Brickos

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Të mos e bëjmë letërsinë futboll e politikë

Shkas për këtë shkrim është qëndrimi i Ndriçim Kullës për kadarefobinë e Rexhep Qosjes, botuar në mediet tona. Në këtë shkrim nuk synoj të shkruaj mirë as për Kadarenë, as për Rexhep Qosjen. Jam i bindur se cilindo që ta mbroja do të ishte një varfëri intelektuale, pasi që të dy qoftë në fushën e letërsisë apo të historisë së letrave shqipe janë mbretër! Janë mbretër në letrat shqipe, por edhe mbretërit janë njerëz prej mishi e gjaku, kanë eshtra e nerva, kanë edhe emocione, fundja si cilido njeri. Unë kam respekt të lartë për të dy personalitetet shqiptare që kanë kontribuar shumë, janë përfaqësuesit më kulmorë në letrat shqipe, ndonëse Kadare shquhet me romanet e poezitë e tija, tashmë me përmasa botërore. Ndërsa Rexhep Qosja është maja e letrave shqipe në fushën e historisë së letërsisë shqiptare, në fushën e kritikës e të publicistikës shqiptare, në fushën e romanit dhe të dramaturgjisë shqiptare.

Konsideroj se ne të tjerët mëkatarë, që kemi pasur fatin të jetojmë në këtë tetëdhjetëvjetor të Tre Korifenjve: Adem Demaçi, i tejshquar për dashuri e sakrificë për komb e atdhe, Ismail Kadare i shquar për temat gjithëpërfshirëse të trajtuara në romanet e tija, i njohur tashmë edhe botërisht dhe Rexhep Qosja, i shquar në shumë fusha të krijimtarisë letrare. Që të tre duhet t’i shohim si një trinom që na bashkon, jo vetëm në të përbashkëtën e tyre, por edhe në dallimet e në kundërshtitë e tyre. Ne, si komb apo pjesë e tij, kishim nevojë për simbolin e qëndresës, i cili sakrifikoi shumëçka, vetëm që të na tregonte rrugën nga duhet të shkonim drejt Lirisë, dhe, këtë rrugë askush nuk na e tregoi si Adem Demaçi. Ne, si komb i pandarë, kishim nevojë për një romancier që na bën krenar për porosinë, jetëgjatësinë dhe universalitetin e veprave të tij në të gjitha kontinentet e diversiteteve gjuhësore e kulturore, dhe, këtë kënaqësi na e dha Ismail Kadare. Ne, kishim nevojë për një Akademik që shkëlqen në shumë fusha të krijimtarisë letrare, ashtu si shkëlqeu edhe me sensin kritik si udhërrëfyes i shkrimit akademik, dhe, këtë na e dha Rexhep Qosja.

Përpiqem ta kuptoj intelektualin Ndriçim Kulla për respektin që ka për Ismail Kadarenë, por ai nuk do të duhej të ketë respekt më pak edhe për akademikun shqiptar – Rexhep Qosjen. Ne, nuk guxojmë që këto dy shtylla të mëdha të kombit t’i shohim si ekipe futbolli për të mbështetur njërin kundër tjetrit apo t’i shohim si partitë politike, ashtu siç i shohin deputetët në kuvendet tona liderët e tyre. Intelektualët nuk duhet të sillen ashtu siç sillen simpatizantët e ekipeve të futbollit apo simpatizantët e liderëve politikë. Intelektualët e kanë për obligim të përhershëm që vlerat kombëtare t’i shohin për unifikim e jo copëzim kombëtar. U përpoqa që ta kuptoj shqetësimin emocionues të Ndriçimit, por në raste të tilla duhet ndrydhur emocionet për të parë përtej tyre. Se bota njerëzore që na rrethon, nuk është kaq e vogël sa është bota e trazuar e cilitdo njeri në momente të caktuara!

Në asnjë mënyrë, në këtë shkrim të shkurtër, nuk synoj ta arsyetoj qëndrimin idhnak të askujt, por jo edhe ta përdorim një ngjarje të rëndësishme të një personaliteti, siç është Ismail Kadare, pasi ne edhe nuk jemi të sigurt sesi do të vepronte tjetri sikur organizimi të bëhej për Rexhep Qosjen! Në raste të tilla, ne ithtarët e këtyre personaliteteve, nëse nuk mund të kontribuojmë në zbutjen e ftohtësisë që është krijuar në mes këtyre viganëve të letrave shqipe, ne të tjerët, sëpaku duhet të heshtim e jo t’i fryjmë një dueli që brenda tij e ka frymën koniciane!

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …