Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Gataloviq thotë se “shqiptarët kujdeseshin për bagëtitë”, por nuk tregon për cilat kafshë, “kujdeseshin

            Shkas për ketë përgjigje, është shkrimi i historianit serb, Dr. Miomir Gataloviq  nga Instituti i Historisë Serbe, shkruar  për gazetën “Veçernje Novosti”. Ai duke reaguar ndaj deklaratës së Ramush Haradinajt, se “edhe Shqiptarët janë vrarë në Betejën e Kosovës”, dhe për të cilët tha se “është një nga më të rëndësishmet në historinë e Kosovës dhe Ballkanit”, paska thënë: “shqiptarët kujdeseshin për bagëtitë”, por nuk e paska precizuar se për cilat kafshë “kujdeseshin”?! Historiani serb, paska kërkuar që t’i afrojmë dëshmi. Unë do t’i ofroj dëshmi që sjellin autorë të huaj. Natyrisht që këto dëshmi nuk kishte pse t’i sillte Haradinaj si politikan.

Shqiptarët shumë herë deri më tani kanë dhënë shembuj se janë për një partneritet të ri në Ballkan, më tri shtyllat tjera të Ballkanit, por ata duhet ta kuptojnë se shqiptarët, siç thoshte, Ismail Qemajli, janë shtylla e katërt. Pa shtyllën e katërt, Ballkani nuk mund të ketë stabilitetin  e sigurinë e domosdoshme. Vetëm këto katër shtylla do t’i japin, qetësin[ dhe sigurinë Ballkanit tonë. Ne, shqiptarët jemi për paqe, siguri, zhvillim dhe partneritet në Ballkan. Jemi për vlera evropiane, por nuk jemi për nënshtrim qyqar të cilin po na ofrojnë qeveritarët e sotëm. Të gjithë shovinistët duhet ta kuptojnë, se historia e asnjë populli të Ballkanit e aq më pak historia e popullit më të vjetër të tij e të Evropës, pra, historia e shqiptarëve, mund të shtrembërohet e deformohet sipas dioptrisë shoviniste te historiografisë dhe Akademisë serbe apo cilësdo tjetër..

Po i sjell disa të dhëna të autorëve të huaj për Betejën e Kosovës të vitit 1389 dhe çështje të përafërta më atë. Faktet që do t`i sjellim më poshtë e që janë burime të jashtme (autorë të huaj), do ta vërtetojnë atë që ne një mënyrë e tha Ramush Haradinaj me 28 qershor 2016.

Historiani Freng, Philippe de Mezieres, në një vepër të tij të shkruar pas Betejës së Kosovës 1389 shkruan: “Me mëshirën e zotit u pengua shpata e Muratit. Në këtë vit (1389) sulltani pësoi disfatë plotësisht në Shqipëri“. Kjo do të thotë se aso kohe në Kosovë jetonin shqiptarët, pasardhësit e ilirëve antik.

Shqiptarët jo vetëm morën pjesë dhe luftuan heroikisht në atë betejë ne Betejën e Kosovës, por ajo u zhvillua në trojet e tyre, ne Shqipëri, pra as heroizmi i Milosh Kopiliqit nuk qe i rastësishëm. Millosh Kopiliqi, edhe pse më vonë do të përvetësohet nga historianë e akademikë serbë si hero i tyre kombëtar, ai ishte shqiptar nga Kopiliqi i Drenicës. Kurse një burim osman i fundit të shekullit XIV, tokat shqiptare i ndan në 10 sanxhaqe: 1. Shkodra, 2. Ohri, 3. Vlora, 4. Janina, 5. Elbasani, 6. Delvina, 7. Shkupi, 8. Dukagjini, 9. Vushtrria, 10. Prizreni.

Në të mirë të kësaj qe thash me lart është edhe dëshmia e gjeografit dhe e udhëpërshkruesit, që ndoshta ishte edhe nëpunës i lartë në administratën osmane, Elvia Çelebiu i cili në vitet 1660-1662, ishte për inspektim (udhëtim) në Elajetin e Rumelisë, ishte edhe në Shqipëri. Në veprën e tij udhëtimi shkruan: “Lumi llab (Llapi) që kalon nëpër fushën e Vushtrisë, vjen nga Shqipëria (Arnavutlluku)”. Nga kjo del se si rrjedha e sipërme e lumit Llap, edhe fusha nëpër të cilën kalonte ishte Shqipëri.

Edhe një francez tjetër, Alain Ducellier, ne një fragment të librit të tij: L’Albanie entre Byzance et Venise: X – XV siecle, Londër, 1987, shkruan: “Është, pra, e qartë se një pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare gjithandej në Kosovë qysh përpara fitores turke, pa qenë nevoja të shpjegohet fakti, për të marrë më mend shpërthimin e imigrimeve në masë, për të cilat burimet nuk bëjnë zë. Dukuria që nuk ka pasur kurrë çështje ndeshjesh ndërmjet sllaveve dhe shqiptarëve në kohën e Car Dushanit edhe sidomos në kohën e formimit të principatës së Kastriotëve, është se fundi një tregues se (pushteti shqiptar u shtri hap pas hapi dhe përgjithësisht u pranua nga popullsia vendore, pa dyshim se kjo e kuptonte tanimë e prej shumë kohësh elementin shqiptar.” Fragmenti i plotë i autorit me titull: “A e kishin pushtuar shqiptarët Kosovën”, gjendet i botuar në librin tim: “Një histori e kontestuar”, botim i “Buzukut”, Prishtinë 2013, faqe 168 – 181.

Po ashtu edhe një dokument Anglez i fundit të shekullit XVII, ardhjen e gjeneralit austriak, Pikolomin, e përshkruan kështu: “Pikolomini edhe pse nën ethe, vazhdon udhëtimin për Prizren ku pritet nga arqipeshkëvi i Shqipërisë dhe patriku i kelmendasve”. Këtu me siguri është fjala për Pjetër Bogdanin tonë të famshëm. Edhe kufijtë që përshkruhen nga udhëtarët e shek XIX  J. G. Han dhe H Bue përfshijnë kryesisht tokat që ishin të banuara me shqiptar edhe para shek XIX, por që janë edhe sot.

Po e përfundojmë me konstatimin e A. Ducellier-it se: “Desllavizimi” i Kosovës është, pra, një problem i rrem: ai është vetëm një pasojë e këtyre lëvizjeve të gjera të rrjedhjeve nga sipër (të konversionit), që kanë karakterizuar gjithmonë historinë e popujve ballkanik. Këto lëvizje, të mbështetura në substratin  e vjetër që mbetet gjithmonë shqiptar, u bënë pa dhunë gjatë të gjithë Mesjetës dhe gjatë kohës së parë moderne, në mënyrë që episodet e 1690 dhe të 1738-s duhet vetëm të quhen si pikëmbërritje.” Pra “Desllavizimi” i Kosovës është gënjeshtër e madhe e historiografisë serbe e asgjë më shumë. Është përpjekje politike për të përvetësuar territore të shqiptarëve.

Këto ishin disa dëshmi që sjellin autorë të huaj, të cilat duhet t’i dinte “historiani” serb nga Beogradi. Asnjëri nga autorët  e përmendur nuk është shqiptar!

Kontrolloni gjithashtu

Flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës në mars e prill të vitit 1981

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, shënojnë fillimin e ndarjes definitive …