leoni

Januz Salih Zeneli (10.4.1942 – 17.10.1997)

Januz Salih Zeneli (10.4.1942 – 17.10.1997)

Januz Zeneli ishte pjesëtar i një familje të njohur atdhetare, e cila nga brezi në brez kishte trashëguar aspirata për çlirim dhe bashkim kombëtar të shqiptarëve. Të parët e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore luftuan dhe ranë trimërisht kundër bandave gjakatare serbe të cilat riokupuan Kosovën në fillim të vitit 1945.
Salih Zeneli nga fshati Ballaban dhe bashkëshortja e tij Metihja, edhe pse në kushte dhe rrethana të rënda ekzistenciale, rritën bijtë e tyre: Januzin, Veselin dhe Jahirin si dhe bijën e vetme, Vahiden.
Januzi u lind më 10 prill të vitit 1942. Shkollën fillore e kreu në Gallab, ish-Orllan. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike nuk arriti të shkollohet ndërsa në moshën e rinisë kryen shërbimin e obligueshëm ushtarak. Pasi kthehet nga ushtria zë punë në Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, ku punoi disa vjet dhe ndihmoi në ngritjen e familjes. Në vitin 1990 filloi punën në shkollën e fshatit ku kryente detyrën e punëtorit teknik të shkollës.
E edukuar dhe i frymëzuar me ide atdhetari, Januz Zeneli merr pjesë në demonstratat e rinisë studentore të marsit dhe prillit të vitit 1981.
Duke qenë se njihej dhe mbante kontakte me grupet ilegale, Januzi në vitin 1994 bëhet anëtar i njësiti gueril “Rrufeja” të cilin e kryesonte, bashkëluftëtari dhe kushëriri i tij, Hasan Zeneli.
Ishte koha kur në zonën e Llapit grupet e para të organizuara ishin konsoliduar falë angazhimit dhe aktivitetit të kryetrimit të kësaj ane, Zahir Pajaziti, i cili asokohe zgjeronte me sukses grupet dhe konsolidonte radhët, jo vetëm në Llap por edhe në Drenicë dhe Dukagjin.
Januz Zeneli ishte treguar i gatshëm për të ndërmarrë aksione të armatosura guerile kundër policisë vrastare serbe.
Më 16 korrik të vitit 1996, Januz Zeneli takohet në fshatin Ballaban me Zahir Pajazitin, Rrustem Mustafën, Avni Ajetin dhe Naim Hazirin.
Më 28 korrik Januz Zeneli së bashku me Zahir Pajazitin, Hakif Zehjnullahun, Avni Ajetin, Hasan Zenelin ndërmorrën një aksion për grumbullimin e pastaj shpërndarjen e armëve nërpër njësitet guerile.
Më 2 gusht të vitit 1996, Januzi së bashku me Agim Makollin, pjesëtar i njësitit gueril “Rrufeja“ sulmon stacionin e policisë në Orllan, të cilin e komandonte serbi, Stanko Dimiq.
Pas rënies së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut më 31 janar të vitit 1997, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë dhe mbytjes në tortura të Besnik Restelicës në burgun e Prishtinës, bashkëluftëtarët e komandant Zahir Pajazitit, nuk e ndalën veprimtarinë atdhetare çlirimtare, por vepruan me qëllim të rirreshtimit dhe konsolidimit të radhëve.
Më 28 prill të vitit 1997, Januz Zeneli së bashku me Ismajl Sejdiun, Hasan Zenelin, Agim Makollin, Latif Brajshorin dhe disa bashkëluftëtarë të tjerë, takohen te Xhamia e Llapit në Prishtinë dhe marrin vendim që me rastin e Një Majit të atij viti të ndërmarrin aksione, për të vazhduar rrugën e komandant Zahir Pajazitit.
Në përgatitje të aksioneve, Shërbimi sekret serb zbulon grupin dhe më 28 prill arresohet Isak Shabani, ndërsa të nesërmen policia okupatore serbe arreston: Januz Zenelin, Agim Makollin, ndërkohë që Ismail Sejdiu arratiset dhe shkon në Shqipëri ku i bashkohet Ilir Konushevcit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Duke qenë në njohuri të aktivitetit të tij, forcat policore serbe torturojnë mizorisht Januz Zenelin, me qëllim për të marrë informata për veprimtarinë e grupeve guerile. Januzi qëndron burrërisht. Edhe atje duron të gjitha torturat dhe mizoritë. Më 17 tetor të vitit 1997, vdes nga pasojat në burgun e Beogradit.
Januz Zeneli ka lënë bijtë: Remziun, Nebihun, Fatmirin e Demën, si dhe bijat Fexhrijen, Metihen dhe Havën. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm, nga Zona Operative e Llapit dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …