Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Alarmimi i kotë i Daçiqit nga Shqipëria e Madhe

Më 20 prill 2017, pothuajse në të gjitha mediet tona dhe nëpër portale u raportua për frikën e madhe që paskan shkaktuar te Vuçiqi e Daçiqi, shakatë e shakaxhinjve tanë në Shqipëri e Kosovë për Shqipërinë e Madhe! Epo, po qe se BE, SHBA dhe Britania e Madhe nuk reagojnë ndaj tyre, sipas Daçiqit nesër do të jetë vonë “kur Shqipëria e Madhe ka arritur deri te Nishi”. Ndërsa Vuçiqi, për të njëjtat deklarata paska thënë: “nëse ai do të thoshte se gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet, me gjasë do të varej në një direk në Bruksel, në vend të disa prej flamujve të varur atje”. Këto kërcënime duhet të merren seriozisht nga të gjithë e sidomos nga shqiptarët, pasi këta ishin pjesë aktive e krimit e të gjenocidit serbe që qellim final kishin zhdukjen e pjesërishme ose të tërësishme të shqiptarëve të Kosovës. Gjenocidi i shprehur përmes vrasjeve masive te shqiptarëve, dhunimeve të mbi 20.000 grave dhe me dëbimin e mbi një milion shqiptarëve nga vatrat e tyre, janë dëshmi që nuk harrohen e vjetrohen kurrë!

Nuk e kam asnjë fije dyshimi se Vuçiqi e Daçiqi nuk janë alarmuar nga frika apo rreziku se shqiptarët janë në kërkim të Shqipërisë së Toplicës, ku bënin pjesë Nishi, Kurshumlia, Vraja e Leskoci me mbi 500 fshatra shqiptare, se ato troje i kanë shpopulluar qysh në vitet 1886/88. Megjithatë, historia nuk mund të fshijë nga kujtesa aq lehtë atë spastrim etnik kur nga trojet e tyre shpërngulen banorët e mbi 500 fshatrave të populluara me shumicë nga shqiptarët! Shumë shqiptarë të atyre trojeve sot jetojnë në Turqi, ndërsa në Kosovë ata edhe sot e gjithë ditën cilësohen muhaxhirë, madje shumë nga ata kanë mbiemra fshatrash nga kanë ardhur. Kjo lehtë mund të dëshmohet në çdo pjesë të Kosovës.

Çfarë hipokrizie kur herë Vuçiqi e herë Daçiqi shprehin andrallat e tyre duke arsyetuar kërcënimet e veta të përditshme ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti. Ata dje ishin pjesë e politikës së Beogradit, të udhëhequr nga Millosheviqi, që e planifikuan dhe e ushtruan krimin e gjenocidit në Kosovë dhe si të tillë, jo vetëm që mbetën të pandëshkuar, por përkundrazi u lejuan të jenë perspektiva e Serbisë “demokratike”! Nuk është e tepërt të thuhet se janë pasardhësit e atyre që ushtruan njëqind e tridhjetë vjet më parë po të njëjtin skenar, po tani duke dashur të aneksojnë ditë më diell copa veriu apo enklavash e eksterritorialitet enorme manastiresh!

Për këto kërcënime të reja ata i shfrytëzuan dy deklarata “patriotike” liderësh shqiptarë. E para e thënë nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe e dyta e thënë nga Hashim Thaçi. Por, ato nuk janë deklarata të thëna me gjithë mend! Sepse deklarata të tilla ata thonë kohë pas kohe dhe vërtetë nuk e kanë me gjithë mend! Vet mënyra sesi janë thënë ato, tregon jo seriozitetin e tyre! Madje edhe Vuçiqi e Daçiqi e dinë fort mirë këtë, por të dy i fshehin synimet e tyre agresive duke ju dhënë zë deklaratave të Ramës e Thaçit “për bashkimin e shqiptarëve”?! Edhe një herë u dëshmua se “Shqipëria e Madhe”, është patentë e vjetër serbe! Pasi edhe po të bëhej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, Shqipëria përsëri nuk do të ishte e Madhe!

Tani më pakkush, së paku në Evropë, nuk e di se prej nga vjen rreziku real dhe kërcënimi serioz i paqes në Ballkan dhe në Evropë. Më shumë se një shekull Ballkanit dhe Evropës kërcënimet reale për luftë i kanë ardhur nga nacionalizmi serb. Vetëm në shekullin e kaluar nga nacionalizmi e shovinizmi serb janë zhvilluar shumë luftëra, deri edhe botërore: Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike, Lufta e Parë Botërore dhe katër luftërat në hapësirën e ish- Jugosllavisë: Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë!

Kush nuk e di ketë, ai asgjë nuk ka mësuar nga historia.

Paqja në rajonin tonë është e rrezikuar nga Serbia e pinjollëve të Millosheviqit dhe assesi nga shakatë e Ramës e të Thaçit! Pasi shqiptarët historikisht kanë luftuar vetëm për liri, drejtësi e mbijetesë ne trojet e tyre stërgjyshore!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …