Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: A kemi paqe të drejtë dhe të qëndrueshme

Organizimi i një Konference që për bosht të reflektimit ka temat që lidhen  me “Paqen e Drejtë dhe Paqen e Qëndrueshme” më shtyri të përqendrohem në një segment të kësaj çështjeje universale. Do të ndalem në rastin e Kosovës, që përmbylli shekullin e XX si objekt i një lufte me gjenocid. Luftë që prapa la pasoja të shumta për qytetarët tanë, pasoja që po reflektojnë sot e që do të reflektojnë sipas të gjitha gjasave edhe nesër.

Historia mijëvjeçare e popujve na sjell dëshmi të shumta se fillimi i një lufte bëhet, në të shumtën e rasteve, me një vendim të udhëheqësit të një vendi të caktuar (qoftë prijës fisi, mbret, perandor, kryetar apo cili do qoftë funksion drejtues). Shpallja e luftës mund të bëhet edhe nga një Organizatë politike që qëllim kryesor ka çlirimin e përgjithshëm a të pjesshëm te një kombi, siç ishte rasti ynë, siç bëri LPK-ja përkatësisht UCK-ja e cila iu kundërpërgjigj gjenocidit serb me aksione të armatosura (me luftë) policisë e ushtrisë serbe. Sado që një vendim i tillë mund të analizohet në kuadër të një procesi që i parapriu shpërthimit të luftës, paqja ngërthen një proces shumë më të ndërlikuar, sepse asaj i rëndojnë mbi supe pasojat e luftës.

Por rikujtoj atë që i gjithë brezi ynë e pjesëtarët e asaj lufte të jetuar e të parë, te lexuar e të parë nga afër a larg e dinë. Përball politikës së gjenocidit që shteti serb aplikoi kundër popullit shqiptar  të Kosovës, shtetet e demokracive perëndimore autorizuan ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Ndërhyrje që e ndërpreu gjenocidin e përsëritur serb mbi shqiptarët dhe popullit të Kosovës ia solli lirinë dhe i krijoj të gjitha parakushtet për shpalljen e Pavarësisë.

Vendosmëria që tregoi aleanca veri-atlantike (NATO) e detyroi regjimin e  Millosheviqit të ndërpriste luftën. Konkretisht, Nënshkrimi i «Marrëveshjes Ushtarako-Teknike»1) që u arrit më 9 qershor në qytetin e Kumanovës shënoi fundin e strukturave politike të pushtetit të instaluar nga Millosheviqi në Kosovë dhe tërheqjen e forcave të armatosura (ushtarake dhe policore) nga Kosova.

Një ditë pas «Marrëveshjes Ushtarako-Teknike», më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244, përmes të cilës përcaktohej korniza e prezencës civile dhe e sigurisë në Kosovë deri në përcaktimin e statusit politik përfundimtar. Kjo marrëveshje i dha fund luftës në Kosovë! Pas kësaj, qytetarëve të Kosovës iu kthye jeta e shpresa për të jetuar me dinjitet në vatrat shekullore, nga ato vatra që regjimi i Millosheviqit i kishte dëbuar mbi një milion shqiptarë, pa i llogaritur të dëbuarit gjatë viteve 1990- 1998, që ishin jo më pak se 400.000 veta.

Por, kjo luftë, siç m’u deshtë t’ia rikujtoj Presidentit të Serbisë në reagimin tim të 13 tetorit, la pas vete 13290 persona të vrarë, prej të cilëve 1450 ende konsiderohen të zhdukur. Nga numri i të vrarëve, 1392 ishin fëmijë ndërsa 1739 ishin gra. Krahas vrasjeve të civilëve të paarmatosur, ndaj 20400 grave u përdor dhuna seksuale që përbën një formë të akteve gjenocidare. U rrënuan 123 objekte shëndetësore, 93 biblioteka, 30 shtëpi kulturore, 215 xhami, teqe dhe tyrbe të myslimanëve dhe 5 kisha katolike, 88101 shtëpi dhe objekte ndihmëse. Sigurisht që përmasat e pasojave të luftës në dëm të shqiptarëve janë më të mëdha sesa këto që ia përkujtova Nikoliqit. Pasi as njëherë deri më sot, as nga vendoret e as ndërkombëtaret nuk është bërë ndonjë përpjekje serioze e profesionale për të bërë përllogaritje të sakta. Sigurisht që edhe kjo e ka shpjegimin e vet, por kjo është temë tjetër.

Me gjithë barrën e rëndë që trashëgoi nga lufta, Kosova filloi procesin e ndërtimit të paqes, por kjo nuk mund të bëhet njëanshmërisht. Gjendja aktuale e konfirmon ketë. Në përputhje me obligimet ndërkombëtare që dilnin nga Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ne filluam ndërtimin e institucioneve dhe plotësimin e standardeve të nevojshme për të hapur procesin e negociatave për statusin final të Kosovës. Madje kjo ishte edhe kërkese e përsëritur e OKB-së dhe e përfaqësuesve të saj në Kosovë.

Pesë vite pas përfundimit të luftës,  Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i asaj kohe, Kofi Annan, ngarkoi ambasadori norvegjez Kai Eide që të bënte një bilanc rreth realizimit e këtyre standardeve. Kai Eide kishte ardhur në përfundimin se status cuo-ja ekzistuese nuk mund të vazhdonte më prandaj duhej të shkohej drejtë një zgjidhje të qëndrueshme.

Raporti i përgatitur nga ambasadori Kai Eide u miratua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 24 tetorit 2005 dhe në përputhje me konkluzionet e këtij raporti më 10 nëntor të po të njëjtit vit Këshilli i Sigurimit ngarkoi Martti Ahtissarin dhe Alber Rohanin për të udhëhequr bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për Zgjidhjen e Statusit të Përhershëm të Kosovës.2)

Ky vendim hapi etapën e re në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në ketë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Procesi i negociatave në mes të Kosovës dhe atij të Serbisë u zhvilluan nga data 20 shkurt (mars) te vitit 2006 e deri më 26 mars 2007 kur Martti Ahtisaari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku ai thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur3, përkohësisht me një Pavarësi të Mbikëqyrur.

Gjatë këtyre bisedimeve, delegacioni i Kosovës, i përfaqësuar në nivelin më të lartë, dëshmoi përkushtimin e madh që këtë proces ta përfundonte në interes të qytetarëve të këtij vendi dhe të mbyllte një herë e përgjithmonë kapitullin e luftës. Pra qe ta fillonim Paqen e Drejtë e të Qëndrueshme.

Fatkeqësisht, delegacioni i Serbisë u përpoq vazhdimisht ta minojë këtë proces. Të gjithë ata që i kanë përcjellë « Negociatat e Vjenës » janë të informuar hollësisht për të gjitha provokimet serbe që synonin dështimin e këtij procesi. Fyerjet dhe provokimet që bëheshin larg opinionit publik ishin shumë më të vogla në krahasim me provokimin që institucionet e shtetit serb e bënë publikisht.

Me qëllim të vetëm që t’i vinin ndërmjetësuesit ndërkombëtarë para aktit të kryer, Qeveria e Serbisë vendosi të hartonte kushtetutën e re të Republikës së Serbisë me procedurë të përshpejtuar, pa debat publik dhe pa pritur epilogun e negociatave.

Më 14 shtator të vitit 2006, Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë debatoi lidhur me projektin e kushtetutës së re, projekt që u  miratua dy javë më vonë, 30 shtator. Me qëllim që t’i jepet karakter të përgjithshëm, regjimi i ri i Beogradit veproi në të njëjtën mënyrë si regjimi i Millosheviqit: ftoi popullin serb që përmes referendumit të miratojë “Kushtetutën e re të Serbisë dhe të dëshmojë vullnetin e qytetarëve të saj që Kosova të mbetet pjesë përbërëse e Serbisë.”Për temën që po trajtojmë sot në këtë Konferencë të organizuar nga Federata e Paqes Universale është plotësisht e qartë se referendumi i organizuar nga Qeveria e Serbisë më 28 dhe 29 tetor 2006 dëshmoi se udhëheqësit e këtij shteti nuk janë të interesuar as për paqe të drejtë e as për paqe të qëndrueshme.Nuk do t’i rikujtoj rrjedhat e procesit që kulmuan me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Dihet se logjika serbe që nuk është e interesuar për paqe, bën përpjekje maksimale që ta pengojnë ndërtimin e shtetit të Kosovës. Krahas obstruksioneve të vazhdueshme në rrafshin e brendshëm përmes krijimit dhe mbështetjes së strukturave kriminale në Kosovë, shteti serb u shqua në aktivitetin diplomatik. Nuk kanë lënë institucion ndërkombëtarë pa bërë përpjekje që të pengohet anëtarësimi i Kosova. Ndër rastet më eklatante ishte mos anëtarësimi i Kosovës ne UNESCO.

Ju e dini fare mirë se mungesa e konflikteve të armatosura nuk nënkupton me automatizëm paqen. Kosova ka qenë dhe është e interesuar për paqe të drejtë. Por paqa e drejtë nuk mund të ndërtohet pa ndëshkimin e atyre që kryen gjenocidin në Kosovë. Jam plotësisht i vetëdijshëm se strukturat politike të regjimit aktual të Beogradit janë larg njohjes së krimeve që shteti i tyre u ka shkaktuar shqiptarëve dhe larg angazhimeve që përgjegjësit e krimeve të dalin para drejtësisë. Për këtë arsye, ndërtimi i paqes së drejtë në këtë pjesë të Evropës ende nuk shihet në horizontin politik. Përkundrazi. Logjika e vjetër mbisundon në institucionet e reja të shtetit serb. Këtë e dëshmoi së fundmi kërcënimet që Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, i bëri më 12 tetor 2016 « se Serbia është e gatshme të sillet me shqiptarët e Kosovës në të gjitha mënyrat e mundshme ». I njëjti me 27 korrik 2006, sa zhvilloheshin bisedimet në Vjenë pat kërcënuar me luftë, nëse Kosova merr pavarësinë.4)

Kam bindjen e plotë se për secilin nga ne që e kemi jetuar e përjetuar atë kohë barbare na është e qartë se logjika e vjetër serbe nuk mund të prodhojë asgjë tjetër pos kërcënimeve të reja! Kjo logjikë me bazë mitomane (shoviniste) serbe është pengesa kryesore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe rrezik për konflikte të reja edhe përtej hapësirave te ish Federatës Jugosllave. Kërcënimet e këtyre dite që vinin nga Serbia duke filluar nga Presidenti Nikoliq, Kryeministri Vuciq, Ministri i Armatës serbe Dikiq deri dhe i pari i Kishës serbe Irinej, duhet përcjell me kujdes nga vendet e demokracisë perëndimore.

Për këtë arsye, si toleranca e pa fre, inferioriteti dhe heshtja ndaj kësaj logjike luftënxitëse nuk i kontribuon as ndërtimit të një paqe të drejtë e as paqes së qëndrueshme. Askund më shumë në Evropë, sesa në vendet e Ballkanit nuk ka nevojë për një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Paqe e cila do të garantojë siguri, stabilitet, zhvillim e mirëqenie për të gjitha kombet e këtij rajoni. Për t’u krijuar ky realitet i ri, duhet një shkurorëzim i plotë i secilit komb nga politikat kërcënuese e luftënxitëse.

Referancat:

  1. Military Technical Agreement betwwwn the International Security Force (“KFOR”) and the Governments of the Federal Republic of Yugoslavia and the Republic of Serbia, 9 june 1999

http://www.nato.int/kosovo/docu/a990609a.htm

2 . https://sq.wikipedia.org/wiki/Procesi_i_Pavar%C3%ABsis%C3%AB_s%C3%AB_Kosov%C3%ABs

3 . Po aty.

4 . Po aty.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …