Isa Sabit Kastrati (9.4.1947 – 21.4.1999)

Isa Sabit Kastrati (9.4.1947 – 21.4.1999)

Ndër luftëtarët e përkushtuar të çështjes kombëtare, që me fanatizëm ndoqën traditën e luftës për çlirim deri në rënie, është edhe Isa Kastrati. Duke qenë bir i një familjeje të malësisë së Gollakut, e njohur për edukatë atdhetare dhe për frymë rezistence kundër pushtuesit, ai, që nga ditët e hershme të pjekurisë së tij fizike e intelektuale bëri të vetat tiparet e malësorit trim, besnik, sakrifikues e krenar, që me ndjenjë të lartë vetëbesimi din ta mbrojë dinjitetin personal dhe atë shoqëror. Tiparet e tilla bënë që Isai të brumosej edhe me idealet e luftës për liri kombëtare e drejtësi shoqërore.

Isa Kastrati ka lindur në fshatin Hogosht të komunës së Dardanës (ish- Kamenicë). Në vendlindje kreu shkollën fillore, kurse shkollimin e mesëm e mbaroi në Gjilan. Nëna, Nailja, Isanë nuk e kishte privilegjuar nga fëmijët e saj të tjerë, por tek ai kishte diçka të veçantë. Atë qysh si nxënës, përveç inteligjencës së mprehtë, e dallonte edhe temperamenti i një të riu të zhdërvjellët e plot iniciativë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, regjistroi studimet në degën e matematikës, e cila atëbotë ishte në kuadrin e Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Krahas studimit të matematikës, vijoi studimet edhe në gjuhën ruse, ku po ashtu u dallua si student i përkushtuar. Në këtë kohë, Isai tashmë kishte krijuar personalitetin e vet dhe mendjen e ndërgjegjen e tij e preokuponin edhe çështje madhore, siç ishte aspirata shekullore e popullit shqiptar për liri. Prandaj, nuk ishte e rastit që, krahas shumë shokëve të veprimit, ai në vitin 1968 të bëhej edhe pjesë e ngjarjeve të mëdha që po zienin në vorbullën politike të Kosovës. Për shkak të pjesëmarrjes në organizimin e demonstratave shqiptare për barazi kombëtare, në vjeshtën e vitit 1968, pas këtyre ngjarjeve Isai u dënua me 2 muaj burg. Në këtë vit filloi edhe maratona e tij e lavdishme, në rrugën e luftës së organizuar për liri, e cila do të zgjatet e do të zgjatet deri përtej fundit të ferrit të robërisë e do të gjarpërojë gjithandej gjeografisë së shkelur të atdheut, deri në Bullaj të Vitisë së Marecit, në lartësitë e Gollakut. Kjo rrugë nuk u ndërpre as në Bullaj, por aty ishte transcedenca e shpirtit të Isait. Aty, më 21 prill të vitit 1999, ai hyri në përjetësi, me kurorën e lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ballë.

Dëshmori Isa Kastrati, në historinë e shqiptarëve të burgosur për liri kombëtare, ka mbetur ndër figurat më emblematike. Ai u arrestua dhe u dënua shumë herë nga pushtuesi. Në vitin 1975, në radhët e shumë atdhetarëve revolucionarë, veprimtaria e të cilëve ishte zhvilluar më kuadrin e organizatës atdhetare të udhëhequr nga Adem Demaçi, u arrestua edhe Isai. Për veprimtari kundër shtetit okupues jugosllav, atij iu shqiptuan 6 vjet, por u dënua me 11 vjet burg. Duke pasur shpirt kryengritës e të papërmbajtur me urrejtje kundër shtypjes e padrejtësisë, Isai, së shpejti ra në sy të organeve të burgut, kudo që u transferua. Shpërthimin e vullkanit të tij të brendshëm, nuk mund ta parandalonin dot as prangat dhe as drynat. Prandaj, kundër organeve të burgut e të pushtetit, ai kudo organizoi grevë urie, protesta, madje edhe rebelim fizik. Kjo ishte arsyeja që ai, për ndëshkim, u dërgua nga burgu në burg, duke filluar nga ai i Prishtinës e i Pejës, e deri tek ata në Mitrovicë të Sremit, në Beograd, në Nish e në Spuzh të Malit të Zi. Në burgun e Mitrovicës së Sremit, në Vojvodinë, Isai, së bashku me të burgosurit e tjerë politikë shqiptarë, organizoi grevë urie. Në burgun e Spuzhit, në vitin 1982, ai organizoi një aksion kryengritës kundër organeve të burgut, me ç’rast u plagos me armë zjarri, kurse pastaj, nën akuzën se kishte shkaktuar trazirë, edhe u dënua me 3 vjet të tjera burg.

Në korrik të vitit 1983, Isai duhej të lirohej nga burgjet jugosllave, mirëpo ditën kur duhet të lirohej, më 17 korrik, atij iu zgjat edhe për 2, me akuzën se kishte shkruar ditar personal.

Pas daljes nga burgu, Isa Kastrati regjistroi studimet e pasuniversitare, në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Mirëpo, sapo organet e Universitetit i bien në gjurmë figurës së tij, ai detyrohet t’i ndërpresë studimet. Ndërkohë, futet në procesin e mësimdhënies në disa prej shkollave të mesme të Prishtinës, ku ligjëroi lëndën e matematikës. Profesionin e mësimdhënësit, Isai e kishte ushtruar edhe sapo i kishte mbaruar studimet në gjuhën ruse shumë kohë para afatit. Deri në arrestimin e tij, në verë të vitit 1975, ai kishte dhënë mësim në Hogosht, në Dardanë e në Ferizaj.

Edhe pas daljes nga burgu, Isa Kastrati nuk reshti së preokupuari për asnjë çast për çështjen e Kosovës së robëruar. Në çdo ambient të përshtatshëm ai propagandonte idenë e luftës për çlirim, duke edukuar dhe ndërgjegjësuar sidomos masat e gjera. Tashmë ai po jetonte në Prishtinë, së bashku me bashkëshorten, Teviden. Themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në dhjetor të vitit 1989, ai e konsideroi si një rast të përshtatshëm për të vazhduar veprimtarinë kombëtare në mënyrë publike, prandaj u anëtarësua në të. Një kohë të caktuar, udhëhoqi degën e tretë të LDK-së, të Kodrës së Diellit, në Prishtinë. Në kuadrin e kësaj partie veproi derisa ishte bindur se ajo, nga një politikë pacifiste, kishte degjeneruar në një politikë të hapët antikombëtare. Prandaj, në kuvendin e tretë, në fillim të vitit 1998, ai tërhiqet përfundimisht nga LDK-ja, ndërkohë që më parë kishte aderuar në radhët e LKÇK-së dhe të formacioneve të gueriles BIA, që vepronte në Prishtinë.

Pas shpërthimit të luftës së armatosur në Drenicë, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Isa Kastrati shton angazhimin e tij në drejtim të dinamizmit të opinionit kombëtar në Prishtinë, në përkrahje të Drenicës e të UÇK-së. Për këtë qëllim, ai u vu në krye të këshillit organizativ, i cili tubonte përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike të Prishtinës të asaj kohe, për organizimin e manifestimeve masive të mbajtura në Prishtinë, në fillim të marsit të vitit 1998, pas masakrave serbe në Çirez e Likoshan.

Ndërkohë, Isai u angazhua edhe në Këshillin e Emergjencës, i cili u themelua në fillim të vitit 1998, me qëllim të sigurimit të ndihmave për popullatën e zonave të përfshira në luftë. Për shkak të aktivitetit të tij të dalluar, në verën e vitit 1998, ai u arrestua nga shërbimi serb i sigurimit dhe u mbajt 30 ditë në arrest.

Përkrahjen e parezervë ndaj luftës çlirimtare dhe ndaj UÇK-së, dëshmori Isa Kastrati e dëshmoi edhe me angazhimin e tij të pakursyeshëm për t’ia lehtësuar vuajtjet asaj pjese të popullatës nga Drenica, e cila, pas ofensivave të ashpra, që pushtuesi serb kishte ndërmarrë në verë dhe në vjeshtë të vitit 1998, ishte shpërngulur në Prishtinë. Ai u kishte siguruar strehë shumë familjeve nga Drenica. Pas rënies së mjekut-dëshmor, Lec Gradica, në shtator të vitit 1998, në shtëpinë e vet kishte strehuar familjen e këtij dëshmori, duke i dalë asaj në ndihmë në të gjitha nevojat.

Pas një aktiviteti to dendur në Prishtinë, Isa Kastrati krijon lidhjen me brigadën 151 ‘’Zahir Pajaziti’’ të Zonës Operative të Llapit dhe angazhohet në kuadrin e kësaj brigade, në detyrën ushtarake të komandantit për moral e politikë. Në mars të vitit 1999, pasi më parë ishte kthyer sërish në gjirin e gueriles BIA në Prishtinë, ai aktivizohet në brigadën 153 ‘’Hyzri Talla’’, me komandë në Zllash. Në radhët e kësaj brigade, Isai ishte edhe më 18 prill të vitit 1999, kur në zonën e veprimit të saj, trupat pushtuese ndërmorën ofensivë të egër. Operacionet e sulmit, pushtuesi i kishte harmonizuar edhe me kushtet e rënda atmosferike që po mbretëronin ato ditë në malësinë Marecit të Gollakut. Sulmi i armikut ishte i ashpër dhe i pandërprerë. Njësitet e UÇK-së bënë një rezistencë të fuqishme për të pamundësuar trupat serbe të depërtonin në pozicionet e tyre dhe te popullata civile. Pjesë e kësaj rezistence ishte edhe arma  e dëshmorit Isa Kastrati. Pas tri ditë luftimesh, më 21 prill, me urdhrin e shtabit të Brigadës, ai ngarkohet me detyrën për bartjen për në një vend të caktuar të Zonës Operative të Llapit, dy pjesëtarë të UÇK-së, të plagosur një ditë më parë, Afrim Vitia e Sokol Sopi. Në rrugë e sipër pas nisjes, në lagjen Bullaj të fshatit Viti e Marecit, automjeti i tipit ‘’xhip’’, që po e ngiste Isai, e shmang drejtimin e duhur të rrugës dhe pak çaste më vonë futet në pozicionet e forcave serbe. Çlirimtarët vërejnë se për ta kishte arritur momenti i luftës dhe i qëndresës finale. Prandaj, aty kishte filluar një betejë e vërtetë, midis tre çlirimtarëve  dhe dhjetëra pushtuesve. Beteja zhvillohet në afërsi të madhe. Isai, Sokoli e Afrimi,  zbrazin tërë municionin dhe hedhin bombat e fundit mbi armikun, por nuk arrijnë ta çajnë rrethimin më tutje se disa dhjetëra metra larg vendit të sulmit, përtej lumthit. Aty, krah për krah, bien tre trimat me uniformën e UÇK-së, duke tmerruar pushtuesin, me qëndresën dhe heroizmin e tyre. Tri ditë më vonë, trupat e dëshmorëve varrosen pranë shkollës së fshatit viti, nga Ramë Mareci dhe bashkëfshatarët e tij.

Më 2 dhjetor të vitit 1999, trupi i dëshmorit Isa Kastrati u rivarros me nderime të larta ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Prishtinës. Vepra dhe heroizmi i këtij dëshmori janë përjetësuar në shkrime të shumta librash e gazetash, ndërsa kujtimi për të është bërë pjesë e ndritshme e kujtesës së historisë sonë kombëtare. Sot, emrin e dëshmorit Isa Kastrati e mban një rrugë e qytetit të Prishtinës, por gjakun e tij të zjarrtë, për vulë do ta ketë liria e Kosovës. Këtë liri do ta gëzojnë të ndershëm e krenarë edhe fëmijët e dëshmorit, Isa Kastrati: Qëndrimi, Fidani, Gëzoni, Agoni, Krijona dhe Festona.

Në katërvjetorin e rënies, në vendin përballë Varrezave të Dëshmorëve në Prishtinë, është ngritur shtatorja e dëshmorit Isa Kastrati.

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …