leoni

Jeton Ali Kabashi (29.1.1982 - 27.5.1999)

Jeton Ali Kabashi (29.1.1982 – 27.5.1999)

Gjysma e dytë e majit të vitit 1999 sajon dyjavëshin më të zjarrtë që karaktarizohet me luftimet më të përgjakshme në Zonën Operative të Pashtrikut, por edhe në Koshare e në tërë Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Bandat e dehura e të çfrenuara serboçetnike tashmë ishin gjetur në “sendwich” ndërmjet dragojve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aeroplanëve të Aleancës Veriatlantike. Në rrethana të këtilla, këmbësoria serbe ishte imputuar sepse i mungonte guximi për të bërë luftë kallash për kallash e kaçub për kaçubi, prandaj shpresa e vetme “pukovnikave” shizofrenë u kishte mbetur në granatimet e pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dushkajë, në Dellovë, në Rosishte, në Kusuriq, në Kotradiq, në Baballoç, në Bjeshkët e Rusolisë, në “Hamocet” e Rahavecit, në ”Qafën e Duhlës”, në Apterrush, në Reti, në “Qafën e Pagarushës”, në Samadraxhë, në Lumbardh, në Brestos të Anadrinit e në Gurrazhub të Hasit, kur para predhave që hidheshin me artileri prej bazave në Megjak të Landavicës, në Shirokë të Therandës, në Pnish të Hasit, në Rrihje të Rahavecit, në Sukë të Baballoçit, në Podin e Gështenjave e nga kodrat e tjera që laheshin me gjak prej 24 marsit të vitit 1998 në Gllogjan të Rrafshit të Dukagjinit, e prej 26 prillit në “Përrua të Keq” të Anadrinit. Por, edhe kanonadave të artilerisë serboçetnike të fundmajit të vitit 1999, i qëndronin sypatrembur: vëllezërit Rexhaj nga Jabllanica e Madhe, Arben Krasniqi e Xhezahir Syla të Grabanicës, Bejtë Kajdomçaj e Faik Çabrati nga Hasi, Sahit Avdyli i Rrëzëbjeshkës së Qyqavicës, Blerim Ahmeti i Kralanit, Arben Qerimaj i Gllogjanit, Ardian Kelmendi i Kusuriqit, Muharrem Kelmendi i Pejës, Islam Berisha i Qallapekut, Fetah Selca i Baranit, Arsim e Hilmi Bërdynaj të Fshatit të Ri (Pejë), Bekim Sylka i Rahavecit, Selim Berisha, Alajdin e Xhevat Elshani nga Brestosi, Demir Demiraj i Samadraxhës, Bislim Alijaj i Dujakës, Luan Qerimaj i Gllogjanit, Rexhep Tafilaj e Haki Krasniqi të Vranocit, Hamdi Përgjegjaj i Lumbardhit, Alirizan Selmani i Tetovës, Beron Gashi i Prizrenit, Florim Rushiti i Medvegjës, Astrit Suli i fshatit Luzaj të Beratit, Abdurrahim Gërdellaj, Bafti Haxhiu, Safet Peci, Sali dhe Gani Saramati, Selver Maçkaj, Shpend Berisha, Zejnullah Zena, Xhelal Sopi, Arif Gashi i Samadraxhës, Besnik Përzhaku i Gurrës së Therrandës Sadedin Hajda e Mexhit Mustafa të Rahavecit, Xhevdet Krasniqi e Milaim Morina të Dejës, Agron Bytyçi i Prizrenit, Nazmi Hasani i Qëndresës e Valon Myrtaj i Uçës, kurse në altarin e lirisë, pikërisht në ditën kur Luis Arbor ngrit akuzë kundër krykriminelit Slobodan Milosheviq dhe funksionarëve të tjerë serbë, përjetësohen edhe dy mantelbardhët e Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, Jeton Ali Kabashi e Bujar Shefqet Thaçi, dëshmorë të kombit, njëri nga Apterrushi e tjetri nga Retia e Anadrinit të Rahavecit.
Jeton Ali Kabashi, i nënës Fehmije, e lindur ndër Zogajt e Vneshtit të Therandës, i vëllai i Hasanit, Leutrimit, Valbonës, Durbonës dhe Syzanës, luftëtar i lirisë, teknik në spitalet ushtarake të Zonës Operative të Pashtrikut, sot dëshmor i kombit, me shtëpi të amshueshme në “Lugjet e Verdha” të Rahavecit, nën hije të lisit, pranë Tonit e Micit, i pandashëm me Bujar Shefqet Thaçin, është i lindur më 29 janar 1982 në fshatin Apterrush të Anadrinit ku ishin lindur edhe luftëtarët: Shkëlzen Nijazi Krasniqi, rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, Sylejman Melit Bytyçi, Besim Aziz Kabashi e Blerim Bajram Spahiu i përjetësuar më vonë, jo larg fshatit ku kishte lindur luftëtari i njohur Dan Retia, e ku kishte rilindur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që theu mitin se “Serbia është e pathyeshme”. E sot të paktë janë ata bashkëluftëtarë të Adem Jasharit që pas thyerjes së kufirit të mos kenë kaluar nëpër Drenaj të Mensur Zyberajt e nëpër Retinë e Bujar Thaçit, të Avniut e të Ramadan Mazrrekut e nëpër Apterrushin e Jetonit Kabashit, prandaj doli edhe thënia “Ku është Retia, aty është Shqiptaria”.
Shkollën fillore, mjeku i ëndrrave të nënës Fehmije e të bacit Ali, e mbaroi në vendlindje, kurse të mesmen në Gjimnazin “Xhelal Hajda-Toni” në Rahavec, ku ishin shkolluar edhe dëshmorët Mizahir Isma, Selajdin Mullabazi, Abdullah Bugari e shumë djelmosha të të tjerë që vepronin në tërë Zonën Operative të Pashtrikut përkrah komandant Xhelal Hajdës e doktorit Haki Gashi. Gjatë qëndrimit në Rahavec Jetoni vepron në organizimin e protestave dhe demonstratave kundër dhunës serbe për çka edhe bjen në duart e policisë dhe rrahet deri në alivanosje. Nuk i mungojnë as thirrjet e shpeshta në bisedat informative, jo vetëm për Jetonin, por edhe për të anë Aliun, një bujk i vyeshëm por edhe luftëtar i vendosur për kauzën kombëtare. Gjatë mbarimit të shkollës së mesme, Jeton Ali Kabashi ëndërron për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë dhe një ditë të bëhet mjek, sipas dëshirës së nënës Fehmije. e për ta fituar këtë të drejtë regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. I frymëzuar nga veprimtaria patriotike e Nahit Thaçit, intelektual i shquar dhe të veprimtarëve: Hamëz Kryeziu, Musli Thaçi, Hasim Shtërbani, Avni Thaçi e Ramadan Mazreku e Bujar Thaçi nga Retia, Ejup Kabashi, Shemsedin Spahiut, Sokol Bytyçi, Sinan Morina e Arsim dhe Bahar Mazrreku dhe veprimtarëve nga Apterrushi e duke u gërditur nga psikologjia e robit dhe sjelljet banditeske të kapadahinjve Mladen Bozhaniq, Lubisha Bozhaniq, Rajku i Ilijës e Pera i Millanit që mbillnin frikë e trishtim në fshatrat: Reti, Apterrush, Samadraxhë, Medvec e Zojz, vendosi t’i bashkohet grupit të veprimtarëve të këtij fshati dhe kështu në prill të vitit 1998, Jeton Kabashi gjendet pranë luftëtarëve të lirisë dhe më 12 maj bëri përpjekje mbinjerëzore për ndaljen e gjakderdhjes në trupin e luftëtarit të plagosur, Milaim Krasniqi, dëshmor i parë i Anadrinit. Këto përpjekje Jeton Kabashi e Bujar Thaçi i bënë në spitalin e improvizuar në Zatriq prej nga transportoheshin të plagosurit në Malishevë e Gajrak – Zona e lirë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ku gjetën shërim shumë luftëtarë të lirisë.
Në këtë spital Jeton Kabashi e Bujar Thaçi për instruktor kishin dr. Haki Gashin e dr. Agim Hazrollin, kurse në qarkun operativ për tranjues kishin: Osman Zyberajn, Xhemë Gashin, Selajdin Mullabazin e Gani Paçarizin, prandaj Jetoni e Bujari veprojnë në shtrirjen më të shpejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit, dhe themelojnë spitalin ushtarak në Reti. Këtu shërojnë të plagosurit nëpër fushëbetejat e Anadrinit. Aftësia organizative, humanizmi, shpirtgjerësia, modestia dhe mbi të gjitha, bujaria e luftëtarit Jeton Kabashi atyre ditëve doli në pah me shpejtësinë e madhe të shndërrimit të ambulancës së fshatit në një spital ushtarak i cili së shpejti në saje të punës së Jeton Kabashit e të Bujar Thaçit, u bë qendër ku shërohej popullata e Anadrinit pas betejave në Fortesë e Rahavec e veçanërisht në kurimin e plagëve nëpër luftimet bri aksit rrugor Rahavec – Therandë.
Sipas dëshmitarëve, Jetoni bëri përpjekje mbinjerëzore për ndihmën e parë dhe transportimin – evakuimin e luftëtarëve Kujtim Saraqi e Lulzim Ymeri nga Qyqavica të cilët u plagosën në luftimet e 6 nëntorit të vitit 1998, kur te Apterrushi ranë në altarin e lirisë: Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti e Nezir Ymeri nga Zona Operative e Shalës. Vetëm me punë Jeton Kabashi u bë dorë e djathtë madje edhe në operacione kirurgjike të mjekëve Haki Gashi, Agim Hazrolli, Sali Asllani, Refki Berisha e Vezir Bajrami.
Gjatë luftimeve të fundmarsit në “Qafën e Pagarushës”, 27-31 mars të vitit 1999, Jetoni nuk ndahej prej shokëve, veçanërisht prej Bujar Thaçit e dr. Haki Gashit. Pretendonte që luftëtarëve t’u gjendej sa më pranë; u jepte ndihmën emergjente dhe u qëndronte të shtretërit e improvizuar të Pagarushës të cilën e konsideronte shenjtëri për shpëtim. Edhe pas braktisjes së Pagarushës, më 31 mars, Jetoni kalon në Karvaseri e Kasterc ku vepron në sektorin e shëndetësisë deri në koordinimin e operacioneve të “Shigjetës” nëpër fushëbetejat e Zonës Operative të Pashtrikut, të cilat i drejtonte Tahir Sinani, komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, për të cilin sektori i shëndetësisë ishte segment më i rëndësishëm në çdo operacion e veçanërisht në “Shigjetën” operacion ky që pa tjetër është dashur ta shkatërrojë “Patkoin” serboçetnik të cilin në Rrafshin e Anadrinit e drejtonin Milentijeviqi dhe Bozhidar Zhiliqi.
Pas depërtimit të Batalionit të Rahavecit në “Hamoce”, “Lis të Bajrakut” e në paralagjen “Ali Sokoli”, grupi i teknikëve zbret nga Karvaseria, Breshanci, Kasterci, Semetishti e Dabërdelani kah Samadraxha, Retia, Hoça e Vogël, Brestosi e Nagaci, kurse Batalioni i Drinasit zë aksin rrugor Prizren – Gjakovë, mbi fshatin Celinë. Forcat serbe te hendikepuara, granatojnë në sistemin “Hark” e “Qark” rrëzën e masivit që ndan Anadrinin nga Llapusha. Jeton Kabashi e Bujar Thaçi, njohës të mirë të terrenit, së bashku me, Xhevdet Berishën, Visar Morinën, Bajram Balajn e Valon Myrtajn, avancojnë në drejtim të shokëve, por më 27 maj 1999, kah ora 10.00, në “Vishnik” të Vneshtit të Therandës (ish-Samadraxhës), Jeton Kabashi përjetësohet në altarin e lirisë. Në ato çaste Jetoni e Bujari qenë gjetur nën kanonada të granatave që vinin nga baza artilerike e Shirokës. Pranë Jetonit dhe çantës së tij u përjetësuan edhe: Bujar Thaçi, i Retisë, Sinan Hodaj i Vneshtit (ish-Samadrxhës) dhe Valon Metë Myrtaj i Uçës së Burimit, familja e të cilit ishte ngulitur në fshatin Dubravë; në Hoçë të Vogël përjetësohen: Sadedin Hajda e Mexhit Mustafa, Xhevat e Alajdin Elshani, në ”Tehe”, ndërmjet Celinës, Fortesës dhe Rahavecit, Xhevdet Krasniqi e Milaim Morina e në Qëndresë Agron Bytyçi, Nazmi Hasani, e në afërsi të Brestosit edhe Selim Berisha.
Policia serbe në përpjekje për t’ua zhdukur gjurmët, “Dëshmorët e Samadraxhës”, Valonin, Sinanin, Jetonin dhe Bujarin, arrin t’i rrëmbejë dhe t’i varrosë në një kënd të varrezave të Rahavecit, por me ndërprerjen e veprimeve luftarake të Zonës Operative të Pashtrikut, zbulohen varret në Rahavec dhe kështu, trupi i pajetë i Valon Myrtës, nën përcejlljen e bashkëluftëtarëve të Brigadës 123 nga Theranda, të Zonës Operative të Pashtrikut e me pritjen ushtarake të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit rivarroset në varrezat e fshatit Dubravë, trupi i pajetë i Sinan Hodajt, në Therandë, ndërsa Jeton Ali Kabashi e Bujar Shefqet Thaçi, sot prehen të qetë në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në krye të “Lugjeve të Verdha” të Rahavecit, nën hije të lisave – vigaj, jo larg varrit të Halil Homzës e të Halit Hajdës të cilët lanë Xhelal Hajdën e Selajdin Mullabazin.
Sot në varrezat e dëshmorëve në Rahavec, për “Lulëkuqet e Majit”, së bashku me bashkëluftëtarët e Retisë vjen edhe nëna Fehmije, të cilën e shoqëron Jetoni, ende foshnjë në mënela por nip i dëshmorit Jeton Ali Kabashi. Kjo nënë, bijë e Zogajve të Samadraxhës më 27 maj viziton “Vishnikun” dhe flet me lapidarët për Bujarin, Jetonin, Valonin dhe Sinanin e së andejmi i bashkohet nënës së gjeneral Xhelal Hajdës, e cila përveç Xhelalit vajton Sadedinin, pesë vëllezër e tre nipa nga Krusha e Madhe. Por, nënat qëndrojnë të forta duke ndarë dhembjen, pikëllimin dhe krenarinë me njëra – tjetrën.
Emrin e Jeton Kabashit, përherë të buzëqeshur e ruajnë vargjet e nxënësve të shkollave fillore të Anadrinit dhe një rrugë që shtrihet bri oborrit të Shkollës Fillore “Isa Boletini” në Rahavec. Me shkrime Jetonin me të gjithë dëshmorët e Apterrushit e përkujtuan edhe poetët Agim Metbala e Milazim Bajraj, ndërsa Këshilli Organizativ për Ruajtjen e Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po punon në ngritjen e një “Këndi Përkujtimor” ku ishte ambulanca e Jeton Kabashit dhe e Bujarit Thaçit e ku do të shkëlqejnë emrat e dëshmorëve Ramadan Mazreku e Avni Thaçi, por edhe të 20 martirëve. Një lapidar i këtillë është duke u ngritur edhe në fshatin Apterrush në shenj nderimi për dëshmorët: Jeton Ali kabashi, Shkëlzen Nijazi Krasniqi, Besim Aziz Kabashi, Sylejman Melit Bytyçi e dhe martirët e këtij fshati të cilit kaq shumë i kushtoi liria dhe pavarësia e Kosovës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …