Ismet Sadri Spahiu (25.5.1955 – 26.3.1999)

Ismet Sadri Spahiu (25.5.1955 – 26.3.1999)

Familja Spahiu nga Vitaku i Skënderajt është e njohur në këto anë për trimëri dhe atdhetarizëm. Gjyshi i Ismetit, Bejta, së bashku me kushërinjtë Salihun dhe Beqën, ka rënë në luftimet në Kolashin, në mbrojtje të tokave shqiptare. Edhe babai i Ismetit, Sadriu, ishte i përndjekur dhe i përsekutuar për faktin se asnjëherë nuk u pajtua me aneksimin e Kosovës nga Serbia. I lindur dhe i rritur në këtë familje të njohur shqiptare, Ismeti alfabetin e atdhedashurisë e mësoi nga të parët e tij.

Dëshmori Ismet Spahiu u lind më 25. 5. 1955 nga prindërit Sadri e Fatë Spahiu. Ai kishte edhe dy vëllezër: Behxhetin dhe Xhevdetin si dhe motrën Merveten.

Mësimet fillestare i kreu në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri” të Çubrelit, kurse shkollimin e mëtejmë nuk pati mundësi ta vazhdonte për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

I përballur me varfëri të skajshme, Ismeti ka bërë punë të rënda krahu që ta mbante familjen. Ndonëse kjo familje ishte e varfër ekonomikisht që mezi arrinte ta siguronte ekzistencën, Ismeti dhe vëllai i tij, Xhevdeti, në vitet 1991-1992 iu nënshtruan përndjekjeve nga pushtuesi serb nën pretekstin se ata posedonin armë dhe për këtë arsye shtëpia e tyre ishte bastisur disa herë. Babai i Ismetit, Sadriu me po të njëjtin pretekst ishte maltretuar fizikisht nga policia serbe. Mirëpo, këto maltretime e përndjekje asnjëherë nuk e zmbrapsën Ismetin nga qëllimi që një ditë të rreshtohej në radhët e UÇK-së.

Gjatë gjithë decenies së fundit të shekullit 20, Ismeti mori pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat e organizuara nga rinia studentore e Universitetit të Prishtinës. Më 23.3.1998 ai ishte armatosur me pushkë automatike dhe së bashku me një grup shokësh merr pjesë në aksione të ndryshme të armatosura kundër milicisë serbe. Ishte pjesëmarrës në sulmin mbi objektin e ish-stacionit të milicisë në Runik. Gjithashtu, kishte qenë aktiv edhe me rastin e goditjes së konvojit të militarëve serbë, në magjistralen Mitrovicë-Pejë, afër lagjes Topallaj në fshatin Vitak, ku armikut iu shkaktuan humbje të forcave dhe të makinerisë luftarake.

Aksionet e luftëtarëve çlirimtarë kishin arritur që me aksionet e tyre të krijonin pasiguri për forcat e pushtuesit serb. Një aksion i befasishëm dhe i koordinuar mirë i formacioneve të UÇK-së u ndërmor edhe te kthesa e rrugës, rreth 200 metra larg shkollës së Çubrelit. Në të gjitha këto aksione, luftëtari i lirisë, Ismet Spahiu tregoi vendosmëri, guxim dhe trimëri të madhe. Ismeti ishte mjaft i përpiktë dhe i disiplinuar në kryerjen e detyrave të ndryshme, si në hapjen e istikameve, mbajtjen e rojës, vëzhgimin e terrenit si dhe u kujdes për popullësinë civile. Si pjesëtar i Togës së Parë të Batalionit të Parë në Brigadën 112 “Arben Haliti” të ZO të Drenicës mori pjesë edhe në luftimet sporadike kundër forcave të armikut të stacionuara në oborrin shkollës së Çubrelit. Ai ishte krenar për uniformën me emblemën e UÇK-së që e kishte veshur.

Më 26 mars 1999, forcat serbe ndërmorën ofensivë të ashpër ndaj pozicioneve të UÇK-së dhe banorëve të fshtrave Runik, Çubrel, Vitak, e Kllodernicë. Mijëra ushtarë, paramilitarë dhe milicë serbë, me tanke, topa dhe artileri të rëndë, nga drejtimi i Mitrovicës dhe ai i Burimit (ish-Istogut), si dhe me këmbësorinë e depërtuar nga thellësia e Bjeshkëve të Radishevës, pas shkrehjes së armëve nga të gjitha llojet dhe kalibrat, futën në rrethim të hekurt fshatrat e kontrolluara nga Brigada 112, me ç’rast filloi spastrimi i terrenit duke filluar nga shkatërrimi dhe djegia e shtëpive dhe objekteve tjera të banimit, e deri te vrasja dhe masakrimi i popullatës së paarmatosur. Pjesa e popullatës që kishte arritur t’u shpëtojë kthetrave të barbarëve serbë ishin larguar nga fshatrat, ndërsa pjesëtarët e UÇK-së kishin bërë përpjekje që ta mbronte popullatën e rrezikuar. Sadriu, babai i dëshmorit të lirisë Ismet Spahiu, kishte vendosur të mos i lëshonte trojet e veta. Ismeti tashmë ishte drejtuar për në lagje që të tërhiqte edhe ndonjë banorë të ngelur në rrethim. Mirëpo, militarët serbë që kishin zënë pozitat në lagjen Spahiu dhe po zbraznin predha të panumërta kundër pozicioneve të UÇK-së dhe popullatës civile. Në mbrëmjen e 26 marsit të vitit 1999, një predhë e kishte goditur edhe dëshmorin Ismet Spahiu. Ai bie për të mbetur emër i shenuar në lavdinë e kësaj familjeje dhe të Kosovës, kurse babai i tij, Sadriu kishte shpëtuar.

Pas pushimit të luftimeve, me ndihmën e Ajvaz Terakut, vëllait, Xhevdetit (ushtar i UÇK-së) dhe disa luftëtarëve të tjerë, më 28 mars, trupi i Ismetit varroset në varrezat e lagjes Spahiu, në Vitak. Aty, atë ditë u varros edhe kushëriri i Ismetit, Osmani.

Në atë fundmarsi, serbët e kishin vrarë edhe gjyshen e Ismetit, Azizen, e cila ishte masakruar në Izbicë së bashku me 156 shqiptarë të tjerë të fshatrave të kësaj pjese të Drenicës, gra, pleq dhe fëmijë. Ndërkaq, vëllai i Ismetit, Xhevdeti kishte marrë plagë gjatë bartjes së armatimit nga Shqipëria.

Ismeti ka lënë bashkëshorten, Shefkien, djemtë: Artonin, Nehatin, Fatlumin dhe Idrizin, si dhe vajzat Bedrien e Fatën. Përveç pllakës përkujtimore që i është ngritur te varrezat e Vitakut, emri i dëshmorit Ismet Spahiu është gdhendur edhe në lapidarin e përbashkët për tre dëshmorët dhe 19 civilët e Vitakut, të rënë në luftën e Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, familjes Spahiu ia ka dhënë fletënderimin për flijimin e birit të saj në luftë për liri, kurse Shoqata e familjeve të dëshmorëve në Skënderaj dhe Kuvendi komunal kanë ndarë falenderime dhe mirënjohje. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …