driloni com
vipa
vala – old
Fillimi / Intervista / Intervista e Adem Demaçit dhënë Radios-Evropa e Lirë

Intervista e Adem Demaçit dhënë Radios-Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Demaçi Kosova po e përmbyll këtë vit me bisedimet në nivel tjetër me Serbinë, bisedime këto për të cilat ka optimistë dhe skeptikë. Ju ku e gjeni veten, në cilën kategori përballë këtij procesi ?

ADEM DEMAÇI

Sikur të ishte vetëm një bisedim që do të bëhej ndërmjet palës serbe dhe palës kosovare do të isha skeptik, sepse serbët nuk kanë ndërmend të bëjnë ndonjë marrëveshje, ndonjë stabilizim, se nuk është qëllim i tyre të stabilizojnë, por qëllimi i tyre është të destabilizojnë. Po vetëm të luajnë një rol sikur ja, ne jemi të gatshëm por këta të Kosovës nuk po duan, që të nxjerrin mundësinë për t’u lidhur me këto strukturat evropiane, sepse gjendjen ekonomike financiare, me borxhe, me zhvillime tjera, e kanë katastrofë dhe kanë nevojë për Evropën. Prandaj kanë nevojë t’i bëjnë lajka evropës dhe t’i nënshtrohen diktatit të Evropës për bisedime.

Po nëse prapa këtyre bisedimeve qëndron Evropa, në të cilën, tash për tash, si po shihet, violina e parë është Gjermania dhe kjo me disa deklarata të fundit që i dha ambasodri gjerman në përkrahje të plotë të integritetit dhe të pavarësisë së Kosovës edhe në një mënyrë që të mos i bëhen lëshime Serbisë me kërkesa konkrete ndaj Serbisë, atëherë nuk jam skeptik, por jam realis i cili mendon se bisedimet do të bëhen, diçka Serbisë do t’i lejohet që të mos ndahet e koritur në këto bisedime. Por nuk besoj se do të veprohet në mënyrën që Kosovës t’i dilet në krah ashtu si duhet, si mendojmë ne se është e drejtë si viktimë e krejt kësaj lufte nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË

Po si mendoni të zgjidhej kjo situatë e ngrirë në veri të Kosovës?

ADEM DEMAÇI

Askush nuk po tenton që të zgjidhet mbarë, që ata që kanë ardhur të kthehen në shtëpitë  e veta, e ata që janë përzënë, të kthehen ë pasuritë dhe shtëpitë e veta, por po mundohen që kjo situatë që po i thonë francezët “fet a comple”, domethënë një akt i kryer, të bëhet një realitet dhe nga ky realitet të kërkohet një zgjidhje e cila do të ishte gjithsesi në disfavor të shqiptarëve.

Unë mendoj se nëse Evropa dot insistojë që të pranohet vetëm projekti i Ahtisaarit si bazë, përndryshe mund të them se ai projekt ka qenë masakër ndaj Kosovës, të bëhen komunat me 1000-1500 banorë, komunat me 100mijë banorë s’po mund të kalojnë si duhet e jo më komunat me 1000 e 1500  banorë, e t’i jepet e drejta Serbisë të mund të manipulojë me ata banorë, t’ua paguajë me polici, me mësues, profesorë e mjekë, nga buxheti i vet, domethënë Serbia në mënyrë legale ta krijojë rrjetin e vet të, në daç thuaj të bashkëpunëtorëve, në daç thuaj të spiunazhit, a si të duash në një territor tjetër, në një shtet tjetër i pranuar nga Evropa, apo shumica e Evropës dhe gati nga gjysma e botës si shtet i pavarur, këtë e bëri vetëm Ahtisaari, me pretekst të gjoja se këto lëshime do ta detyrojnë ose do ta bëjnë që Rusia të lëshojë pe të largohet Rezoluta 12 44 dhe Kosova të dalë si shtet i pavarur dhe të mund të pranohet në Kombet e Bashkuara dhe të zhvillohen gjërat ashtu si e do rregulli i kombeve të bashkuara.

Kjo nuk ndodhi, me fjalë tjera shqiptarët edhe këtu u mashtruan, dhe në këtë situatë kanë ardhur në një rrugë shumë të vështirë të cilën mund ta çajë vetëm në qoftë se Evropa tregohet e vendosur dhe insiston edhe një herë fuqishëm që plani Ahtisaari të jetë bazë për gjetjen e një marrëveshjeje  e cila do t’i kënaqte të dy palët, meqë shqiptarët e pranuan.

Ne faktikisht atë marrëveshje e bëmë me Evropën, nuk e bëmë me Serbinë fare, Serbia dihet se nuk e pati pranuar planin e Ahtisarit, dhe në këtë mënyrë besoj duke futur  aneksa që kanë të bëjnë me situatën dhe gjendjen e shqiptarëve që gjenden në Luginën e Preshevës duke kërkuar të njëjtat të drejta që u garantohen me Kushtetutën e Kosovës serbëve këtu, t’u garantohen të drejtat edhe shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË

Flitet gjithnjë për integrime evropiane, dhe përmbushjen e detyrave që Kosova duhet t’i bëjë në këtë rrugë. Kritikët thonë se me gjithë sukseset potenciale, rruga drejt BE-së, është e kushtëzuar thënë kushtimisht me rrugën që Serbia ndjek. Do të pajtoheshit?

ADEM DEMAÇI

Besoj që është kjo e vetmja mënyrë që Serbia të disiplinohet dhe ta kuptojë se ka ndodhur diçka që nuk ka kthim, dhe Serbia ta kuptojë që manovrimet e tyre për t’u kthyer në pikën zero e për t’i lënë krejt këto çka janë arritur deri sot, ta kuptojë që ajo punë nuk bëhet dhe këtu janë ato fjalët e palës gjermane që thotë se rrota e historisë nuk kthehet prapa.

Edhe ambasadorja gjermane thotë gjithashtu se platforma serbe është një masakër e re që tentojnë ta bëjnë në Kosovë, është vetëm një copë letre, më jep shpresë që bota e ka kuptuar se kush është Serbia dhe çka është Serbia, pavarësisht se unë s’dua të identifikoj, Kur them Serbia mendoj për këtë Qeverinë e Serbisë, dhe ata që janë në pushtet, e jo për popullin e gjerë serb, i cili nuk është në dijeni fare se çfarë po ndodh dhe ende s’e di se çka ka ndodhur me të vërtetë , si është bërë dhe pse është bërë kjo luftë si dhe kush e ka shkaktuar atë, unë mendoj se kjo do të ishte rrugëdalja nga kjo situatë.

RADIO EVROPA E LIRË

Shqiptarët në vitin 2012 shënuan 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë manifestimeve të ndryshme është përmendur shuam çështja e bashkimit kombëtar. Si e shihni ju këtë çështje?

ADEM DEMAÇI

E shoh si një proces i ligjeve të jetës, i cili gjërat i çon përpara. Bashkimin e shqiptarëve nuk mund ta ndalë asnjë forcë. Bashkimi i shqiptarët do të dështonte vetëm sikur shtet të cilat e copëtuan korpusin, trupin dhe territorin dhe kombin shqiptar, sikur të mbërrinin t’i eliminonin shqiptarët, atë nuk arritën ta eliminonin pavarësisht që kanë pasur deri diku sukses në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve dhe vetë qëndresa e shqiptarëve mbijetesa e shqiptarëve, është faktori kryesor i cili me kalimin e  kohës do t’i çojë në bashkimin kombëtar, po me anë të futjes në Bashkimin Evropian ku do të krijohet klima që ata të bashkohen pa e e lënduar askënd, pa e shkelur askënd, dhe pa mundësinë që dikush ta pengojë një gjë të tillë sepse të gjithë do të jemi brenda BE-së, nën kulmin evropian dhe si të tillë shqiptarët s’do t’i ndalojë askush që shqiptarët të qarkullojnë lirisht, të punojnë lirisht, të krijojnë ide, të marrin kredi, të keni bashkëpunim edhe me njëri-tjetrin , po edhe nga bota tjetër që dëshiron të na ndihmojë.

Unë mendoj se bashkimin kombëtar ne duhet ta kuptojmë pak më ndryshe në këto rrethana dhe në këtë hapësirë dhe kohë, në të cilën gjendemi. Nuk është fjala ta thyejmë lëvozhgën e vesë, fjala është që atë të verdhë të vezës që gjendet brenda lëvozhge ta shndërrojmë në zog të gjallë. Në momentin kur ai zog merr shpirt, ai do ta shohë veten se është i kufizuar se është i burgosur dhe ai me sqepin e  do të veprojë dhe do ta thyejë atë lëvozhgë dhe del zogu i cili është tri herë më i madh sesa kur ishte ve dhe kur ishte brenda lëvozhgës.

Këtë mënyrë duhet ta përdorin shqiptarët, pra të veprojnë ngadalë dhe në mënyrë sistematike, pa folur e bërtitur dhe munduar ta bëjnë veten patriot duke bërtitur se duam bashkimin kombëtar etj., po duke qenë të bindur dhe duke drejtuar popullin e vet që së pari të bëhet bashkimi në Kosovë si duhet, në Shqipëri ashtu si duhet dhe në të gjitha njësitë tjera në të gjitha krahinat e tjera të bëhet bashkimi i krejt atyre dhe madje është pozitive brenda kombit tonë dhe kriter i ndërtimit dhe përparimit tonë të jetë interesi kombëtar, atëherë do të arrihet ajo çka po duan disa e s’po ju pritet. Nuk dua t’ju them që janë të paditur, por që s’po iu pritet, që po nguten ta bëjnë bashkimin duke thyer lëvozhgën. Po e theve lëvozhgën e lë të verdhën të zbrazët, ai më nuk mund të ngrohet, po mund veç ta hash, po të bëhet zog ai nuk bëhet.

Kontrolloni gjithashtu

Intervistë me Lirie Behën, motrën e dëshmorit të kombit, Milaim Mehdi Beha

Intervistë me Lirie Behën, motrën e dëshmorit të kombit, Milaim Mehdi Beha

RKL: Lirie, Ju jeni motra e dëshmorit të kombit, Milaim Mehdi Beha, si e kujtoni, ...