshëm që ka lënë edhe pasoja, me qëllim që ta shpalos realitetin deri në detaje, pavarësisht si mund të gjykojë, cilido lexues. Kjo formë e shkrimit dhe prezantimit autentik, dokumentar, deri në imtësi të përshkrimit  të realiteti, është e rrallë në krijimtarinë e të burgosurve politikë, të cilët nganjëherë të pezmatuar e të ngarkuar me dhunën e mizorinë, që është ushtruar kundër tyre nëpër burgje, kanë prirje të bëjnë edhe mistifikime, apo ndonjë teprim të  caktuar. Asnjë nga këto lëshime, teprime e mistifikime nuk vërehen në librin e veprimtarit konsekuent të Lëvizjes Kombëtare, Gani Sylaj, i cili ka një natyrë të çiltër, të pastër e shumë të sinqertë  të komunikimit, të cilën edhe si një përvojë jetësore, autentike,  e ka bartur në librin e tij.

Ilegali i viteve shtatëdhjetë, është prodhim i rrethanave politike, kombëtare e ideologjike të kohës së tij. Dikur një i ri i edukuar në frymë të pastër atdhetare, i lindur dhe i rritur në një ambient ku emri “Shqipëri” konsiderohej i shenjtë, ashtu si emri i nënës dhe ku aspirata për çlirim dhe bashkim nuk kishte ndalur kurrë, por ishin përcjellë nga brezi në brez, fillimisht nëpër oda, duke dëgjuar me vëmendje bëmat  e trimave e trimëreshave  më vonë në shkolla e fakultete, duke mësuar mësimet e historisë, jo gjithherë të mbajtura  mirë në mend, duke lexuar me vëmendje të veçantë e përkushtim shpirtëror vargjet e Naimit, Çajupit, Mjedës, Fishtës, Migjenit, e shumë të tjerëve, duke përcjellë emisionet tematike e dokumentare të Radio-Tiranës, Radio-Kukësit të Televizionit të Shqipërisë dhe tërë një aktivitet i gjithanshëm atdhetar,  që ishte vënë në lëvizje dhe në trojet e mbetura nën Jugosllavinë, kishte edhe një strumbullar, që po qëndronte vertikalisht dhe i pathyeshëm nëpër burgje sikur ishte  Bacë Adem Demaçit, vepra  dhe qëndresa e të cilit  frymëzonte brezat në rrugën e lirisë. Në të gjitha këto zhvillime, aktivitete e  veprime,  Ganiu  me bashkëveprimtarët e tij ishte objekt edhe subjekt i tërë asaj veprimtarie, që kishte për qëllim konsolidimin e idesë kombëtare për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë, si një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme.

Në një kohë të tillë, Gani Sylaj,  ishte rritur dhe ishte nisur në rrugën e tij  si vullnetar i përjetshëm i lirisë, duke zgjeruar radhët, fillimisht në dyshe e treshe, më vonë në dhjetëshe e qindëshe e pak më vonë në mijëshe e dhjetë-mijëshe, të gjitha këto sipas ligjeve të jetës, sipas dialektikës së zhvillimit të kontradiktave jo vetëm klasore.

Autori, në librin e tij, ka përshkruar nismën, treshen e parë të ilegales, fillimisht  me dy miqtë e tij, bashkëmendimtarë, Mustafë Ademin, Mehmet Hajrizin e më vonë edhe  shumë të tjerë. Ai me një përshkrim të sinqertë rrëfen sesi ishin pjekur kushtet, si rrjedhojë e rrethanave  ekzistuese në një shoqëri të caktuar, kur individi apo individët bëhen të vetëdijshëm për pozitën klasore, për padrejtësitë historike ndaj kombit, për ndarjet e përçarjet, për sunduesin dhe të sunduarin, ku bëhen të vetëdijshëm dhe pastaj  shpalosin kërkesa për liri e barazi,  gjithnjë sipas mësimeve të mendjeve të ndritura të kombit e të njerëzimit në përgjithësi.

Zëri i Shqipërisë, është zëri i së vërtetës

Rrëfimi në vetën e parë, në këtë vepër dokumentare publicistike të  autorit, Gani Sylaj zbulon më së miri preokupimet e tij, hapat e parë të hedhur në jetë, ambientin në një familje të varfër, por të pastër me ideale kombëtare,  shkollimin në kushte të rënda por me një etje të pashuar për të mësuar sa më shumë, për të zgjeruar rrethin e të njohurve, për të vepruar vullnetarisht në rrugë të zgjimit e kalitjes të idesë së emancipimit kombëtar, me qëllim për të bashkuar radhët, në rrugë drejt realizimit të aspiratave të natyrshme të çlirimit dhe bashkimit.

Duke përshkruar ndodhi e ngjarje të rëndomta të ditës, në familje, shkollë, mes shokësh e kolegësh, hetohet preokupimi i tij parësor, për të mbjellë kudo farën e lirisë, për të hapur kudo dyer e dritare komunikimi,  për të mos pushuar as edhe një çast të vetëm në atë rrugëtim, duke kalitur hovin revolucionar, gjithnjë nën ndikim të atij hovi nëpër të cilin ecte e parakalonte rinia dhe shqiptarët përgjithësisht në Shqipërinë Socialiste të kohës, e cila për Ganiun dhe për tërë gjeneratat  revolucionare të kohës  ishte alfa dhe omega, ishte ajo bota të cilën e kishim pranuar  me zemër e shpirt dhe së cilës nuk i ndaheshim, sepse ishte jona, ishte drita që na rrezatonte, na frymëzonte për ta çuar përpara idealin e lirisë e të bashkimit, që nuk ishte vetëm amanet i të parëve dhe i gjakut të derdhur rrëke për liri, por ishte edhe nevojë ekzistenciale për ta krijuar një Shqipëri të fortë e unike, meqë trojet shqiptare kishin mbetur pre e shteteve fqinje.

Kjo vetëdije e re, e cila po rritej, po kalitej  e po konsolidohej kudo ndër shqiptarët e viseve të mbetura nën Jugosllavi,  e  frymëzuar nga jeta dhe realiteti faktik në Shqipërinë socialiste kishte bërë të vetën dhe falë saj rinia e kohës së brezit të Gani Sylës, nuk kishte pse të mëdyshej si i përket rrugës  apo alternativës tjetër,  e cila buronte nga Beogradi dhe vinte me një qëndrim të hapur armiqësor kundër Shqipërisë, sepse Beogradi propagandonte se shqiptarët  i kishin realizuar të gjitha të drejtat e tyre në Kosovë e më gjerë dhe ata jetonin më mirë se shqiptarët, në Shqipëri.

Është meritë e autorit të librit, Gani Sylaj, i cili në veprën e tij i ka dhënë vendin meritor ndikimit dhe propagandës kombëtare por edhe shoqërore e ideologjike që ka ushtruar Shqipëria Socialiste e Enver Hoxhës kudo ndër shqiptarë. Pikërisht  nën ndikimin e asaj fryme të pastër kombëtare, ishte krijuar shqiptari nacionalit i kohës, i veshur me petkun ideologjik marksist-leninist, por në shpirt me brendinë dhe përmbajtjen e thellë kombëtare. Këtë ndikim dhe sjellje të regjimit të Enver Hoxhës me kohë e kishte identifikuar Jugosllavia, e cila akuzonte atë personalisht se në paraqitje dhe propagandë ishte socialist por në brendi nacionalist.

Dimensioni,  që Gani Sylaj i ka dhënë në këtë libër ndikimit që ka ushtruar Shqipëria përmes Radios, televizionit, literaturës, komunikimit përmes lidhjesh të ndryshme, kontaktit të grupeve apo individëve me zyrtarët e Tiranës nëpër ambasadat e vendeve të Evropës e Ballkanit, ku kishte kontaktuar edhe ai me disa bashkëveprimtarët  e tij,   pastaj mbrojtjes së vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, nga Tirana zyrtare, është dimension krejtësisht realist. Ata, që për një arsye apo tjetër mendojnë se ajo periudhë edhe nëse ka qenë e tillë nuk duhet të shkapuritet dhe nuk duhet të spikatët,   janë  hipokritë dhe argatë të shtrembërimit të realitetit të kohës, sepse realiteti edhe mund të paraqitet apo mund  të pretendohet të paraqitet ndryshe, duke gërmuar  ndonjë të metë, pastaj  duke e paraqitur atë si minierë të të metave e dobësive, por  realitet faktik, historik,  që ka mbretëruar në 50 vitet e regjimit socialist në Shqipëri, jo vetëm që nuk mund të mohohet, por me asgjë nuk mund të dëshmohet se paskësh qenë i dëmshëm për shqiptarët andej e këndej Shqipërisë.

Duke ilustruar këtë lidhje jo vetëm vëllazërore e shpirtërore por edhe ndërvepruese faktike e realiste, kreu i grupit apo Komiteti drejtues qysh në vitin 1978, përmes Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, i kishte drejtuar një “letër të hapur” Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Në fillim të letrës së gjatë shkruante  …Dashurinë tonë për Shqipërinë, ne komunistët e Kosovës e kemi dashuri ndaj Atdheut tonë të pandashëm, pjesë e të cilit është edhe Kosova, mbrojtjen e Shqipërisë Socialiste e konsiderojmë detyrë të lartë, nderi dhe të shenjtë. Ne do të luftojmë deri në fund për çlirimin e Kosovës dhe për mbrojtjen e Shqipërisë socialiste… (Letrën, në emër të Organizatës e kishte nënshkruar, Mehmet Hajrizi)

Duke i qëndruar  mik besnik realitetit, sidomos përshkrimit dokumentar që i ka bërë Gani Sylaj gjendjes shoqërore, politike dhe ekonomike të Kosovës e më gjerë në atë kohë, në radhë të parë del në sipërfaqe kredoja e tij  prej intelektuali dhe veprimtari të dinjitetshëm  e të guximshëm, që nuk e shtrembëron realitetin faktik, historik, me qëllim  për të nxjerrë në sipërfaqe një tjetër realitet të moderuar, tjetër fare, të adoptuar sipas rrethanave aktuale politike gjithnjë edhe ideologjike, por tani nën petkun e demokracisë dhe në esencë nën brutalitetin e borgjezisë kapitaliste, gjithnjë në kushte dhe rrethana të kamufluara.

 

Ilegal dhe legal duke hapur e zgjeruar  horizonte

I prirë gjithnjë nga duzina e fakteve, që i ka prezantuar, Gani Syla,  në librin e tij, jetën në rrethin familjar, pastaj në shkollë me nxënësit dhe kolegët, shumica syresh me ideal të njëjtë, në mesin e miqve, gjithnjë në pajtim dhe ujdi të plotë për veprim vullnetar, po ashtu gjatë  studimeve në mesin e bashkëmendimtarëve, në veprimtari të caktuar ilegale me shokët e dëshmuar të idealit, me veprime konkrete, me krijimin e grupeve që do të vepronin, dhe që kanë vepruar me sukses dhe konspiracion meritor, me hulumtimin e bashkëmendimtarëve besnikë, ai kurdoherë vërehet  në lëvizje dinamike dhe ajo që spikatet më tepër është se të gjitha lëvizjet, krejt kapitalin mendor e intelektual, krejt angazhimin në familje, në punë e aktivitete e vë në shërbim të çështjes së lirisë dhe bashkimit të kombit.

Duke lexuar veprën nuk se si të mos e shohësh Ganiun gjithnjë në rrugëtim sa në Kizharekë, në Komaran, në Prishtinë, në Gjilan, në  Shkup e në Tetovë, gjithnjë për një qëllim dhe asnjëherë me qëllim të ndonjë përfitimi për veten, familjen apo mikun. Dhe nuk ku si të mos i besosh, sepse ai shkruan dhe sjell fakte, sjellë qindra emra bashkëmendimtarësh e bashkëveprimtarësh, shumica prej të cilëve janë gjallë dhe kanë kaluar nëpër kalvarin e vuajtjeve, nëpër burgjet e Jugosllavisë e më vonë e frontet e luftës çlirimtare, një pjesë për tyre dëshmorë, martirë e heronj, pjesa tjetër ende gjallë dhe ende me të njëjtën frymë, me të njëjtin ideal deri në vdekje…

Një meritë tjetër e librit është edhe prezantimi realist i aktivitetit   atdhetar të femrës shqiptare të kohës, qoftë ajo amvise, nxënëse e shkollës së mesme, studente apo arsimtare  që nuk është sa duhet i pranishëm në veprat si kjo.

Vepra dokumentare publicistike, “Ilegal i viteve shtatëdhjetë” na rikthen në një kohë dhe hapësirë që tani i përket së kaluarës pesëdhjetëvjeçare të historisë sonë më të re  dhe e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Lëvizjen Kombëtare shqiptare, në rrugë drejt çlirimit dhe bashkimit. Pavarësisht se ato ideale ende nuk janë realizuar në tërësi, në këtë vepër është pasqyruar një realitet autentik, gjatë lindjes dhe zhvillimit dialektik të shoqërisë, një realitet  faktik i lindur në bërthama, apo në celula të veçanta, herë të varura herë të pavarura nga njëra tjetra, por të përbashkëta në qëllim.

Në këtë mënyrë, ilegalisht, Adem Demaçi me bashkëmendimtarët e tij në vitin 1963 kishte themeluar LRBSH-në, e cila për një kohë të shkurtë ishte përhapur në tëra viset shqiptare nën Jugosllavi. Në këtë mënyrë ishin themeluar edhe organizata të tjera, të shumta  atdhetare, të cilat kishin zgjeruar gamën e veprimtarisë dhe asnjëherë nuk e kishin ndërprerë aktivitetin. Pavarësisht se UDB-ja kishte arritur t’i zbulonte veprimtarët, grupet jo vetëm që nuk ndalonin aktivitetet, por forconin radhët dhe kaliteshin në veprime sa më të sofistikuara, me qëllim që të mos zbuloheshin.

Një Lëvizje revolucionare e cila kishte vepruar në një periudhë të gjatë kohore, prej vitit 1973 e deri në vitin 1981 që kishte qenë një hallkë në zinxhirin e lëvizjeve paraprake, ishte Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës, më vonë, “Grupi Marksist Leninist i Kosovës”, organizatë e  cila në këtë vepër është përshkruar me të gjitha elementet e tërësishme  të lindjes, rritjes e zgjerimit deri në etapën e kulmimit, kur në nëntor të vitit 1981 burgoset edhe kreu i këtij grupi. Deri atëherë ishin burgosur shumë pjesëtarë, po thuajse për vit nga tre e katër e ndonjëherë edhe më shumë por, falë konspiracionit, gjeturisë dhe veprimeve të matura e të përmbajtura, nuk ishte zbuluar kreu i Organizatës. Në kohën kur ajo u zbulua, pas demonstratave të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, meqë  pjesëtarët e kësaj organizate kishin marrë pjesë aktive në organizim dhe kundërvënie me të gjitha mundësitë e veprimit,  Ganiu, atëherë  kishte mbajtur dy vite burg. Më pas zbulohet veprimtaria e tij  në kuadër të GMLK-së dhe dënohet me burg unik, në verë të vitit 1982 me kreun e grupit, në krye me Hydajet Hysenin, Mehmet Hajrizin, Jakup Krasniqin, Nezir Myrtajn, Azem Sylën e shumë të tjerë.

Nga GMLK-ja dolën autoritetet më të rëndësishme të Lëvizjes së rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur

Duhet spikatur  me këtë rast se kjo organizatë, apo “Grupi Marksist Leninist i Kosovës”, ishte bërthama më e fuqishme organizative e kohës, ndërsa mbrojtja e kreut gjatë hetimeve dhe gjykimit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, kishte bërë që të akuzuarit për nacionalizëm e irredentizëm  ta akuzonin regjimin komunist jugosllav  dhe ta demonstronin me fakte historike, shoqërore e  politike të drejtën e shqiptarëve për liri, drejtësi, barazi deri në vetëvendosje.

Mbrojtja, që Grupi Marksist-Leninist i ka bërë çështjes së Kosovës gjatë gjykimit, në verë të vitit 1982, ka qenë mbrojtje, burrërore, një mbrojtje tipike revolucionare, pa lakesa e sajesa, pa shenja të pendimit, apo heqjes dorë nga kërkesat e ligjshme për Kosovën Republikë.  Pikërisht kjo mbrojte ndikoi edhe në zgjerimin e radhëve të veprimtarisë atdhetare, ndërsa  gjatë tërë viteve të 80-ta, shumica dërrmuese e organizatave kishin mbështetur platformën e GMLK-së edhe për faktin ideologjik se ajo ishte drejtpërdrejt e lidhur me  Shqipërinë, vendi i vetëm në botë që i përkrahu pa asnjë rezervë demonstratat e vitit 1981 e në vazhdim, si  dhe kërkesën e drejtë për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht në kuadër të Jugosllavisë.

Duhet pranuar edhe fakti se nga kjo organizatë dolën autoritetet më të rëndësishme të Lëvizjes së rezistencës paqësore  në vitet 90,  si Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, pastaj shumë prej tyre u rreshtuan në luftën e UÇK-së, në çlirimin e Kosovës dhe në periudhën e pas luftës e të pavarësisë së vendit.  Në kohën e luftës nga ky grup doli Komandanti i SHP të UÇK-së, Azem Syla, Zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, redaktori i Radios-Kosova e Lirë, Nezir Myrtaj, pastaj Sheqir Zeneli, Berat Luzha, Gani Sylaj, zëdhënës i UÇK-së dhe zëvendës-komandant për Zonën e Veriut, në Kukës,  e të tjerë.

Pas luftës, Jakup Krasniqi ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës në dy mandate dhe kryetari i Kosovës në detyrë, për tre muaj.

Gani Syla në mesin e këtyre veprimtarëve ka kontaktuar me shumë veprimtarë të po thuajse të gjitha organizatave të kohës prej viteve 70-të e deri në çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999. Ai kishte bashkëvepruar edhe me heronjtë: Rexhep Mala e Kadri Zeka, pastaj me  Kadri Osmanin, Hydajete Osmanin, Hilmi Ramadanin, Xhafer Shatrin e sa e sa të tjerë.

Vlerësoj në këtë libër se Gani Sylaj ka arritur të mbarështojë pjesën kryesore dhe vitale të veprimtarisë së tij, në një periudhë të gjatë kohore, mandej  komunikimin e shumanshëm me një rreth të gjerë shoqëror, duke filluar nga familja, të afërmit, miqtë, bashkëvendësit, punëtorë e fshatarë, atdhetarë të rinj e pleq, burra e gra, nxënës  e studentë, veprimtarë shumë të njohur dhe më pak të njohur si dhe shumë bashkëvuajtës shqiptarë e të tjerë,  nëpër burgjet e Jugosllavisë.

Tërësia e veprës sado që duket e shkapërderdhur, ajo del e  stisur me rrëfime të lidhura organikisht në veten e parë, pastaj  me tregime, të radhitura  mjaft mirë  në tërësinë e saj, të kumtuara e të shkruara me gjuhë të pasur, të thjeshtë dhe të kuptueshme për çdo lexues. Libri është  ilustruar edhe me foto, dokumente e faksimile ku pasurohet edhe në këtë segment tërësia e përshkrimit të ngjarjeve, në mjaft raste edhe me spontanitet, ngjarje të  papritura e të befasishme  dhe elementë të tjerë narrativë, që këtë vepër e bëjnë të veçantë dhe mjaftë të pranueshme për lexuesin…

Libri dokumentar publicistik, “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, i autorit Gani Sylaj, e  pasuron publicistikën tonë në përgjithësi,  veçmas tematikën e rezistencës dhe luftës për çlirim e bashkim kombëtar.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

Maj 2018

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …