Interesimi për të rinjtë në nivel lokal

Kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim ismajli, ka pritur në takim z. Salih Morina, znj. Shukrie Bytyqi- anëtarë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport në kuadër të Kuvendit të Kosovës, të shoqëruar  nga  z.Shaip Goxhuli-nga Administrata e Kuvendit të Kosovës, z. Driton Selmanaj dhe z. Isuf Zejna nga “Demokracia Plus”.

Qëllimi i takimit ishte fuqizimi i zbatimit, në nivel lokal, të Ligjit për Rininë.

Salih Morina njoftoi kryetarin me aktivitetet që po ndërmerren për monitorimin e këtij Ligji duke shtuar se rinia dominon në nivel të përgjithshëm të popullatës dhe se ekziston gatishmëria e donatorëve që të përkrahet rinia në aktivitetet e saj. Ai theksoi se problemi është se nuk ka zëra buxhetorë, ekskluzivisht për rininë, në nivel lokal, derisa ka për kulturë, rini dhe sport në disa komuna.

Kryetari Ismajli, njoftoi se komuna e Shtimes ka përfshirë rininë në buxhetin e vet duke planifikuar buxhet sipas rekomandimeve dhe propozimeve që kanë dalë nga debati i mbajtur me të rinjtë e komunës. Ai potencoi se komuna ka vullnetin e mirë që ta mbështesë dhe përkrahë rininë, por si problem përmendi buxhetin e kufizuar. Nga niveli lokal kemi vështirësi në ndarjen e buxhetit dhe futjen e linjave të reja buxhetore përderisa kemi një formulë në bazë të së cilës po bëjmë përpjekje të plotësojmë nevojat me buxhetin ekzistues për aktivitetet rinore, sportive dhe kulturore, tha veç tjerash kryetari Ismajli duke shtuar se Ligji për Buxhetin ka barriera për nivelin lokal.

Znj.Shukrie Bytyqi u interesua të dijë se cila është infrastruktura për rininë dhe në çfarë niveli është ajo.

Driton Selmanaj nga “Demokracia Plus” është interesuar se a ka komuna Qendër Rinore, sa është numri i aktiviteteve dhe se a janë funksionalizuar KVRL-të.

Për pyetjet e shtruara drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatmire Ferati, bëri këtë njoftim: Kemi rritje të buxhetit për rininë nga viti 2014 dhe se këtë vit kemi arritur që të kemi një buxhet prej 92000€(50% më shumë se viteve të tjera). Qendra Rinore ka ekzistuar nga paslufta dhe tani është e licencuar. Është themeluar KVRL dhe është i përfshirë në buxhet. Kemi nxjerrë dy rregullore, të cilat kanë kaluar nëpër Kuvend. Për Palestrën sportive, ajo tha se ende nuk është në funksion të rinisë për shkak të disa problemeve të punëkryesit dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Edhe z. Selim Zeqa-zyrtar për kulturë, rini dhe sport ka theksuar se Qendra Rinore në Shtime është një nga më funksionalet dhe më të suksesshmet në Kosovë pasi që zhvillon aktivitete të shumta, që nga viti 2000.

Në vazhdim u diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me punën vullnetare të të rinjve harmonizimin e Rregulloreve dhe Udhëzimeve Administrative me Ligjet që dalin nga Kuvendi i Kosovës si dhe zbatimin e tyre në nivel lokal dhe qendror.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …