leoni

Ismet Azizi

Ismet Azizi: Arnautllëku i Dimitrije Rakiqit

Toplicën, Pusta Rekën, Gollakun dhe Jabllanicën e atëhershme, të sapo okupuar nga ushtria serbe, Dimitrije”Mita” Rakiqi quajti Arnautllëk (Shqipëri).  Me hyrjen e  trupave serbe në këto treva , Arnautllakën, e emërtoi me emër të ri, Serbia e Re.

Me përfundimin e luftës ruso-turke 1876-1878, gjegjësisht me dëbimin e shqiptarëve nga Toplica e Jabllanica dhe nga viset e tjera të trevave të banuara me shqiptarë, kryeshefi i repartit operativ pranë komandës qendrore të ushtrisë serbe, gjenerali Kosta Protiq – shtabi i të cilit ishte në Nish – i mori disa hapa me qëllim të njohjes, gjegjësisht hulumtimit sa më të mirë të trevave, sipas tij të “çliruara” nga Perandoria Osmane. Ndërkohë, ai i caktoi disa personalitete për të hulumtuar gjendjen agrare-juridike, atë monumentale të arkitekturës, shëndetësisë, arsimit dhe çështjeve tjera. Gjenerali Protiq e caktoi edhe Mita Rakiqin të hulumtonte gjendjen e përmendoreve të letërsisë së vjetër serbe dhe për këtë të përpilojë raporte zyrtare. Për këtë detyrë, ai ishte shumë i përshtatshëm.

Dimitrije“Mita” Rakiq jetoi shkurt, por, megjithatë arriti që në disa vazhdime të shkruajë veprën “Putovanje po novoj Srbiji” (Udhëtimi nëpër Serbinë e Re) gjatë viteve 1878-`80.

Në vazhdim po japim vetëm disa pjesë, ku ai përmend shqiptarët si popullatë shumicë, e cila ka populluar viset e Toplicës, Gollakut, Pusta Rekës dhe Jabllanicës.

Për Kurshumlinë, si vendbanim shqiptarësh, ai thotë se ky vend”ka qenë çerdhe shqiptare, në të cilën ka jetuar dhe sunduar vetë shqiptari i pastër. Këtu kanë jetuar më të tmerrshmit, thënë të drejtën, të pavarurit”, ka thënë ai.

Pas “humbjes” më saktësisht, pasi Llapi kishte mbetur, në anën tjetër të kufirit,nën Vilajetin e Kosovës, Rakiq shprehet:

“Kam dhimbje për të, më duket se gjysma e zemrës më është shkulur. Aq shumë e dua dhe e çmoj, sa për të do ta jepja tërë Gollakun dhe tërë Arnautllakun tonë. Më duket se kisha dashur që mos ta kisha parë kurrë. Sa keq më vjen për Llapin, nuk mundem ta harroj atë dhimbje!”

Rakiq kishte vazhduar rrugën për t`u njoftuar me vendbanimet, sipas tij, të Arnautllakut, duke i përshkruar në detaje:

”Rruga nga Prokupla për Pusta Rekë dhe Leskoc shkon përgjatë lumit të Toplicës, në anën e majtë të tij, përgjatë malit Rastovnik, i cili shtrihet në anën e djathtë”.

Gjatë rrugës, kishte hasur në një shkëmb të quajtur “Shkëmbi i Markut”, për të cilin thotë se “nga secili mora të njëjtën përgjigje”: “Kush e di?”. Gjatë rrugës kishte hasur në fshatin e parë Gajkuq, tashmë i zbrazët, i cili kishte qenë i banuar krejtësisht me shqiptarë. Vllahova,po ashtu i banuar me shqiptarë dhe Reqica, sipas tij, një fshat serb. Në vazhdim të rrugëtimit të tij, ai përmend një çukë ( bregore), e cila quhet  “Çuka e Glatnicës”, për të cilën pak dihet, se e kujt është dhe për  vjetërsinë e saj.  Dihet, sikurse edhe për tërë këtë trevë se është “starovremska”, pra e kohës së vjetër dhe “latinska” çka do të thotë se është e kohës latine. Pasi kalohet, Reçica vjen fshati Zhitogragjë (në hartën e atëhershme Ziloro), për të cilin vendbanim thotë se ka një kishë, pa ndonjë vlerë, shkruan Rakiq. Por, vlen të theksohet se ai për këtë vendbanim dhe për shumë vendbanime tjera nuk tregon se kujt i ka takuar, serbëve apo shqiptarëve.  Në vazhdim, ai përmend  fshatrat e zbrazëta, të cilat më parë ishin të banuara me shqiptarë, siç ishin: Kutlleshi, Drenovci,Pukovci, Brestovci, Brijani, Stublla, Bellanoci, Kacabashi, Bojniku etjera. Për Zhitnipotokun, Rakiq thotë:

“Ishte pa mëdyshje, fshati më i madh dhe më i bukur shqiptar. Të gjitha shtëpitë ishin të bukura, të gëlqerosura dhe të mbuluara me qeremide- ky është rasti i vetëm në tërë Arnautllakun tonë; tërë fshati është i djegur përveç dy-tri shtëpive”.

Rakiq kishte vështirësi të udhëtonte nëpër këto treva, sepse ishte për herë të parë në një vend krejt të panjohur për të cilën gjë shkruan:

 ‘Nuk munda ta vazhdoj rrugën tutje, sepse paraprakisht ishte krejt  pa njerëz  dhe askush nuk di të tregoj rrugën kah duhet shkuar. Posaçërisht, më ka mbetur djegë në zemër që nuk mund ta shoh fshatin Kozmaç. Ai shtrihet në malet e Sokollovicës, i tëri i banuar me shqiptarë, tashmë i zbrazët’.

Rrugëtimi i Rakiqit vazhdoi nëpër  vendbanimet shqiptare,  duke i përshkruar:

“Ditën e nesërme  jam nisur për Petrova Gorë, fshati i parë, Turjani, krejt i zbrazur i cili ishte i banuar  me shqiptarë , sikurse të gjitha vendbanimet e tjera, që nga Bojniku. Nga aty ndodhet Llozana, në të cilin janë tri shtëpi shqiptare, mandej Orana, në të majtë Bujarova, mandej Ivanja, të gjitha të boshatisura dhe të djegura”.

Gjatë këtij rrugëtimi, Rakiq kishte një përcjellës shqiptar,  siç e quan ai Zenil ( sigurisht se quhej Zenel), për të cilin thotë se ai nuk dinte t`i tregonte për  kishat, të cilat ai më së shumti i hulumtonte. Në Mojkovc kishin gjetur dy shtëpi shqiptare dhe një serbe, shtëpitë tjera ishin të boshatisura dhe në të ishte një dervish i moshës 80 vjeçare, i cili ishte  në gjendje të vështirë shëndetësore. Për çudi djali i tij me nusen e ushqenin dhe  kujdeseshin për të, që për Rakiqin ishte një rast i rrallë. Dervishi edhe në këtë gjendje i shërbente popullit të tij,  për ta shëruar nga sëmundjet e ndryshme. Nga Mojkovci, pak në të djathtë, jo më shumë se një çerek ore  gjendet Obrazhda e boshatisur, si të gjitha fshatrat tjera, për habi ara të tëra të mbjellura me drithëra.

Edhe për Burincën të njëjtat fjalë: e boshatisur, e djegur, si gjithë fshatrat tjera. Nga ky fshat, shkruan  Rakiq: ” u ngritëm lart në Sh.Petri, morëm një pamje të shkëlqyeshme të sistemeve malore të “Serbisë së Re” (kështu e quan ai Arnautllakun) Kopaonikun, Xhakën,  Hërticën, Mërkonjin, Gollakun, Guribabën, Crnivërh,  Suva Pllaninën.

Nga Sh.Petri, shkruan Rakiq, lëshohemi në fshatin Slushanë, i cili ishte fshat i madh, i bukur, i pasur dhe u takonte shqiptarëve, por tash është i zbrazët dhe i djegur. Fshati ka pasur edhe Xhaminë, në të cilën, gjatë luftës ishte spital, ndërsa në fshat ishte kryeshef sanitar i korit të Timokut. Nga një turk, në fshatin Byqmet kam dëgjuar disa herë të thonë Shlishanë, e jo Slishanë, si thonë serbët.

Në juglindje të Bojnikut, pas gjysmë ore ecje ka qenë fshati shqiptar i quajtur Mrvesh, nëpër të cilin rrjedh lumi Gjacë.

Për ndarjen e parë administrative, rrethi i Pusta Rekës ka qenë pjesë përbërëse e  rrethit të Leskocit, i cili i ka pasur edhe dy rrethe: Veternicën dhe Vllasinën.

Për Pusta Rekën thot se i ka pasur 112 fshatra, të përfshira në 5 komuna. “Për kuriozitet se janë dy fshatra, për të cilat  pushteti nuk ka informacion se si emërtoheshin. Nuk kam informacion se a janë përfshirë edhe këto dy fshatra në këtë numër. Nuk është për t`u habitur: këto dy fshatra janë fshatra shqiptare, për të cilat serbët kurrë nuk kanë ditur gjë, ndërsa tash nuk ka shqiptarë në këto fshatra  dhe kështu, askush nuk mundta dijë se si janë quajtur këto dy fshatra”, shkruan Rakiq.

Rakiq jep disa të dhëna për Pusta Rekën dhe vë në dyshim dhe shprehë habinë për emrin e këtij vendbanimi; “Sipas regjistrimit gjatë kohës së Komandës së lartë, në Pusta Rekëkanë qenë 1539 shtëpi shqiptarë, 638 serbë  dhe 60 romë, porkur unë kam kaluar nëpër to, kanë ekzistuar vetëm ato serbe dhe rome, pra në Pusta Rekë kanë qenë vetëm 698 shtëpi”. Mandej ; “Nuk di pse kjo trevë quhet Pusta Reka (Lumi i zbrazët) kur nuk ishte i zbrazët, as me bereqet, as me popullsi: në të kundërtën, i banuar në mënyrë tëdendurdhe me drithëra që e bëjnë trevë të e pasur. Por, nëse më parë  nga padrejtësia është quajtur ashtu, tash edhe për nga drejtësia, edhe për nga vërtetësia  Pusta Reka, ashtu e zbrazët, sado që duhet shumë vjet derisa të mos mbetet e zbrazët dhe të popullohet;mund të mendohet që edhe Gollaku i tërë të popullohet.

Në vazhdim Rakiq jep detale për objektet e banimit: “Në Toplicë, Llap dhe Pusta Rekë shtëpitë janë të ndërtuara me çatmë, në Gollak me dërrasa, ndërsa ato të serbëve janë kasolla të mbuluara me kashtë. Shqiptari është korpulent, i fortë dhe i racës së bukur. Ai është edhe më i pastër, po ashtu sikurse gruaja dhe fëmijët e tij. Gjithherë, rrobat i ka të pastërta dhe peshqirin e pastër rreth kokës’.

Rakiq, pa i kursyer serbet dhe pa ngurrim, përshkruan karakterin e shqiptarëve: “Ai (shqiptari) është mikpritës: në rrugë nëpër këto treva, vetëm shtëpitë e shqiptarëve i hapnin dyert për mua dhe më ofronin bukë, djathë dhe cicvara (ushqim i përgatitur me qumësht, djathë dhe miell), me atë që kishin. Në të kundërtën, në Prekopelicë (fshat i madh serb në Pusta Rekë), ku kisha rënë për tokë nga uria dhe lodhja, nuk kam mundur as në shtëpinë e kryeplakut, madje me pagesë, e lëre më pa pagesë, të marrë  një copë bukë dhe djathë. Kjomë ka ndodhur edhe në Bojnik”.

Më tej, autori bënë krahasimin në mes shqiptarëve dhe serbëve për nga pamja; ”Por, arsyeja  pse shqiptari është pa asnjë mëdyshje më shtatlartë, jo vetëm nga serbët  në Serbinë e re (Arnautllak), por edhe nga ne, në Serbinë e vjetër, ështëpërshkak se ai kurrë nuk ka pi verë e as raki. Të rrallë janë ata, të cilët ngrehin ndonjë kafe. Ndërsa, besën e shqiptarit as që duhet përmendur”.

Duke folur për traditat, Rakiq ka shtuar:

“Është me rëndësi se shqiptarët janë të vetmit që kanë traditën e së kaluarës së këtyre vendeve, për kishat dhe muret e vjetra. Ata i dinë të gjitha rrugët, të gjitha kodrat  e malet afër tyre, madje edhe ato që cilat janë edhe larg vendbanimeve të tyre. Serbët dinë vetëm për  trevën e afërt të tyre, shpesh nuk dinë gjë as për rrethinën e tyre. Hanxhiu në Podujevë jeton njëzet vjet në Llap, nuk din si quhet asnjë majë malore, të cilat i shikon për çdo ditë rreth e përqark Llapit. Me shkuarjen e shqiptarëve nga këto treva,  ne jemi privuar  nga njohuritë aq të çmueshme për këto vende”.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …