Jani Minga (1872-1947)

Jani Minga (1872-1947)

Jani Minga ishte arsimues, atdhetar i njohur dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë si përfaqësues i Vlorës

Jani Minga është lindur në fshatin Shënpjetër të Fierit më 1 gusht 1872. I ati, Kostandini, ka qenë mësues i shqipes në manastirin e Apollonisë. E shoqja, Ana rridhte prej familjes Topia të Beratit. Në Berat kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen në shkollën “Koto Hoxhi” në Qestorat. Shkollën e lartë e kreu në Universitetin e Athinës, fakulteti filologjik. Njihte greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, italishten dhe frëngjishten. Pas largimit nga vendlindja, familja Minga vendoset përfundimisht në Vlorë. Jani Minga mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për krijimin e klubit atdhetar “Labëria” më 1889 dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartonte edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe”, etj. Në korrik 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Ndërsa, në vitin 1912 fitoi të drejtën e të dhënit lëndën e historisë dhe gjeografi së, pas një konkursi në Janinë, të cilin e fitoi. Më 1912-n Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë duke shkruar J. Minga. Atë kohë, me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj.

Petro Marko shkruan në librin e tij “Intervistë me vetveten” shkruan: Më kujtohej një episod i Vlorës para luftës së Vlorës, kur pushtuesit italianë e kishin detyruar të mbante një ligjëratë në Sheshin e Flamurit, para popullit, për lidhjet ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve. Dhe Jani Minga kishte pranuar. Gjithë populli i Vlorës u habit se si ky Jani Minga, ky antiitalian, do të mbante ligjeratë në Sheshin e Flamurit. Minga, nga ballkoni filloi:

“Popull div i Vlorës! Siç më njihni, unë jam mësues. Dhe sot dua t’ju jap një mësim të hapur. Na ishte njëherë një shkrimtar i vjetër grek që quhej Ezop. Ky Ezopi ka shkruar fabula për kafshët. Një nga ato fabula është edhe kjo: Na ishte njëherë një qen dhe një lepur. Qeni lepurin herë e ndukte dhe herë e puthte. Dhe lepuri i gjorë i tha një ditë qenit: “O qen, nëse të kam mik, pse më nduk? Nëse të kam armik pse më puth?…” Jani Minga, së bashku me një çetë të Semanit, luftoi në luftën e Vlorës së vitit 1920. Ai pati nderin të mbante fjalën e fitores në sheshin “Pavarësia”.

Më 1922 mori pjesë në kongresin e arsimtarëve në Tiranë. Ishte përkrah Nolit gjatë kryengritjes së qershorit 1924 dhe mbajti fjalën e rastit kur trupat kryengritëse hynë në Tiranë. Vite më vonë iu përkushtua arsimit, si mësues e inspektor dhe kohë më kohë organizonte aktivitete me frymë patriotike, si p.sh. përkujtimin e betejës së Mashkullores dhe figurën e Çerçiz Topullit etj.

Djali i madh i Jani Mingës ishte Pirua i cili nuk pranoi të ishte anëtar i Partisë Naziste dhe pse u shërbente gjermanëve si përkthyes. E internuan në kampet e shfarosjes në Gjermani nga nuk u kthye kurrë. Edhe djali tjetër i Janit, Mërkuri pati një fat tragjik. Mërkuri vdiq si pasojë e një rrëzimi nga moli në portin e Vlorës. Atë e gjetën në mëngjes, në gjendje tejet të rëndë shëndetësore dhe e dërguan në spitalin e Janinës. Me gjithë ndërhyrjen dhe terapinë intensive të mjekëve, djali i dytë dhe i fundit i Jani Mingës nuk i mbijetoi dot plagëve të gozhdëve dhe hekurave të ndryshkur. I depresuar prej tragjedisë familjare Jani Minga Vdiq më 7 maj 1947. ( Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Dervish Shaqa (1912 – 1985) këngëtari më i përkushtuar i këngës rapsodike shqiptare

Mr. Kadri Rexha: DERVISH SHAQA ( 4.5.1919 – 13.4.1985)

Dervish Shaqa lindi më 4 maj të vitit 1910 në Llukë të Epërme të Komunës …