Ka filluar shenjëzimi i rrugëve në qytetin e Malishevës

Si çdo të hëne është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, i drejtuar nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Në këtë mbledhje, u tha se janë duke vazhduar punimet në projektet që kanë filluar më herët, ndërsa këto ditë ka filluar edhe shenjëzimi i rrugëve brenda qytetit të Malishevës. Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në këtë mbledhje, ka përsëritur kërkesën e tij, në raport më drejtoritë përgjegjëse, që projektet të përfundojnë me kohë dhe të mos ketë vonesa, pasi siç tha kryetari Begaj, “nuk dua që projektet të realizohen gjatë fushatës zgjedhore, por të përfundojnë mundësisht para kohës së planifikuar dhe asgjë të mos lidhet me fushatën zgjedhore në tetor”. Përndryshe, gjatë raportimit të drejtorëve të drejtorive, u bë e ditur se “ka filluar shenjëzimi i rrugëve brenda qytetit, por për shkak të shiut është ndërprerë dhe do të vazhdoj në ditët në vijim”, tha në raportin e tij drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina. “Për shkak të reshjeve të shiut është ndërprerë edhe fushata e korrje shirjeve, e cila pritet të përfundoj brenda dy ose tri dite”, ka raportuar drejtori për bujqësi, Murat Hoxha, i cili gjithashtu tha se gjatë kësaj jave, përfundojnë të gjitha procedurat dhe nga java e ardhshme, pritet furnizimi i fermerëve me motokultivator, projekt i drejtorisë së bujqësisë. Ndërsa drejtori për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, duke prezantua raportin gjashtë mujor, tha se buxheti është realizuar sipas planifikimit, e sidomos pjesa e shpenzimeve në investimet kapitale, ku projektet janë realizuar sipas planifikimeve. Sa i përket realizimit të projekteve, u tha se janë duke vazhduar punimet në të gjitha projektet kapitale dhe deri më tani nuk ka vonesa. Gjatë raportimeve të drejtorive, u tha se po vazhdojnë përgatitjet për organizimin e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, edicioni i katërt. Po ashtu, në këtë mbledhje u tha se edhe shërbimet komunale janë në vlugun e punës, sidomos në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, e në mënyrë të veçantë për mërgimtarët. Përgatitje janë duke u bërë edhe për fillimin e vitit të ri shkollor 2017-2018, ku janë planifikuar të hapen katër objekte të reja shkollore.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu po merr pjesë në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale

Kryetari i komunës së Ferizajt z. Agim Aliu po qëndron në Strasbourg të Francës me …