leoni

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Edhe dy fjalë për demarkacionin

Ditë më parë. komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike e ka dërguar në kryesi të Kuvendit projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Se a do të përkrahet nga të zgjedhurit e popullit projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me shtetin fqinj, projektligj ky që për pak sa nuk shkaktoi trazira të përmasave të papara në vend në tri vitet që lamë pas, mbetet të shihet në ditët në vijim.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tashmë nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, për shëndetin e të cilit lutemi të gjithë, e mbrojti me fanatizëm marrëveshjen e nënshkruar më 2015 për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Dihet se kundërshtimet  rreth nënshkrimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirin më 2015, e cila u nënshkrua nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i asaj kohe, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, me palën malazeze që përfaqësohej nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq, ishin sporadike dhe për këtë kujtoj se pajtohemi të gjithë.

Megjithatë situata do të komplikohet disa muaj më vonë kur në tetorin e 2015-ës, tri partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NISMA ishin të vendosura për zhbërjen e marrëveshjes për kufirin me shtetin fqinj që ishte nënshkruar nga mazhoranca e që përbëhej nga Partia demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pa dashur të thellohemi shumë rreth asaj se sa ishte e drejtë kauza e partive opozitare, duhet thënë se ish-kryeministri Mustafa ishte treguar mjaft i pafuqishëm në menaxhimin e situatës së krijuar pas kundërshtisë që i bënte opozita kësaj marrëveshjeje, kur dihet se ndër mjetet e aplikuara për pengimin e ratifikimit të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe malit të Zi, në Kuvend nuk ishte kursyer as gazi lotsjellës.

Fal paaftësisë së ish-kryeministrit Mustafa, i cili u dëshmua i pafuqishëm për ta çuar më tej procesin e ratifikimit të kufirit mes dy shteteve, qytetarëve të Kosovës iu mohua liria e lëvizjes në shtetet e Bashkimit Europian. Kosova dhe qytetarët e saj i humbën tri vite rreth kësaj situate që u krijua në vend pa fajin e tyre dhe me fajin e atyre që populli i ngriti në krye të piramidës.

Gjendjen e apatisë që e krijuan të zgjedhurit e popullit e pagoi qytetari i vendit dhe jo politikanët multimilionerë të cilëve për asnjë moment nuk u mungon liria e lëvizjes në Europë, e as edhe trajtimi në qendrat më të forta të mjekësisë në mbarë botën.

Sidoqoftë tashmë Kosova dhe qytetarët e vendit gjenden në një situatë të re të krijuar pas ardhjes në krye të ekzekutivit të vendit lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Kryeministri aktual i Kosovës i cili e kundërshtoi dhe më vonë e argumentoi me fakte se Kosova po humb territor me marrëveshjen aktuale për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, ka zgjedhur që t’i jep një kahe këtij problemi që ka getoizuar qytetarët e vendit.

Kryeministri aktual i vendit vazhdon të besojë se kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën, megjithatë për dallim nga ish-kryeministri Mustafa i cili siç shprehet populli ‘as nuk ngrehej as nuk grahej’ ka proceduar në Kuvend këtë marrëveshje, dhe tashmë është në duart e ligjvënësve që t’i japin në zgjidhje kësaj problematike.

Qytetarët e Kosovës arsyeshëm ndjehen të shqetësuar për faktin se me marrëveshjen aktuale me gjasë Kosova po humb territor dhe kjo është tepër e dhembshme, megjithatë situatës së krijuar duhet dhënë një epilog. Gjendja e kësaj status quo-je të krijuar tash e sa kohë nuk i konvenon askujt e më së paku qytetarëve të vendit të cilët padrejtësisht kanë mbetur të izoluar nga ‘prostituta plakë e quajtur Europë’.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …