vipa
vala – old
driloni com
Fillimi / Dëshmorët / Isuf Ibush Hoxha (14.4.1967 -18.4.1999)
Isuf Ibush Hoxha (14.4.1967 -18.4.1999)

Isuf Ibush Hoxha (14.4.1967 -18.4.1999)

Komarani i Drenicës, luftës së UÇK-së i ka dhënë shumë dëshmorë e martirë. Në këtë fshat gjatë kohës së luftës ka qenë i vendosur i shtuquajturi Punkti i Komaranit, ku forcat policore serbe kanë rrahur e kanë maltretuar qindra e mijëra shqiptarë.

Isufi ishte djali i Ibush dhe Fahrije Hoxhës nga Komarani. Shkollën fillore e ka kryer në Komaran, ndërsa shkollën e mesme të Bujqësisë e ka mbaruar në Drenas (ish – Gllogoc).

Pas mbarimit të shkollës së mesme i vjen thirrja për ta kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Isufi nuk arriti të gjejë punë në vendlindje.

Në vitin 1993, në kohën kur në tërë Drenicën ishin intensifikuar sulmet e policisë serbe kundër banorëve të kësaj ane, me pretekst të kërkimit të armëve, Isuf Hoxha, ashtu sikur edhe shumë të rinj nga Kosova, vendos të shkojë në Gjermani. Pas një përpjekjeje arrin të vendoset në Hanover të Gjermanisë. Atje gjen punë dhe ndihmon financiarisht vëllezërit e motrat.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, Isufi kontakton me veprimtarë shqiptarë, të cilët po përgatiteshin për luftë të armatosur kundër sundimit serb në Kosovë.

Ai përcillte me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe kishte shfaqur gatishmëri për t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kishte marrë lajmin se ishte vrarë nipi Skënder Alushani dhe kushëriri i tij, Imer Alushani. Në mars të vitit 1999 iu përgjigj thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim të përgjithshëm. Asokohe, nga Hanoveri i Gjermanisë ku kishte punuar gjashtë vjet rresht pa u kthyer asnjëherë në familje dhe pa e parë asnjërin prej tyre, së bashku me një grup të mobilizuarish arrin në Durrës dhe pas disa ditësh vendoset në Koshare, në radhët e luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit.

Eprori i tij ishte ushtaraku Fadil Hadergjonaj, i cili ruan kujtimet më të mira për trimin e Drenicës, Isuf Hoxha.

Isufin, fillimisht e sistemojnë në pikën e frontit “Te Rrasat e Koshares”. Me të ishin bashkëluftëtarët: Hysen Nishori nga Komarani, Tunë Gojani nga Klina e të tjerë.

Në mëngjesin e 18 prillit, në kohën kur ushtria dhe policia serbe kishte filluar sulmin frontal kundër të gjitha vijave të frontit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të gjitha zonat ushtarake, Isuf Hoxha dhe Hysen Nishori gjendeshin në vijën e parë të luftimeve Te Rrasat e Kosharës. Pas disa orë luftimesh, trupin e Isufit e përshkojnë katër plumba të armës armike.

Meqë vendi po sulmohej me breshëri të pandërprera, ishte plagosur rëndë edhe bashkëluftëtari i tij, Hysen Nishori, të cilin shokët, edhe pse në kushte të rrezikur permanent, kishin arritur ta tërhiqnin të gjallë. Isufi kishte mbetur në një pikë ku nuk mund të depërtonin luftëtarët e lirisë.

Duke qenë se luftimet kishin vazhduar me intensitet deri në qershor të atij viti, shumë të rënëve në vijën e Frontit, në Koshare nuk u dihej fati. Në mesin e atyre, për të cilët nuk kishte shënime të sakta për vendin e rënies, ishte edhe Isuf Hoxha. Bashkëluftëtari i tij, Hysen Nishori, pasi kishte marrë ndihmën e parë, kishte lajmëruar eprorët për fatin e Isuf Hoxhës, por ndërkohë bashkëluftëtarët e kishin dërguar për shërim, fillimisht në Tiranë e pastaj në Itali, këshu që as familja nuk e dinte vendin ku kishte rënë Isufi.

Për fatin e tij nuk dihej deri në vitin 2001, derisa një ditë familja e tij në Komaran merr lajmin se trupi i dëshmorit Isuf Hoxha ishte zbuluar.

Pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Komaran, në akord me strukturat vendore të pushtetit, e varrosin në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit në Kleçkë, ku eshtrat e tij prehen në përjetësi.

Isufi nuk ka qenë i martuar. Ai ka lënë nënën, Fahrijen, motrat Lejlanë, nëna e dëshmorit të kombit, Skënder Alushani, Shehiden dhe Mihanen, si dhe vëllezërit Fatonin dhe Agronin, të cilët ruajnë kujtimet më të mira për birin dhe vëllanë dëshmor, të cilin nuk e kishin parë qysh nga viti 1993, kur u nis për në Gjermani.

Familja Hoxha nga Komarani ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga shoqatat e luftës dhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Halil Nezir Meta (20.9.1967 - 22.5.1999)

Halil Nezir Meta (20.9.1967 – 22.5.1999)

Krojmiri, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorët: Halil Metaj, Enver Olluri, ...