Brickos

Isuf Hajrë Pollomi (20.1.1963 – 15.4.1999)

Isuf Hajrë Pollomi (20.1.1963 – 15.4.1999)

Fshati Herticë shtrihet 12 kilometra në juglindje të Besianës, me një vendbanim kodrinor-malor i tipit të shpërndarë në lagje mjaft larg njëra – tjetrës. Ndër këto lagje është edhe ajo Pollomi, në të cilën, në një familje të varfër, por atdhetare, më 20 janar 1963 u lind dëshmori i kombit Isuf (Hajra) Pollomi. Isufi, shkollën fillore e kreu në Herticë kurse të mesmen në Besianë. Qysh i ri ishte përkrahës dhe pjesëmarrës aktiv në demonstratat, protestat dhe aktivitetet tjera të zhvilluara kundër okupatorit e për liri e pavarësi të vendit. Për këtë ai kohë të gjatë ishte i përcjellur nga policia serbe dhe bashkëpunëtorët e saj. Më vonë, kushtet e rënda ekonomike e detyruan ta marrë rrugën e mërgimit, ku 7 vite punoi në Rijekë të Kroacisë, në Rafinerinë e Naftës. Po edhe pas kthimit nga atje Isufi u ndalua në vendkalimin Elez Han ku iu konfiskuan pasaporta dhe dokumentacione tjera dhe u urdhërua që të paraqitet në Stacionin e Policisë serbe në Besianë. Në këtë stacion policor nga inspektorët serbë u rrah mizorisht 56 ditë me radhë me akuzën se nga Rijeka kishte sjellur armatim, duke bërë presion që të largohej nga Kosova.
Gjatë luftimeve në Kroaci, Isufi iu bashkua forcave kroate kundër ushtrisë serbe. Në këto luftime përveç që i ndihmoi kroatët ai fitoi një përvojë të mirë ushtarake e cila më vonë i shërbeu në luftën çlirimtare të Kosovës. Me t’u kthyer në Kosovë, Isufi më 15 janar 1999 hyri në radhët e Njësitit “Kështjella – 37” të UÇK -së, në Herticë. Fillimisht shkoi në Llapashticë të Epërme ku qëndroi 14 ditë dhe pastaj iu kthye vendlindjes së tij Herticës me detyrë për mobilizimin e popullatës në luftën për liri.
Kishte marrë pjesë në ushtrimet ushtarake që ishin mbajtur në Quk të Batllavës si pjesëtar i togut të Brigadës 151 “ Zahir Pajaziti”. Bashkëluftëtarë të tij të ngushtë ishin: Sabri Hamiti, Hamdi Pollomi, Zajnullah Zejnullahu, Dalip Llalloshi, Tahir Batatina, Idriz Pollomi etj.
Isufi mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në fshatrat e anës juglindore të Llapit, njëherësh në mbrojtje të popullatës që në ato kohë ishte strehuar në këto anë. Më e njohura ndër betejat e kësja ane ishte ajo që u zhvillua në vendin e quajtur “Livadhet e Muçollëve”.
Në radhët e familjes së dëshmorit në luftën për liri ka rënë edhe i vëllai i dëshmorit, Skënderi. Ai përkujdesej për popullatën që ishin të vendosur në këto anë dhe në ditën e rënies nga fshati Albanik kishte shkuar në Herticë për të siguruar ushqim për popullatën e sidomos për fëmijët e mbetur pa qumësht. Atje ishte kapur nga forcat paramilitare serbe te Ura e Zeqajve, së bashku me kushëririn e tij Raif Pollomi, të cilët ishin dërguar te Lagjja e Llalloshve duke kërkuar nga ata që të tregojnë për ushtarët e UÇK-së. Ata u kishin prezantuar disa foto dhe kërkonin t’i identifikonin personat e fografuar, por pa sukses. Pasi militarët serbë nuk mundën të nxjerrin asgjë nga ta, i pushkatuan në oborrin e Xhemail Haxhiut, më 2 maj 1999. Pas disa ditëve këta dëshmorë u rivarrosën në varrezat e Lagjes së Pollomëve në Herticë.
Gjatë muajit prill 1999, me qëllim që të arrijnë te popullata e strehuar në këto anë, forcat serbe ndërmorën ofensiva të fuqishme por ushtarët e UÇK-së nuk u mposhtën. Gjatë këtyre ofensivave u ekzekutuan shumë qytetarë në rajonin e Galabit që përfshin edhe fshatrat Herticë, Surdull, Turuqicë, Rakinicë e Muhazob. Forcat kriminale serbe të cilat ishin të pajisura me teknikë luftarake, të revoltuara dhe të irrituar nga humbjet që pësuan aso kohe nga njësitet e UÇK-së, kishin filluar hakmarrjen në popullatën civile e cila ishte e vendosur në rajonin e Herticës, për të shpëtuar nga gjenocidi dhe masakra serbe. Forcat militare serbe pasi granatuan fshatrat e këtij rajoni për të dëbuar popullatën civile dogjën fshatrat e tëra dhe ekzekutuan këdo që arritën ta kapin, ndër të cilët edhe njërin prej vëllezërve të Isufit me disa kushërinj të tij për të vrarë më pas edhe bagëtinë e fshatit dhe djegur edhe shkollën e fshatit. Ofensivat serbe për të thyer rajonin e Herticës dhe të Surdullit kanë zgjatur shumë ditë rresht duke u përballur me njësitet vetëmohuese të UÇK-së.
Më 15 prill të vitit 1999 u zhvillua një betejë e ashpër kundër forcave të UÇK-së, ku Isufi ishte në vijën e parë të frontit. Në këto luftime forcat çetnike pësuan humbje të dukshme. Isuf Pollomi, po në këtë betejë të përgjakshme më 15 prill 1999, në orën 15 bie në fushën e nderit duke u vënë në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së dhe të popullatës civile. Bashkëluftëtarët e Isufit brenda pak orësh arrijnë të hakmerren për dëshmorin, duke lënë të vrarë paramilitarë dhe disa çetnikë serbë.
Varrimi i dëshmorit ishte bërë në fshatin Herticë në varrezat e lagjes së Pollomëve.
Isufi ka qenë i martuar dhe ka lënë fëmijët: Lirimin, Lulëzimin dhe Zyrafeten. Pas vetes la edhe prindërit, Sherifen dhe Hajrën, katër vëllezërit dhe tri motrat. Për jetën dhe veprën e tij janë botuar shumë shkrime në gazeta dhe revista të ndryshme si dhe në librat e shkruar për luftën dhe dëshmorët e UÇK-së në ZOLL-it. Pas luftës familja Pollomi është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nga UÇK-ja, ZOLL-i, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së etj. (M. K.)

___________________________________

Kushtuar dëshmorit Isuf H. Pollomi

U bën 17 vite që kur lufta në katër anët kishte nisur dhe shumë burra të Kosovës ishin rreshtuar në mbrojtje të atdheut në mesin e tyre edhe Isuf Hajër Pollomi.Lindur në një Zonë ku karavanet e Dardanëve e kishin rrahur këtë tokë të vjetër të lashtë sa vet historia.Historia na dërgon pikërisht në Herticë një vend ku u rriten dardano-ilirët dhe një popullatë që me kohra i ka rezistuar çdo pushtuesi dhe së fundmi dhe atij barbaro-sllav.
Nje vend i pushtuar e djegur por asnjëher i nënshtruar në shekuj e breza,ku i mbijetuan dhe rezistuan çdo okupatori.Do pershkruaj një luftëtar i cili u rrit me armë dhe ndihmonte her pas here luftëtarët me armatim në mesin e tyre dhe heroin e kombit Zahir Pajaziti. Njesia gjeografike apo zona e Podujevës ndjehet krenare me këta burra që shkruan historinë e Kosovës me germa të arta.
Sistemi Rankoviçian deri tek ai Sllobodan u munduan me çdo mjet të vrajnë e të helmojnë edhe fëmijët e vegjël.Po kta luftëtar ishin plumbi dhe goditja e merituar për armikun.
Isufi lindi në fshatin Herticë të Podujevës me 21 janar 1963 dhe vdiq për të jetuar duke luftuar me armiqt serb me 15 prill 1999.U bënë plot 17 vite dhe ende kujtimi i tij ruhet në ditaret e luftës heroike për çlirimin e Kosovës e cila sot ka shtetin e sajë sovran dhe të pavarur.
Çdo popull ngrit heronjtë e vet dhe bijtë e tyre ndjehen krenar me ta dhe ne ndjehemi krenar me ju si familja juaj prindrit dhe babai juaj i cili shpesh i kujton ato momente kur dha birin e ti të çmuar për ditë më të mira që shkau mos ta djegë më këtë tokë dardane.
Mes nesh je si pishtar i pashuar flakadan i lirisë,qëndron i paluhatur,sot janë mbledhur pranë lapidarit tënd burra nga të katër anët duke kujtuar bëmat tua dhe goditjet e shpeshta që ja dhe armikut serb,goditja e cila e shpuri atë jasht viseve tona dhe ne sot gëzojmë lirinë.
Djemt e tu janë rritur shum të kanë ngjarë ata të kujtonë me mall dhe ndjehen krenar që patën një baba i cili diti ta vlersojë tokën e vet të cilën nuk e lëshoi asnjëher por e mbrojti me nder e dinjitet duke çuar në vend amanetin e të parëve.
Historia duhet tju kushtoj juve kapituj të tërë që fëmijët tanë ta dinë se patën baballar trima të pa mposhtur titan të çeliktë e të hekurt.
Historia është mësuesja e jetës dhe këto 17 vite na mësuan se ti je dhe do mbetesh në historinë e lavdisë dhe mbamendjes e memories në breza.
Sot e mbar bota e pa përkushtimin tuaj që të udhëhiqemi drejt shtigjeve të drejtsisë dhe zhvillimit.I paharruar qoftë emri yt në Historinë e Kombit Shqiptarë dhe Shtetit më të ri Kosovës iliro-dardane.
Përgatiti : Mr.Arber Berisha / 15.4.2016

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …