Vaxhid Sejdiu

Isuf I. Bytyçi: Aty ku është mësuesi, Vaxhid Sejdiu, janë edhe nxënësit e shkollës shqipe

(Intervistë me Vaxhid Sejdiun, kryetar i Këshillit të Arsimtarëve në kantonin e St. Gallenit, njëherit mësues edhe në disa pika të tjera shkollore).

Mësuesi Vaxhid Sejdiu me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij në kuadër të shkollës shqipe është bërë model, se si duhet të punojnë mësuesit në shërbim të fëmijëve shqiptarë në mërgatën shqiptare.

Dr. Vaxhid Sejdiu, Siç dihet edhe zyrtarisht viti shkollor 2017/2018 ka filluar edhe për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe. Diku më herët apo më vonë, varësisht nga fillimi i vitit shkollor, në kantonet zvicerane. Ajo që na intereson dhe na bëhet therrë në sy, është vijimi i mësimit në gjuhën shqipe apo në shkollat shqipe, siç jemi mësuar të themi. Kësaj radhe do ta bëjmë një portretizim të mësuesit Vaxhid Sejdiu, i cili më se dy dekada punon me një përkushtim të veçantë, me qëllim që në kuadër të shkollës shqipe të ofrojë sa më shumë nxënës. Puna dhe angazhimi i tij në orët mësimore në gjuhën shqipe është bërë model. Fjalët, të cilat i thonë, nxënësit apo prindërit, dëshmojnë qartë angazhimin e tij të përditshëm në shërbim të shkollës shqipe, sepse siç thotë edhe ai vetë “gjuha shqipe është letërnjoftim i shqiptarëve dhe pa të shqiptarët nuk kanë kuptim”.

Sa herë që hapim temën për shkollën shqipe marrin një mori informatash pozitive dhe negative, me vend dhe pa vend. Por mbi të gjitha, aty ku punohet, nuk ka vend për fjalë. Por dëshmitë, numri i nxënësve në klasa, qëndrimi i mësuesit, fjalët e prindërve formojnë një tufë lule për mësuesin Vaxhid Sejdiu, i cili për asnjë çast nuk e ndal hovin në hapjen e pikave shkollore apo në  rritjen e numrit të nxënësve. Për ta vërtetuar një gjë të tillë vizituam disa pika shkollore ku mësuesi Vaxhid punon dhe angazhohet me tërë qenien e tij në shërbim të gjeneratës së re, që ata ta ruajnë sa më mirë dhe ta mësojnë gjuhën e tyre amtare. Siç thotë dhe vetë: “emrat e bukur të fëmijëve shqiptarë nuk kanë kuptim pa gjuhën e nënës! Pa gjuhën e nënës edhe ardhmëria e tyre errësohet”. Vizituam pikat shkollore në Mels, në Flums, në Neunhof dhe në Spreitenbach dhe, u bindëm se ato fjalë që thuhen për angazhimin e tij nga Gjeneva e deri në Buchs të San Gallenit janë të vërteta. Klasat në fjalë nuk ishin ato klasa, që jemi mësuar t`i shohim në të ashtuquajturën diasporë, me nga 3-4 nxënës por  përplot me nxënës. Zemra të bëhet mal! Sinqerisht  t`ju them për një çast u ndjeva si në Kosovën tonë të dashur, ku klasa e mbushur me nxënës dhe secili prej tyre me interesim të veçantë përcjell fjalët e mësuesit. Ato fjalë të zgjedhura dhe të shqiptuara mirë e drejt. Ajo që bie në sy, janë grupet e nxënësve të ndara sipas niveleve, sepse edhe numri i madh i nxënësve e mundësonte një gjë të tillë. Gjatë tërë javës u ndjeva njeriu më i lumtur në dhe të huaj, sepse këtë lumturi ma sollën, të gjithë ata nxënës te cilët i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe dhe mësuesi i tyre me punën dhe angazhimin gjatë orëve mësimore.

Përveç kësaj, mësuam edhe nga përfaqësuesit e komunave ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe, se mësuesi Vaxhid është mirë i integruar në shoqërinë zvicerane. Kontaktet e tij me institucionet shkollore kantonale janë të rregullta dhe tepër miqësore. Me të drejtë thotë se përkrahja dhe mbështetja e drejtorive të shkollave është e veçantë. Po sikur mësuesit dhe prindërit shqiptarë, të ishin të interesuar për mësimin e shkollës shqipe, siç janë të interesuara institucionet zvicerane, jam më se i bindur se numri i nxënësve shqiptarë do të ishte edhe shumë herë më i madh, shtoi duke thënë mësuesi.

Në pyetjen tonë, se si arrinë ta mbajë në këtë nivel shkollën shqipe pa asnjë ndihmë institucionale, ai thotë: “ e thashë më herët, nevojitet punë dhe vetëm punë, dhe jo fjalë. Dhe nëse punohet me përkushtim të vazhdueshëm gjenden bashkëpunëtorë, me të cilët suksesi nuk mungon. Në këtë drejtim jam i obliguar t’i falënderoj të gjithë ata prindër – veprimtarë të arsimit shqip, të cilët ndihmojnë në mënyrë vullnetare, në veçanti Adnan Fazliun, Riza Demajn, Mehmetali Sherifin, Shpend Limonin, Luljeta Adilin,  Gjelbrim Idrizin, Shkumbin Gashin, Ibrahim Sulejmanin, Selami Osmanin, Avni Hasanin etj,  pastaj drejtoritë e shkollave zvicerane me gjithë personelin, aty, ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, të cilat me dekada janë partnerë kryesorë dhe pa to ky sukses as që  do të mund të merrej me mend.

– Sa jeni të kënaqur me përfshierjen e fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues?

Buzëqesh dhe përgjigjet shkurt, nuk e di, tek unë ka mjaft nxënës, të cilët i vijojnë mësimet në gjuhën shqipe. Një gjë e kam të qartë, se nevojitet shumë punë për të bërë. Mësuesi duhet të punojë jashtëzakonisht dhe vazhdimisht.

 

Ç`mendim keni për prindërit shqiptarë, mësues?

Prindërit shqiptarë janë të mrekullueshëm, por me ta duhet të punohet, duhet të bashkëbisedohet, sepse ata kanë  nevojë për informim të drejtë dhe të sinqertë. Ata kanë nevojë që t`iu thuhen gjërat ashtu siç janë, pa hiperbolizime. Por në momentin që ta beson fëmijën duhet ky besim të dëshmohet, sepse në rastin që prindi dëshpërohet, atëherë ai shndërrohet në një zëdhënës negativ për shkollën shqipe.

Cilat janë përpjekjet tuaja që kanë dhënë rezultat në rritjen e numrit të nxënësve?

Takimet me prindërit shqiptarë, kontaktet me drejtoritë e shkollave zvicerane, bashkëbisedimi me veprimtarët e arsimit shqip etj. , por mbi të gjitha rezultatet janë në orët mësimore. Në momentin që vjen nxënësi në shkollën shqipe, bindet se te ne, nuk ka improvizime, por mësim dhe vetëm mësim, për ta mësuar sa më mirë gjuhën shqipe.

Porosia juaj, arsimtar, për nxënësit e studentët shqiptarë, që jetojnë dhe studiojnë në diasporë!

 

E kam thënë dhe e them vazhdimisht: fëmijët shqiptarë nuk kanë kuptim pa gjuhën shqipe. Ata emra të bukur: Gëzim, Besim, Krenare, Shqiprina, Arbëresha, Arta, Larisa, Dardan, Kastriot, Donika, Nora, Alban, Janina, Arvanit, Shkodran, Berat etj., nuk kanë kuptim, pa e  ditur gjuhën e tyre amtare. Gjuha shqipe ua shton bukurinë dhe u jep një pamje të natyrshme. Unë gjithmonë nxënësit e mi i këshilloj që t`i mësojnë gjuhët e huaja e veçanërisht gjermanishten e anglishten, por ua them drejtpërdrejt në sy nuk ka turp më të madh për fëmijët shqiptarë që nuk mund të kuptohen me familjet e tyre, në  gjuhën shqipe.

A mjafton që gjuha të mësohet vetëm në shtëpi apo në banesë?

Natyrisht se jo, gjuha mësohet në shkollë. Në shtëpi ndihmohet ky proces por nuk mund të mësohet. Shih zviceranët, nëse dëshirojnë ta mësojnë një gjuhë i ndjekin mësimet në atë gjuhë në shkollë.

A mund të veçoni diçka, që si pedagog, ju ka prekur emocionet?

Raste të tilla ka mjaft, si p.sh. fëmijët të cilët vijnë me vonesë në shkollën shqipe, dhe rastet e tilla e dëshmojnë qartë dallimin në mes nxënësit, i cili i ka vijuar mësimet në gjuhën amtare rregullisht dhe ai që vjen me vonesë. Fjalëformimi i tij është larg komunikimit normal. Shqiptimi i fjalëve apo pyetjet se pse këto dy shkronja (dh, th, gj, zh…) janë bashkë dhe nuk janë ndaras, apo kur mundohet t`i lexojë ndaras, të japin një pasqyrë pakujdesie, sepse ai pa fajin e tij ka mbetur prapa mësimit, në gjuhën e nënës.

 

Por, edhe diçka tjetër?

Ajo që më brengos shumë edhe më shqetëson për të ardhmen e gjeneratës së dytë, të fëmijëve mërgimtarë, janë fëmijët, të cilët pa fajin e tyre nuk i ndjekin asnjëherë mësimet në shkollën shqipe, dhe ata mbesin analfabetë në gjuhën e nënës. A ka defekt më të madh se fëmijët, për të cilët prindërit mundohet t`iu sigurojnë banesa apo shtëpi në mërgim apo në vendlindje, mundohet t`ua bëjnë dasmat më të bukura, t`iu blejnë gjërat më të shtrenjta, telefona mobil, biçikleta, makina dhe në fund i lënë pa gjuhën e nënës! Shembull që të prek deri në shpirt dhe të lë pa tekst.

Pastaj ka raste kur fëmijët që nuk mësojnë shqip, kur shkojnë në vendlindje, gjatë pushimeve nuk mund të merren vesh me anëtarët e familjes dhe as me bashkëmoshatarët e tyre! Shihni ata që nuk e njohin gjuhën, kur fillojnë të flasin, së pari i përziejnë fjalët; nja 2-3 fjalë shqipe dhe nja 2-3 fjalë gjermane, frënge apo italiane, varësisht nga vendi se ku jetojnë, pastaj skuqen, ngushtohen si të ishin të pa gojë. Është shumë e rëndë dhe tepër emocionale.

A ke pasur gjatë punës edhe ndonjë rast neveritës?

 

Puna e mësuesit është një det me vete, sepse ne edhe administratën, edhe planprogramin, edhe organizimin e bartim me vete. Dhe në këtë rrugëtim na bie të kontaktojmë me prindër me mendime të ndryshme. Më neveritës është kur në takimet me prindër, që janë prezent edhe përfaqësuesit e shkollave zvicerane, kërkesës së psikologes së shkollës, mësuesit apo drejtorisë që fëmijët e tyre t`i dërgojmë në mësim në gjuhën amtare, ata përgjigjen shkurt – jo se fëmijët e mi flasin gjermanisht dhe nuk kanë nevojë të flasin shqip, madje dhe ne në mes veti flasim gjermanisht! Reagimi i këtillë ndaj gjuhës amtare është neveritës dhe të shtyn të mendosh se si mundet aq leht njeriu ta harrojë gjuhën e vet!

Përveç orëve të rregullta mësimore, kemi parë ndër vite se në mënyrë të vazhdueshme organizoni manifestime të ndryshme shkollore?

Por, përveç mësimit, nxënësit janë të angazhuar edhe në aktivitete të lira, funksionon me sukses grupi i recitatorëve, grupi i valleve dhe në manifestimet shkollore kushtuar festave kombëtare si 28 Nëntorit – ditës së shpalljes së pavarësisë apo 7 Marsit ditës së shkollë shqipe. Ata prezantohen me pikat më të mira muzikore, me valle autoktone shqipe, me këngë të kënduara nga vet nxënësit. Pastaj kemi në plan shëtitjen me nxënësit në fund të vitit shkollor, garat e diturisë etj.

 

Dhe në fund, si duket ky vit shkollor?

Si çdo vit, fillimviti, me një ngarkesë në sistemimin e nxënësve të rijë, të cilët paraqiten për t`u regjistruar, me një ngarkesë të madhe në  ndarjen e tyre në grupe etj.

A ka sivjet nxënës të rijë? Po, ka mjaft nxënës të rijë, kam hapur një pikë shkollore në Uznach të kantonit të St. Gallenit, si dhe kam qenë i detyruar që disa pika shkollore t`ua dorëzoj kolegeve që punojnë në kuadër të shkollës shqipe, si pikat shkollore në Buchs, Sevelen dhe Niederurnen.

Ju faleminderit z. Sejdiu per për kohen që e keni gjetur që të bashkëbisedojmë! Ishte kënaqësia.

Faleminderit edhe juve pë komunikim dhe bashkëpunim.

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …