leoni

Ismet Azizi: Serbizimi në trojet shqiptare, përmes “hoxhallarëve” serbë e rusë

Ismet Azizi: Serbizimi në trojet shqiptare, përmes “hoxhallarëve” serbë e rusë

Si erdhi deri te hapja e shkollës serbe, në të cilën emri “Medrese” në mënyrë më djallëzore përdoret për mashtrimin e popujve joserbë, mbi të gjitha shqiptarëve jashtë Kosovës së sotme?

Kur në vitin 1912, Serbia e okupoi Kosovën dhe Sanxhakun, autoritetet e atëhershme serbe morën qëndrim se shkollimi i popujve, jo serbë, është në kundërshtim me interesat e politikës shtetërore serbe. Derisa ne aspektin politik dhe edukativ te jene në nivelin që ishin, lehtë mund të manipulohet me ta.

Tendenca serbe që popujt e shtypur të mbahen sa më gjatë në nivel të ulët të arsimit, është aplikuar ndaj shqiptarëve si model i “suksesshëm”. Ky model është zbatuar për popullatën e Sanxhakut (boshnjakët e sotshëm).

Rreth vitit 1920, struktura qeverisëse serbe erdhi në përfundim se një politikë e tillë nuk e siguron stabilitetin e regjimit shtetëror, por i thellon konfliktet në mes të shqiptarëve, sanxhaklinjëve (boshnjakëve të sotëm) dhe turqve të nënshtruar në njërën anë, dhe serbëve në pushtet. Pastaj, sundimtarët serbë kuptojnë se një situatë e tillë bie në kundërshtim me mendimin kombëtar serb i cili ishte i bazuar në faktin se serbizimi i boshnjakëve, sidomos i sanxhaklinjëve, më shpejtë arrihet nëpërmjet shkollimit.

Gjeografi dhe etnografi serb, Jovan Cvijiq, ka publikuar studime dhe libra të shumtë për të shpjeguar se si duhet ‘t’i konvertojmë të tjerët në serbë. Jefto Dedijer, pasuesi i Cvijiqit (babai i biografit të Titos, Vladimiririt dhe Stevanit), më pas botoi librin “Serbia e re” ku flitet për shqiptarët, boshnjakët, turqit etj. Autori thotë: “Ne këta do t’i shndërrojmë në serbë, por jo me ‘qytek’, por nëpërmjet shkollimit dhe me mjete të tjera”.

Qeveria e Mbretërisë Jugosllave, Shkupin e kishte shpallur qendër të “trevave jugore serbe” ose në “Banovinës së Vardarit” në kuptimin administrativ. Prandaj, këtu ishin vendosur një numër i madh i institucioneve civile e ushtarake jugosllave, siç ishin: udhëheqja e Banovinës në krye me Banin, Qendra për Realizimin e Reformës Agrare, ministritë rajonale, si ajo e Arsimit, e Fesë, e Drejtësisë, Policisë, Bujqësisë, si dhe Komanda e Tretë e Armatës.

Në këtë kohë, në regjimin serb mbizotëronte pikëpamja se ka nevojë për të gjetur forma të reja për t’i përfituar folësit sllavë, në mënyrë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkolla, në të cilat, besimtarët myslimanë të Sanxhakut dhe ata të Kosovës, nuk kishin besim. Për këtë arsye, me propozimin e Ministrisë serbe të Fesë, me dekretin mbretëror të 24 prillit të viti 1924, formohet Shkolla e Mesme Speciale e cila iu dedikohej boshnjakëve, shqiptarëve dhe turqve. Në mënyrë që shkolla të pranohet më mirë, ishte emëruar “Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandër I”, e cila hapet në Shkup në vitin 1925.

Bashkësia Fetare Islame në Mbretërinë e SKS (Serbe-Kroate-Sllovene), përkatësisht Ulema Mexhlisi i Shkupit, i cili përfshinte tërë viset shqiptare në Jugosllavi, pati një rol të rëndësishëm në organizimin e popullsisë myslimane. Nisur nga ky fakt, pushteti i atëhershëm jugosllav te kjo organizatë shihte një “alet” (vegël) të fuqishme për realizimin e planeve të veta të errëta, siç ishin: asimilimi i popullsisë myslimane, veçanërisht të asaj shqiptare e turke; dëbimi i dhunshëm i kësaj popullsie për në Turqi dhe kolonizimi i këtyre viseve me kolonë sllavë.

Për këtë qëllim, zyrtarët e Beogradit, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ndërhynë brutalisht në organizimin e brendshëm të Bashkësisë Fetare Islame, duke emëruar emisarë të tyre nëpër të gjitha organet drejtuese të saja. Këta emisarë, të cilët vinin nga Bosnja e Hercegovina, siç ishin Hasan Rebac, Ahmed Mehmedbashiq, Fejzi Haxhiamziq, Sheçerkadiq e shumë të tjerë, në përpikëri do t’i zbatojnë detyrat e pranuara nga padronët e tyre të Beogradit.

Përveç kësaj, me qëllim të realizimit të planeve të parapara, Qeveria mbretërore e atëhershme e SKS-së, në vitin 1925, në Shkup, hapi një shkollë të mesme gjoja për krijimin e “kuadrit fetar” për popullsinë myslimane, për viset – siç thuhej – “jugore jugosllave”. Në këtë shkollë, që e mori emrin “Medreseja e Madhe e Kral Aleksandrit të I-rë”, përveç drejtorit (Mehmedbashiq, një mysliman nga Bosnja e Hercegovina, i deklaruar si serb), nuk pati asnjë të punësuar që i takonte besimit Islam. Përkundrazi, të gjithë ishin të krishterë, serbë ose rus, përfshirë këtu edhe mësimdhënësit e lëndëve fetare si dhe edukatorët.

Ideologët e atëhershëm serbë kanë qenë shumë të vetëdijshëm për atë se çka do të thotë për besimtarët myslimanë emërtimi “Medrese”. Kjo ishte arsyeja edhe pse bëhej fjalë për gjimnazin serb, përdorimi i emërtimit “Medrese”, që në këtë mënyrë t’i tërheqë sanxhaklinjtë dhe myslimanët tjerë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre. Që mashtrimi të jetë edhe më perfid, në “Medresenë” serbe, përveç lëndëve të gjimnazit, ishte shtuar edhe mësimi i Kuranit, njëra nga gjuhët orientale, por sipas kurrikulës shkollore të përgatitur nga Beogradi zyrtar.

Çerdhja kryesore e serbomëdhenjve, ishte Medreseja e Madhe, e cila u themelua në shtator të vitit 1925, me propozim të Ministrisë për Fe të Qeverisë së atëhershme të mbretërisë së SKS-së, dhe me dekretin e Mbretit Aleksandri i I-rë, të datës 24 prill 1924, e cila e mori emrin: “Medreseja e Madhe Kral Aleksandri i I-rë”.

Qëllimi primar i kësaj shkolle ishte asimilimi i popullsisë shqiptare dhe asaj të Sanxhakut. Këtë mund ta shohim në raportin vjetor për punën e kësaj shkolle, dërguar me 14 korrik 1930, Ministrisë së Arsimit. Dragosllav Jovanoviq, këshilltar i ministrit, përndryshe profesor universitar, qartë shprehet: “Përveç drejtorit Mehmedbashiq, nuk ka asnjë arsimtar ose edukator i besimit islam, por të gjithë janë ortodoksë të vërtetë, serbë ose rusë”.

Në vazhdim, ai në raport ndalet në shkaqet e themelimit të shkollës ku shprehimisht thotë: “Që t’ju dilet në ndihmë, elementeve myslimane të shkojnë në rrugën e vërtetë të arsimimit dhe progresit, të bëhet përtëritja e kuadrit teologjik, të edukuar nëpër shkollat në frymën e kulturës sonë”. Mandej shton “sigurimin e kuadrove për nevojat tona shtetërore dhe aspiratave e idealeve tona nacionale. Të eliminohet propaganda e huaj në mesin e shqiptarëve dhe turqve, që të përshpejtohet procesi i asimilimit. Si zgjidhje më e përshtatshme e çështjes sonë u pa hapja e shkollës Medreseja e Madhe…” , përfundon Jovanoviq.

Vijuesit e kësaj shkolle kishin strehimin dhe ushqimin në konviktin shkollor pa pagesë. Pa pagesë dhe të detyrueshme ishin edhe uniformat e shkollore. Përveç lëndëve tjera mësimore të gjimnazit, nxënësit e kësaj “Medreseje” janë marrë edhe me muzikë dhe kanë pasur dy kore dhe tri orkestra, seksionin e dramës, seksionin sportiv dhe letrar.

Çfarë kanë përfaqësuar shoqëritë e Sokolave Serbë, më së miri e shpjegon ky citat: “Sokolat Serbë paraqesin një lëvizje kombëtare e cila me ushtrimet fizike mbulon qëllimin e saj, d.m.th. bashkimi i të gjitha tokave serbe në një tërësi…”!

Rregullat e shoqatës së Sokolave ishin se të gjithë anëtarët e shoqatës, pavarësisht se nga janë, në mes vete duhet të quheshin “vëlla”, ndërsa përshëndetje e vetme ishte “zdravo”. Pra, boshnjakët, shqiptarët e turqit, si anëtarë të shoqatës së “Medresesë”, Sokol, ishin të detyruar t’i quanin “vëllezër” edhe ata “jeta e të cilëve ishte në duart e tyre”. Në të njëjtën kohë, në vitin 1924, këta “vëllezër” i kanë vra, mandej djegë në hell rreth 6000-7000 banorë të Shahoviqit

Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandar Karagjorgjeviq I, në Shkup, ka pasur detyrë themelore: t’i ngufasin sistematikisht ndjenjat kombëtare dhe fetare të studentëve dhe të formojnë njerëz të cilët do të i shërbejnë me besnikëri regjimit serb. Dëshmia më e mirë për këtë është fakti se pothuajse të gjithë nxënësit e “medreseve” mbretërore, kanë vazhduar “edukimin” e tyre në disa fakultete serbe dhe pothuajse asnjë prej tyre kurrë nuk u bë imam. Asnjëri prej tyre kurrë nuk ka bërë punë për komunitetin mysliman. Si medresantë të diplomuar, kur janë kthyen në vendet e tyre, këta myslimanë të serbizuar kanë themeluar shoqata të ndryshme e assesi institucione islame.

Nuk është rastësi që në këtë  “medrese” serbe në Shkup, shumica e vijuesve ishin nga Sanxhaku në krahasim nga viset tjera. Mësimi zhvillohej në gjuhën serbe, dhe ishte e përshtatshme për popullsinë e Sanxhakut , popullsi e cila e kishte në përdorim gjuhën serbe!

Për shkak të qëndrimit jo të denjë të boshnjakëve ndaj sllavizmit (serbizimit) të dukshëm të cilin regjimi ua imponoi, në mesin e popullit shqiptar dhe turk në Kosovë në mënyrë të hapur flitej se “boshnjakët po na serbizojnë fëmijët”. Kjo është theksuar veçanërisht në takimet “Xhemijetit”, partisë politike që u mblodhën të gjithë myslimanët nga zona e Sanxhakut dhe Kosovës. Prandaj, Aqif Efendi Blyta dhe Ferhat-bej Draga morën iniciativën për krijimin e një Medrese të mirëfilltë në Shkup. Kjo edhe u arrit në vitin 1925, si e vetmja mënyrë për të kundërshtuar regjimin në serbizimin e besimtarëve myslimanë. Medreseja e Isa Beut, me iniciativën e prijësve fetarë dhe intelektualëve të atëhershëm, më 1932 u rindërtua, kështu që në vitin 1936 u krijuan kushte për të filluar me punë të rregullt. Njëkohësisht u reformua edhe programi i saj dhe ajo fitoi statusin e shkollës së mesme.

Ndër aktivitetet e shumta që zhvilluan organizatat fetare dhe kuadrot e dala nga Medreseja, gjatë periudhës kohore 1937-1941, duhet veçuar fushatat e bujshme kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Qarqet e atëhershme, policore e ushtarake jugosllave, me të madhe e akuzonin udhëheqjen e Ulema Mexhlisit të Shkupit, për aktivitetin e saj politik e organizativ brenda popullsisë shqiptare, që sipas tyre binte ndesh me “politikën shtetërore” dhe se në mënyrë të dukshme po i acaronte marrëdhëniet fetare e nacionale në ato vise. Sipas tyre, bartës i këtyre aktiviteteve ishte Ferhat bej Draga, i cili siç vihej në dukje “me ndihmën e Mehmed Spahos ka arritur ta shqiptarizojë Bashkësinë Fetare Islame në Shkup dhe se “tash më ai është shpall lider i pakontestueshëm i shqiptarëve në Jugosllavi”.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …